top of page

Fatmir Terziu: dy poezi


DRITË

Nga Fatmir Terziu

 

Vargu im u lind të kapte njëqind e pesëdhjetë milionë largësi,

udhëtim i gjatë kilometrik, por nuk u lodh,

gjithë ajo udhë iu bë Diell në sy,

e aty u ngroh,

aty,

se vargu thotë Khajami udhëton në andrra,

është punë e lodhshme udha e tij,

e kështu kur në të hyri papritur Luçiana,

brenda ishte një Gjithësi.

E gjithë udha u kthye nga e mbara,

nuk është lodhje kur udha të bëhet risi,

se vargu është varg udhëzon shtigjet nga Fjala,

e kështu kthehet në dashuri,

e vetë emri është përkthim, rijetësim nga gjuhët e radha

madhështi, diel, dritë,

shkëlqen pesëdhjetë milionë kilometra larg nga nata,

e të mbillet trëndafil,

yll, qiell, yllësi,

e ti e ngjiz vargun fill,

në zemër e në sy.

 

NGJYRA

Nga Fatmir Terziu

 

Jam i përhumbur në ngjyrën tënde!

Edhe sekonda, edhe minuta edhe dita e i gjithë viti

si ndodhka të pikturohen njësoj te syri,

teksa mendja lëviz në një ngushticë,

ngjyroset me bojë petalesh trëndafili,

etja më ysht të pijë një birrë,

gjithçka më duket e heshtur,

ndërsa ti hyn e hyn më shumë brenda,

e më bëhesh një ndjesi e paprekur,

botërat mblidhen në një pikë,

të ndjejnë vetëm sytë.

Përreth ka vetëm mjegull,

më torturon, më bën të thyej gota,

jam dehur?!

Në këtë rregull,

nëse më kupton ka rregulla të forta

një tjetër forcë më mban pezull,

lëviz trupi im si një pupël e zverdhur,

e shëtit, bredh në mjedise të kota,

në një botë të tredhur,

të zbehur,

të vdekur.

Dhe unë zgjohem, pyes veten

pse qenkam po ai,

gjashtëdhjetë vite të tilla treten

po sytë vetëm sytë nuk ndryshojnë risi,

e nëse ndodh që gjërat meken,

ngjyra, vetëm ngjyra është meleqe tek ty.

7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page