Skënder Përpepaj modeli i integrimit shqiptar në Britani të Madhe

Skënder Përpepaj modeli i integrimit shqiptar në Britani të Madhe

Dr Fatmir Terziu

Këtë herë nuk është fjala thjesht për një nga kompanitë më të suksesshme shqiptare në Britaninë e Madhe, por për atë që kjo kompani ka afruar dhe afron përditë si një model respekti në sistemin e menaxhimit. Kompania “SA BUILDERS & CONTRACTORS LTD” është themeluar në vitin 2003 dhe ka zyrën e saj të regjistruar në Romford. Statusi i organizatës është i shënuar si "Aktive". “SA BUILDERS & CONTRACTORS LTD”, është një kompani private e kufizuar e regjistruar në Angli me Companies House dhe me një rregullim ligjor të plotë e të saktë, kërkesë-dorëzim llogarie të mirëfilltë.

Emri dhe respekti

Emri i kompanisë në fjalë tashmë lidhet me mjaft faktorë të tillë shembullorë që e bëjnë këtë të jetë një nga konkurrentet e ndershme në tregun britanik të ndërtimit. Drejtori i saj z Skënder Përpepaj, e nis suksesi nga familja. “Familja”, thotë ai me një zë të vendosur dhe buzëqesh me mënyrën e tij tipike njerëzore. Buzëqesh dhe shton: “Familja!”. Dhe ne e shihim me vëmendje dhe kërkojmë që ai të pasojë fjalët. Fjalët i rrjedhin më pas ngadalë e me një përkushtim. “E sheh këtë fotografi”, më thotë. “Kjo është familja ime. Ky është djali i vogël, djali tjetër, vajza dhe bashkëshortja... Por kjo nuk është ajo që dua të të them. Familja për mua është edhe ai grup i madh i Kompanisë që unë drejtoj se ajo është e tillë dhe meriton këtë fjalë. Pra nëse nuk e trajton dhe atë pjesë si të familjes që ke në zemër, nuk ka arsye të jesh i suksesshëm. I tillë je vetëm kur ke suksesin në arsye respekti dhe përkushtimi.” Dhe më pas na flet për të gjithë ata që lartësojnë emrin e kompanisë në fjalë. Janë të gjithë e një nga një në memorjen e tij dhe ai i njeh me imtësi, duke folur me respekt të madh për duartartët e vërtetë, mjeshtra të të gjitha skutave profesionale të ndërtimit.

Arsyeja tek suksesi

Në Britani të Madhei erdhi me një arsye të ndjeshme, por shumë shpejt me punën e tij, me vullnet dhe guxim, Skënderi ka bërë përpara. Sot drejton një kompani të madhe ndërtimi, u jep punë punonjësve dhe ka kantiere pune të shumta në të gjithë këndet londineze e më gjerë.

Historia e Skënder Përpepajt, është historia e një integrimi. E një sërë përpjekjesh për një jetë më të mirë dhe integrim në tokën e huaj.

Bindja se në Britaninë e Madhe ishte e ardhmja e tij dhe e familjes së tij të mrekullueshme, e bëri të përballonte, si shumë të tjerë shqiptarë në ato vite, rrezikun e këtij vendimi të ikjes nga vendlindja. Për fatin e tij të mirë gjeti përkushtimin e tij dhe me punë e angazhim arriti të krijojë modelin e shqiptarit të mirërespektuar nga mjaft anglezë e nga komunitete të tjera. Sot ai përshëndetet thuajse çdo ditë nga avokatë, doktora, akademikë, mjeshtra e qytetarë të tjerë me të cilët ai ka një lidhje profesionalizmin, përkushtimin dhe respektin ndaj klientit.

Motoja e tij

Motoja e tij ishte dhe është: me punë dhe vetëm me punë do të mund të ndërtonte dhe mund të vazhdojë të ndërtojë të ardhmen që ëndërronte dhe ende ëndërron. Toka e huaj mërgimtarin e vendos përballë provash e stërprovash tepër të forta. Kështu çdo ditë ishte një përpjekje qoftë për të mësuar zanatin, gjuhën por dhe zakonet e vendit, sepse vetëm kështu mund të dish të respektosh e të respektohesh.

Skënderi me edukatën e korrektësinë të trashëguara nga prindërit e tij u angazhua përditë në punë duke përforcuar bindjen e tij se vetëm duke guxuar mund të shkonte përpara, të çante edhe në tokë të huaj. Nisi punë si mjaft shqiptarë të tjerë në ndërmarrjet e ndërtimit dhe puna i hyri në zemër, aq sa të ëndërronte që të kishte dhe ai një ndërmarrje të tijën dhe kjo gjë një ditë u bë realitet. Hapi një ndërmarrje individuale në sektorin e ndërtimeve, e cila më pas u transformua në një model dhe më pas këtë kompani që për të është si një familje, një shoqëri ndërtimi.

Cilësia, korrektësia e punës

Kështu nga punëtor i thjeshtë, u kthye në punonjës privat e më pas në sipërmarrës duke mundësuar punësimin edhe të personave të tjerë dhe jo vetëm të familjarëve të tij por dhe të punonjësve të tjerë emigrantë. Cilësia, korrektësia e punës së kompanisë së drejtuar nga Skënderi dhe kontributi në hapjen e fronteve të reja të punës për punonjës të tjerë u bënë dhe motivet që Kompania të vlerësohej në vitet më pas me çmimin e kompanisë më të mirë me motivimin: “si një ndër ndërmarrjet që është shquar më shumë në sektorin e ndërtimeve duke ndihmuar kështu në përparimin e integrimit, qoftë nga ana ekonomike, qoftë nga ana shoqërore”. Një arritje dhe vlerësim i rrallë për një sipërmarrës shqiptar.

Koha që lamë pas shënoi anën festive të kompanisë pas vlerësimit nga Parlamenti Britanik. E takuam Skënder Përpepajn, në mesin e punëtorëve dhe specialistëve duarartë, pranë vendit të caktuar për festë, ku pastaj humori, gëzimi dhe shakatë e tjera e bënë atë të mirëfilltë në kuptimin e familjes. Por familja e tij është vërtet një model tjetër në integrimin britanik. Kjo temë do të jetë në shkrimet që do të pasojnë më tej, pasi ai ka fëmijë shembullorë...

#skender #perpepaj #terziu #fatmir

    180
    0