KAPJE NGA E SOTMJA

Fatmir Terziu

KAPJE NGA E SOTMJA
 
(Ri)krijimi i Botës

Nga Fatmir Terziu

Atëherë, atëherë, atëherë,
 
le ta bëjmë këtë kohë shend e verë
 
le t’i buzëqeshë vetmia stinës, e bardha retinës
 
për të vetmin kryengritës që mbeti mbretëruar
 
e balljet nëpër kubatura të mistershme
 
me virusin e padashjes së trazuar.
 
Si një ndukje e punëve të brendshme,
 
pa kushtetutë, pa parlament, pa qeveri,
 
anarki në vetën e parë, të dytë
 
ëndrra ime m’i lexon sytë
 
edhe sot
 
kërkojnë nëpër terr pak dritë
 
dridhen, shtrëngohen dhe lotojnë
 
rikrijimin e Botës së kotë,
 
ri, ha, pi...
 
i izoluar brenda katër mureve
 
Shtëpi?!
 
Si atëherë vetëm kaos
 
nga zbrazëtia shkelmon Erebusi,
 
vendin e panjohur ku banon përhumbja,
 
natës nën mend-afsh
 
çdo gjë tjetër ishte bosh,
 
e heshtur,
 
e pafund,
 
errësirë e plotë.
 
Pastaj lindi disi dashuria
 
sillej nëpër hapësirë si ftilluesja e rendit,
 
nga dashuria erdhi Drita dhe Dita
 
pas tyre Gaea gati në flakë,
 
toka u shfaq.
 
Pllakosi gjumi i gjatë
 
Erebusi fjeti pakuptim me atë Natë,
 
lindi Eteri, drita qiellore,
 
dhe ne pritëm ditën e dritës përrallore.
 
Kjo u duk se ishte më e mira,
 
doli për fat të keq virusi i errët nga errësira
 
rihyri ngadalë e përditë
 
na vuri maskën në fytyrë
 
duke riprodhuar tinëz
 
fate të trishta, vdekje, frikëra masive, varfëri,
 
vetëizolimin në mes të ditës
 
kaq e kishte e mira
 
kudo zuri vend errësira.
 
Këtë herë, këtë herë, këtë herë,
 
le të mos dehemi menjëherë
 
natyrisht duhet të kemi kujdes më shumë sot
 
se shuam edhe një pranverë
 
prodhojmë mendërisht ciklopë
 
dikush na përpëlitet i vdekur si i gjallë
 
të tjerrët bëjnë rolin e ëngjëjve...,
 
në këtë përrallë.
 
Dhe ne?
 
Përherë, përherë, përherë,
 
këmbana qerpikësh poshtë syve
 
klapitjeve u kemi vënë melhem të lëngët
 
e dashur, as kjo vetmi nuk na trisht të dyve
 
dashuria jonë tek besa i ka rrënjët!

    5117
    2