top of page

  “ÇAJKOVSKIT SHQIPTAR”


SHPENDI TOPOLLAJ

95 VJETORI I LINDJES SË NIKOLLA ZORAQIT – “ÇAJKOVSKIT SHQIPTAR”

 

   Me datë 24 janar, kompozitori Nikolla Zoraqi do të ishte 95 vjeç. Në kuptimin etimologjik emri i tij do të thotë “fitore e popullit, ngadhënjyes i popullit”. Dhe për çudi, e gjithë vepra e tij shumëplanëshe në muzikë u mbështet pikërisht te krijimtaria popullore dhe iu kushtua atij. Vetë Nikolla e ka pohuar këtë: “Vlerat e punës sonë ne i matim me atë se sa na i pëlqen populli, sa janë ato komunikuese dhe të dashura, sa i kthen ai në pasuri shpirtërore të qëndrueshme”. Nga gjiri i popullit tonë kanë dalë plot kompozitorë, instrumentistë dhe këngëtarë të përmasave të mëdha që kanë studiuar në shkollat me emër brenda dhe jashtë vendit, dhe që janë duartrokitur nxehtësisht edhe në skenat më të famshme të botës. Ata ndër vite kanë fituar zemrat e publikut dhe janë bërë me artin e tyre të afërt për këdo. Edhe kur ndonjëri prej tyre është larguar nga jeta, ka pasur fatin që falë magjisë së tingujve muzikorë që krijoi apo artikuloi, të konsiderohet gjithmonë i gjallë mes nesh. Po si mund të thuash se i ka mbuluar dheu Mihal Cikon lirikun e parë shqiptar, Tefta Tashko Koçon, Kristo Konon, Gaqo Avrazin, Pjetër Gacin, Çesk Zadejën, Dhora Lekën, Jorgji Trujën, Lola Gjokën, Feim Ibrahimin, Marie Krajën, Llukë Kaçajn, Prenk Jakovën, Tish Dajinë, Mentor Xhemalin, Agron Aliajn, Avni Mulën, Vaçe Zelën, Gaqo Çakon, Ibrahim Madhin, Ibrahim Tukiçin, Fitnete Rexhën, Rifat Teqen, Panajot Kanaçin, Agim Prodanin, Kozma Larën, Tonin Harapin, Mustafa Krantjen, Qemal Kërtushën, Aleksandër Lalon, Bik Ndojën, Abdulla Grimcin, Ferdinand Dedën, Anita Bitrin, Sherif Merdanin, etj. etj. Muzika e tyre, sa herë e dëgjojmë, na ka mbetur e pashlyer ndër mend; ajo na ngazëllen, argëton, edukon e frymëzon me dashurinë për të mirën, për të bukurën, për virtytin e ndershmërinë dhe sidomos na forcon dashurinë dhe krenarinë për Atdheun tonë. Dhe patjetër që një vend nderi mes tyre ka zënë kompozitori i rreth 100 veprave; krijuesi i “Uvertura festive” aq të njohur nga kushdo, i baleteve “Cuca e maleve”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Shota dhe Azem Galica”, “Joniada”, “Toka e pamposhtur”, operave “Komisari”, “I fundmi i golemëve”, “Paja” etj. pjesëve instrumentale, suitave e rapsodive vokale, instrumentale e orkestrale, muzikës së dhomës, këngëve, muzikës së  filmave si “Pas gjurmëve”, “Duel i heshtur”, simfonive e disa uverturave. Jo më kot, kompozitori i shquar Mustafa Krantja shprehej për të se “Është vështirë të gjendet ndonjë kompozitor që nuk ka kontribuar për këtë institucion (TOB), por mes tyre, ta themi troç, Nikolla zë vendin kryesor”. I lindur në një familje të ndershme atdhetare, prirja e Nikollës drejt muzikës ka qënë e hershme, ndofta qysh kur instinkti e shtyu drejt miqësisë me atë djalin rom që i binte violinës atje në lagjen e Brakës. Por rruga drejt artit të vërtetë nuk është aspak e lehtë; ajo kërkon vullnet, sakrifica dhe pse jo edhe fat. Si kreu liceun artistik në vitin 1951, me propozimin e profesorit të tij Utkin, ai u emërua pedagog në atë Lice. Dhe duke parë jo thjesht kulturën, vlerat e tij morale dhe përgatitjen teorike pasi e zotëronte si pakkush lëndën e solfezhit, por edhe talentin, Utkini la porosi që Nikolla duhet të vazhdojë më pas studimet e larta në Konservator. Por duhej bërë shërbimi i detyrueshëm ushtarak të cilin ai e kreu pranë Ansamblit të ushtrisë, ku gjeti një mjedis të ngrohtë, paçka se kishte edhe ndonjë që e quante me prejardhje mikroborgjeze, pasi duke qenë se nënën kishte të sëmurë, merrnin një grua me pagesë për t`u larë ndërresat dhe pushimet i kalonin në Pogradec. I mërzitur nga që bursa nuk po i dilte, ai e dërgon violinën e thyer te Presidenti i Komitetit të Arteve me deklaratën se nuk do t`i binte asnjëherë. Por u ndihmua nga ministri babaxhan i Mbrojtjes Beqir Balluku, çka u bë shkak që të dërgohej me vonesë në Konservatorin “Pjotër Iliç Çajkovskij”, një emër legjendar për artistët shqiptar të cilët e njihnin atë nga vepra e pashoqe dhe sidomos nga muzika e baleteve “Liqeni i mjelmave”, “Arrëthyesit” dhe operat “Dama Pik” dhe “Eugjeni Oniegin” etj. Rusia ishte atdheu i Glinkës, Rahmaninovit, Rimski - Korsakovit, Borodinit, Musorgskit, Shostakoviçit, etj. pra i atyre që kishin lënë gjurmë të pashlyera në muzikën botërore. U ndie i lumtur Nikolla dhe po ta gjykosh nga rezultatet që arriti dhe letrat plot mendime të pjekura që dërgonte, do kuptosh sesa seriozisht i kishte marrë ai ato studime që vazhduan deri në vitin 1961. Për këtë periudhë dëshmojnë edhe bashkëstudentët e tij shqiptar, vëllai Kastrioti, motra e mrekullueshme Evanthi Ciko (gruaja e Mihalit dhe nëna e maestro Zhanit), Melpomeni apo Gjinovefa Heba e cila u bë bashkëshortja besnike e tij. Kudo që shërbeu, qoftë si shef i redaksisë së muzikës në Radio - Tirana, apo pasi doli në profesion të lirë dhe pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ai nuk reshti së punuari dhe krijuari vepra të të gjitha gjinive. Ai vetë thosh se “Për kompozitorin është e nevojshme të debutojë në të gjitha gjinitë që nga pjesët e vogla instrumentale deri te simfonia, që nga kënga te veprat e mëdha vokale, afërsisht simfonike e deri tek opera. Kjo është kërkesa e kohës”. Janë të shumta festivalet e këngëve si për fëmijë ashtu edhe për të rritur, organizimi i të cilave ju besua aftësive të tij. Është Nikolla Zoraqi ai që mori përsipër, pas rreth dhjetë festivaleve të suksesshme, edhe kompozimin e festivalit të 11 në RTV, për të cilin kishte shfaqur mendimin më se të guximshëm te shkrimi i tij i datës 16 dhjetor 1972 te “Zëri i Popullit”: “Kohë të reja, mendime të reja, forma të reja, mjete shprehëse të reja, në këtë mënyrë do të krijojmë emocione të reja që do t`u përgjgjen kërkesave të ditës... për edukimin muzikor të popullit tonë”. Ai me kohë kishte parashtruar bindjen se këngët tona duhet të kenë karakter kombëtar si gjithë popujt e tjerë dhe ato duhet të jenë “të thjeshta dhe të kapshme nga masat dhe të këndohen prej tyre”.



NIKOLLA ZORAQI

Por nuk mendonte kështu Enver Hoxha i cili donte vetëm këngë të ideologjizuara dhe himne për të, duke e anatemuar atë festival, dhe duke i shtuar vetes edhe një tjetër njollë turpi. Dhe kur Nikolla edhe dekorin, paraqitjen skenike apo veshjet e këngëtarëve i quante si dinjitet dhe kërkesë të spektatorit, dinte edhe t`i mbronte para kujtdo, duke mos ngurruar t`i thotë të deleguarit të K.Q. se fjalën e saktë dhe vlerësimin nuk mund ta bëjë askush, përveç popullit. Unë mund të flas sa të dua për Nikolla Zoraqin si njeri, intelektual dhe “Artist i Popullit”, por më mirë se unë kanë folur për të shokët, miqtë dhe kolegët që kanë qenë pranë tij në gjithë ditët e vrullshme të krijimtarisë së këtij burri që me të drejtë e kanë konsiderar si primus inter pares. Dhe ata janë nga artistët e shkrimtarët tanë më të nderuar që kanë thënë për të: Dritëro Agolli: më i madhi kompozitor shqiptar, Feim Ibrahimi: ai la vepra që do të mbesin në fondin e artë të kulturës tonë, Gaqo Çako: jam i lumtur që e kisha shok, Albert Janku: i pa lodhur e plot ide, Agron Alija: figurë e spikatur, Rifat Teqja: krijoi muzikë për të gjithë, Mustafa Krantja: muzikant me kulturë të gjerë, Albert Paparisto: krijues i muzikës me karaktar kombëtar, Mihal Luarasi: kompozitor i shquar, Agron Sejamini: gjeneral i muzikës shqiptare, Shaban Vani: çdo fragment mban erën e tokës tonë, Margareta Zaterstrom: lidhjet e tij me muzikën popullore janë shumë të ngushta, Stilan Adhami: njeri me karakter të madh, Zamir Këlliçi: ndihet aroma e tokës amtare që e lindi, Fatos Arapi: nuk e humbi besimin te arti, Alfred Uçi: artist i një ndjeshmërie të rrallë, Qemal Kërtusha: ai ishte një meteor e kështu me radhë, Rashid Krasniqi, Avni Mula, Spiro Kalemi, Hamide Stringa, Zana Shuteriqi, Arben Tafai etj. Por si si ish nxënës i shkollës së lavdishme “Skënderbej”, nuk mund të mos i shpreh gjithë mirënjohjen edhe në emër të shokëve të mi për këngën aq të dashur “Skënderbegas ne na thonë”, me tingujt e së cilës e nisnim ditën me gëzim. Thonë se ditën që ai ndërroi jetë, në Teatrin e Operas e Baletit, nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, jepej “Trovatore”. Tingujt e asaj opere ku Azuçena me rrëfimin e saj bën që konti Luna të vrasë trovatorin Manriko, pra vëllanë e tij, ndofta i kanë kujtuar Nikollës që e kishte kapluar trishtimi, se e gjithë vepra e tij ka synuar dashurinë dhe vëllazërimin mes shqiptarëve. Ndaj dhe kjo vepër nuk vdes kurrë, ashtu sikurse edhe autori i tyre, që me të drejtë e kanë quajtur “Çajkovski shqiptar”. Është kjo arsyeja që edhe institucionet tona të Kulturës, duhet të tregohen më të vëmendshme për t`i ruajtur dhe përhapur këto vlera që i bëjnë nder atdheut tonë.  

17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page