top of page

“Zëvendësuesja” 


Nga  Petrit  Malushi

“Zëvendësuesja” 

.      Ende nuk i kisha mbushur plotësisht pesë vite shkollorë aty, në gjimnazin më me emër të qytetit, pasi kisha ardhur në muajin janar, apo ndryshe, në fund të semestrit të parë, ndërsa ajo në mbyllje të po atij viti kapte të njëzetë e nëntin në arsim. Nga vjetërsia renditej e treta, pas mësuesit të matematikës dhe mësueses së letërsisë. Jepte lëndën e historisë.  Nuk më kishte rastisur ta dëgjoja të fliste me zë të lartë, apo të nervozuar në asnjë situatë.  Edhe me nxënësit ruante të njëjtin profil. Në punë ishte korrekte. Respektonte orarin. Ndërtonte marrëdhënie të qëndrueshme me kolegët dhe koleget.           .       Në sallën e mësuesve ishim vetëm unë dhe mësuesja e letërsisë. Kishim pushim në orar. Të ulur përballë, në tavolinën ovale, ajo nisi të korrigjonte disa ese, ndërkohë që vetë  mendova t’i shfrytëzoja minutat për të përfunduar ditarin e ditës pasardhëse. E fundit nga salla, me regjistër në duar për në mësim, pas rënies së ziles, doli mësuesja e historisë.   

 - E admiroj për qetësinë që manifeston, - komplimtova për t’më dëgjuar kolegia.          Mungesën e reagimit të saj e mora si përqendrim tek esetë që kishte përpara. Vazhdova për të fituar siguri në opinionin tim.      - Në se do të ndahej ndonjë çmim “Mësuesi më i qetë” do të votoja për të . Nga ana tjetër e tavolinës, pa u shkëputur nga korrigjimet, më erdhi pyetja që nuk e prisja: – Mendon se është gjithmonë kaq e qetë ?             Kundërmendimi më bëri të ndaloj të shkruarin dhe të mos e kyç habinë që më përfshiu. Qetësia më të cilën m’u drejtua pyetja më la të kuptoja se opinioni im nuk duhej të ishte absolut.  

– Flas për aq kohë sa kam këtu,- bishtova nga ç’thashë më parë. – Ju keni shumë e shumë vite më tepër bashkë dhe, ndoshta do t’ju ketë rastisur ndonjë situatë me tjetër natyrë,- shtova  për ta nxitur t’më tregonte ndonjë detaj.       Nuk gabova në hamendësim. Mësuesja e letërsisë ligjëroi me të folurin e saj të ngadaltë, pasi vendosi vlerësimin mbi esenë që kishte në dorë.          – Në të vërtetë është tip i qetë. Por në se i bëhet padrejtësi tjetërsohet.  Nuk e kam të thënë nga të tjerët. Po të ishte kështu ndoshta nuk do ta besoja. Në një rast kam qenë vetë e pranishme.       

Dëgjoja vëmendshëm, pa qenë plotësisht dakort me ato që tregonte bashkëbiseduesja, e cila sikur ta kuptonte mëdyshjen time vazhdoi për të më bindur.   - Në mos gaboj, para gjashtë vitesh donin ta transferonin në një shkollë tjetër. Kundërshtia e saj qe e fortë dhe nuk u thye.     

– Lëvizjet e mësuesve nuk bëhen mbi bazën e dëshirave të tyre. Me ligj për një gjë të tillë kompetencat janë në dorë të të tjerëve,- ndërhyra.      

– Ashtu është, por rasti në fjalë ishte i gatuar. Zëvendësuesja ishte një studente e sapodiplomuar, ish-nxënëse e kësaj shkolle. Për më tepër ajo e kishte patur nxënëse për katër vite rresht dhe ia njihte shumë mirë kapacitetet.  

– Po ku qëndronte e papranueshmja ?              

- Eh, e diplomuara e përfundoi shkollën e mesme me shumë vështirësi, në sajë të ndërhyrjeve, madje vitin e fundit e përsëriti dhe, e mbylli në një shkollë tjetër me kohë të pjesshme. Të lartën e mbylli në një universitet privat jo shumë të dëgjuar.     

- Kishin pasur ndonjë përplasje ?      

– Jo ! Më e çuditshmja qëndronte në atë që, vet mësuesja e historisë, kolegia jonë e nderuar, për ta shpëtuar nga kontigjenti i nxënësve ngelës, e kishte ndihmuar duke biseduar disa herë me mësuesit e matematikës dhe të kimisë.          

– Ou ! Do me thënë e mira që bëri iu shpërblye krejt ndryshe.          

– Se si dhe me çfarë rezultatesh i përfundoi studimet e larta në degën e historisë, ishte puna e saj. Veç këtu erdhi  pa iu nështruar asnjë konkursi, direkt pa punuar në asnjë shkollë tjetër.  

– Kush e di se ç’formulë magjike do të ketë përdorur ?  Do të ketë patur ndonjë mik të fortë ose “portofol të shëndetshëm”.       

– Nuk di të them se çfarë “karte” luajti , por në gjimnazin tonë u paraqit me fletë në dorë, të firmosur dhe të vulosur. Në të shkruhej se do të zëvendësonte kolegen, për të cilën po bisedojmë, e cila transferohej në një shkollë tjetër të ciklit nëntëvjeçar, jashtë qytetit.       Tani po mendoja veten time, sikur të kisha qenë në pozitat e mësueses së historisë. Ç’do të kisha bërë ?! Se në të tilla raste, e drejta që të fitohet, veç luftëtarit varen edhe nga fatktorë të tjerë.            

– Dhe ajo që ty të duket më e qeta,- erdhi vazhdimi i bisedës,- u shndërua në një det të trazuar, në furtunë që përplaset edhe me shkëmbin. Nuk i ndali të trokiturat nëpër dyert e të gjithë atyre që hidhnin firma e vinin vula, deri sa ia doli mbanë.    

Tingulli i gjatë i ziles na kujtoi se ora e mësimit kishte përfunduar. Në sallën e personelit një nga një po hynin mësuesit.  Mbylla fletoren e ditarit për ta përfunduar në shtëpi. Të njëjtën gjë bëri edhe kolegia e letërsisë me esetë. Midis të tjerëve, qetë – qetë, hyri edhe mësuesja e historisë.                

6 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page