top of page

Zërat që të bëjnë për vete



(Rreth romanit „Saga përtej Atlantikut“ të Shefqet Mekos)

Fatmir Terziu


Jam këtu, jam dhe atje, jam i ndarë më dysh. Me trup jam në këtë vend, dhe me mendje jam atje. Më dhemb. Gjumi nuk më zë. Këto e më shumë gjëra të vijnë në mendje nga bisedat me miq e shokë, me të afërm e të rastësishëm, kolegë e bashkëudhës të jetës larg Atdheut, ndërsa e nis kapjen e parë të kohëqëndrimit prej çerek shekulli të Xhelo Lakrorit në Amerikë. Ky Xhelo, i ftuar në sytë e tu nga narrativi i romanit „Saga përtej Atlantikut“ menjëherë nis e përqëndrohet kulturalisht në ndjesinë tënde dhe ti e prek, e ndjen, e shtjellon, e shan, e kritikon, e lavdëron…, thuajse sikurse ke njohur një të tillë, thuajse sikur bashkëudhëton me të. Të duket i njëjtë, me një timbër „ikanak“ nga Shqipëria, me një risk nga filmografia e së shkuarës, me një risi të fluskës së gradacionit të uiskit para qelqit të ftohtë ku parakalon ndryshe e tashmja e qëndresës së tij. Por, Xhelo, nuk mbetet më shumë se një identitet lëvizës. Një identitet që inkurajon syrin dhe mendjen tënde si një mënyrë që mbetet tipologjike për të inkurajuar dhe lexuesit e tjerë që të eksplorojnë prejardhjen kulturore dhe identitetin kulturor të personazheve të librit përmes një angazhimi mësimor që përdor kryqëzimet e identitetit.

Një kryqëzim identiteti tek „Saga përtej Atlantikut“ është një diskurs logjik që vjen si një paraqitje grafike e aspekteve të ndërlidhura dhe të ndërthekura të identitetit kulturor të një personi. Kryqëzimi tek roman identifikon grupet kulturore me të cilat Xhelo pretendon se ka lidhje dhe tregon, se si ato grupe kulturore ndërveprojnë për të ndikuar në mënyrën se si Xhelo Lakrori jeton jetën e tij. Në varësi të mënyrës se si përdoret, ky angazhim narrativ tenton t'i ndihmojë të tjerët, përfshi këtu dhe panjohësit e një realiteti të tillë, të njohin rëndësinë e identiteteve të tyre kulturore për mënyrën se si e jetojnë jetën e tyre dhe ndikimin e identiteteve kulturore në mënyrën se si pastaj personazhet e librit „Saga përtej Atlantikut“ jetojnë jetën e vet. "Për shumë prej nesh, kjo mund të përfshijë përjetimin e personazheve në roman si njerëz me të cilët mund të ndërveprojmë. Me këtë lexim të këtij narrativi, ashtu sikurse dhe me të tjerë që kanë ardhur më herët nga Amerika, sikurse është dhe narrativi brilant „Rrëfenja nga Amerika“ i shkrimtarit Pëllumb Kulla, të duket se je i përfshirë në një situatë ku mund të dëgjosh zërat e personazheve të trilluar aq qartë sikur të ishte dikush në dhomë me ty.

Këta personazhë nga imagjinarë mbesin disi efektivë e të „njohur“, të aftë që të përshkruhen si personazhe jo më imagjinar, por që mbesin aktivë në mendje, pasi ke lënë librin mënjanë dhe je duke ndikuar përqëndrueshëm në mendimet e tyre ndërsa bën punët e përditshme. „Saga përtej Atlantikut“ e shkrimtarit Shefqet Meko, tashmë bëhet një fenomen, që jo rastësisht mund ta quajmë “kryqëzim eksperimental”. Termi mbulon një gamë të gjerë përvojash, nga dëgjimi i zërit të një personazhi te ndjenja e mendimeve të veta të formuara nga idetë, tek ndjeshmëria, ose prania e një personazhi. Një e tillë, për shembull, përshkruhet me “ndjenjën e mbështjellë” nga personazhi i [Virginia Woolf], që duke dëgjuar zërin e saj dhe duke imagjinuar reagimin e saj ndaj situatave të veçanta, të tilla si hyrja në një Starbucks të krijohet e njëjta ngjashmëri si tek „Saga përtej Atlantikut“. Ndonjëherë të duket se përvoja e narrativit dukej se ishte shkaktuar nga hyrja në një mjedis të botës reale të ngjashme me atë në roman, në situata të tjera, ndihej sikur ta shihje botën përmes syve të një personazhi të caktuar dhe t'i gjykoje ngjarjet ashtu siç do të bënte personazhi.

Saga përtej Atlantikut“ mund të thuhet tashmë se zbret personazhet në faqet e tij, me një diskurs të tillë ku zërat e tyre hyjnë në kokën e lexuesve sikurse janë miqtë e fshehtë e të njohur më parë. Do të dëshironit të ishit miq të mirë me Xhelo Lakrorin, që të mund të uleshit dhe të shkëmbeni mendime me të, natyrisht që është një formë çmendurie, por atëherë të gjitha trillimet janë një formë çmendurie, që herë na bëjnë të tillë, e herë na japin kënaqësi, na japin me humorin e tyre, me sarkazmën e tyre të thellë të kuptohemi e të kuptojmë, të na kuptojnë e të kuptohen me kuptimin tonë.

Të shkruash një roman, personazhet e të cilit mund të arratisen në botën reale, ose të rrekesh mes dy kulturave që fiksohen nga kjo „arratisje“, apo dhe të tjerave që të rrethojnë sikurse ndodh në kërë roman, është sikur kërkon me dashje të vendosësh një fushë të minuar për zemrën. Një fushë që ndjen dhimbjen dhe torturën e mendimeve, që vijnë nga politika, nga e shkuara dhe nga e tashmja, nga kyçi i suksesit, lëvdatat e politikanëve, rolin udhëheqës të Amerikës, turmat, mendimet e tjera, pushtetin që ka zbritur tek individi, kutiçkat, filozofia, kandidatët, liria, ofshama hamletiane, votimi, dhe mjaft gjëra të tjera, që formojnë dhe blindojnë demokracinë dhe kalkulimin e një sfide që natyrshëm shkon tej e tej këtij procesi të arratisjes mentale. Në këtë fushë mentale hyjnë e dalin dëshira të cilat formësojnë mënyrën se si lexuesit mendojnë dhe ndjejnë, jo në mënyra të përshkruara që nuk u lënë atyre hapësirë ​​për të sjellë përvojat dhe interpretimet e tyre, por për t'i lejuar ata të hyjnë në mendjet e njerëzve që nuk janë të udhës narrative tek ky roman dhe të kenë diçka nga përvojat e tyre.

Që në faqet e para të këtij romani mbetesh disi i trishtuar që ky dialog, apo mendim në këtë faqe apo rrjedhë të këtij libri përfundoi, sepse nuk do që ngjarjet dhe kapjet me personazhet të largoheshin, sepse e ndjen tashmë se të mungojnë. Pra që në fillim „Saga përtej Atlantikut“ të bën për vete, të merr me vete dhe të shpie në të gjitha pikat gjeografike ku lëvrijnë ngjarjet. Kjo vetëkuptohet dhe mbetet mjaft domethënëse se shkrimtari Meko ka ditur dhe ka krijuar personazhe që kanë jetë jashtë teje. Këtu duket edhe aftësia e romanit për t'i lënë lexuesit të marrin pjesë në jetë të ndryshme nga ato të tyret, pasi është gjëja që e dallon atë nga format e tjera të artit.

Duke lexuar „Saga përtej Atlantikut“ lexuesi përfshihet nën ndikimin e Xhelo Lakrorit, ndaj mendoj se shumë lexues e kanë ndjerë dhe u është ngjizur një gjë e tillë. Mënyra se si shkruan Meko, e cila është kaq inteligjente, e mençur dhe e thellë, po aq dhe kërkuese e vazhdueshme drejt një fjale më të mirë, të lezetshme, plot humor është dhe mbetet shumë ndikuese. Në roman nuk duket se ka një zë kundërshtues, sardonik nga SHBA, që të thuhet se ishte shumë tërheqës për dikë që rritej në mesin e dy kulturave, por patjetër që mbetet në thellësi të mendimit të narrativit të tillë, që udhëton në kohë, hapësirë dhe vend.

Është një përvojë, të cilën duket qartë, se shkrimtari e njeh këtë lloj arti të të shkruarit, që duket se vjen nga leximi i tij i hershëm, ndoshta nga stigma me leximin e Virginia Woolf-it dhe autorëve bashkëkohorë si Richard Powers dhe Ali Smith, apo ndoshta dhe me të tjerë, tek të cilët unë shoh ndikim. Ndikim? Jo thjesht si i tillë, as dhe si një ngjashmëri, por se disa nga përvojat më të fuqishme të leximit vijnë kur ndjen se autori ka hyrë thellë në softuerin e trurit të lexuesit me tiprae të një bote të madhe e të njohur narrative. Dhe unë e lexova me ëndje „Saga përtej Atlantikut“, por nuk dua të jap detaje të hollësishme, se dua që të lexohet nga të Tjerët, sepse e di që jam në prani të një autori mjaft modest dhe inteligjent, që më bëri të vërej gjëra, që përndryshe nuk do t'i kisha vënë re, sepse zëri dhe ndjeshmëria në faqet e këtij romani, po më mprehin vëmendjen dhe po nxjerr detaje të ndjeshme në dritë, dhe sepse më duket se jo pak herë dhe vetë sikur kam menduar si ata. Fundja këtë kërkon arti i të shkruarit, këtë kërkon një roman që të mbetet në mendje e të bëhet palë e mendimit tënd, sepse personazhet që bëjnë hapin në jetën e lexuesit janë zakonisht personazhe dhe transmetues të fuqishëm, të gjallë, por kjo me sa duket do të ndryshojë shumë nga personi në person, kur i vjen fundi leximit të këtij romani, aty ku protagonisti ka shënuar „arrestimin“ e tij figurativ si shkak i një vetëizolimi pandemik. Është kjo një sipar i ri vazhdues për një të dytë, apo thjesht një klik politik?! Le të mirëpresim lexime të tjera nga Meko i SHBA-së.

102 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page