ZOGU I GJOKSIT
Ndjej zogun e gjoksit,
këndon tuk- tuk- tuk!
çukitja ime e dashur,
në fole me pambuk.
Këndo zog pareshtur,
gjithmonë tuk-tuk-tuk,
dërgo gjak të pastër
qelizave nëpër trup!
Qëkur dole nga veza,
derisa vazhdon rritesh,
s’u lodhe, nëpër breza,
numëron sekonda vitesh.
Zogu im i shtrenjtë,
në disa dhjetëra vite,
më jep sekonda jete,
me këngët ritmike.
Kënga jote e gjakut,
sfidon zogjtë e pyllit.
Në degë damarësh,
të kam zog të shpirtit.
Të kam zog të artë,
disa qindra karat,
përmbi çdo thesar,
flori dhe diamant.
Thesari s’është asgjë
para teje, zogu im,
po nuk këndove ti,
çdo vlerë bëhet tym.
Mund të jem fakir,
po kur këndon, o zog,
ndjehem bos, sheik,
miliarder në këtë botë...
Këndo, o zog pareshtur,
me ato tone të brishta,
lulëkuqe duke çelur,
nëpër troje të mishta!
Ke tinguj, violine harku,
zërat e zogjve të pyllit.
Me këngët në degë gjaku,
të kam zogun e shpirtit.
Nga kafaz i gjoksit,
të heq glasat nevrike,
të ushqej me farëza,
gëzimesh poetike...
Ndaj këndo, o zog,
me mall e dashuri,
kënaqet kush më do,
me këngët që di ti!...
Këndo për zogj që shkuan,
pasi të falën dashuri,
për zemrat që të duan,
me të tuat melodi!
Por të lutem, zog i artë,
mos nxito të këndosh,
nëpër qiell, diku lartë,
mos ma ler folenë bosh!...
Comments