Timo Mërkuri: KOHA QË NDRIT NË POEZI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 hours ago
- 16 min read

Nga Timo Mërkuri
Poezia “Në kohën më të bukur të trupit” e Natasha Lakos është një rrëfim i brishtë dhe intim mbi përjetimin e trupit dhe shpirtit në një moment ndjeshmërie, ku koha fizike dhe ajo shpirtërore ndërthuren në një dritë të butë. Ajo nuk i qaset jetës perms një rrëfimi të drejtpërdrejtë, por përmes një gjuhe figurative, ku natyra, drita dhe ndjesitë bëhen zëdhënëse të një përvoje intime, femërore dhe njëherazi universale. Në këtë poezi, trupi nuk është vetëm fizik, por një qenie që ndjen, që përjeton, që fërgëllon me botën përreth. Lako përmes një gjuhe të dritësuar nga metafora, simboli dhe ritmi i brendshëm, na fton të ndjejmë poetikisht atë çast ku ndodhia dhe ndjenja përthithen në një, dhe ku vetë poezia bëhet melodi e përjetimit të dritës.
I-Titulli "Në kohën më të bukur të trupit" është një hyrje e heshtur dhe meditative drejt një përvoje jo vetëm fizike, por dhe shpirtërore, sensuale e poetike. Ai nuk cakton një periudhë konkrete të jetës; nuk është fëmijëria e pafajshme, as plakja e urtë, por një çast i brishtë kur trupi është në kulmin e ndjeshmërisë, i vetëdijshëm për veten dhe i hapur ndaj jetës. Është koha kur njeriu nis të njohë trupin e tij dhe pse jo, edhe ta eksplorojë atë. Kjo kohë është më shumë ndjesi se sa etapë biologjike; është periudha kur trupi dhe shpirti takohen në harmoni.
Po ashtu, përcaktimi i saj (kohës) si "më e bukura" nuk lidhet me përkufizime të jashtme si bukuria fizike, rinia, apo shëndeti i plotë. Është një bukuri që buron nga brenda, nga ndjeshmëria që trupi fiton në marrëdhënie me botën dhe me veten. Ajo është një bukuri e përjetuar, jo e vëzhguar dhe dallimi këtu është tepër thelbësor.
Në vargun: "Ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,
që kërkon shtat dhe shtrat..."
rrezja e diellit simbolizon dritën, ndjesinë, jetën, dëshirën që kërkon "shtat dhe shtrat", pra një trup që të mishërojë këtë ndriçim dhe hapësirë intime ku të pranohet. Trupi, në këtë kohë, është i gatshëm jo vetëm të përthithë dritën, por edhe ta shndrojë atë në ndjenjë, në përjetim, në poezi.
Një tjetër pasazh: "Hap krahët dhe përkundet lulelofata,
me mua të ndajë botën në fshehtësi."
krijon një atmosferë bashkëjetese mes trupit dhe natyrës, që në fshehtësi e vendos trupin në dialog me jetën, në marrëdhënie ku sensualiteti nuk është vulgaritet, por një mënyrë për të ndier tërësinë e ekzistencës.
Pra, nqse do kërkonim të specifikonim se cilët janë faktorët që e bëjnë këtë kohë "më të bukur", pa dyshim që do pohonim se ata janë të shumtë, por ne le të cilësojmë disa, që i takojmë në vargjet e poezisë së Lakos dhe konkretisht:
-Vetëdija e trupit për veten; jo thjesht për bukurinë fizike, por për ndjeshmërinë.
-Pjekuria e ndjesive, që nuk janë më të shpërndara apo të paqarta, por të fokusuara e të thella.
-Dëshira për bashkëndarje, marrëdhënie intime me natyrën, dritën, ndoshta dashurinë.
-Poetika e çastit; është koha kur dhe përvoja më e vogël e momentit ka intensitetin e një zbulimi.
Kjo kohë mund të jetë rinia, por edhe një fazë e mëvonshme, kur gruaja ndihet e plotësuar me veten, trupi është i gjallë e i ndjeshëm. Në këtë mënyrë, titulli fiton një dimension universal: koha më e bukur e trupit është ajo kur jeta shijohet me të gjitha shqisat, kur përjetimi është i thellë dhe kur ndarja me tjetrin bëhet në fshehtësi të buta.
II- Lako në shumicën e krijimeve të saj nuk e shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë gjininë e heroit lirik, por te kjo poezi, lexuesi, ndonëse nuk e lexon, e ndien dhe përjeton qartë qënien femërore në ndjeshmërinë e heroinës, në mënyrën si vëzhgon botën, si komunikon me natyrën dhe trupin, si përjeton dritën dhe ngjarjet rreth saj. Ky përcaktim vjen nga toni i butë, ndjeshmëria delikate dhe lidhja intuitive me trupin dhe me natyrën, të cilat janë të mishëruara në përjetimin dhe zërin poetik femëror. Disa vargje janë kyçe për këtë:
"Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,
që kërkon shtat dhe shtrat..."
ku, vëzhgimi i rrezeve të diellit që kërkojnë “shtat dhe shtrat” vjen nga një zë që i përgjigjet dritës, jo thjesht si spektatore, por si një trup i vetëdijshëm për ndjesinë e vet, trup që përjetohet si femëror, jo vetëm që vëzhgon.
Po ashtu, vargu: "Hap krahët dhe përkundet lulelofata,
me mua të ndajë botën në fshehtësi"
tingëllon si një bashkëbisedim delikat mes një femre dhe natyrës; një ndarje sekrete, e përqendruar në një intimitet të heshtur, që është tipik për një përjetim të brendshëm femëror. Figuracioni është i butë, përkëdhelës, sensual pa qenë erotik, i trupshëm dhe shpirtëror njëkohësisht.
Në tërësi, është trupi i përfytyruar në lartësinë e bukurisë dhe ndjeshmërisë së tij, që i jep poezisë zërin e një femre, që e përjeton botën përmes një shpirti të mishëruar në trupin e vet. Edhe pse pa emërtimin gjinor, poezia vetë është një gjuhë e trupit femëror që tingëllon si fërgëllimë e brendshme e dritës.
III-Natasha Lako, me një ton të përmbajtur, por të ndjerë, krijon një poezi që është një himn i butë për një stinë të brendshme: kohën më të bukur të trupit. Që në titull, ndjejmë se nuk kemi të bëjmë vetëm me rininë si kategori biologjike, por me një çast drite të brendshme, kur ndjeshmëria, vetëdija trupore dhe përfshirja në botë përftohen si përjetime të plota dhe të vërteta.
1.“Në kohën më të bukur të trupit,
Harlisen rreth e rrotull ca ndodhi,
Të njohura dhe të lira.”
Tre vargjet e para nuk përshkruajnë një trup në mënyrë të drejtpërdrejtë, por këtë e realizojnë përmes atmosferës që e rrethon. “Ndodhitë” janë “të njohura”, pra të përjetuara më parë ose të pritura dhe njëkohësisht “të lira”, çka e zhvendos tonin drejt spontanitetit, pjekurisë emocionale dhe trupore. “Harlisen rreth e rrotull” është një përshkrim i butë, gati i hareshëm, që i jep jetës rreth trupit një frymëmarrje lozonjare dhe rritjeje. Trupi është epiqendra, por poetja nuk e emëron drejtpërdrejt; ai jetohet përmes rrethanave, ndjesive, dritës.
2.“Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,
Që kërkon shtat dhe shtrat,
E përfshirë në vorbullën e rrotullimit.”
Këto vargje vendosin një tjetër qendër poetike: një rreze dielli që kërkon trupin ku rrezja është imazh i dritës së re, i agimit të ri, i dëshirës, por edhe i asaj që lind për të takuar tjetrin. Rrezja është “e posalindur”, e pafajshme, por ka një kërkesë trupore: kërkon “shtat dhe shtrat”, çka e shfaq më hapur gjininë femërore të heroit lirik. Metafora është plot ndjenjë, dielli kërkon vendin ku të prehet, dhe poezia merr ngjyrim sensual, por përmes simbolikës. Lëvizja e “vorbullës së rrotullimit” na kujton ciklet jetësore, luhatjet e brendshme, pasionin e pashprehur me fjalë, por i pranishëm në çdo hapësirë të vargjeve.
3.“Një bar i posadalë vërtitës,
Nuk e jep të plotë ngjarjen.
Hap krahët dhe përkundet lulelofata,
Me mua të ndajë botën në fshehtësi.”
Këto vargje mbyllëse e bëjnë poezinë më intime. Një bar i njomë s’është në gjendje të shpjegojë plotësisht përvojën e trupit apo të ndjesisë. Vetë natyra s’ka fjalë të mjaftueshme për të dëshmuar “ngjarjen”. Lulja “hap krahët dhe përkundet lulelofata” në një veprim që është sa sensual aq dhe shoqërues. Nuk është më trupi që përjeton botën, por bota (lulelofata) që hyn në fshehtësi me të, në një ndarje intime dhe të papërkthyeshme me fjalë.
Përfundimisht poezia nuk emëron dashurinë, as trupin, por i jeton ato përmes dritës, rrotullimit, gjendjes dhe natyrës. Feminiteti i subjektit lirik nënkuptohet jo vetëm nga zëri i brendshëm dhe përvoja sensuale, por nga mënyra si ajo hyn në marrëdhënie të heshtura me botën, si të ndash diçka që nuk thuhet, por jetohet. Poetja nuk ekspozon, ajo zhytet në thellësinë e përvojës. Është një kohë që nuk matet me moshë por me ndriçimin e brendshëm që ajo mbart. Në këtë poezi, trupi nuk është vetëm materie, por është hapesirë për dritë, ndjeshmëri dhe fshehtësi. Prandaj është koha më e bukur.
IV- Kjo është poezi plot dritë, por drita nuk është thjesht ndriçim fizik, ajo është dritë që nuk zbret nga qielli, por lind brenda qenies në çastin kur trupi dhe ndjesia përputhen në një të vetme, gjë që të kujton poezinë “Vezullomë” të kësaj poeteje, për të cilën kemi folur. Drita është gjuha e padukshme e poezisë së Lakos, përmes së cilës lexohet ajo që nuk thuhet.
1.“Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,
që kërkon shtat dhe shtrat”
Këtu drita është një qenie më vete, jo thjesht dielli, por një “rreze e posalindur”, ende e re. Ka një pafajësi të butë kjo rreze, por dhe nevojë të brendshme për mishërim. Këtu drita nuk ndriçon trupin, por kërkon të hyjë brenda tij, të bashkëjetojë me të, të bëhet një me atë. Pikërisht këtu ndodh përmbysja: nuk është njeriu që kërkon dritën, por drita që kërkon njeriun. Kjo e bën përvojën më intime dhe më të papërcaktueshme, është drita që vjen nga brenda dhe projektohet jashtë: “E përfshirë në vorbullën e rrotullimit”, pra rrezja, si përfaqësuese e dritës, është “e përfshirë”, jo e lirë, por e tërhequr në një rrotullim që mund të jetë koha, jeta, ndjesia. Ky vorbullim nuk është dhunë, por lëvizje e natyrale, një mënyrë tjetër për të thënë që drita është jetë në përzierje të pandashme me ndjesitë e trupit.
2.Edhe në fund, drita shfaqet në mënyrë të tërthortë përmes një luljeje: ‘Hap krahët dhe përkundet lulelofata’. Këtu lulja bëhet mishërim i dritës, jo më thjesht si element i natyrës, por një shfaqje e gjallë e butësisë, e ndriçimit të brendshëm. Drita nuk vjen më nga jashtë; ajo është lëvizje e heshtur që përhapet nga brenda, që e bën lulëzimin të duket si frymëzim, si frymë që merr formë në trupin e lules.
Në poezinë e saj, Lako nuk e përdor dritën si simbol klasik të shpresës apo ditës, por si një gjuhë sekrete për përvojën e trupit, një mënyrë për ta folur atë pa e emërtuar. Drita te kjo poete është më shumë ndjesi sesa shfaqje, më shumë jehonë sesa pamje. Është ajo që nuk duket, por që i jep kuptim gjithçkaje. Në këtë mënyrë, poezia vetë bëhet një trup drite, jo për t’u parë, por për t’u ndjerë. Dhe lexuesi, pa e kuptuar, bëhet pjesë e asaj fshehtësie që “ndahen me mua botën” në heshtje. Po kjo është edhe forca e vërtetë e artit: të ndriçojë pa verbuar.
V-Ndërsa lexoja vargun për “rrezen e diellit të porsalindur”, më kaloi në mendje kujtimi i një drite tjetër, dritë që vjen e mbështjellë me emra të shenjtë: “E ngarkuar me vandakun e diellit Kleopatra, pastaj Maria / pastaj Maria Magdalena” dhe më lindi një mendim, i beftë, por i ngrohtë: mos vallë kjo dritë e Lakos është më shumë se dritë? Mos është ajo një shenjë e shenjtëruar që shfaqet si padashur në vargje?
1.Ky mendim, megjithëse i lindur në një çast të vetmuar leximi, më tingëllon i mundur, kur e vendos brenda universi poetik të Natasha Lakos. Sepse në poezinë e saj, drita nuk është vetëm ndriçim, ajo vjen si frymë që prek lëkurën e ndjesisë, si diçka që nuk flitet, por që të përshkon, ashtu si dhe te vargu: “E ngarkuar me vandakun e diellit …Maria / pastaj Maria Magdalena” ku kemi shpjeguar se drita që mbartin ato ngarkuar nuk është vetëm diellore, ajo së pari është një dritë e shenjtë. Nëna e Krishtit dhe Maria Magdalena hyjnë në varg për të sjellë një përmasë tjetër të realitetit, një përvojë përtej reales. Te poezia “Në kohën më të bukur të trupit”, në vargun “Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur”, rrezja nuk është një vijë drite, ajo është një zë i heshtur që flet me shpirtin e që zbulon më shumë se sa duket. Ajo kërkon “shtat dhe shtrat”, si një dritë që dëshiron të bëhet mish, të hyjë në jetë, në trup, në frymë, një dëshirë për bashkim mes qiellores dhe tokësores. Nuk ka imponim në këtë kërkesë, vetëm një lutje e butë. Dhe natyra heshturazi, përgjigjet me një rit të brendshëm: “Hap krahët dhe përkundet lulelofata / me mua të ndajë botën në fshehtësi.” Lulja këtu nuk është vetëm stoli, është një shenjtore e natyrës që përqafon të njëjtën dritë, që ndan me heroinën të njëjtën ndjesi. Janë dy trupa që përkohen në një heshtje të ndritshme. Nëse e kujtojmë, edhe shtatzënia e Shën Mërisë erdhi përmes një arome trëndafili dhe u përjetua si një dritë që hyn në trup si frymë qiellore. Poezia e Lakos duket si përshkim i të njëjtës udhë: një zbritje e dritës në mish, një shenjë që ndriçon përditshmërinë dhe e shenjtëron me thjeshtësi.
Sigurisht që lexuesi do shtrojë pyetjen: A është kjo një lexueshmëri që vetë poetja e ka parashikuar? Unë ju them se mund të mos ketë qenë e menduar fjalë për fjalë, por është e natyrshme që poezia e saj të pranojë edhe këtë interpretim. Lako e ndërton vargun me shtresime kuptimore, ku gjithçka; trupi, koha, drita, heshtja kanë një jetë të shumëfishtë: konkrete, poetike, shpirtërore. Këtë e kemi ndjerë në më shumë se në një poezi të saj. Kjo na çon në një vëzhgim më të thellë për stilin poetik të Natasha Lakos: ajo nuk qëndron vetëm në përshkrimin e botës njerëzore, as në botën konkrete; ajo e tejkalon përmasën njerëzore për të përfshirë diçka më të madhe, më të vështirë për t’u emërtuar: të shenjtën. Edhe kur nuk e synon drejtpërdrejt, vargu i Lakos rrëshqet natyrshëm drejt të shenjtës, kjo nuk ndodh pse ajo e thërret me qëllim, por sepse brenda saj, si brenda çdo qenieje me ndjeshmëri të thellë, flasin heshtje të lashta, simbole që kanë mbijetuar në gjuhë dhe në kujtesën kolektive, përtej kohëve. Këtu ndoshta duhet të themi se gjuha shqipe është ndër më të lashtat në botë dhe Natasha Lako është një njohëse e thellë e saj, e kësaj gjuhë që që mbart në vetvete përvojën njerëzore dhe hyjnoren dhe nuk e dallon lehtazi kufirin midis dritës tokësore dhe asaj të paprekshme. Gjuha poetike që përdor Lako është urë drejt së pakuptueshmes. Pikërisht aty ku fjala fillon të dridhet dhe ndjenja thellohet, nis përjetimi i së shenjtës. Pikërisht këtu ngatrrohen ata që thonë se poezia e Lakos është e vështirë.
2.Një nga figurat më tërheqëse që Lako përfshin në poezinë e saj është lulelofata , një lule që në botën reale përkon me pemën e njohur si “lulja e Judës”, me lule rozë-vjollcë që çelin drejt e nga trungu. Legjenda e lidh këtë pemë me Juda Iskariotin, dishepullin që tradhtoi Krishtin dhe më pas, i penduar, u vetëvar në trungun e saj. Thuhet se për shkak të kësaj ngjarjeje, lulet e bardha të pemës u kthyen në rozë-vjollcë, si një shenjë turpi apo trishtimi. Sigurisht që kjo histori nuk përmendet në poezi, por përfshirja e kësaj luleje në vargun e saj krijon rezonancë të thellë me kuptimin e dritës që përshkon poezinë. Nëse e marrim këtë figurë në vazhdën e poezisë së Lakos, atëherë ajo bëhet më shumë se një imazh natyror. Ajo bëhet një simbol i heshtur i një drite që prek plagën njerëzore dhe e ndriçon atë pa zhurmë. Në këtë mënyrë, poezia e Lakos shfaqet si një urë ku e bukura poetike kalon natyrshëm dhe ndjesia, kujtesa dhe simboli përthithen në një përvojë që prek të shenjtën. Në aspektin e ndërthurjes së kësaj qasjeje , në përgjigje të pyetjes mbi mënyrën e përfshirjes të saj në poezi, ne mund të themi se: edhe nqse poetja nuk e synon, vargu i saj rrëshqet natyrshëm drejt së shenjtës. Kjo ndodh jo nga që ajo e fton, por sepse brenda saj,( si dhe brenda nesh) flasin heshtje të lashta, kujtime e simbole që kanë udhëtuar brez pas brezi. Gjuha poetike është një urë drejt së pakuptueshmes, ajo kërkon të prekë atë që nuk emërtohet lehtë dhe e shenjta është pikërisht aty, ku fjala nis të dridhet dhe ndjenja thellohet. Dhe pastaj është lexuesi, i cili në vetminë e leximit e gjen veten përballë një dritë tjetër, që ndonëse nuk është besim, është prani. Në atë çast, poezia nuk është më vetëm e autores, por është një përshpirtje e përbashkët, e njeriut me misterin. Ndoshta e vlen të kujtojmë se shkrimet e para të shenjta kanë qenë në formë poezie.
VI-Në këtë poezi të Lako-s, figurat artistike nuk janë mjete zbukuruese: ato ndërthuren në mënyrë të pandashme, duke krijuar një imazh të gjallë e dritësor, ku secila figurë flet në gjuhën e tjetrit. Metafora, simboli dhe personifikimi bashkëveprojnë si valë dritash, që nuk shfaqin vetëm përfytyrime, por ndërtojnë përjetime, ndjenja që nuk duhen vetëm lexuar, por duhen ndier në lëkurë, në frymë, në trup. Për ta ndjerë këtë ndërveprim figurash në krijimin e imazhit poetik, le të lëvizim kah imazhi te figura përbërëse, si pikënisje dhe si frymëmarrje e poezisë.
1.Kështu te imazhi i ndritshëm dhe i butë: “Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur” aty ku poetja i “ngul sytë”, s’ka vetëm vështrim, por ka dëshirë, zgjedhje dhe përqendrim ndjesor. Këtu, metafora: “rrezja e posalindur” nuk është thjesht dritë natyrore, por një ndjenjë e sapolindur, një dritë brenda shpirtit që kërkon trup, simboli: “rrezja” përfaqëson diçka të pastër, të re, ndoshta një ndjesi dashurie ose ndërgjegjësi-min e bukurisë, ndërkohë që personifikimi: rrezja është qenie që “kërkon”, është aktive, e gjallë, e pranishme si një tjetër qenie që merr pjesë në skenën shpirtërore të subjektit lirik.Pikërisht ky ndërveprim I metaforës, simbolit dhe personifikimit, duke mbartur efektet e tyre dritësore, krijojnë imazhin e mësipërm.
2. Te imazhi i përbashkët i trupit dhe shpirtit,: “Që kërkon shtat dhe shtrat” ku drita nuk është më e huaj, por kërkon të hyjë, të rrijë, të bëhet një me heroine, metafora: “shtati dhe shtrati” nuk janë vetëm trup dhe krevat, por hapësirat e ndjeshmërisë, e dashurisë, e prirjes për t’u bërë një me diçka të padukshme. Simboli: shtrati është vendi i lindjes, i intimitetit, por edhe i bashkimit shpirtëror dhe personifikimi: i dritës që është kthyer në një qenie që ka nevojë, që “kërkon”. Pra, ndërveprimi i tre figurave, duke mbartur me vete “botën” e tyre krijojnë imazhin ëndërrsjellës të mësipërm.
3. Imazhi tepër delikat, lëvizës që duket se shfaq trupin tjetër të ndjeshsmërisëë, një alter ego që reagon ndaj të njejtës dritë: “Hap krahët dhe përkundet lulelofata” është i përbërë nga: Metafora: “lulelofata”, një bimë jo-rastësore, e cila në thelb është një shëmbëlltyrë e subjektit lirik femëror, e natyrës së saj që hapet, përkundet, përjeton. Personifikimi: lulja “hap krahët dhe përkundet”, pra bëhet si njeri, si grua që përjeton të njëjtën gjëndje emocionale. Dhe simboli: “lulelofata” e cila mund të përfaqësojë natyrën femërore, ndjeshmërinë, bukurinë që nuk flet por përgjigjet ndaj dritës. Një ndërthurje e tre elementeve artistikë që krijojnë imazhin që të ngelet në kujtesë për finesën dhe bukurinë e tij.
4. Po kështu dhe imazhi i brendshëm, i heshtur, ku gjithçka është në përputhje me atë që nuk thuhet, por që jetohet thellë “Të ndajë botën në fshehtësi”e krijuar nga ndërveprimi i simbolit: “bota”, e cila nuk është “bota” e jashtme, por universi i brendshëm i subjektit lirik e bashkuar me personifikimin: “lulja”, që si shoqe, ndan botën me subjektin, pse është bashkëjetuese në fshehtësi. Pra ky ndërveprim figurash krijon këtë imazh poetik i cili mbart bukurinë dhe dritësinë e tyre.
Mbartja e dritës nga figurat ndërvepruese është arsyeja që të gjitha këto imazhe shndërrohen në dritë ndjesie, në valë të buta që përplasen në shpirtin e lexuesit, sepse metafora, simboli dhe personifikimi nuk qëndrojnë të ndarë, por ndërthuren në një ritëm të brendshëm që krijon një botë të ndritshme dhe intime. Ndaj themi se poezia e Lakos është poezi që nuk flet me fjalë, por me dridhje, me rreze të padukshme, me një gjuhë që i ngjan më shumë ndjenjës sesa logjikës. Dhe kështu, poezia nuk lexohet me fjalë, por ndjehet me dritën e brendshme që ajo ngjall. Ky është ligjërimi poetik i Natasha Lakos: i heshtur dhe ndriçues, si një rreze që kërkon vend në trup.Përmes ndërthurjes së figurave, poezia nuk tregon një ngjarje, por krijon një gjendje, një përqafim të brendshëm mes trupit, natyrës dhe dritës, që lexohet jo me mendje, por me ndjeshmëri. Dhe kjo është, në thelb, vetë poezia.
VII- Interesante është se poezia e Lakos, “Në kohën më të bukur të trupit”, përjetohet si një fërgëllimë gjatë leximit, si një dridhje që nuk kërkon fjalë, sepse lind para fjalës. Ajo nuk ka nevojë të shpjegojë veten; mjafton të jetohet. Fërgëllima e trupit në këtë poezi është një përjetim që nuk e gjen shpjegimin në logjikë. Ajo ndodh, si një reaksion i trupit ndaj një përjetimi të pastër, të heshtur, që nuk përkufizohet, por ndjehet në drithmën e gjakut, në ritmin e fshehtë të lëvizjes që poezia shkakton.
Vargu “Hap krahët dhe përkundet lulelofatë” nuk është thjesht një pamje natyrore, por një trup i butë që përthyhet në frymën e jetës. Lulja nuk është vetëm lule, por diçka që merr frymë bashkë me njeriun. Në këtë akt poetik, natyra nuk përshkruhet, por bashkëjetohet dhe poezia nuk është për të parë botën, por për t’u bërë një me të. Kështu, poezia e Lakos nuk kërkon të kuptohet, por të jetohet, ajo nuk vjen për të shpjeguar, por për të ngjallur ndjesi, për të trazuar trupin me një ndriçim që nuk kërkon sy, por prani. Dhe në këtë përjetim, ku fjala nuk është e domosdoshme, poezia bëhet trup, një trup që fërgëllon në heshtje dhe i përgjigjet dritës pa zë.
VIII-Pavarësisht se në pamje të parë duket se në poezinë e Lakos mbizotëron mendimi, ne kemi provuar se ato së brendëshmi janë plot melodicitet. Edhe kjo poezi tingëllon si një melodi e ëmbël e brendshme, jo e kënduar me zë, por e dëgjuar me shpirt. Është një muzikë që nuk i bindet ritmeve të matshme, por rrjedh ngadalë, si një ndjesi e brishtë që ndjek pulsimin e trupit dhe dritën e mëngjesit. Melodiciteti i saj buron jo vetëm nga ritmi i vargjeve, por nga mënyra si fjalët prekin njëra-tjetrën, si zërat e butë të tingujve shndërrohen në një ndjesi heshtjeje të pasur.
Qysh në vargun e parë, kemi një ndërtim të qetë:“Në kohën më të bukur të trupit” ku ka një harmoni zanore në bashkëjetesën e fjalëve “kohë”, “bukuri”, “trup”. Tingujt e hapur “o”, “u” krijojnë një rezonancë të qetë, një përhumbje që të fut si në një ethe të ëmbël. Në vargun: “Une ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,” fjalët rrëshqasin butësisht mbi njëra-tjetrën, me një ritëm që ngjan me rrezatimin e vetë dritës. Fjala “rrezeje” me tingullin e dyfishtë “r” dhe zgjatjen e “e”-së, krijon një valë melodike të brendshme që zgjat. Fërgëllimi melodik shtohet edhe nga përsëritja e tingujve të njëjtë, si në: “Hap krahët dhe përkundet lulelofatë” ku “a”, “u”, “e” përzihen në një përqafim të qetë. Fjala “lulelofatë”, e rrallë dhe e butë, është vetë një melodi që hapet e mbyllet në gojë me një valëzimi natyror.
Edhe ritmi i vargjeve ndihmon melodicitetin: ata nuk janë të prerë, as të ashpër, por ndjekin frymëmarrjen e një shpirti të qetë që po përjeton. Natyra në poezi nuk është jashtë nesh, ajo është bërë melodia e vetë trupit. Simbolet, si rrezja, lulelofatja, bari i ri, janë të butë, të ndjeshëm, si nota në një violinë shpirtërore. Nuk ka asnjë fjalë të rreptë , asnjë tingull të forte, të gjitha përhapen në një muzikë të heshtur që nuk dëgjohet, por ndjehet.
Kjo është arsyeja pse poezia gjatë leximit të përshkon si një melodi e ëmbël: ajo nuk flet me fjalë, por me frymëmarrjen e natyrës, me ndriçimin e dritës, dhe me lëvizjen e heshtur të një shpirti. Melodiciteti i brendshëm i kësaj poezie është aq i natyrshëm dhe i përthithur në strukturën e saj, saqë ajo qysh në leximin e parë tingëllon si një këngë e butë, e flladitur nga era dhe drita. Vargjet kanë një valëzim të qetë, që nuk imponohet nga ndonjë skemë metrike e rreptë, por buron nga vetë frymëmarrja emocionale e poetes. Është kjo frymëmarrje që e kthen poezinë në një tekst kënge, të gatshëm për t’u kënduar, jo si një produkt, por si një shpërthim i ndjenjës së jetuar.
Vargu “Hap krahët dhe përkundet lulelofata,” është vetë një refren i heshtur, që mund të zërë vend natyrshëm në një këngë të ngadaltë, të lirshme, si këngët e Anita Takes. Ai ka lëvizjen, imazhin dhe ritmin; tri shtylla të një melodie të ndjeshme. Ndërkohë, vargjet si:“Një bar i posadalë vërtitës,/Nuk e jep të plotë ngjarjen” bartin një mister poetik që do ta pasuronte çdo kompozim të brishtë, intim, ku fjala s’ka nevojë të shpjegojë, por vetëm të rrjedhë. Madje edhe vetë ideja e rrezes që kërkon “shtat dhe shtrat” është një figurë kaq e gjallë, sensuale dhe muzikore, sa përfton menjëherë një ritëm të brendshëm, një këngë që fillon në shpirt dhe mund të përkthehet në zë.
Poezia është në vetvete një këngë pa muzikë, ku çdo fjalë është një notë, çdo ndjesi një harmoni, dhe çdo figurë një dritare që hapet mbi pentagramin e jetës së ndjerë. Dhe kjo është fuqia e saj e fshehtë: ajo nuk kërkon të bëhet këngë — ajo tashmë është.
Sarandë, më Maj 2025
Në kohën më të bukur të trupit
Në kohën më të bukur të trupit,
Harlisen rreth e rrotull ca ndodhi,
Të njohura dhe të lira.
Une ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,
që kerkon shtat dhe shtrat,
E përfshirë në vorbullën e rrotullimit.
Një bar i posadalë vërtitës,
Nuk e jep të plotë ngjarjen.
Hap krahët dhe përkundet lulelofata,
Me mua të ndajë botën në fshehtësi.
Comments