top of page

Zjarri që ha dhe pi veten


(Zjarri që ha dhe pi veten)


Nehas Sopaj


Një ditë para se të vdiste, Baca më thirri pranë oxhakut, ma afroi mangallin të mbushur me prush, m’i përkëdheli flokët e faqet dhe në fund më puthi në ballë. Si më shikoi gjatë e gjatë, më tha:

- Biri im, ti s’je si zonja Bukël që ha minj!

U rrokëllyen motet dhe unë sot i ngjas zjarrit që po ha dhe pi veten! Mu si ky zjarr, mu si ky prush!

Unë kam gjuhë të pastër lirike, tha

mund të të shkokloj me të pathënat e mia të zjarrta, mund të të lodh me përralla dhe andralla,

por ofshe, si të t’i tregoj ty kur ti s’i kupton ato?! Kaq shtalb që je!

- Po pra – tha Baca ndër skërluba dhe u qesh, siç qeshet Kodra e Madhe mbi katund dimrit ku rri Guri i Shqipes, i harlisur nën diellin me dhëmbë,

si verës, si dimrit,

edhe atëherë kur fryn murlani pas shpinës së malit. Pastaj e vazhdoi rrëfimin:

- S’dua të të lodh me plagët e mia që kullojnë gjak

vite e vite,

pa prâ,

jo një vit a një dekadë,

por cok, një gjysmë shekulli!

- Unë i ngjas librit të hapur të Camajt,

ëndrrës së Lorkës para pushkatimit,

faqes së errët të hënës

ku ëndrrat dhe plagët m’i njeh

vetëm terri!

- Po tash kur po shoh se u mbush kupa

me heronj të rrejshëm,

me zogj kukubecë, me kakërdhia dhish,

me hipokritë të pa fytyrë,

me kriminelë të përdalë, kaq keq sa mos t’i besosh më as vetes e as Zotit, tek i shoh si kakarisin si melmezë,

si bylmezë

si gjelkokotë

që rrahin gjoks se na çliruan,

kuku e zezëdita për ne!

- Lamtumirë miq - tha Baca - s'e paskam ditur se Liria paska qenë kurvë!

Ndaj, lermëni tash të bëhem kurrgjë,

flutur e zezë apo bisht i këputur i çapinit!

21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page