top of page

ZILJA E TELEFONIT


KOSTANDIN VOGLI


ZILJA E TELEFONIT

Tregim

Zilja e telefonit e hodhi përpjetë sa kërcitën dërrasat e vjetra të divanit dhe instinktivisht pëllëmbën e dorës e rrethoi rreth gushës si për të ndaluar gjakun që ju hodh nëpër damarë, si për të mos i goditur si çekan trurin. Megjithatë nuk shpëtoi nga një rrahje e shpejtuar e zemrës. Dhe këtë rrahje e përjetonte sa herë që binte zilja e telefonit.

“Cili nga djemtë do të jetë?”- mendoi dhe duke e harruar pleqërinë, u ngrit nga divani si njëherë kur i kishte ata të vegjël dhe rrëmbeu celularin. Dinte vetëm të shtypte “Jesin”, ndërsa po të ishte e detyruar në ndonjë rast që të kërkonte të bisedonte me njërin nga djemtë, nxitonte për tek shtëpia e kunatit që e kishte pranë shtëpisë së saj dhe ai i kërkonte njërin nga të tetë numrat që kishte të regjistruar me të tetë emrat e djemve. Dhe kjo ndodhte aq herë sa ndonjërin prej tyre e shikonte në ëndërr. Dhe atë ëndrrat nuk e linin rehat.

-Alo nëne. U dëgjua një zë.

-Nga më flet të keqen nëna, -ju përgjigj ajo dhe nga sytë i shpërtheu një gjallëri. Që ishte njeri nga të tetë, këtë e dinte, por atyre ju ngjante shumë zëri. Pastaj në telefon zëri se si i vinte. “Jam e tronditur dhe nuk e njoha se cili është nga ata”,- tha me zë. Përgjigja nuk vonoi.

-Të flas nga Korfuzi, i tha zëri si matanë dritares.

-Gjergji, të keqen nëna,- dhe vuri cepin e shamisë në sy. -O vogli i nënës. Si të ka nëna? Ajo e dinte që në Korfuz ishte më i vogli i djemve Gjergji.

-Mirë jemi moj nëne, por kemi merakun tënd.

-Sa do të të merrja unë të keqen nëna, por nuk ishte në shtëpi Tiri, xhaxhai juaj që të më gjente emrin tënd. Të kam parë në ëndërr dhe ti e di që unë merakosem, Gjergji i nënës.

-Prapë ti me ëndrra, moj nëne! Në celular u ndje një shqetësim.-Po të kemi thënë sa herë që vijmë aty dhe sa herë që bisedojmë në telefon, që sa herë të kthehet ndonjëri nga neve, të jetosh së bashku me familjen e xhaxhait. Të paktën shko sa për të fjetur.

-Të gjithë këtë fjalë më thoni. Të njëjtën porosi çdo ditë. Shko tek xhaxha Tiri. Një fjalë goje të lë shtëpinë time, ku rrita një ushtri me djem. Nuk e di, të keqen nëna, si të bëj. Pres se çdo më thotë Toni dhe si të më thotë do të bëj… Matanë u dëgjua zëri i Gjergjit, i cili shqiptoi nëpër dhëmbë.

-Obobo, prapë me ëndrra kjo!

Plaka kishte shumë kohë që priste ti dilte në ëndërr Toni, babai i djemve. Por ai ishte fshehur thellë e më thellë dhe nuk i dilte as për të mirë, as për të keq. Kjo e shqetësonte shumë. Ajo ishte futur në botën e ëndrrave dhe i kërkonte të gjithë t’i vërtiteshin në vorbullën e errësirës së natës për të jetuar të paktën ca çaste bashkë me ta. “Plaku nuk më gjendet as aty ku ka rënë”. Megjithatë kur la celularin mori frymë lirisht. Ju duk sikur ja hoqi njeri me dorë pikëllimin. Zemra i rrahu lirshëm. Djali me gjithë fëmijë ishte mirë dhe u drejtua për në kuzhinë. “Nuk më bëjnë më duart as të qëroj qepën, sepse përmbi trupin tim vitet kanë bërë goditje të rënda. Zemrën e kam të argasur, sepse ka fryrë e ka shfryrë tepër nga helmet dhe braktisjet.”

Buzët i ishin zvogëluar e mbledhur të plasaritura nga rrudhat e derteve. Mjekra e holluar i qëndronte si një copë brumi i montuar përmbi napën e gushës. Të tetëdhjetë e tre vitet i qëndronin mbi kurriz si tetëdhjetë e tre kilogram misër. Si ai misri i kuq që e siguronte me shumë vështirësi nëpër Myzeqe, kur i kishte djemtë e parë të vegjël. Me momente të veçanta, pas ndonjë telefonate optimiste, e ndjente veten si ajo hëna lart, sepse dielli i ishte shuar disa vjet më parë. Dhe ajo thoshte: “Jam si hëna që ndriçon për të tetë yjet”. E kishte fjalën për planetët. Por ato i qëndronin shumë larg. Ata lëviznin, jetonin, por ajo i shikonte shumë rrallë, kur i shfaqeshin një e nga një, rrallë edhe dy e tre, ku herë i priste në mbrëmje, herë në mëngjes dhe përsëri i largoheshin dhe i humbisnin në mizërinë e yjeve të tjerë. Dhe ajo priste e priste, ndërsa pesha i shtohej në kurriz dhe i priste fuqitë. Kishte frikë se do të vdiste e vetmuar si shumë e shumë të tjera dhe ëndrrat e hidhnin ne zilen e telefonit. Nuk ka kush t’i lutet zotit për mua. Me sa shikoj kur linda, nuk ka qëndruar njeri zgjuar atë natë të lutej për shpirtin tim. Këto mendonte natën kur nuk e linin rehat ëndrrat dhe zgjohej shumë herë e trembur. Dhe nata e tremb njeriun e vetmuar. Kur zgjohej herë-herë e djersitur e ndjente më shumë vetminë. I dukej sikur e hanin muret. Zemra hera-herës e hidhte gjakun të ftohtë dhe kudo që vendoste dorën e rreshkur i dukej mishi i ftohtë. Nga matanë xhamave të fshehura nga një perde e rënde, i vinin tinguj të frikshëm dhe të dyshimta. Lloj-lloj shpendësh të egra gërgisnin të pasuara nga kuisje qensh. Në mëngjes i zinte veshi zërat e gjitonëve dhe çlirohej nga rrethi i fantazive me fantazma të natës. Ulej në anë të krevatit me kokën midis duarve dhe mendonte për ditët e kaluara, ku ishte e futur thellë në tetë xhepa të secilit djalë, për të zënë vendin që i takonte si nënë, nga xhelozia se mos djemtë e martuar do ta harronin jashtë. Të tjerët u martuan më mbrapa dhe plaka ankohej. “Gjej një nuse unë, vinte djali martohej me të dhe nxirr nusen jashtë. Gjej tjetrën unë. Eja djali tjetër martohu me të dhe nxirr nusen jashtë. Nga fshati e në Athinë, Pire, Selanik, Patër, Napoli, Venedik dhe i fundit në Korfuz. Kokrra-kokrra janë bërë. Dhe tani mbeta me të vërtetë jashtë të gjithë xhepave.” Këto dhe shumë të tjera mendonte e ulur në fund të krevatit pothuajse për çdo ditë. Hidhte sytë rreth shtëpisë dhe thoshte me zë. Sepse të gjithë kur janë vetëm flasin me vete. Shumë herë edhe rrugës si gjysmë njerëz. “Mirë i rrita në pak dhoma, por tani janë bërë tetë familje. Si janë mësuar andej, asnjeri nuk do të jetojë në këtë kasolle të Tonit. Më tha mirë Gjergji në telefon. Ku të vijmë moj nëne, të flemë nëpër bunkerë? Ata nuk na ndërtuan shtëpi, por bunkerë. O zot i madh! Na ndoqën djemtë nga shtëpitë. Kanë të drejtë. Ku të vijnë këtu.?!”

Të gjithë shqiptarët nuk kishin as pula si ne në fermën tonë. prandaj ikën. E mbytur nga pikëllimi, e mendonte veten si një qyqe të plakur që po i kalonte ditët e fundit duke dëgjuar qyqet e tjera natën nëpër pemë, të cilat i drithëronin trupin e harruar përmbi hijen e saj, të vetmen që po e shoqëronte ngado që shkonte. Në fakt në kokë mundohej të ruante një ekuilibër. Jashtë dëgjoi një cicërimë dhe mendimet e pikëlluara sikur ju zhdukën. Doli me vrap tek dera me sytë e ngritura tek foleja e dallëndysheve. Deri në atë moment i ishte rrotulluar zemra si rrotullohet boshti i furkës kur mbledh leshin e përdredhur. Por shpejt shpresat ju venitën. Përsëri dallëndyshet nuk i erdhën. I ikën që kur i iku djali i fundit dhe nuk u kthyen më. “Dallëndyshet që të cicërojnë në ballkonin e shtëpisë, duan cicërima fëmijësh” -tha me zë dhe lotët që ju zien që brenda kafkës të mbështjellë si paguri me një pece të qepur që nga përdorimi ishte katandisur një paçavure e rrudhur dhe e grisur vende-vende, i dogjën sytë e zinj që i kishte si thëngjij të shuar pa asnjë xixë shkëlqimi. Ndërsa e bardha e kishte humbur ngjyrën dhe ishte kuqërruar. Pastaj lotët duke rrëshqitur i ngrohën faqet e rreshkura dhe cepat e shamisë i vendosi përmbi to. Pranvera kishte ardhur e ngarkuar me të gjitha ngjyrat dhe i kishte derdhur ato nëpër pemë, lëndina dhe kopshte. Pemët tani komplet të jeshiluara, aty këtu të zinte syri akoma lule të vonuara ku të tjerat kishin formuar kokrrat. Një shpresë e mbështolli me një cipë të tërën, si cipa që mbështjell kokrrizat e shegës. Po vinte pashka. Atë vit po binte në maj dhe ditët e fundit të prillit po i fërfërinin si fërfërimat e petaleve të luleve. “I dhashë lamtumirën edhe këtij dimri, megjithëse e vetmuar”,- tha përsëri me zë. Për pashkë shpresonte të vinin disa nga djemtë dhe shtëpia do t’i mbushej me gëzime fëmijësh. Kjo shpresë e mbante të ngrohtë duke i larguar pak padurimin. Porosia për të lënë shtëpinë i dukej e paimagjinueshme dhe e ndjente veten të fyer. Gjithë jetën ishte e pa poshtëruar dhe një grua me sedër. Tani që kishte humbur toruan i propozonin të shkonte dhe të jetonte me familjen e kunatit duke pasur vetë tetë djem. Më në fund pas shumë vulosje dhe zhvulosje vendimesh, vendosi ta provonte para pashkës. E turbulluar dhe e skuqur në fytyrë shkoi tek i kunati.

-Tiri, erdha unë.- i tha sa e pa. Ai e priti vendimin e saj me shumë kënaqësi, si një detyrë ndaj shpirtit të të vëllait dhe vet zotit. Në sytë sqimët të Tiri Banos ajo ndjeu një përkëdhelje shpirtërore. E kunata, Sandra, e priti ne një kafe të menjëhershme.

-Kemi nga të gjitha mos u merakos.- i tha Sandra.

-Edhe mua nuk më mungon gjë, moj kunatë, por djemtë dhe juve kini frikë se mos më ndodh gjë natën. Sa për të gatuar ti e di që më bëjnë duart akoma. Por ta dini: -Unë edhe këtu tek juve, nuk do të shpëtoj dot nga ëndrrat. Dhe nënë Margarita qeshi me një ha-ha-ha sa i lëvizën marsellat, ndërsa një tufë flokësh të zbardhura ju varën pak përmbi ballë, të lejuara nga shamia e cila ishte e lidhur ca lirë. Ato kishin prekur pengesën e parë të brazdës dhe nuk e kishin kaluar atë. Rrufisnin kafenë duke i buzëqeshur njëra-tjetrës si zakonisht, sepse ato kafenë e pinin për çdo mëngjes bashkë, herë tek njëra e herë tek tjetra, por jetën e bënte e vetmuar. Sandra ishte shumë vjet më e re, akoma e zonja e punës dhe nga të tre djemtë që kishte rritur, njëri prej tyre Raqi, nuk i kishte ikur.

-Ti e ke Raqin dhe e ke shtëpinë të ngrohtë, plot me fëmijë.- i tha të kunatës. -Më gëzon shpirti, kur vij këtu, kurse mua më braktisën të gjithë. Dhe e përpirë nga turpi ndjeu një zagushi. Nuk ndjeu entuziazëm, sepse nuk qe gjë e hijshme të linte shtëpinë në atë moshë. Ajo për këtë arsye nuk kishte shkuar pas djemve. Shtëpia e burrit i dukej e shenjtë. “Rehatia e kockave” thoshte ajo.

-Ta provoj njëherë. Të shomë se çdo të më thotë edhe plaku. E kishte fjalën se ajo ishte e sigurtë, që ai tani me këtë sebep do t’i dilte në ëndërr.

Sandra ndryshonte me Margaritën, e mbyllur në vetvete dhe me ëndrra të detyruara nga mbeturinat zakonore. Por Sandra të bënte për vete me sytë e saj që të përfshinin ëmbël gjithë forcë dhe ngrohtësi. Rrallë mund të gjeje një kunatë që të pranonte aq sinqerisht dhe me aq dashamirësi praninë e kunatës së rreshkur në përbërje të familjes së saj. Pas darke nënë Margarita u ngrit e kapitur për gjumë dhe u shtri në krevat nën një batanije. Por papritur i iku gjumi. Mendoi plakun. E trembte ardhja e tij natën. Vonë i mbylli sytë me një gërhitje të lehtë, por fanitja[1] e frikshme e kishte hedhur në anë të krevatit dhe për të mos zgjuar të tjerët nuk bëri asnjë lëvizje, por kokën e shtrëngoi midis pëllëmbëve me bërrylat mbështetur në gjunjët që i dridheshin. Drita që vinte nga kandila e ikonës i ndriçonte pakëz ballin e zbehtë. Ca rënkime të lehta u dëgjuan nën pëllëmbët e duarve, të cilat e tërhoqën Sandrën nga qetësia ku kishte rënë. Ajo zgurdulloi sytë kur pa të kunatën në fund të krevatit me shpirt të kapitur, të cilës shumë mistershëm Toni i doli m’u në mes të dhomës dhe i foli duke e përqeshur. Pastaj me kërcënime duke protestuar. Ajo ja nguli sytë njerëzve që i shkuan rreth krevatit, por nuk jua tha arsyen e lemerisjes përveçse në mëngjes, kur po pinin kafen. Ata shikonin gruan e gjorë, që u dukej si kufomë. Në sytë e saj vunë re që në mes të qerpikëve i kishin ngjitur pika loti të mëdha të cilat i rrëzëllenin nga një xixë si rruaza nga kandili. Lotët e pengonin të shikonte ata që e rrethonin.

-Më talli dhe më kërcënoi Toni, more Tiri, ja ke ngarkuar mentë kokoshit,- më tha. Më ulëriti përse e lashë shtëpinë. M’u lëshua si rrufe zëri i tij dhe më urdhëroi të shkoj menjëherë në shtëpinë time. Më mbyti ligështia. Nuk ja ndava sytë. M’u duk si gjallë dhe më shtathedhur. Aty të shkosh dhe mos u tremb më. Mbaje të ngritur shtëpinë qe e lashë në dorën tënde. Më dha shpresë se mund të më kthehet ndonjë nga djemtë. Nga kjo shpresë fytyra filloi t’i çelej dhe t’i ikte zbehja. Ju shtua dëshira për t’u përkujdesur akoma për vetveten. Nuk u ndie mirë kur e kishte parë si armike.

-Do të shkoj në shtëpinë time.- u tha atyre. E dija unë që ai do të vinte sonte, prandaj edhe jastëku ku vura kokën m’u duk me gjemba. Ju pres të hamë bashkë.- i ftoi dhe u ngrit.

-E vrau ndërgjegjja që iku nga haneja e saj.- i tha i shoqi Sandrës, dhe ju faneps ai, im vëlla në ëndërr. Ajo beson shumë në ëndrra, nuk e ke parë? Sa herë i del ndonjëri nga djemtë dhe ajo vjen me nxitim për të gjetur unë emrin e tij. pastaj ja fillon. Pashë këtë ëndërr dhe ju pashë kështu e ashtu.

-Ka të drejtë, i tha Sandra. Neve e kemi njërin këtu me gjithë grua e fëmijë dhe na gumëzhin shtëpia. Kurse ajo ka ngelur qyqe. As cicërima dallëndysheje nuk i dëgjohen më. Pastaj unë të kam edhe ty. Dhe e pa të shoqin në një mënyrë, ku i qeshnin të gjitha tiparet. Pas pak u çua rrëmbimthi.

-Do të mbaroj punët shpejtë e shpejtë dhe do të shkoj ta ndihmoj. Na ftoi për drekë dhe duhet t’i shkojmë,- i tha të shoqit. Mëmë Margaritën e kishte marrë nga mbrapa protesta që ju duk sikur i erdhi nga nëndheu. Edhe i vdekur e paska merakun e shtëpisë. Po përse vallë më urdhëroi megjithatë nevrik që të kthehem në shtëpi. E dija unë që do të më dilte medoemos në ëndërr. E prisja mbrëmë kur rashë për të fjetur. E prisja dhe ai fap m’u faneps. “E kishe ti mendjen, prandaj të doli në ëndërr,- më tha kunati. -Por unë i kam një me një ëndrrat. Mos vallë plaku parandien se do të më kthehet ndonjëri nga djemtë? Vuri dorën në zemër dhe të trokiturat i ndjeu nën dorë. Rrugën deri në shtëpinë e saj ju duk sikur e bëri me vrap, megjithëse vrapin e kishte harruar dhe nuk e kuptoi kur u fut në pragun e saj. Atë natë e quajti më se një torturë dhe kur hyri në shtëpi u erdhi rrotull dhomave dhe ju duk sikur kishte një jetë që kishte lënë krevatin e saj. U ul në anë të tij dhe përkëdheli jastëkun që më parë mbështeste kokën plaku. Ju duk sikur dëgjoi zëra. Zëra fëmijësh ju fantazuan me gumëzhitje dhe një dritë e argjendtë ju faneps para syve. Një rreze dielli ju afrua tek jastëku dhe i ngrohu dorën, të cilën e tërhoqi. Ngriti sytë e lumturuar nga foleja dhe pa një dallëndyshe me një fije kashte në sqep. Pastaj fluturoi mbasi la fijen e kashtës brenda folesë. I erdhi njëherë rrotull shtëpisë dhe u kthye përsëri me një fije kashte tjetër. Ndofta i gëzohet folesë që ja kam ruajtur unë,- mërmëriti e gëzuar nënë Margarita, e cila shikonte tani dallëndyshen me sy të lotuar. Pastaj ajo qau me gjithë shpirt. Qante dhe mjekra i dridhej përmbi napën e gushës. Ndërsa dallëndyshja mbasi bëri një xhiro rreth pemëve që gumëzhinin nga cicërimat e zogjve, në kthim ju bashkua një tjetër në krahë të saj dhe të dy çift u futën në fole. Nënë Margarita kishte bashkuar pëllëmbët dhe i kishte ngritur ato lart, sikur po i falej zotit dhe pëshpëriste me lotët që i hynin brenda gojës.

-U keqen mëma, u keqen mëma. Të dy dallëndyshet dolën nga foleja dhe fluturuan fillimisht duke përshëndetur plakën, që çuditërisht i qëndruan përballë për rreth tre sekonda, pastaj bënë një rreth sipër kokës së saj. Fluturonin dhe i gëzoheshin folezës duke mbajtur në sqepa edhe nga një fije kashte. “I duan për të vendosur vezët”, -tha plaka me zë dhe gati e hutuar nga e papritura, u fut brenda. “Dallëndyshet kanë punë”, dhe sikur mori krahë dhe forcë, rrëmbeu shkrepësen dhe ndezi kandilin e ikonave që kishte të varur në një kamare. Pastaj vuri përparësen të përgatiste drekën. Kishte të ftuar…


[1] - shfaqja, paraqitja

64 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page