top of page

Zgrip


Zgrip

Fatmir Terziu


Andejkëndej ishte bërë imponim. Impononin orët. Pështillnin dëshirat. Rrethsillnin mendimet. Shtëpia në qoshe dukej një pasyrë e gjithë asaj ndodhie. Andej kalonte ikja. Aty udhëniste braktisja. Aty zbehej drita. Në atë kënd pllakosej errësira.

„E thua me gojë, e sheh me sy, e dëgjon me veshë, e nuk e beson me mend“, mësohej të ishte thënë nga ballkoni i asaj shtëpie.

Ballkoni ishte mbi rrugë. E veshët gjithnjë ishin në të, mbi të, e nën të. Aty kryqëzoheshin mjaft rrugë. Rrugë që të bënin me dije për stinët, për kohërat, për rrethanat me të cilat veshët ishin një ngritje kolektive në arsyen e panjohur. Veshët e dinin misionin e tyre. Madje dhe ata me ndonjë difekt, me ndonjë aparat në veshë, e dinin se rritja e dëgjimit ishte një arsye më shumë. Nuk ishte më thjesht domosdoshmëri, por ishte vërtet një detyrim.

„Të dëgjosh, duhet të hapësh veshët mirë, të jesh gati çdo ditë. Ndryshe gjendesh në zgrip…“, thanë dhe u larguan nga ballkoni, tek i cili gjithnjë gjeje forma dhe modele veshësh e aparatesh post-moderne dëgjimi. E sofistikuara e atjetejshme kishte dhe një zanat që thuhej se ishte i trashëguar.

Zanati i asaj shtëpie, në atë qoshe, ishte i tillë në këto rrethana, por edhe në çfarëdo rrethane tjetër. Mjafton të kishte aty një palë sy, një palë veshë. Mjafton që aty të kishte një kohë dhe për atë kohë qoftë edhe të shkurtër të kishte veshë të atillë, veshë për të dëgjuar në rrugë.

„A mund të ndodhte ndryshe?“, pyesnin ata që dinin se mbi rrugë kishte gjithnjë një ballkon.

Në atë ballkon krahas veshëve gjithnjë kishte rroba. Rrobat terreshin në tela. Në tela kapeshin me kapëse. Kapëset ishin të ndryshme. Mbi të gjitha këto binte dielli thuajse 45 gradë. E në një hapësirë të vogël gjithnjë kishte një palë vesh, një palë sy. E që aty dëgjohej një zë. Ai zë u fliste njerëzve në rrugë. U fliste edhe në mes të zhurmave, edhe në qetësi. U fliste thuajse përditë: „Kujdes jeni në zgrip!“.

Ata kthenin kokën, fërkonin veshët, pastaj pëshpërisnin si fillim, e më pas duke fërkuar kokën me disa gjeste piketonin sytë atje lart, e bëheshin si të stepur… ky është…, apo ne jemi të çmendur?!

30 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page