Zeqir Hysa vjen me një zë dinjitoz
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 11 hours ago
- 3 min read

Zeqir Hysa – Zëri poetik i Gollobordës dhe i Dibrës
Fatmir Terziu
Me emrin e poetit Zeqir Hysa u ndesha për herë të parë në vitet 1983–1985, kur punoja mësues në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Elez Koçi” në Ostren të Madh të Gollobordës së Dibrës. Në atë periudhë, ai shërbente si mësues në Ciklin e Ulët në Ostren të Vogël, duke u dalluar jo vetëm për përkushtimin ndaj nxënësve, por edhe për talentin e tij si krijues. Një mik i përbashkët, koleg i tij, më vuri në dorë disa prej poezive të tij të hershme, që qarkullonin atëherë dorazi mes miqve të letërsisë.
Përveç poezisë, Zeqir Hysa ishte një mprehës i penës së reporterit vullnetar në gazetën e asaj kohe të Dibrës, “Ushtima e Maleve”, ku shquhej për reportazhe, skica dhe shkrime sociale me nuanca të forta realiste.
Krijimtaria dhe botimet
Pas viteve ’90, Zeqir Hysa i dha një hov të ri krijimtarisë së tij, duke botuar disa vëllime me poezi: „Fjalë miradie“; „Dashuri në errësirë“; „Emblema ime“ „Ndjesi shpirti“ Ai ka botuar gjithashtu monografinë “Fisnikëria e fshatit Ostren i Vogël”, si dhe romanin “Dashuri e përgjakur”, ku vijon traditën e tij për t’i dhënë zë realiteteve të zonës, historive të njerëzve të thjeshtë, dhimbjeve dhe krenarive të tyre.
Lirika e dashurisë dhe ndershmëria e ndjenjës
Në poezitë lirike për dashurinë, Hysa shpesh prek çështjen e besnikërisë, fisnikërisë së ndjenjës dhe ruajtjes së premtimit përballë tundimeve apo ndërhyrjeve që cenojnë pastërtinë e dashurisë. Në një varg të tij shkruan:
“Në shpirtin tim u formësove si lule,
e unë shpirtin ta dhashë ty, pa ndjesi frike,
po ti ma çove zemrën në polin e ngrirë,
ndër lulesh e bukur, të lutem qëndro besnike!”
Këto vargje përçojnë një përjetim emocional mes dhimbjes dhe shpresës, ndërsa dashuria shfaqet si një botë delikate që kërkon pastërti shpirtërore.
Realiteti shoqëror dhe brenga për vendlindjen
Një pjesë e konsiderueshme e poezive të tij trajton gjendjen ekonomike, shoqërore dhe politike të vendit, me tone të forta shqetësimi dhe përkushtimi qytetar. Hysa e dëshmon veten si poet që e përjeton thellë dhimbjen dhe hallet e popullit të tij. Në një poezi kushtuar Gollobordës shkruan:
“Gollobordë, vend i trimave, i traditave si epos,
ku veshjet, ngjyrëylberëshe, vallet fisnikërojnë,
ku mërgimtarët, kohërave, nga dhimbja e kohës,
të larguar me vite në kurbet e në ëndrra lëngojnë.”
Ky dimension realist i krijimtarisë së tij është dëshmi e përgjegjësisë artistike dhe shoqërore që ai mban si poet.
Elegjia dhe ndjesia njerëzore
Në lirikat e elegjisë, Hysa shfaq ndjeshmërinë e thellë për humbjet e parakohshme, duke e shndërruar dhimbjen në art:
“Jam i sigurt se sytë e tu ia ke dhënë fluturës,
trupin ia fale tokës, që kurë nuk do ta tresë,
se ti dije të japësh dashuri, të japësh shpresë,
sytë e tu fluturues do më mbeten në kujtesë.”
Këto vargje mbeten mes më prekëseve të krijimtarisë së tij.
Dashuria dhe përjetimi poetik
Poezia e Zeqir Hysës shpesh vjen si një kapërcim nga konkretja te e pandjeshmja, nga përditshmëria te metafora, duke sjellur vargje të tilla:
“Dua…
që dashuria t’i ngjajë kohës,
lëngëzimit të buzës,
lotit të përmadhjes,
çastit të prekjes së ëmbël,
përjetimit të frymëmarjes,
sytë e mbyllur të jenë vështronjës,
që shpirti im të jetë ëndronjës.”
Dy Dibrat dhe kujtesa historike
Për Dibrën, tokën e rrënjëve të tij shpirtërore, ai shkruan:
“Dibra e mbuluar, me gjuhë e me flamur,
që nga Ilirët, ngritur si kala e fort me gurë,
zbukuruar në gjoks, me shqipe në kraharor,
pjesë e trupit shqiptar të bashkuar si tabor.”
Ky varg është një himn identiteti, krenarie dhe kujtese.
Profil i poetit
Zeqir Hysa ka lindur më 15 gusht 1956 në Ostren të Vogël të Dibrës dhe aktualisht jeton në Tiranë. Ka kryer studimet pedagogjike dhe ka punuar rreth 25 vite si mësues i ciklit të ulët dhe më pas si mësues i gjuhës shqipe dhe leximit letrar.
Përvoja e tij pedagogjike, dashuria për vendlindjen dhe ndjeshmëria sociale janë shndërruar në tri shtyllat kryesore të krijimtarisë së tij poetike.
Konkluzion
Në vëllimet e tij poetike, Zeqir Hysa vjen me një zë dinjitoz, duke treguar rritje të vazhdueshme artistike dhe një aftësi të ndjeshme për të përçuar emocione të forta e të sinqerta. Ai mbetet një nga zërat më autentikë që i ka kënduar Gollobordës, Dibrës, dashurisë, heroizmit, dhimbjes dhe fateve njerëzore. Në krijimtarinë e tij gërshetohen tradita, realitet, nostalgji dhe modernitet — një mozaik poetik që pasuron letërsinë shqiptare.









Comments