top of page

ZBRAZËTITË SI BARASPESHA DHE SI THELLIM


Vasil Vasili

Për “Ar dhe fosfor” të Romeo Çollakut


Për qartësi, kemi nevojë të përdorim terma të pranuar njëzëri. E, megjithatë, kjo qartësi është e pamjaftueshme vetëm me termat e pranuar njëzëri, sepse së paku duhet edhe lënda e situatave të jetë e pranuar. Atëherë dialogu mund të eci, gjithësesi. Thamë, që lënda e situatave duhet të jetë e pranuar, gjë që jo gjithnjë arrihet, se emërzimin e shoqërojnë edhe dykuptimsitë e pashmangëshme, që e vështirsojnë dialogun me përvojat e shkollave të ndryshme dhe me subjektivitetin. Një vepër arti nuk ka nevojë për emërzim ashtu siç e kërkojnë kushtetutat, tekstet, zhargonet. Një vepër arti është një gjuhë babeli, që duhet zbuluar. Po nuk mund të bëjmë dot pa emërzimin, së paku si një pikë e njohur për të mbritur në një zonë të re. Përpara pikturave të Pikasos duhet të rrishpikësh gjuhën për të mbrritur te trajtat e reja njerëzore që ke përpara; përballë karakterit të “Don Kishotit”, duhet të riformulosh moralisht karakterin, sipas gjendjeve të tua shpirtërore. Ç’gjë e vështirë të merresh me moralitetin e botës, të hysh në subjektivitetin e pranuar të saj për t’i hequr pjesë sterile dhe t’i mbushësh me mendësi jetësore, së paku në vepra artistike. Një libër është marrëveshje e autorit me shoqërinë dhe me kulturat e saj. Ka shkrimtarë që e prishim marrëveshjen për subjektivitetin e tyre. Ata e ndalin kohën e lumtur, që ekziston midis shoqërisë kulturore dhe krijuesit, dhe e shpien këtë marrëveshje në krizë estetike, morale dhe filozofike.

Romeo Çollaku

Romani i Romeo Çollakut, “Ar dhe fosfor”, është shumë i brishtë për t’a vendosur diku në gjerdanin e veprave madhore, por kemi të bëjmë me krijuesin, që e vë në vështirësi lexuesin tradicionalist. Jemi përballë një libri të mbushur me zbrazëti dhe, kjo është cilësia e parë estetike e këtij libri. Zbrazëti si thënje, si fjalë, si kumte, si baraspesha. Të rikujtojmë teorinë e ajzbergut, simbolikën, elipsin etj.,të cilat në këtë roman kanë gjetur një përdorues mjeshtëror të fshehur pas trungut të hajthëm të naivitetit të një fëmije. Po rendis disa zbrazëti të këtij libri. Mungesa e parë formale është “harrimi” i emrave dhe mbiemrave të personazheve për t’ia lënë vendin një emri të nënkuptuar të personazhit. Duke u nisur nga ajo çka bëjmë, si shpërfaqemi me vetveten dhe me rrethanat, të gjithë emërzoemi në psikikën e tjetrit. Asnjëherë s’jemi me një emër në rrethana të ndryshme. Shumësia dhe cilësia e rrethanave vendos emrin e personazhit në këtë lloj letërsie dhe jo shkrimtari vendos emrin e personazhit. Ai me ndërgjegje e lë lexuesin të vendos emrin, që mendon. Jemi në cilësitë morale të rrethanave të personazhit, i cili ndërtohet në psikikën tonë me emra të ndryshëm, pasi shkrimtari enkas i ka lënë pa emra të përveçëm, që t’a bëjë vepruese kujesën e lexuesit.

Duhet të shijojmë edhe mungesat, që enkas janë menduar nga autori si të tilla. Një nga cilësitë e këtyre mungesave është: Ato janë mjaftë afër me natyralitetin, përkundër vijimësisë formale fabulore, e cila është më shumë se çdo gjë një marrëveshje për një formë. Një grup mungesash ose një marrëveshje për një formë të re, në romanin “Ar dhe fosfor”, mund t’i gjesh në strukturën e tij, si: Mungesën e kronologjisë në tërrsinë subjektore, çvlerësimin e personazhit dhe mosndërvarja shkakësore e tij, mungesa e lidhjes formale dhe e hapjes së plotë të subjektit.

Emri është një konvencion, një shejnë dalluese, thirrëse, ngashënjyese etj., është një kujtesë e shoqërisë për vetjakun.

Në roman mungojnë emrat njerëzorë pra, mungon kujtesa shoqërore për vetjakun sepse ai është “kyçur” në një emër profesional, në formën më klasike të ndërvarsisë, Usta-Çirak. Autori ka kallur profesionin dhe ka larguar nga kujtesa njerëzore emrin, por ndërkohë e ka zhvilluar jetën artistike dhe kujtesën artistike me marëdhënje parësore të njeriut siç është puna dhe, i ka hequr marrëdhënjen themelore, njerëzoren, të gjithëkohëshmen. Po të bëjmë paralele me kohë, do të na kujtohet se ka kohë të teknikës, që kanë rrudhur shpirtëroren, pra në roman kemi kohë të mungur njerëzore. Dhe kështu, hallkat e të arsyetuarit, të çojnë te probleme filozofike.

Dua të ruaj anonimatin e kohës, të vendit, të emrave, ashtu siç janë në roman, se besoj, që është marrëveshja që ka bërë autori me estetikën dhe psikologjinë krijuese. Ai nuk shënon kohë në roman, por e ka afruar dhe larguar kohën për t’i dhënë përmasa edhe më të mëdha, ka bërë një gjedh eklektik të një kohe estetike për t’a këqyrur ne, sipas gjendjes subjektive. Ai afron tabllo dhe largon kohë. Koha historike është subjektivitet dhe, këtë subjektivitet, autori na e lë t’a emërtojmë ne duke fshehur subjektivitetin e tij. Për t’a fshehur subjektivitetin e tij autori e ka mbështjellë kumtin me shtresëzime të njëpasnjëshme duke na dhënë iluzionin e thellësisë.

Fshehje tjetër është edhe përdorimi i natyralitetit për të fshehur socialen apo përdorimi i atmosferës për të fshehur kohën, shteresëzimi fragmentar i subjektit për të dhënë vijimsinë, përkime fatesh njerëzorë, por t’i fshehur pas marrdhënjeve teknike. Me mungesa... të tilla është i ngjizur i gjithë libri. Mungesa, si një lloj pikëpamje estetike dhe filozofike për jetën, është lënda e parë estetike e romanit “Ar dhe fosfor” Nënështresat e librit na japin idenë e njerëzve stoikë në kohë moderne, por stoicizmi dhe teknologjia kanë pak pika përkimi dhe, këtej rrjedh edhe paradoksi i kësaj jete të endur në roman. Këtej rrjedh edhe provincializmi historik i vëndit dhe i marrdhënjeve që ka kqyrur autori.

26 janar 2007

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page