Yllka Filipi: Tetori dhe Festa e Librit në Amerikë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 9 min read

(Panairi i Katër-t në Shtëpinë e Shkrimtarëve)
Ditën e shtunë, në Galerinë e Artit në qytetin e Stamford, CT, ora 11:00 e paradites deri më 17.00 të pasdites, kur gjethet e zverdhura dhe shirat e parë të vjeshtës ravijëuan portretin unikal të këtij mes-tetori të ngrohtë, u zhvillua Edicioni i Katër-t i Festës së Madhe të Librit në Amerikë, Panairit të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në Tubimin e radhës. Në këtë festë të fjalës, kulturës dhe lidhjes njerëzore, ku breza të ndryshëm takohen për të përjetuar fuqinë e leximit, të shkrimit dhe të lidhjes kulturore e frymëzimit artistik midis Shkrimtarëve të njohur shqiptarë e shqiptaro-amerikanë, poetë, përkthyes, gazetarë, piktorë, producentë filmash dhe artistë nga fusha të ndryshme erdhën për t’u lidhur përmes librit dhe kulturës me nismën që synon të ngulisë dashurinë për leximin në çdo brez dhe të lidhë fuqinë e fjalës së shkruar me shpirtin e komunitetit tonë.
Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, moderatorja, poetja dhe studiuesja Dr.Yllka Filipi i uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve, bashkëpunëtorëve, botuesve, gazetarëve, miqve të artit dhe të fjalës në këtë ditë të mbushur me frymëzim, emocion dhe dashuri në pasionin për librin. Bërthama e fortë e kësaj feste të librit u bënë botimet e reja të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amnerikanë.
Fjala ju dha Presidentit të Shoqatës z. Adnan Mehmeti i cili u shpreh: Përshëndetje të gjithëve dhe mirë se vini në Tubimin e Shkrimtarëve 2025. Tetori, si muaji i librit dhe i leximit, bashkon shpirtin krijues të autorëve me lexuesit. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka tashmë 24 vjet veprimtari të pandërprerë në shërbim të kulturës dhe letërsisë shqipe. Gjatë këtyre viteve, mbi 200 anëtarë kanë lënë gjurmën e tyre me vepra, botime dhe pjesëmarrje aktive në jetën kulturore të komunitetit tonë. Shoqata ka qenë dhe mbetet një vatër bashkimi: një vend ku krijuesit ndajnë përvojën, frymëzimin dhe përkushtimin ndaj fjalës. Do të vazhdojmë të mbështesim krijimtarinë, të hapim dyer për autorët e rinj dhe të zhvillojmë nisma që forcojnë lidhjen mes krijuesve shqiptarë në Amerikë dhe në trojet tona. Gjatë veprimtarisë së saj, Shoqata ka organizuar tre edicione të Panairit të Librit Shqip (2009, 2010, 2024) dhe Ekspozitën e Librit (2021), duke afruar autorë, botues dhe lexues nga mbarë Shtetet e Bashkuara. Sot, Panairi i Librit Shqip 2025, në edicionin e katërt, vazhdon këtë traditë. Këto panaire kanë një veçanti që i dallon nga të tjerët: janë krijuar posaçërisht për shkrimtarët, poetët, përkthyesit dhe krijuesit shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në SHBA. Ato janë mundësi, për ata që mbajnë gjallë gjuhën shqipe në mërgim mund të shprehin historitë e tyre, duke shkruar mes dy brigjeve. Çdo libër i ekspozuar ruan një histori emigrimi, një kujtim nga vendlindja dhe përpjekjen për të ruajtur gjuhën dhe kulturën tonë përmes shkrimit. Që prej panairit të parë, qëllimi i Shoqatës ka qenë i qartë: të krijojë një platformë për autorët shqiptarë në Amerikë, duke u dhënë vlerësimin që meritojnë. Ky panair është një pikëtakim që lidh krijuesin me lexuesin, bashkatdhetarët me artin dhe fjalën me komunitetin. Ai dëshmon se kultura shqiptare jeton përtej kufijve dhe se fjala jonë nuk shuhet, por udhëton dhe e mban gjallë trashëgiminë tonë kudo që jemi. Çdo shkrimtar, me fjalën e tij, ndez një dritë që ndriçon përtej kohës. Letërsia është mënyra më fisnike për të folur me përjetësinë. Siç thotë Gabriel García Márquez, “Letërsia është mënyra më e bukur për ta jetuar jetën dy herë: një herë në realitet dhe një herë në kujtesë.” Le të shërbejë kjo ditë si frymëzim për ata që duan të shkruajnë, si nxitje për ata që ende nuk e kanë botuar librin e parë, dhe si besim se kultura është forca që na bashkon kudo që jemi.
Dr.Bexhet Asani i cili në fjalën e radhës u paraqit përpara lexuesit në këtë ceremoni me një libër të ri, ndër të tjera u shpreh: “Një dashuri e vjetër dhe një dashuri e re – Struga për Ismail Kadarenë” Jam i lumtur që libri im më i ri, u prezentua para mikeshave dhe miqve të mi shkrimtarë e artistë, me rastin e Panairit të librit, edicioni i katërt, këtu në këtë Galeri të Artit në qytetin e Stamfordit, në Kenerikë.
Shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, këtu e 23 vjet më parë, pikërisht në muajin maj dhe tetor të vitit 2002, vizitoi qytetin tonë - copëzën e parajsës siç duam ta quajmë ne dhe të gjithë ata që e vizitojnë Strugën. Ismail Kadare në tetor të vitit 2002, kërkoi të mbante një takim me intelektualët struganë. Ne këtë takim e pritëm me entuziazëm. Në fund të takimit kandidati për Çmimin Nobël Ismail Kadare midis tjerash tha: “Ju falënderoj për këtë bisedë kaq të ngrohtë, për praninë tuaj kaq miqësore, kaq të mençur! Më prek shumë interesimi juaj për letërsinë, kulturën, për fatin e popullit shqiptar. Të ndodhesh në mesin e bashkëkombasve këtu, me të cilët merresh vesh kaq mirë! Ju falënderoj edhe njëherë të gjithëve!”
Ky libër ka edhe një kapitull “Nga jeta kulturore në qytetin e Strugës”. E shkrova këtë kapitull për të vënë në pah, pse shkrimtari Ismail Kadare, e vizitoi këtë qytet të vogël por me një kulturë të begatshme, veç bukurive natyrore.
Shkrimtari, studiuesi dhe aktivisti Pashko Camaj u prezantua me botimin e tij të ri, romanin simbolik titulluar “Porosia e Kullës”, si përshkrimi i rrugëtimit të brendshëm shpirtëror të shqiptarit drejt ëndrrës amerikane. Ky itinerar merr ngjyrat dhe trajtën e filozofisë jetësore të vetë autorit ku besimi, shpresa dhe optimizmi do të bëhen lejtmotivi i mesazhit që përcjell ai në vepër.
Më tej shkrimtarja Veneta Callpani erdhi para lexuesit shqiptaro-amerikanë me librin e saj më të ri në gjuhën angleze: Lessons Learned. A transformative journey through healing and resilience. (Mësimet e nxëna. Një udhëtim transformues drejt shërimit dhe qëndresës.) Autorja ndau me auditorin emocionet më pikante gjatë procesit të shkrimit të kësaj vepre.
Një emocion të veçantë përcolli Letra Përshëndetësedërguar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, Prof. Dr. Xhemil Bytyçi, Prishtinë, 11.10.2025, përmbajtja e së cilës u nda me publikun në sallë. Me rastin e evenimentit tuaj tradicional të shkrimtarëve dhe artistëve në tryezën e kulturës mbarë shqiptare në SH.B. A. që mbahet më 11.10. 2025, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, përzemërsisht ju uron dhe ju përgëzon për këtë nismë.
Ju që punoni e veproni në aspektin e ngritjes së kulturës në atdheun tuaj të dytë të, SH.B.A. në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe në emrin tim personal me zemërgjërsi ju urojmë këtë aktivitet të shumëfishtë. Njëkohësisht ju dëshërojmë punë të mbarë dhe suksese të mëtejshme. Në këtë eveniment pa dyshim do të shpalosni arritjet më të larta letrare dhe artistike të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Shpresojmë se në të ardhmen mund të kemi mundësinë për një bashkëpunim të ndërsjelltë me shkrimtarët e trojeve të origjinës kombëtare. Duke iu uruar punë të mbarë edhe një herë pranoni përshëndetjet tona të përzemërta!
Fjala iu dha gjithashtu autorëve që prezantuan botime të reja. Arjana Gaba, me vëllimin poetik Sytë e Gruas, botuar nën kujdesin e Prof. Dr. Fatmir Terziut në Britaninë e Madhe, Liljana Liço, poete; Luiz Thaçi, publicist; Gjon Ivezaj, historian; Pal Ndrecaj, poet; Alma Jaku, poete; Merita Prenga, poete me dy botime më të fundit: vëllimeve poetike Shpirti të Kërkon dhe Kjo jam Unë; si edhe Bora Balaj, shkrimtare dhe stiliste e talentuar dhe shumë dashamirësve të letërsisë. Këtu spikatën midis të tjerash disa poezi të zgjedhura nga botimet e reja të cilat u interpretuan mjeshtërisht nga vetë autorët. Sa shumë emocion! Po! Sa shumë shpirt!
Shkrimtari Aurel Naqi, njëherësh edhe producent filmash me metrazh të shkurtër, pasi prezantoi dy librat e tij në poezi dhe prozë, u shpreh se këto takime krahas rëndësisë për trashëgiminë letrare dhe kulturore krijojnë edhe ura miqësie eëbashkëpunimi midis shkrimtarëve, pse jo duke krijuar mundësinë edhe për inskenimin e veprave letrare si romanet apo drama a proza e shkurtër, në kinematografi. Aurel Naqi është autor i dy librave, vëllimi me lirika Në buzët e një gruaje dhe librin në prozë Në krahët e mbrëmjes fshihet puthja. Ka shkruar dhe drejtuar disa projekte të vlerësuara, përfshirë Your Turn, The Last Kiss dhe Red Rose Aroma, ky i fundit i njohur në skenën ndërkombëtare të festivaleve me 13- çmime dhe 5- nominime. Filmi i shkurtër i tij Red Rose Aroma (i njohur gjithashtu si Aroma e Trëndafilit të Kuq) ka marrë vlerësime të rëndësishme, duke përfshirë çmimin Best Drama në Toronto International Nollywood Film Festival (TINFF). Ai gjithashtu fitoi çmime kryesore në disa festivale: -Fort Lauderdale International Film Festival; Venice Shorts Festival (Kaliforni) Vienna Film Festival (Austri); Ballkan Nordic Short Film, Best Actress; Film Crash Festival (Los Anxhelos); Best Cinematography, Best Director, Best International Film, Best Actress, Best Drama (NLIFF); Best International Film at Oregon International Film Festival. I nominuar për Best Drama dhe Best Actress (Enxhi Cuku) në Philadelphia Film Festival Best Drama at Oregon International Film Festival. U shfaq në Louisville International Film Festival, ARPA International Film Festival, dhe pas premierës në Kinema Millennium, Tiranë, u shfaq në Myrtle Beach International Film Festival, Sunscreen International Film Festival.
Një moment prekës përcolli edhe fjala e bashkëshortes së poetit të ndjerë Luigj Çekaj, e cila ndau me publikun vargje nga krijimtaria e tij, të cilat u interpretuan me profesionalizëm të lartë nga poeti dhe ish-kryetari i Shoqatës, z. Mhill Velaj. Shkrimtarja Age Ivezaj prezantoi gjithashtu përpara audiencës romamin e saj Kush na mallkoi, (Who cursed us), botuar në shqip dhe anglisht vetëm disa muaj më parë, një Sagë Mbijetese e Malësorëve Shqiptarë midis dy Kontinenteve.
Studiuesja dhe shkrimtarja Dr.Yllka Filipi në fjalën e saj ngriti disa çështje delikate që shqetësojnë procesin e komunikimit letrar në ditët e sotme, të cilat zgjuan interes dhe u pritën me duartrokitje nga auditori. Çfarë trajte po merr sot marrëdhënia shkrimtar-lexues? A ekziston më leximi i librit fizik në revolucionin digjital? Sa ndikon dixhitalizimi në rënien në letargji të sensorëve të prekjes së fletës së librit me dorë, faqes me reliev, fletës së butë a materialit të ashpër, efektit vizualizues të stisur nga ngjyra e fletëve të zverdhura, (si në librat e vjetër), aromës së rafteve ku libri është ruajtur si zgjim i ndërgjegjësimit fillestar fonetik shpirtëror. Apo si deaktivizim për ta bërë sa më joefektive skemën e komunikimit letrar në procesin klasik dhënës (autor)- mesazh (vepër)- marrës (lexues). Çfarë po ndodh sot në epokën e re digjitale, ku vepra ekziston më së shumti në formën e saj të paprekshme, (botimet dhe leximet on-line). Raporti i pabalancuar. mbi modelin e lexuesit tradicional, (përpara erës dixhitale) dhe lexuesit modern (të erës dixhitale), a do të ndikojë gradualisht në çuarjen e modelit fillestar drejt zhdukjes? Qasje, kjo e cila do të botohet në shtypin e Diasporës Shqiptare dhe në Atdhe.
Kjo ceremoni u mbush me shkëmbime përvojash letrare, frymëzimesh artistike, çaste emocionuese nga botimet e reja dhe u finaliazua me dhurimin e librave me autografë të cilët u nënshkruan nga vetë autorët e pranishëm në sallë, si edhe me një fotografi të përbashkët me të gjithë pjesëmarrësit për të pasuruar Arkivën e Shkrimtarëve.
Një mirënjohje e veçantë iu kushtua artit të piktorit George Pali, pikturat e të cilit ishin ekspozuar në çdo mur të kësaj galerie e cila priti me dashamirësi dhe bëri të mundur zhvillimin e kësaj ceremonie të librit në këtë hapësirë plot dritë dhe frymëzim. Në fjalën e tij përshëndetëse z.Pali u shpreh: Kjo galeri është më shumë se një vend ekspozimi. Është një shtëpi arti ku fjala dhe paneli takohen, ku libri dhe piktura flasin gjuhën e shpirtit duke e kthyer këtë vend në një strehë për librin dhe artin shqiptar. Krenaria e kësaj ceremoniu u bë edhe prania e grupit të piktorëve të tjerë të talentuar z. Adriatik Baliaj, z. Gazmend Bakalli, z. Arjan Hasanlliu të pranishëm në tubim. Jo vetëm si një lexuese e pasionuar e letërsisë, por edhe si krijuese. gazetarja sportive Edona Thaçi në fjalën e saj pëshëndetëse i premtoi audiencës se shumë shpejt do të botojë librin e saj të parë. Më tej Presidenti i Shkrimtarëve poeti Adnan Mehmeti falenderoi edhe njëherë përzemërsisht të gjithë të pranishmit për këtë festë kaq të bukur të kryefjalës së vetme që i jep kuptimin e plotë të qenurit shkrimtar, Librit!
Takimi u mbyll nën një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, prej nga ku të gjithë të pranishmit morën pjesë në një koktejl të organizuar nga bizneset më në zë shqiptare në Stamford, njëherësh dashamirës të artit të bukur të fjalës shqipe, GR Art Gallery, Europa Balkan Food Market, FarmHouse at the crossroads dhe Vinny’s Backyard. Të gjithë shkrimtarët njëzëri i uruan gjithashtu suksese Kombëtares sonë Kuq e Zi në fitoren e sigurtë, në Ndeshjen Ndërkombëtare Legjendare me Serbinë, të shtunën e dytë të Tetorit të Librit Shqip në Amerikë
Dr.Yllka FILIPI
Stamford, CT
11 Tetor, 2025
Comments