top of page

VLERËSON POEZINË E HYSNI BRUÇIT


Në promovimin e librit “Krojet e këtyre viseve thonë”, dhjetra shkrimtarë, poetë, artistë e gazetarë të mirënjohur


ELITA KRIJUESE DIBRANE VLERËSON POEZINË E HYSNI BRUÇIT

Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Shtëpia Botuese “M&B” në bashkëpunim me “Capital Tirana Hotel Bruçi” organizuan promovimin e librit “KROJET E KËTYRE VISEVE THONË” të poetit Hysni Bruçi.

Mes dhjetra intelektualëve të spikatur dibranë e kryeqytetas dhe familjarëve, të afërmëve, miqve e shokëve të potit Hysni Bruçi, i cili u nda nga jeta para 8 muajsh (një muaj pas botimit të librit të tij “Krojet e këtyre viseve thonë”, në promovimin e këtij libri ishin personalitete të elitës krijuese dibrane, si Prof.dr. Bujar Kapexhiu-Nderi i Kombit, Prof.Dr.Gafur Muka, gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur Kamber Faruku, shkrimtari dhe studjuesi Hysen Dervishi-Mjeshter i Madh, Emrie Krosi-ndër zërat më dinjitozë të kritikës letrare, poetët e shkrimtarët Barie Çupi, Liljana Muçaj (Gegollari), Munir Hoxha, Aqif Ademi, Aqif Puca, botuesi i suksesshëm Bujar Karoshi, gazetarët Mina Hysa, Eglantina Alliaj, etj.

Ky event mbresëlënës u çel nga Faik Bruçi – Mjeshtër i Madh, President i “Bruçi shpk”, ndër kompanitë më të suksesshme në rang vendi. Ai shprehu krenarinë që kushëriri i tij Hysni Bruçi, një nga personaletet me rrezatim mbarëkombëtar në fushën e artit e kulturës u lë trashëgim brezave një libër kaq shumë të vlerësuar.


EMRIJE KROSI: NË POEZINË E HYSNI BRUÇIT

MBISUNDOJNË MOTIVET EPIKO-LIRIKE


Në promovimin e librit të Hysni Bruçit “Krojet e këtyre viseve thonë”, pjesëmarrësit ndoqën me interes analizën mjaftë kualitative të Emrije (Emi) Krosit, e cila pasi e ka lexuar, me kujdes librin konkludon se në gjithë tekstin mbisundojnë motivet epiko- lirike.

Duke dalluar epolën - historike, të tipit "Iliada" apo "Odisea", përveç epikës historike, ajo veçon edhe motive idilike, rubrike (elemente nga mjedise fshati) dhe baritore. Figura dominuese është krahasimi)..

Si njohëse dhe analiste e mirëfilltë e veprës letrare, në pjesën parë të këtij libri ajo vlersoi motivet epike - lirike, të mbledhura dhe të ripunuara me motive të baladave dhe trimërive të zonës, të ruajtura nga brezat.

Ndërsa pjesa e dytë, sipas saj ka motive baritore me krahasime, si një "ngjasmim" me "Bagëti e bujqësi" të Naimit.

E treta, sipas Emrie Krosit, autori H.Bruçi dërgon mesazhe nga varret e vrasjeve të vjetra dhe të reja. Varret e trimave, por edhe të rinjve emigrantë të pafajshëm, për një jetë më të mirë.

Libri “Krojet e këtyre viseve thonë”, vazhdon, me mesazhe florale, bukuri natyrale dhe veprime në stanet verore me shtegtimet blegtorale, por ky zë brilant i kritikës letrare shprehet se në të nuk mungojnë as motivet historike, sidomos epoka skënderbejane me emra të prijësve të kohës por edhe me toponime vendore.

“E fundit raspsodia, që ka vendin kryesor. Duket se autori, frymëzimin e tij e ka "ngjizuar" nga vendlindja, sidomos eposi dhe melosi popullor, si mbisundues i gjithë librit.

Vihet re një shmangie, nga sociorealizmi, pavarësisht shtrirjes horizontale në kohë. Receptimi i kësaj poezie nga lexuesi i sotëm, ka vështirësitë e saj, sepse nuk njihet dhe "quhet e vjetëruar", por realisht poeti nuk ka si synim, gjininë letrare, por "shkrirjen" e shpirtit poetik, si testament leterar, për brezat e ardhshëm”, vlerëson Emi Krosi.

Në këtë linjë u vlerësua libri i Hysni Bruçit edhe nga gazetari e diplomati Kamber Faruku, një penë mjaft e mprehtë, e gazetarisë shqiptare. Si bashkohës dhe mik i ngushtë I Hysni Brucit, vec të tjerash ai vlerësoi kontrutin e këtij autori si mësues, poet i talentuar dhe si nga drejtuësit më kompetentë të sektorit të kulturës në Dibër.

Këto vlera të spikatura u evidentuan edhe nga Rasim Hoxha, mik dhe bashkëkohës i H.Bruçit.

BEQIR SHEHU: H. BRUÇI, PRODUKTIV DHE CILËSOR

NË KRIJIMTARINË E TIJ LETRARE E SHKENCORE



Beqir Shehu, ish-shef i Seksionit të Arsim Kulturës Dibër, në një mësazh që dërgoi në këtë event, ndër të tjera shprehet me një pasqyrim fragmentar për vlerat e personalitetin e Hysni Bruçit si punonjes shteti dhe si poet. Sipas tij, i paharruari Hysni Bruci ishte : - Ndjesi e lartë kombëtare në të gjithë veprimtarinë jetësore; -Dashuri e veçantë për vendin, e me kontribut të veçantë, në njohjen, ruajtjen e nderimin e zakoneve e traditave; - Shtetar i tipit të ri, ndër zyrtarët që dinte të krijonte marrëdhënje pune e ndërveprimi me vartësit, e marrëdhënje ligjore me eprorët ; -Vullnetmirë dhe i aftë e produktiv si organizator e metodist; -Fjalëmatur dhe mbajtës te saj me përkushtim e dinjitet te vecantë; -Vlerësues i punëve të krijuesve e vartësve, me drejtësi e kompetencë; - Produktiv cilesor në krijimtarin e tij, letrare e shkencore….

Beqir Shehu e vlerson krijimtarinë poetike të pasqyruar në vëllimin "Krojet e ketyre viseve thone, autobiografi shpirterore e autorit, te paharruarit Hysni Bruçi!

Për këto vlera të spikatura të Hysni Bruçit folën në këtë promovim edhe Prof.dr. Bujar Kapexhiu – Ndeti i Kombit, deputeti Lavdrim Krashi, Presidenti i Unionit të Shoqatave të të Përndjekurve Politikë Besim Ndregjoni – Mjeshtër i Madh, botuesi Bujar Karoshi, Di jashari, Aqif Puca, Hysni Bodini, poeti Munir Hoxha, gazetarja Mimoza Shehu etj.

Për pjesëmarrësit në këtë promovim , këngëtarja e mirënjohur Liri Rasha, e dekoruar nga Presidenti i Republikës me titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, interpretoi me mjeshtri të rrallë disa këngë nga repepertori i saj. Më të larmishëm e bënë këtë aktivitet promovues edhe regjisori, aktori e shkrimtari Aqif Ademi dhe mbesa e autorit, Ersila Bruci që interpretuan disa poezi nga libri “Krojet e këtyre viseve thonë.


MODEL I POETIT TË EPIKËS DHE LIRIKËS DIBRANE


Si redaktor i librit “Krojet e këtyre viseve thonë”, me tetë cikle me poezi, të poetit Hysni Bruçi, e vlerësoj atë si një prurje krejtësisht e veçantë dhe mjaft cilësore në botimet me poezi të tri dekadave të fundit.

Si njohës i thellë i historisë, kulturës dhe traditës dibrane, vlerat madhore të tyre i reflekton në poezinë e tij, të shkruar jo në një ditë, një vit apo një dekadë, por që në rininë e tij të herëshme të viteve ‘60-’70-të të shekullit të kaluar.

Vetë titulli i librit “Krojet e këtyre viseve thonë” është intrigues dhe të josh për ta lexuar. Po ashtu edhe titujt e cikleve: “Si sylynjare”, “Fshati rrëzë malit me pisha”, “Ankohen varret”, “Lisnaja përcjell mesazhe”, “Lulezojat e lirishtave të Runjës”, “Nëpër tërmete”, “Vite lufte” e “Dhe thonë rapsoditë”.

Një lëndë aq e pasur dhe e larmishme si dhe vetë poezia e këtij liriku, që pas akumulimit të tij në pesë dekada sjell për lexuesin poezi që u shkrumbëzuan dhe u hirnosën, ndoshta të kyçura në sirtaret e tavolinave të tij të punës si mësues, redaktor letrar në “Ushtima e Maleve” e inspektor i kulturës në ish-Komitetin Ekzekutiv të Dibrës...apo në sepetet e shtëpive të tij në Lukan, Muhurr e Peshkopi, dhe që dalin në dritë me një shkëlqim të rrallë.

Mjaftojnë qoftë dhe pak vargje nga poezia me titull “Bora e gjakut”: “Ra bora e gjakut/ Dhe vatrën e prindërve/ E rralloi,/ Blerimin e vëllazërisë/ E përcolli/ E mpiksi/ Gjakun e probatinëve/Duarshtërngimin/ E ngriu dhe krisi...” për të konkluduar se si drithëron pena e këtij poeti, teksa percepton dhe fshikullon zakonin shfarosës. Po ashtu tek cikli “Fshati rrëzë malit me pisha”, dallojmë poezinë lirike, si pjesë e rëndësishme e komunikimit dhe shprehje e botës së brendshme të autorit drejt lexuesit. Më e dukshme kjo tek poezia “Ngjyra, rreze, zëra”: “Në livadhe kanë dalë luledelet/ Ka filluar cijatja në zabele/ Në shtrunga sa s’derdhet kulloshtra/ Gjallojnë vathët prej shqerrave.../….Në dyqan të fshatit/ mbesën e vogël çova/ Fletorkë të re të më blejë/ Për vjersha...”.

Në tërësinë e këtij libri me 86 vjersha e dy poema, Hysni Bruçi shfaqet si njohës perfekt i poezisë dhe veprave letrare në tërësi të Fishtës, Mjedës, Koliqit, Migjenit, Kutelit, Spasses, Kokonës, Dritëroit, Moikom Zeqos, Preç Zogajt, Shefki Karadakut, e tjerë, teksa na jep në këtë libër nuanca të dallueshme kulturore, në përputhje harmonike me zellin e tij studjues e krijues, me frymëzim nga “lulezojet e lirishtave të Runjës” apo dhe nga rapsoditë, që evokojnë dhe përcjellin ndër brza qëndresën e dibranëve në luftrat shekullore për liri e pavarësi kombëtare.

E pra, ndonëse shumë poezi i shkroi në vitet e sistemit të kaluar, Hysni Bruçi ka ditur t’i shmanget ndikimit të realizmit socialist, duke krijuar poezi me lëng e klorofilë, plot dritë e perspektivë në horizont.

Le të ndalemi për ta konkretizuar këtë tek poezia “ATDHE” e ciklit “Lisnaja përcjell mesazhe”: “Ushqyer këtë fjalë fëmijës/ Me ninullat e qumështin e gjirit;/Është zemra tek fjala Atdheu/ Fluturimi i dallëndyshes/ E foleja e skifterit…./ Është shamia e zezë e nënës/ E rrukullima e lotit të jetimit,/ Është çfarë ka sofra/ E të zotit të konakut,/ Është edhe/ Pena e Dritëroit/ E huta e Dedë Gjo Lulit...”.

Hysni Bruçi u lind në Lukan të Katër-Grykëve. Arsimin fillor e mori në Muhurr, kurse Pedagogjiken dhe Shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë. Në vitet ‘60-’70 punoi mësues i Gjuhës Shqipe – Historisë në Shkollën 8-vjeçare Muhurr. Vazhdimisht botoi shkrime e reportazhe në “Zëri i Popullit” e në shtypin periodik. Që në këtë dekadë, herë pas here shfaqej me vjersha në “Zëri i Rinisë” e “Drita” dhe në revistat “Nëntori” e “Ylli”. Me botimin e gazetës lokale “Ushtima e Maleve” në vitin 1969, punon aty si redaktor për kulturën e punën me krijuesit e rinj letrarë. Nga viti 1978 punon në sektorin e kulturës të Komitetit Ekzekutiv Dibër, në detyrën e inspektorit të kulturës të rrethit. Ka referuar e botuar një sërë trajtesash e studimesh për kulturën popullore dibrane, si: “Tema e qëndresës në krijimtarinë e popullit”; “Mbi disa shkaqe e koncepte të mënyrës së jetesës”; “Mëmëdhetarët dibranë e simbolet përkujtimore”; “Ornomentistika në kostumet e shtatë zonave etnografike”; “Për dy gojëdhana e disa toponime në Dibër, të Skënderbejadës”; “Rapsodia dibrane e profile rapsodësh”, e të tjera.

Nga tërësia e lëndës voluminoze, por edhe mjaftë cilësore e librit të tij “Krojet e këtyre viseve thonë”, mund të konkludojmë pa asnjë mëdyshje se Hysni Bruçi është model i poetit kombëtar, ndaj duhet marrë si shembull që duhet ndjekur nga të rinjtë. Poezia e tij është e mbështetur në tabanin kombëtar dhe qëndron larg të ashtuquajturave skema të realizmit socialist. Me këtë libër ai vjen si një xhevahir i ri, i rrallë, në gjerdanin e poezisë shqipe, të krijuar nga mijëra poetë shqiptarë ndër vite e shekuj.






85 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page