top of page

VLERAT DHE RISITË




VLERAT DHE RISITË NË TREGIMTARINË E QAZIM SHEHUT




Me vëmendjen e duhur,njëkohësisht me kërshërinë e pritshme, lexova librin me tregime “Keqkuptimi” të autorit Qazim D.Shehu dhe pohoj bindshëm se ky botim i vitit 2023 është plotësisht i realizuar rreth këndvështrimeve bazë strukturore të këtij lloji letrar nga autori.Madje,ripohoj se disa tregime i rilexova,sidomos ato më të shkurtrat,të cilat paraqiten si ese,pamflete,skica,qëmtuar e qëndisur me aq kujdes,dhe,sipas meje,ngjajnë po aq dukshëm herë-herë me ato migjeniane,koniciane,koliqiane e nondabulkiane. Po ndalem në disa spirale arritjesh e risish të librit si më lart:

Së pari,prozatori ka perceptuar,ndjerë,njohur e provuar realitetin shqiptar,bile,mjediseve të veçanta të tranzicionit të tejzagjatur kinse “modern”,të ri,tjetërlloj,u ka bërë skaner profesional dhe një autopsi psiko-analitike dhe jo vetëm rrëfimtare ose më keq konvencionale-skematike,siç ndeshim rëndom te disa tregimtarë të tjerë,te të cilët nuk dallon dot linjat bazë të zhanrit tregimtar.Kjo ndodh sepse nuk kanë tabllo,personazhe,detaje,konflikte,dramë,shpesh me subjekte artifice pa motiv,nerv ,gjak e mish duke rënë në prozaizëm bajat;përkundrazi,veç hallakatje gazetareske me lojëra dialogjesh,skenash e mjedisesh.Ndaj,autori ,Shehu,ironizon deri në sarkazëm e grotesk këto dukuri keqkuptuese duke vënë në shenjestër ksenomanët e ksenofobët,të cilët procesit të përjetshëm jetik porsi ajri i kanë vënë dry apo çelës kopil të përkohshëm.(Për ilustrim mund të lexohen tregimet”Autoironi”,Keqkuptimi”,Fytyra e djallit””Ksenomani””Molla”,”Relativitet”,”Floberi”.

Së dyti,të bën përshtypje se në tregimet e Qazim D Shehut gjen mjedisin e duhur,detajin përkatës për të motivuar strumbullarin e temës që shtjellon thjesht,logjikshëm,qartazi përmes dialogjesh të kursyera pa u hallakatur në gjëra të tepërta e pa vlerë,kurrësesi në lojëra fjalësh kinse “të zgjedhura” dhe kjo shihet në tregimet e bukura nga 2-5 faqe si:”Zogu”,”Piktori”,”Eqerem Çabej”,”Foljet modale””Lasgush Poradeci”,”Tre shokët” etj.Duke përdorur parimin e njohur të ajzbergut, ai të”detyron” të gjesh vetë nëntekstin,të përftosh kënaqësi logjike-estetike të dëshiruara me ato dialogje përballëse,plot finesë e bukuri shprehëse.Ndërsa,me pakëz penelata e portretizim të personazhit,dalin nga veprimet e mosveprimet e tij.

Së treti,autori qëmton e shtjellon subjekte të ndryshme të së sotmes politiko-sociale dhe njerëzores novatore-emancipuese;gjithashtu edhe tematikën e së djeshmes,duke goditur e fshikulluar bestytni,vese,reminishenca të së kaluarës ataviste,tabu,dukuri të shumëllojta negative,pa harruar;madje,në harmoni të plotë sipas çdo mjedisi e rrethane ai ngre lart virtytet njerëzore,si bie fjala:atdhetarinë,besën,ndershmërinë,thjeshtësinë,qytetarinë e vërtetë(jo fasadën e meskinëve,kokëboshëve,kopjacëve,butafrikëve të të gjithë ngjyrave që rendin e derdhin paranë e vjedhur të popullit për të botuar antivlera personale e komerciale;të cilat e këtu mund të thellohemi në tregimet “Kulla dhe baraka”,”Ndrikullat”,”Eks-identitet”,”Brenda kohës”,”Atë dimër”,”Dyshimi”,”Secili për vete”,”Një shkak i vogël”,”Nafakë e huaj”,”Tym” etj.

Së katërti, autori e sjell figurën letrare në mënyrë të natyrshme në indin rrëfimor të prozës,(tropet metaforiko-alegorike dhe llojet e metonimisë së toku me simbolin e ironinë zhbiruese),që gjithnjë në funksion të tablove antonimike,që përdor dukshëm,duke skicuar personazhet përmes meditimit apo dialogjeve reale nga njëra anë dhe fare pak detaje portretizuese,pa harruar similitudat,epitetin e mirëfilltë,personifikimin,paralelizmin figurativ,hiperbolën,retiçensën,gjithnjë në funksion të situatave apo mjediseve gjatë rrëfimit veprues.Thënë shkurt:brendia dhe forma e çdo tregimi realizohen qartazi,ashtu sikurse thotë urtia popullore”peri t`i ngjajë gëzofit”,kësisoj ,tregimi del me kostumin përkatës ideoestetik të pëlqyeshëm,komod,vlerëshumë në kohë dhe hapësirë.P sh,tregimet me figuracionin si më lart janë:”Rojtari i pyllit”,”Burrat”,”Emigranti”,”Pse më thonë kështu?”,”Për hir të dashurisë”,”Nga kronika e një gazette”,”Kthimi” etj,etj.

Së pesti,autori,përmes disa tregimeve,episodeve,detajeve,pwr poetët disidentë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi,ka thurur prekshëm detaje e skena bindëse ,dhimbëse e mallëngjyese,por edhe njëherit si homazh për vlerat e tyre njerëzore,letrare,shoqërore dhe sublime deri në sakrificën e jetës së tyre të shkurtër për të hyrë denjësisht në traditën shkrimore kombëtare.P sh,tregimet e bukura meditative-ironike arrijnë deri në pamflete groteske,plot mesazhe e nëntekste,tregime të tilla si:”Parrulla”,”Një lugë e mbushur me kos”,”Lotaria amerikane”,”Bodleri”,”Për një ëndërr”.

Së gjashti,me stilin e tij të spikatur autori thur e shtjellon mirëfilli si tregimin tradicional(me ato kriteret e tij strukturore(hyrje,pika e lidhjes e kulmore,zgjidhja),e në vijim të kësaj për ilustrim vijnë tregimet”Kulla dhe baraka”,”Testi”,”Pse vonon ajo grua?”,”Ngjyra” po kështu edhe tregimin modern”blic” e lëvron suksesshëm por, ama, duke dhënë tipa e karaktere interesantë në rrethana të zakonshme po edhe rastësore e përjashtuese dhe, kryesorja,i realizon saktë dhe këtu vijnë një sërë tregimesh si:”Hamleti”,”Puseta”etj.

Së shtati,autori nuk i kërkon subjektet,mjediset apo detajet e duhura,përkundrazi i qëmton me intelegjencë të rrallë prej krijuesi të aftë e të sprovuar në larueshmërinë e realitetit,sepse një subjekt i hollë interesant është si burimi që e sjell rrjedhën e ujit të pastër dhe të shëndetshme.Kështu,një subjekt intelegjent dhe i qëmtuar po i tillë jep mundësi edhe për një narrativë të këndshme.

Së teti,autori vjen pas një përvoje të gjatë në këtë hulli të prozës dhe na gëzon duke sjellë neologjizma,shmang përdorimin e fjalëve të huaja,qartësisht sjell gjegjësen shqipe të goditur sipas kontekstit narrativ e përshkrues të çdo tregimi.P sh ,mund të lexohet me kujdes një leksik i tillë ,si:kuptueshmëri,përveçmëri,frazist,vetëtallje(për autoironi),rrezëllimë(përdorur shpesh edhe si folje,përndritur,ngazëllim,ulëse(për karrige),çmerit,rishtar,risi,ndërdije,ndërkallur,besatim,erëmonin,kaplon,parathënës,varësisht, buzëmbrëmje,agon.Autori sjell edhe plot njësi frazeologjike,kompozita gjuhësore,togëfjalësh të motivuar,pse jo,edhe fjalë të rralla,veçmas fjalë të urta nga mençuria popullore,sentenca vetjake,të cilat të befasojnë e të gëzojnë me tharmin e brendisë së tyre domethënëse gjatë kumtit shprehës shkrimor –meditativ.Ja disa shembuj konkretë të tjerë:përshtypjesjellës,ndërmendësuar,dykuptimësi,qejfprishje,buzë- paqeshur,qimequllët,zemërgur etj.


Njësitë më të gjetura frazeologjike mund të gjurmohen nëpër faqet:40,42,43,49,50,51,53,59,77,84,94 etj;po kështu vijnë të ëmbla fjalët e gegnishtes:kqyr,grah,naltësueme,kryet etj ,si dhe fjalët e rralla të shqipes krahinore:Nge-ja,derdengu,kaptuar,thjeshtra,manallë,nëmur,perona,ikball,hanosh,galat,dromcat,sergjeni,ushkuri,gjalmat etj. Për ta dhënë sa më të gjallë dhe të dallueshme gjuhën e personazheve dhe të mjedisit, autori thërret në ndihmë edhe fjalë krahinore edhe pse diku teprohet me ndonjë turqizëm të tejkaluar të fjalëve,si:xhins,katranosur,englendisjet,sëkëlldi,kwsmet,jezit,allahilexhane,kaull,por këto fjalë ngjyrosin bukur edhe psikologjinë mentale të personazheve të caktuar. Por kryesorja është se autori e njeh thellësisht gjuhën e popullit,bazohet në folklor ku gjen gurrën e pashtershme të shprehësisë për t`ua veshur petkat e duhura personazheve duke e pasuruar galerinë e tyre tjetërlloj e shumëçka,krej ndryshe nga ca të tjerë që rrahin ujë në havan me klishe parafabrikate,me fjalomani kinse të zgjedhur,prandaj personazhet e tyre mbeten skematikë dhe anemikë,nuk vishen artistiksht as ngjizen me vërtetësinë e jetës, po vegjetojnë brenda idesë së menduar të autorit derisa shuhen.

Së nënti,përveçmëria dalluese e vëllimit me tregime”Keqkuptimi” me 43 tregime dhe 251 faqe është realizmi i tregimtarisë cilësore si brendi dhe si formë me elementët e nevojshëm strukturorë që kërkon tregimi;larmia e tematikës dhe veçanësia e motivit,finesa në zbërthimin e tyre,stili tërheqës lakonik,ideshmëria e plotë prej së cilës buron qartësia kuptimore e tyre,mesazhe që janë edukative,social-mobilizuese,por edhe kritike,rrugëzgjidhëse,që na ushqjen mendjen dhe shpirtin e na ruajn bonsensin në këtë kaos tranzitiv;portretizimi të gjetura të personazheve në raporet harmonike me mjedisin e në natyrshmëri me të,pa u zgjatur në hollësira të panevojshme.Aftësia e autorit si perceptues i hollë,vrojtues i vëmendshëm,meditues,analizues,përgjithësues e krijues i përkushtuar në heshtje është e tillë që të na sjellë një tregim origjinal,të pangjashëm, që rrjedh e rrjedh në një këndshmëri leximi për ata që dinë ta lexojnë tregimin dhe prozën në tërësi. Sipas meje,thuajse mbi 95 përqind të tregimeve të emocionojnë dhe do t`i quaja hallka të një zinxhiri të praruar,gurë të skalitur nga dalta e një artisti që, me finesë e aftësi, janë vënë siç duhet në ngrehinën solide të tregimit.

Së fundi,duke përmbyllur këtë analizë të shkurtër ravijëzuese,dua të them se libri me tregime”Keqkuptimi” është një kuotë e re në tregimin bashkëkohor,që dëshmon për të gjithë ato vlera të përmendura më lart.

15 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page