HAPEN E VEPRIMTARITË LETRARE TË MANIFESTIMIT TRADICIONAL "VJESHTA LETRARE E GJILANIT", 2020
Dy novelat e shkrimtarit nga Vlora, Pandeli Koçit, përkatësisht emrit të tij letrar, Sazan Goliku, me titujt ZJARR dhe KËRKIMI, kanë shënuar hapjen e veprimtarive letrare të ediicionit të njëmbëdhjetë të Manifestimit "Vjeshta letrare e Gjilanit". Në Sallën e madhe të Konferencave, në Bibliotekën e qytetit të Gjilanit, në praninë e një numri solid krijuesish e ardashësish, në përputhje me masat anti - Covid - 19, hapjen e këtyre veprimtaruive letrare në emër të Organizatorit, e bëri kryetari i asociacionit alternativ të shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan, z. Sabit Rrustemi, kurse për dy veprat e botuar tash së voni në Kosovë të Sazan Golikut, folën: prof dr. Anton Nikë Berisha, Ibrahim Kadriu e Nexhat Rexha. Fragmente nga këto novela, deklamoi artistja e skenës letrare, Elenë Hajdari. Para auditorit të "Vjeshtës letrare të Gjilanit", u paraqit edhe vetë shkrimtari vlonjat, Pandeli Koçi. Paksa nën emocione dhe i prekur nga një prani e kënaqshme krijuesish e artdashësish, ai kujtoi momente të ndryshme të cilat karakterizuan gjendjen dhe raportet Shqipëri - Kosovë, edhe në fushën e letërsisë, të cilat, fatmirësisht në periudhën e pasluftës morën kahje të mbarë. Përndryshe, Pandeli Koçi është autor i 15 botimeve për të rritur e i mbi 30 botimeve tjera për fëmijë. Shkruan poezi, tregime e, lëvron edhe prozën e gjatë, novelën e romanin, ku shquhet me një gjuhë poetike dhe me trajtime temash nga më të ndryshmet, të cilat shquhen për cilësi, prurje të reja dhe janë gjithëherë aktuale. Kjo tendencë e këtij autori mjaft prodhimtar, i cili shquhet edhe si një nga njohësit më të mirë të letërsisë që është shkruar në Kosovë, që pas luftës së dytë botërore e këndej, vërehen edhe te këto dy novela, të cilat lexuesit të këtushëm i paraqiten përherë të parë nga shtëpia botuese "Beqir Musliu" ( GJilan ) , përkatësisht nga shtëpia botuese "Saga" , Prishtinë.
Gjilan, Biblioteka e Qytetit, 17 tetor 2020
( Fotografitë: Muhamed Sadriu )
Comments