top of page

Viron KONA: Ëndrra mahnitëse e ...


 

Doli nga shtypi vëllimi poetik “Ëndrra mahnitëse” e autorit Sokol Demaku, me 82 faqe shtypë në Shtypshkronjën Lena Graphic në Prishtinë

 

  Meditim rreth vëllimit “Ëndrra mahnitëse” të Sokol Demakut

      

       “Ëndrra mahnitëse” titullohet vëllimi i ri poetik i Sokol Demakut. Janë “ëndrra” që shprehin pjesën e padukshme të ajsbergut, janë fjalë të pathëna që vrullojnë nëpërmjet vargjeve, si të duan të sfidojnë e të pastrojnë momente të turbullta që trazojnë jetën njerëzore, janë vargje që portretizojnë tipa dhe karaktere, por edhe shfaqin përpara lexuesve një mozaik temash dhe problemesh bashkëkohore. Sokol Demaku e shpreh mendimin e vet poetik me fjalën e tij të bukur si deti valët, si era flladet dhe aromat, si natyra ylberin dhe  siç i shpreh shpirti i njeriut ëndrrat dhe shpresat.

 

                                                               Poeti dhe Demoni

 

        I dashur lexues, kemi një libër plot thirrje të brendshme të një shpirti të mirë, që është ndeshur dhe vijon të ndeshet me vështirësi të llojllojshme, që u qëndron fort atyre dhe nuk dorëzohet. Kemi përpara një poet që kërkon të ndriçojë skuta të errëta të shoqërisë, të shpirtit njerëzor; nëpërmjet vargjeve poetikë ai kërkon të ngjallë te njeriu më shumë besim dhe shpresë, por edhe të qortojë apo edhe demaskojë në mënyrë poetike gabime dhe vese njerëzore. Kemi përpara një libër me poezi që përfshin brenda vargjeve momente të rëndësishme të filozofisë së jetës, filozofisë së mendimit. Një filozof do t`i shndërronte shumë nga mesazhet e këtij vëllimi në teza dhe hipoteza dhe do t`i zhvillonte në mënyrën e vetë, duke na krijuar vizione dhe këndvështrime origjinale dhe interesante; një piktor do të hidhte në tablo portrete dhe karaktere të ngjashëm me Demonin, atë  qenie mbinjerëzore me fuqi të fshehtë, që besohet se ka në dorë fatin e njeriut, Demonin që, herë përfaqëson djallin, shpirtin e keq, një ngasje të keqe, një tundim, një ves të shfrenuar, si demoni i xhelozisë, i hakmarrjes, por, herë tjetër ai tjetërsohet apo përafrohet me Demonin e piktorit të madh Vrubel, ku figura e Demonit nuk përshkruhet si një mishërim i Djallit, por si një qenie njerëzore që është copëtuar nga vuajtja, apo si kërkim i lirisë shpirtërore.

        Poeti Demaku depërton me idetë dhe mesazhet brenda shpirtit të njeriut, përpiqet t`i shpreh  atij  se gjithçka e egër dhe e fuqishme përballohet nga njerëz të ditur dhe të mirë, kjo jetë kërkon kapitenë, që sikurse përballojnë dallgët e oqeaneve në kohë të stuhishme, ashtu të përballojnë edhe dallgët e shpirtit. Sokol Demaku është një kapiten i tillë, është një poet i tillë, që njeh realitete nga më të shumëllojshmit, njeh botën dhe shpirtrat njerëzorë, që gëlojnë e gëlojnë pareshtur dhe që shfaqen nëpërmjet vargjeve edhe në këtë libër sa poetik dhe njëherazi me mesazhe filozofike.


Ta mbrojmë jetën!


        Do të doja të zgjidhja disa nga poezitë dhe t`u bëja një koment më të gjatë në këtë hyrje, por ato janë aq shumë dhe pretendojnë podiumin e nderit për nga fuqia e mendimit dhe bukuria artistike, nga përmbajtja e thellësia, nga shprehjet jetësore dhe nga figurat letrare. Po përmend poezinë “Malli”, që çel  librin, ku malli shpërthen si një llavë e brendshme e pa rrëfyer më parë. Te poezia “Hëna o hënë”  ai i drejtohet hënës, si të dojë t`i kërkoj ndihmë, i bindur se, ajo do ta ndihmojë me dritën e saj. Te poezia “Ata yje”, i drejtohet yjeve... Te poezia “Jeta” ai e pranon dhe  e  mbron  jetën, sepse ajo jepet një herë dhe njeriu duhet ta jetojë, sido që ajo të vijë, pasi siç dihet shumë pak gjëra kemi në dorë, madje, fare pak, e, megjithatë si qenie njerëzore, ne e duam dhe e mbrojmë jetën, madje edhe përpiqemi ta përmirësojmë, ndonëse ajo herë - herë edhe na fshikullon e godet, madje edhe rëndë, e përsëri ne e duam. Poeti do që t`u japë përgjigje dukurive të jetës, kurse te poezia “Themelet e jetës së re” ai kujton edhe kohë të liga, edhe kohë brengash, edhe kohë shkatërrimesh  shpirtrash njerëzorë, teksa  ngrihet në mënyrë poetike mbi to, duke i bërë thirrje vetëdijes njerëzore me vargjet: “të ndërtojmë kullën e shpresës,/së bashku si një,/të shtojmë një gur qëndrese,/në themelet e jetës së re.”

 

                     Kopshti i dashurisë

 

      Janë si lulet e bukura të një kopshti poezitë që fshehin ndjenja dashurie, si trazime të thëngjijve brenda hirit, që atje qëndrojnë të strukur dhe druajnë të dalin e të shpërthejnë në ajër dritën e tyre verbuese dhe ngrohtësinë, teksa te poezia “Ata sy jeshile”, poeti shkruan: “Nuk kam guxim,/Të ndalem, të vështroj,/Ata sy jeshile,/Shumëçka tregojnë... /Ti je një lule,/Me aromë të rrallë,/Dua ta shijoj aromën,/Të lutem më ndihmo!” Ndjenjat e dashurisë fshihen edhe te poezitë “Nuk dua të shkoj”, “Fotografia e vjetër”, “Nuk dua largim” “Puthja e bardhë”, teksa sikur shpërthejnë te poezia “Ëndrra mahnitëse”, që i jep edhe titullin këtij libri e ku autori shkruan: “Të ëndërroj  afër meje,/Sytë e tu më pushtojnë të tërin,/Më lejo të marr frymë thellë,/Fjalëve t`u jap përgjigje./Jeta është një shkollë e përhershme,/Që krijon shtigje të reja...”. 

 

                   Një lypës në këtë botë të çmendur

 

        Një poezi emocionuese, që na vë në mendime është “Lypësi i vogël”, ku  autori përshkruan një lypës që jeta i ka dhënë veçse varfëri, si të ishte një zog në kafaz dhe që pret që dikush t`i hedhë një thërrime, teksa zemra e lexuesit ligështohet përballë realiteteve të tilla, që fatkeqësisht janë të dukshme. Në njërën anë lypësit e vegjël dhe varfëria e skajshme, kurse nga ana tjetër luksi i shfrenuar, jeta boshe dhe pa asnjë kuptim, ku pasuria e popullit shndërrohet në armë vdekjeprurëse, që vrasin e vrasin çdo ditë njerëz të pafajshëm..., teksa ai, lypësi i vogël vazhdon të lyp e të pres thërrimet e tij në këtë botë të errët e të çmendur..

 

 

                              Art, filozofi, traditë

 

       Si njeri i palodhur i punës, poeti Demaku i këndon me vargje punës, që mban këtë jetë njerëzore, duke e quajtur punën “fryma e ditës që vjen”, jeta pa punë për atë “është si zhurmë pa tingull:, “ëndërr pa shpresë”, “tokë pa frymë” dhe ai përfundon: “Se çdo hap i hedhur në djersën e saj,/ Është jetë që ngrihet, është shpresë që s’ndal”. Vijon libri me poezinë “Mjerimi”, ku Demaku trondit shpirtin njerëzor me  vargje të tillë: “Fëmijë pa lodra, gra pa fjalë,/Burra me shpresë të thyer ngadalë,/Kërkojnë diell në mes të shiut,/Kërkojnë drejtësi në heshtjen e zhurmës./Po mjerimi s’është vetëm varfëri,/Është harresë, është zemër që s’ndi,/...njeriu bëhet i huaj,/Për vëllanë që e sheh dhe s’e ndihmon kurrë!”. Nuk di pse, përballë kësaj poezie, sjell ndërmend fjalët e plakut të mençur drenicas, Xhemal Obria, të cilin kur e pyetën: “Përse ju ishit më pak, por ishit më të fortë. Ndërsa ne jemi më shumë, por jemi më të dobët? Xhemali u përgjigj: “Ne dikur e jepnim pasurinë për vëlla. Ndërsa ju sot e jepni vëllanë për pasuri!”.

      Si një poet nga Drenica, nga vendi i shquar për virtyte, për rezistencë shekullore, për trima dhe heronj të kombit shqiptar,  Sokol Demaku i ngre himne dhe vargje poetike besës, fjalës së dhënë të shqiptarëve. Këto fjalë të shkurtra dhe me shumë kuptim, shprehin virtyte të larta shqiptare, përmbajnë brenda tyre filozofinë tradicionale të shqiptarit në shekuj, ku besa dhe fjala e dhënë, janë si perla të ndritshme, që gjenden në Shqipëri dhe s`mund t`i gjesh lehtë tjetërkund në këtë botë të turbullt. Për shqiptarin dhe, njëherazi edhe për poetin “Besa është dritë që ndriçon nderin./ Se pa besë s’ka njeri të vërtetë,/Vetëm hije që rrinë në jetë”. Tradita e trashëgueshme shekullore e besës, e fjalës së dhënë, përshkruhet po aq bukur edhe te poezitë “Fjala e dhënë”, ”Burrëria’, “Miqësia’, ku poeti zbërthen kuptimin filozofik të saj, veçanërisht me vargjet: “Miqësia s’ka nevojë për fjalë të mëdha,/As për premtime që era i bartë,/Ajo lind në heshtje, rritet me kohën,/Dhe rri në shpirt si dritë që s’ ndalet./Një mik të vërtetë nuk e prishin stuhitë,/Ai s’pyet për lavdi, as për fitime,/Në ditë të mira rri pranë me gëzime,/Në ditë të vështira  bëhet dritë mbi shpinë..”. Me art të hollë dhe me kuptim të thellë e figuracion të rrallë  poeti i thur vargje xhelozisë që “Të vret ngadalë me fjalë që s’janë thënë”, mërisë, e cila “rritet si ferrë në zemrën e qetë”, tradhtisë, që “vjen si furtunë në ditë të paqme,/në shikimin që duket i sinqertë, por të mashtron...”. Ndër kulmet poetike është edhe poezia “Vallja e jetës”, ku me  një “vështrim” të mendjes dhe të zemrës, poeti përshkruan jetën: “Në krahët e saj vallëzojmë të gjithë,/fëmijë e pleq, me lodhje e gëzim./...Vallja e jetës s’është për t’u mësuar,/është për t’u ndjerë  me trup e me shpirt./Një poezi që nuk shkruhet me fjalë,/por me çdo frymë, çdo rrahje zemre,/ çdo ikje e ardhje...”

      Po aq tërheqëse është dhe poezia “Të heshturit”, të cilën autori ua kushton dijetarëve të vërtetë, që me mendjet e  ndritura i japin zhvillime  të jashtëzakonshme jetës dhe njerëzimit dhe nuk kërkojnë asgjë prej tyre: “Ata nuk flasin, por fjala u ndizet në sy,/si yjet të fshehur pas reve të natës,/ Nëpër rrugë kalojnë pa zhurmë,/por toka i ndjen më shumë se bubullimat./Janë ata që mbajnë peshën e botës në shpinë...”.

      Kanë një tingëllim realiste dhe jetësore poezitë “Lotët” dhe “Në heshtjen e mbrëmjes”, teksa është përshkruar me bukuri tronditëse, poetike e filozofike poezia “Dinaku”: “nën buzëqeshjen, që duket e qetë,/fshihet një ujk me fytyrë të vërtetë”.   Apo poezia “Dyfytyrësia”, ku përshkruhet njeriu që mban një buzëqeshje për botën përjashta “një tjetër fytyrë në errësirë e fsheh”. Janë shprehur në formën e epigrameve poezitë “Shpirtngushti - Zemërgjeri”, e ku autori përball me njëri - tjetrin dy koncepte të kundërta të karakterit njerëzor. Kontrast paraqet dhe poezia “I ligu” i cili “...vjen pa zhurmë, si hije në terr,/me fjalë të ëmbla, por zemër ferr...thotë “jam shpëtim”, por sjell shkatërrim”. Poezia “Dashakeqi”, i cili “Në zemër ka zili që vlon,/një urrejtje të vjetër që s’pushon./Nuk të godet me dorë, por me fjalë,/me gjysmë të vërtetash, të mbjella si farë”. Vijon poezia “I pa gdhenduri”, të cili autori e krahason me “një statujë që s`u bë art”.

 

                   Gjerdan vargjesh vezullues

 

         Krijohet përshtypja se poezia “Në heshtje fryn një fjalë”, shërben edhe si një epilog i këtij vëllim tërheqës e filozofik, që me pak fjalë dhe pak  vargje të ngjeshur, përcjell bukuri mbresëlënëse për lexuesit, u shpreh atyre ide dhe mendime, ndjenja dhe mesazhe, si të ndajë me ta shqetësimet  e jetës. Poeti depërton me vargje befasuese gjer thellë në shpirtrat e lexuesve, duke kuvenduar me ta, teksa “Në heshtje fryn një fjalë,/si puhizë mbi ujë të qetë,/ku hëna puth liqenin,/dhe nata rrëfen një jetë./Në mendje zgjohen kujtime,/si gjethet që bien në tokë, /secila ka një emër,/secila ndjen një mall./Në zemër digjet shpresa,/si qiri që s’do të shuhet,/dhe fjala që s’u tha kurrë,/në vargjet e mia struket”. 

       Dhe, në përfundim?

       Në përfundim krijova përshtypjen se poeti Demaku, kësaj here kushedi pse më ngjasoi me peshkatarin e perlave, që zhytet me guxim në thellësinë e detit, atje ku gjallojnë e rriten mijëra guaska që fshehin brenda tyre perlat e ndritshme. Dhe, ai, me talentin dhe pjekurinë poetike, duke kërkuar ka “gjetur” jo një, por dhjetëra perla, të cilat  na i përcjell ne lexuesve në këtë libër si  një gjerdan vargjesh vezullues.

        Urime dhe faleminderit, Sokol Demaku!

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page