top of page

VIJOJ TË NDRIÇOJ PERSONA TË NDRIÇUAR ….




Xhevit Dërmishi

“PËR SULOVËN TRIME DHE VËRÇËN PLAKË “

“ I buzëqesh mikut para se brenda të hyjë,

bereqeti shtohet dhe sofra mbushet plotë.

Jo, nuk është tek sofra bereqeti i tij,

Por tek fytyra plotë nur që e priti sot.”

VIJOJ TË NDRIÇOJ PERSONA TË NDRIÇUAR ….


I tillë ka qënë KASEM PËRFUNDI ; një person i ndriçuar , një realitet konkret , një realitet i prekshëm dhe i kristalizuar mes njerëzish të moshave të ndryshme , duke biseduar lirshëm , plotë gjallëri e dinjitet , plot humor e kulturë me një gjuhë të pasur , të pastër dhe me dialekt tipik të trevës së Grabovës e Shënepremtes së lashtë.

Ta kishte ënda të bisedoje me këtë njeri. Më pëlqente kur fliste për vlerat gramshiote. Për Sulovën , për Vërçën , për Tomorricën !

Ai përbën për nga vlerat njerëzore dhe mesazhet e urtësisë që përcjellë në brezat e rinjë një majë mali ,ku mund të qëmtosh të shkuarën dhe të ardhmen e kohës së tij.

Të tilla vlera e bëjnë të plotë figurën e këtij njeriu dhe qytetari të thjeshtë .Unë në këto shënime të shkurtëra nuk eci në këtë rrugë ; pasi ajo është e gjatë dhe do kohë e mund.

Shkak për këto shënime u bë një libërth me poezi me autorësinë e tij i titulluar “ZURA SHOK NJË GUSHAKUQ “.


Si çdo njeri tjetër që e ka njohur përsëmiri Kasem Përfundin edhe unë mbeta i befasuar nga mënyra që kishte zgjedhur ky njeri për të “ rrëfyer “ pjesë të historisë së tij njerëzore nëpërmjet poezisë.

Një rrugë tejet e vështirë. Rrugë të tilla kërkojnë që edhe truri të jetë zemër.

Diku kam lexuar se “… asnjë atdhe nuk mund të ekzistojë pa poezinë e popullit. Poezia nuk është asgjë më tepër se kristali në të cilin mund të pasqyrojë veten një kombësi ; ajo është burimi që nxjerrë në sipërfaqe origjinalen e vërtetë në shpirtin e popullit … “ .

Më duket se një shënim i tillë i shkon mjaft për shtat si dedikim krijimtarisë së Kasem Përfundit.

Ai kërkon të përcjellë për brezat e sotëm dhe ata që vijnë nëpërmjet vjershave pa “strofën e strukturuar shkencërisht” mesazhe poetike të përvojës dhe të ruajtjes së identitetit.

Ai e ka kthyer poezinë në një porosi , në një këshillë , në një mësim historik të çdo brezi , në një biografi dhe autobiografi të bëmave të tij dhe të çdo breznie .

Në këtë arë pjellore të Kasem Përfundit , të cilën e hipotekon në këtë libër , gjejmë edhe farë edhe kallinjë nga çdo brez e nga çdo kohë që në substancë është njeriu ashtu sikurse dëshiron ai.

Poezia e tij është një dëshmi kuptimplote e vlerave më të mira gramshiote , patriotike dhe kjo duket më së miri kur ravijëzon poetikisht vlerat e Hamit Dollanit , Mahmud Xhelilit , Asllan Shahinit , Tare Sadikut , Bahri Xhelilit , Shahin Çerçiz Përfundit etj. Nëpërmjet disa poezive ai kërkon ta portretizojë Gramshin si një trevë të plotë me të gjitha krahinat në unitet ; dhe kjo duket tek “Sulova dhe Sulovari “ ; “Vërça me male “ dhe “Grabova ime “ .

Po veçojë prej tyre :

……..Kur e bëri burri një mik

................Thotë e gjeta një çiflik ….

Nga ana tjetër autori përdorë me delikatesë edhe humorin për të goditur veset e këqia , apo modelet e shëmtuara të zyrtarëve “barkmëdhenj e me vetura “ që tallen me hallet e popullit si në poezitë : “Në një zyrë”, “Pasqyra e fytyra “, “Po llumosemi “, “Shumë parti “ etj.

-Në fund të librit autori tregon se është edhe një mbledhës i mirë i folklorit gramshiot. Në të gjen tekstet e mjaft prej këngëve që këndoheshin dhe këndohen edhe sot e kësaj dite në dasmat e trevës tonë , valle të kënduara si “ Gjyshi Sheme për djalin Deme “ ; “Me tambura për dashurinë “ ,” Na kërkon nuse bandilli “, “Leshëverdha trendelinë “ ; “Kur vjen behari “ ; “Martohet Nazifi “ ; Ninullë për vajzën “ ; “Ninullë për djalin “ ; këngë vajtimi , këngë për dëshmorët , humoristike etj………

Ai pasqyron ninulla dhe këngë dashurie të shkëlqyera , i këndon me zemër “Sulovës trime “ dhe “Vërçës plakë “ , i paraqet dasmat me valle dhe këngë të hareshme , fut nëpër vjershat e veta dashurinë për jetën dhe respektin për njeriun ; nderon gjer në adhurim besën , nderin , dinjitetin , djersën dhe punën e tjetrit , familjen dhe miqësinë , bujarinë dhe flijimin me shpirtë të ndjeshëm si të zogut “gushëkuq”.

Ky njeri me një botë të gjërë shpirtërore ruan në brendësi të poezisë së tij modeste , ashtu siç ruan druri qindravjeçar i ullirit , lëngun ushqyes për frutin që vazhdon të lind , të formohet dhe të lëshojë esencën e duhur për t`u rritur më tej…….

Poezia e tij është rrëfim , autobiografi , histori , mesazh përvoje , gjykim , dëshmi dhe mjet moral i pazevëndësueshëm.

Jam i sigurtë që të gjithë ata që do të kenë fatin të lexojnë këtë libër do të kenë përshtypje të parë për Kasem Përfundin.

Përvoja e tij është një përvojë në lëvizje. Nëpër to ecet si nëpër kreshta të lartë. Mirënjohje dhe respekt shpirtit të tij që lartëson vlerat gramshiote në kreshta të lartë dhe mesazhe të përjetëshme…….

Qershor 2020

121 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page