top of page

VERIFIKIMI


Naum Prifti

VERIFIKIMI

Naum Prifti

Tregim


- Shoku Iljaz? Urgjent, në zyrën e shokut ministër, këtë çast! Po ju pret, - e lajmëroi sekretari i kabinetit të ministrit dhe menjëherë e shkëputi lidhjen.

Urgjencat në Ministrinë e Brendshme ishin të zakonshme, të përditshme, aq sa fjala “urgjent” e kishte humbur peshën specifike, mirëpo kur thirrja vinte nga titullari, atëherë duhej marrë seriozisht. Iljaz Kapllani u ngrit menjëherë në këmbë, hoqi pak poshtë instiktivisht cepat e xhaketës, kopsiti pullat e zbërthyera dhe pasi e mbylli derën me çelës, ngjiti shkallët me vrap. Mjaft nga nëpunësit e ministrisë vinin në zyrë me rroba civile, ndërsa drejtori i hetuesisë nuk mund t’i konceptonte punonjësit e institucionit pa uniformë. I bindur katërcipërisht se uniforma blu e tregonte dinjitoz dhe autoritar, s’e hiqte prej trupit veçse në disa raste speciale. Edhe të afërmit, edhe shokët e tij i thoshin se uniforma i kishte hije. I lindur dhe i rritur në një familje tepelenase me tradita ushtarake–i ati i tij kishte qenë oficer në kohën e Zogut,–ai krenohej si me uniformën, si me detyrën. Drejtorët e drejtorive renditeshin vetëm një shkallë më poshtë se zëvendësministrat. Arma e policisë meritonte të respektohej, prandaj nuk i honepste disa njerëz, sidomos të rinjtë, që flisnin me ironi dhe përçmim për policët. Statistikat tregonin se pak të rinj nga qyteti pranonin të vishnin uniformën blu dhe për pasojë radhët e policisë mbusheshin me fshatarë nga zonat e thella, Mallakastër, Skrapar, Tepelenë, Dibër, Burrel, njerëz me shkollë tetëvjeçare ose fillore. Iljaz Kapllani mendonte se përçmimi ishte mbeturinë e kohëve të kaluara, kur policia dhe policët u shërbenin regjimeve antipopullore, ndërsa tani roli i tyre ndryshonte kryekëput. Mirëpo gjithandej qarkullonin gjithfarë anekdotash që vinin në lojë gafat, ose mendjetrashësinë e policëve dhe ai besonte se ato i përhapnin me zell rrethet armiqësore dhe reaksionare, të cilët mtonin të nxitnin urrejtje për shërbyesit e popullit. Thellë-thellë në nënvetëdijë atij i vinte keq që partia i hoqi gradat duke kopjuar kinezët, gjasme masë revolucionare që njerëzit të mos u përkuleshin qorrazi gradave, por meritave. E pranoi fshirjen e gradave pa ua shfaqur kurrë pezmatimin që ndiente as shokëve të tij më të ngushtë, as familjarëve, mirëpo sa herë shkonte te pasqyra e garderobës, e vetmja ku mund ta shihte veten nga koka te këmbët, vinte spaletat e arta të kolonelit me dy vija dhe tre yje mbi supet e tij dhe sodiste shkëlqimin e fytyrës mes spaletave vezulluese. I kishte ruajtur spaletat dhe i mbante fshehur në komo. Edhe pse me arsim gjysmak, pozitën e shefit të hetuesisë po e mbante prej vitesh, falë zotësisë dhe kameleonizmit të tij të përkryer. Shkollën tetëvjeçare dhe të mesmen Iljazi e kishte kryer natën, ashtu si shumë kolegë të tij.

Sapo hyri te kabineti i ministrit, Iljazi e nderoi duke vënë grushtin afër tëmthit, e jo me dorën në ballë, sikurse e përcaktonte rregullorja. Besonte se ministrit i pëlqente nderimi ala partizançe i kohës së luftës. Ai tundi kokën, pa marrë mundimin t’ia kthente nderimin ushtarakisht, as me të vjetrën, as me të renë. I tregoi me dorë karrigen ku të ulej.

- Ka ardhur një letër anonime, shoku Iljaz - u fut menjëherë ministri në temë.

Fytyra e mprehtë e Iljazit u mërrtye në çast nga kumtimi i papritur.

- Për mua? Për çështjen e tim eti ish-oficer? – u interesua hetuesi disi nervoz nga telashet që i kishin hapur dy letra të tilla prej vendlindjes. Ministri e vuri re tronditjen e tij dhe nxitoi ta qetësonte:

- Jo, jo për ty, - i tha duke buzëqeshur lehtazi. – U ngrit nga tryeza dhe shkoi drejt kasafortës. Çizmet e tij kërcisnin mbi parket si të shkelte mbi dëborë të kokrizuar. E çeli kasafortën dhe nxorri prej andej një dosje të hollë. Ministri i brendshëm vishej gjysmë ushtarak-gjysmë civil, për të theksuar edhe me veshjen natyrën e punëve të tij. - Me sa jam informuar kohëve të fundit ka patur shtim të theksuar të letrave anonime. Kjo dukuri meriton të analizohet hollësisht nga organet tona, sepse neve na përket më shumë se të tjerëve. – Ai e theksoi përemrin “neve” dhe heshti për të parë reagimin. Iljazi e miratoi me kokë. - Pas mendimit tim dukuria ka dy burime. Ose kuadrot tona të çdo sfere, parti, pushtet, sigurim, prokurori, shkelin parimet për shkak tarafesh, miqësirash, etj, ose kemi shtim të veprimtarisë armiqësore.

- Pa asnjë dyshim, shoku ministër, kjo vjen si pasojë e shtimit të veprimtarisë armiqësore në një moment delikat. - Shefi i hetuesisë e dinte nga përvoja se sa më i ashpër të tregohej me armiqtë e klasës, aq më shumë konsideratë fitonte te shefat.

- Mos u rrëmbeni! Ngutjet e dëmtojnë profesionin tuaj, shoku hetues, - i tërhoqi vëmendjen ministri.

Vërejtja e papritur i ra Iljazit si dush i ftohtë.

- Një pjesë letrash–pjesa më e madhe–vjen nga armiqtë e klasës, - vazhdoi ministri, - nga të deklasuarit, nga të prekurit, të cilët i shkruajnë me qëllim të diskreditojnë kuadrot tona, politikën e partisë, vijën e saj të drejtë; një pjesë tjetër vjen nga kategoria e ambiciozëve, intrigantëve, të cilët zbrazin mllefe e inate personale, shfryjnë zemërimin duke ngritur akuza politike apo diskredituese për kuadrot që ngrihen në pozitë, me qëllim t’i groposin. Ata operojnë me të vërteta gjysmake, ose me thashetheme; ndërkohë nuk mund të mohojmë se një pjesë e letrave shkruhen nga njerëz të ndershëm që e duan pushtetin, që s’kanë asgjë kundër tij, por u mungon guximi të dalin hapur. Pse? Sepse janë të pambrojtur nga zyrtarët e veshur me pushtet. Dhe duhet ta pranojmë se kemi jo pak shembuj negativë në këtë drejtim, si transferime, ulje në detyrë, etj. Nuk ka shqiptar ta pranojë kritikën hapur, ndershmërisht, pa le të themi sa të duam të kundërtën nëpër foltore e gazeta. – Si e pa që përgjithësimi mund të keqkuptohej, e korrektoi. - Doemos, jemi akoma në procesin e formimit të njeriut të ri, me tipare morale të larta, por... por akoma s’e kemi arritur.

Shefi i hetuesisë u habit nga arsyetimet sociologjike të ministrit. Kurrë s’e kishte dëgjuar t’i shkoqiste problemet aq hollësisht. Veç nuk ishte i sigurt nëse deduksionet ishin të tijat, apo të dëgjuara nga ndonjë referat. Gjithsesi ato shprehnin të vërteta të pamohueshme dhe Iljazi i fiksoi që t’i përsëriste dhe t’i habiste vartësit me gjykimin e tij të mprehtë.

Ministri hapi kapakun e dosjes.

- Letra i adresohet ministrit të Punëve të Brendshme, domethënë mua personalisht, sikurse e sheh në cepin e zarfit. Ta analizojmë. Anonimi denoncon të Plotfuqishmin e lokalitetit të Kurosës në rrethin e Dibrës,—ai konsultoi letrën—të quajtur Aziz Xhediku. Polici, shkruan ai, ka rrahur një fshatar brenda në zyrën e tij. Emrin e fshatarit,–kushedi për ç’arësye,–e ka shënuar vetëm me iniciale. Anonimi ngulmon se fakti është i vërtetë, por nuk guxon të shënojë emrin nga frika e të Plotfuqishmit. Kjo letër më ka shqetësuar edhe për një arsye tjetër. Ka të ngjarë që anonimi të ketë adresuar edhe gjetkë një letër identike si kjo, –ai drejtoi dorën andej nga selia e KQ,– dhe sektori përkatës ka mundësi të na pyesë nëse jemi në dijeni, ç’masa kemi marrë, ose ca më keq, të na tërheqin veshët që mbajmë në radhët tona njerëz të paformuar. E kuptoni çfarë telashe hap kjo letër për ne?

E goditi letrën me shpinën e gishtrinvje të dorës, sikur fajin ta kishte ajo copë karte me shkrim dore.

- Letra më nervozoi dhe njëheresh më ka futur në mendime... – e ngriti zërin ministri.- Jemi shtet i diktaturës së proletariatit, apo i tingli majmunit? Ligjet duhen respektuar kurdoherë dhe policët lipset ta mbrojnë qytetarin, jo ta gjykojnë dhe ca më pak ta ndëshkojnë. Ka organe të tjera që japin dënime. Policët tanë nuk janë zaptie të kohës së Turqisë, as gjindarmë të kohës së Zogut, as xhandarë të fashizmit. Ata që përdorin drurin, dashur pa dashur, diskreditojnë pushtetin popullor, partinë, shtetin tonë socialist. – I zemëruar shtriu dorën drejt hartës së atdheut varur në murin anësor, sikur të theksonte se ynere të tilla ngjisnin në çdo rreth e lokalitet.

- Disa policë e kanë më lehtë të përdorin pëllëmbët se gjuhën, shoku ministër, - u komportua menjëherë shefi i hetuesisë.

- Jo, jo, jo! – gjëmoi ministri. Pastaj menjëherë u bë serioz. – Nuk duhet të lejojmë skandale të tilla. S’mund të lejojmë që policët tanë të kundrohen me frikë nga populli, ose ca më keq të urrehen. Ata duhet të jenë njerëzit më të dashur. Ç’bëhet kështu more, ç’bëhet kështu? Midis tyre kemi jo pak injorantë, pa arsim desha të them. Mos e ngatërron fjala “I plotfuqishëm” dibranin e Kurorës? Në fakt duhet një emërtesë tjetër, më modeste, se kjo lë të nënkuptohet sikur ka fuqi të plota të veprojë si të dojë. Jo, kurrsesi, jo!– tha vendosmërisht titullari i dikasterit. – Edhe ne si dikaster, - ministri e zbuti tonin një oktavë më poshtë - kemi fajet tona. Sa herë na kanë raportuar sjellje të padenja, jemi treguar të butë duke arsyetuar jo po mirë ia bëri armikut të klasës, jo po është shok i mirë, jo po është shtresë e varfër... e dëngla mëngla si këto duke u mjaftuar me ndonjë këshillim a transferim. Tani mjaft më! Shkarkim nga detyra, pushim në vend! Vetëm kështu do t’i pritet rruga arrogancës, xhahillëkut. Ka ardhur koha ta pastrojmë aparatin e policisë nga njerëz të pamerituar. Verifikoheni çështjen në vend, me kompetenca të plota, sikur të isha unë atje. Pres një relacion të saktë dhe të plotë sapo të ktheheni. – Ai hoqi një vijë në ajër nga lart posht si me plumbç dhe pastaj i dorëzoi letrën anonime.

Iljazi e palosi letrën dhe e futi në portofol.

- Nisuni sa më parë! Urgjentisht! – qenë fjalët e fundit të ministrit.

* * *

Si hetues me përvojë të gjatë Iljaz Kapllani i dinte vështirësitë e verifikimit të letrave anonime. Një fill merimange i nderur në ajër që duket vetëm në disa pika ku përthyhen rrezet e diellit, një rjedhë uji që del e fshihet në rërë. Kishte gjasa që fshatari i goditur, viktima e denoncuar nga anonimi, ta mohonte rrahjen nga turpi, ose nga frika se mos çështja mahisej më keq. Hetuesi s’do të habitej sikur të dëgjonte nga goja e tij lavdërime stereotipe për policin. “Vallahi or ti shoq, burrë ma të mirë se të plotfuqishmin nuk e gjen në shtatë malet e Dibrës. Veç ata që e kanë mëri e përflasin, se u vjen hakut.”

Dukuri të tilla qenë të rëndomta. Ai e njihte mjaft mirë psikologjinë e zonave verilindore. Të qe plagë plumbi, do ta rrëfenin me mburrje, si akt heroik, kurse rrahjet i konsideronin të turpshme, diskredituese, prandaj kurrë nuk i denonconin në polici, madje nuk shkonin as te mjeku për të marrë raport lëndimi, apo recetë. Goditja e burrit publikisht dikur shpaguhej me plumb, si poshtërimi më i rëndë dhe pastaj vinte hakmarrja dhe gjakmarrja që vazhdonte me breza midis familjeve sipas kanunit, gjak për gjak. Tani koha kishte ndryshuar dhe ata parapëlqenin heshtjen, sikur s’kishte ndodhur asgjë. Askush nuk guxonte të armiqësohej me qeverinë për një shpullë a për shkelmet e ndonjë zyrtari. Ç’qëndrim do të mbante viktima me inicialet L. K.? Nuk dihej. Po qe se ai do ta mohonte rrahjen, Iljaz Kapllani s’kishte opsion tjetër, veçse t’i merrte një deklaratë me shkrim se ngjarja ishte e sajuar, se ai s’kishte ankim ndaj të Plotfuqishmit Aziz Xhediku dhe çështja do të shkartisej. Po qe se atij nuk do t’i mungonte guximi të pohonte rrahjen, atëherë do ta pësonte i Plotfuqishmi.

Rrotat e veturës që rrëshqisnin mbi asfalt dhe uturima monotone e motorit e krodhën Iljazin në meditime. Nga radioja e veturës vinte muzikë xhazi.

- Na gjej ndonjë muzikë popullore! - e urdhëroi shefi.

- Këtu nuk e kap Tiranën, - u mbrojt shoferi. - Muzika është për të kënaqur veshët, apo jo?

- Jo, jo, se ndikimet e huaja ashtu fillojnë, - i kundërshtoi Iljazi. – Njëherë të pëlqen muzika, pastaj moda, pastaj ideologjia. Ehu, i dimë ne këto gjëra. E lexove fjalimin e fundit të shokut Enver për rininë?

- Po, po, - u përgjegj Caci, që zakonisht nuk lexonte asgjë, se të rejat dhe komentet i dëgjonte nga shefat ndërsa voziste rrugëve. I njihte pikëpamjet e ngushta të shefit, prandaj e mbylli radion dhe gojën.

Pas pak arritën në Bulqizë, qyteti i ri i minatorëve, ndërtuar njëzet vjet më parë për hir të kromit. Bulqiza dergjej midis hapësirës shkretane, e përgjumur, e vetmuar. Te faqja e kodrës përballë fekste parrulla me gurë të bardhë: “Popull-Parti-Enver.” Iljazit i feksi në mendje se duhej ndryshuar renditja.

- Shihe atë parrullën në faqen e malit! – i tha Cacit. – A nuk do të ishte më mirë ta shkruanin “Enver-Parti-Popull?” – e pyeti Iljazi sikur t’i kërkonte mbështetje. – Për mendimin tim, ai që udhëheq partinë duhet vënë në krye.

- Ashtu i kanë porositur, ashtu e kanë shkruar, - ia preu Caci shkurt, duke lënë të nënkuptohej se formulimet vinin të gatshme nga lart.

Për Iljaz Kapllanin shoku Enver e meritonte të vihej në krye. Ai e çliroi atdheun nga fashistët duke luftuar si dragua në krye të partizanëve trima. Ai e shpëtoi vendin nga kthetrat e revizionistëve jugosllavë dhe sovjetikë. Ai ua fali tokën fshatarëve dhe i nxori nga varfëria e thellë. Le të lehnin armiqtë për kultin e individit. Nga koka e tij delnin ide të hatashme, që nga hapja e tokave të reja, deri te aksioni për t’i kthyer malet fusha. Iljazi e shihte si timonier që drejtonte anijen e partisë duke çarë me guxim të pa shoq dallgët përpirëse revizioniste dhe imperialiste. “Të më dalë përpara ndonjë që llap gjysmë fjale për të, e var gjuhe,” iu betua vetes.

Caci i zgjati paketën e cigareve që prapa supit të vet dhe Iljazi e gjykoi të arsyeshme ta shoqëronte. Poshtë në luginë, mes një lëndine të gjelbër, dukej godina e re e shkollës. Te oborri i saj rrethuar me gardh, nxënësit luan me top. Në anë të rrugës dy vajza veshur me pantallona gri dhe një djalë i ri me xhakavento blu, prisnin makinat e rastit për t’u kthyer në qytet. Njëra nga vajzat, sapo pa veturën të afrohej, ngriti dorën duke buzëqeshur përvuajtshëm për të tërhequr vëmendjen e tyre. Shoferi i dha çakmakun shefit dhe me vetulla i tregoi të rinjtë anës rrugës. Iljazi u vrenjt dhe vetura kaloi pa e ngadalësuar shpejtësinë, njësoj sikur ay të mos kishte asnjeri.

- Ti e di zakonin tim, - e qortoi Iljazi, - prandaj mos më pyet kot. Nuk dihet ç’njerëz janë.

Te pasqyra anësore shoferi pa vajzën që vazhdonte ta mbante akoma dorën lart, ndërsa buzëqeshja po i mekej. Shefi druhej të merrte në veturë persona të panjohur, se mos kushedi ishin me biografi të keqe dhe pastaj gjente belanë nga letrat anonime, ndërsa shoferi i shihte si pasagjerë të rastit nga të cilët mund të shkulte të holla, për të kompensuar dietën e vogël. Caci i mëshoi pedalit të gazit duke shfryrë inatin me shefin që ia hoqi rrëskun nga duart.

- Vapë, - tha Caci, duke ulur edhe më poshtë xhamin e makinës në anën e tij. Vapa ndihej në ato orë të ditës edhe në bjeshkët e larta.

Shefi përtoi ta shtynte më tej bisedën. Një javë më parë Iljaz Kapllani kishte vajtur në zonën e Lurës të hetonte vrasjen e një rojtari pyjesh. Hetimet përfunduan shpejt se nuk qe çështje politike. Dy ditë i kaloi duke gjuajtur fëllënxa dhe pëllumba të egër mes pyjeve, edhe pse sezoni i gjuetisë nuk qe hapur. Të parët që e shkelnin ligjin, ishin ata që duhet ta ruanin. Kush mund t’i ndalonte derisa vetë Arif Sollaku, Kryetari i Degës, shef i policëve dhe rojtarëve të pyjeve, gjuante me të? Tani Iljazi mendonte të sajonte ndonjë shërbim në zonën e bregdetit, që të rrezitej disa ditë në plazh sa për temperim. Lejën e zakonshme do ta kalonte në plazhin e Durrësit. Familjen do ta transportonte me mikrobusin e dikasterit, pa paguar asnjë lek, duke pretenduar se shkonte me shërbim. Iljazin e nervozonin ata që ankoheshin se plazhet ishin superpopulluar dhe gjasme s’kishte kushte të mira për pushuesit. Këto fjalë e kishin burimin nga individë të paformuar, të prapambetur, të pangritur politikisht. Një prej tyre ishte dhe i Plotfuqishmi i Kurorës që i rrihte fshatarët në zyrën e shtetit, pa e kuptuar se me atë veprim brutal, dashur pa dashur, fuste pyka midis popullit dhe sigurimit, i tëhuajsonte palët. Shefi kujtoi thënien popullore “një dru e shtrembër prish gjithë stavën,” prandaj ishte e udhës të nxirrej prej andej e të flakej tej që stava të dukej e hijshme. Aziz Xhediku le t’i mbante mbi kurriz pasojat, se fajin s’ia kishte askush, veç kokës së tij. Sigurisht s’do ta pranonte fajin, kushedi ç’alibi do të shpikte e si do të hidhej degë më degë si majmun xhungle, por Iljazi do t’ia zinte të gjitha shtigjet, duke siguruar qysh më parë prova e fakte.

Në Peshkopi takoi Kryetarin e Degës Brendshme, Arif Sollakun, një burrë i gjatë me pamje të hijshme që dukej si profesor gjimnazi. Drejtori i hetuesisë nuk ia rrëfeu as atij qëllimin e vizitës. Pati drojtje mos rastësisht i turbullohej pista e verifikimit me lidhjet miqësore a krushqërore. I tha se me urdhër të ministrit, duhet të shkonte pa tjetër në lokalitetin e Kurorës.

- Dëshironi t’u shoqërojmë? - e pyeti Kryetari duke u treguar tolerant për karakterin e punëve të tyre. – Së paku t’u tregojmë rrugën, - shtoi me shaka.

- Më mjafton i Plotfuqishmi, - ia ktheu Iljazi.

- Azizin e kemi djalë të mirë, - shfaqi konsideratat e tij Arifi, - për atje, kuptohet... ia uli pak vlerësimin duke buzëqeshur. – Disi avdall nga pamja e nga sjelljet, po s’ke ide sa transparent është. Ka edhe merita të tjera Azizi. Miqtë e nderuar nuk i lë të flenë në atë farë hoteli... A t’u pres ta hamë darkën bashkë te Turizmi?

Iljazi u rezervua duke i thënë shkitazi: “të shohim,” pa i dhënë premtim konkret.

* * *

Drejtori i hetuesisë e la veturën dhe shoferin nën hijen e rrepeve anës një livadhi, ndërsa vetë mori rrugën drejt qendrës së fshatit në këmbë. “Si dedektiv,” tha me vete.

Së pari takoi sekretarin e organizatës bazë, Bardhok Ndrecën, të cilin për fat, e gjeti në zyrë. U shgënjye mbasi prej tij nuk mundi të vilte asgjë me interes. Shkaku qe se marrëdhëniet mes tij dhe të plotfuqishmit nuk ishin as normale, pa le miqësore. Bardhoku iu ankua se Azizi vepronte pa u konsultuar me partinë, duke u justifikuar se nuk i lejohej të zbulonte sekretet. Iljazi e shënoi në bllok mungesën e bashkërendimit të organeve lokale. Prirjet bajraktare shfaqeshin rëndom në zonat e veriut te funksionarët e partisë dhe të pushtetit. Atij xhinsi i përkiste edhe Aziz Xhediku, ndofta edhe Bardhoku. Midis të tjerash, sekretari i partisë i tha se atij nuk i qe ankuar kush për rrahje.

Iljazi trokiti te dyert e këshillit popullor. Kryetari, Shaban Vrapi, me formë të përkryer vezake, dukej që atje tej njeri i ngathët. Mbiemri i tij tingëllonte mjaft ironik, se askush nuk mund të përfytyronte një thes me patate duke vrapuar. Ai, edhe brenda në zyrë, këmishën e mbante zbërthyer deri te kërthiza dhe vazhdimisht pinte djersët me peshqir. Drejtori i hetuesisë u prezantua dhe i shpjegoi qëllimin e vizitës. Shaba e pa shtrembër e me dyshim.

- Ke ndonjë dokument? Se gjithfarsoj njerëzish hiqen si zyrtarë.

Iljazi u befasua nga vigjilenca e kryetarit të këshillit në një lokalitet të humbur. Mirëpo Shaba e kishte të freskët rrëmujën që shkaktoi në Shupenzë e gjetkë, një gazetar amator ardhur nga Tirana. Ai e bëri lesh e li administratën duke dhënë urdhëra për shkarkime e emërime sipas midesë së tij. Vonë u muar vesh se ai nuk qe drejtor kuadri në Kryeministri, por korrespondenti vullnetar i “Hostenit.” Se si u krijua legjenda askush nuk e di, veç të gjithë i shërbyen me kënaqësi duke zbatuar urdhërat e tij. Në mjedisin socialist u përsërit një shekull e ca më vonë komedia “Revizori” e Gogolit.

- Pa hë, tani na rrëfe përse je munduar? – e luti Shaba.

- Ju i njihni besoj, të gjithë fshatarët me emër e mbiemër. Unë dua të di kush është ky L.K. që gjoja e paska keqtrajtuar i Plotfuqishmi? – e pyeti drejtor i hetuesisë duke nxierrë nga xhepi letrën anonime.

- Lëkë? – u rrudh Shaba dhe për të ngacmuar kujtesën, mbylli njërin sy dhe filloi të krruante veshin. – Lëkë the ti? Nuk kemi këtu asisoj njeriu, as Lekë, as Lukë, as Lik. Unë për vete nuk e njoh.

Drejtori u mundua t’i shpjegonte se L-ëja dhe K-ëja ishin gërmat e para të emrit dhe mbiemrit të fshatarit. Ai mund të quhej Lulash, Lirim, Lavdërim, Luftar, Lorenc, Latif. Si mund ta gjenin atë person?

Shaba vazhdonte të ruante pozën indiferente, si të mos kishte dëgjuar asgjë, sa Iljazi dyshoi se Kryetari i Këshillit po rropatej t’ia fshihte personin për arsye tarafi, a lidhjesh miqësie, prandaj vazhdoi t’i servirte edhe emra të tjerë, pa arritur ta thyente heshtjen e tij stoike.

Një burrë mustakosh u fut në zyrë pa trokitur, krejt i shkujdesur, por me të parë të huajin, e nderoi me grusht.

- O Mark, a di gjë ti, kë ka rrahur i Plotfuqishmi këto kohët e fundit? – iu drejtua Shaba.

“Hajvan!” e shau me mend Iljazi, “Pse e hap lojën pa lejë?” Ai nuk donte në asnjë mënyrë të zgjerohej rrethi i hetimeve jashtë personave zyrtarë, mirëpo nuk arriti ta ndalonte. Veçse nga pyetja e tij nënkuptohej se Aziz Xhediku e përdorte shpesh atë mjet edukimi.

Marku picërroi sytë duke u munduar të kujtonte mëkatarët që kishin shkuar në shtrungën e pëllëmbëve të Azizit.

- Po tani pak vështirë me i kujtue... – buzëqeshi Marku si të shfajësohej para të huajit, pastaj menjëherë iu çel fytyra. – Ah, po, ka rrahë njatë Vuksan Ndreun. Mirë boll e ka gdhend birin e kulakut.

- Vuksanin e ka rrah në pranverë, kur kositnim livadhet, - e sqaroi kryetari. – Më tëhu, më tëhu...

- Mexhit Imerin, edhe atij ia ka kërcitë një të fortë, sa i fluturuan dhëmbët e vënë jashtë dritares.

Drejtori i hetuesisë e drejtoi në pistën e vet, duke i përsëritur inicialet e emrit dhe të mbiemrit.

Marku qëndroi në një pozë meditative me sytë në tavan, pastaj sikur t’i kishte feksur një dritë në errësirë, deklaroi:

- Po besa, Liman Kozhanin. Për pak qe tuj e mbytë... - tha pa e fshehur admirimin për Azizin.

- Ja, pra, e gjetëm, Lëkë-në, - tha Iljaz Kapllani. – Do të doja ta takoja.

- A po na e thërret pak këtu? – e luti Shaba Markun.

- Jo, jo, - kundërshtoi Iljazi. – Marku le të më rrëfejë shtëpinë e tij, kaq mjafton.

- Si të duash, - ia ktheu Shaba.

Tani po vinte faza më delikate e verifikimit dhe ai s’donte në asnjë mënyrë që fshatari të stepej nga hija e zyrave dhe prania e zyrtarëve. Hetimin do ta zhvillonte kokë më kokë, në mënyrë sa më shoqërore, sa më intime.

Iu desh të priste pak kohë në oborr se i zoti i shtëpisë po vadiste kopshtin. Derisa i kishte bujtur në shtëpi, Limani e pandehu si mik të familjes, edhe pse fytyra e tij s’po i dukej e njohur. Iljazi vuri se re se Limani, ndryshe nga të tjerët, shaminë e kishte poshtë qeleshes e jo rrotull saj, me sa dukej për të fshehur bullungat e goditjes. Kot humbi kohë me pyetje të tërthorta, se për çudi Liman Kozhani i ra shkurt e drejt. Hoqi qeleshen çpështolli shaminë dhe i dëfteu xhumbën luftarake që kishte marrë peshqesh nga ndeshja me të Plotfuqishmin dymbëdhjetë ditë më parë.

- Me se të goditi? - e pyeti Iljazi si profesionit, për të shtënë në dorë fakte të pamohueshme të betejës së paradokohëshme.

- Me çka mundi, or ti shoq, me pëllëmbë, me grushta, me shkelma... Se ç’pati diçka të fortë në dorë, por m’u errën sytë e s’un e dallova...

Iljazi hetoi madhësinë e bullungës, vendin, formën, ngjyrën, duke mbajtur shënimet përkatëse në bllok.

- Cili qe shkaku? – u interesua së fundi.

- Besa nuk di gja. M’u vërsul si derr i egër, pa më thënë kurrgjë tjetër, veç mshile gojën se ta nxierr shpirtin nga bitha dhe më godiste bamp e bump, sikur lnurte lesh.

Indinjata e Drejtorit arriti deri atje sa me mend e cilësoi Aziz Xhedikun shtazë.

- Dëgjo këtu, - e luti Limanin duke i shtrënguar llërën e dorës shoqërisht. – Veprime të tilla nuk u lejohen policëve dhe ai duhet të përgjigjet deri në një. Do ta shohësh vetë. Veç ti duhet të lëshosh një deklaratë për ngjarjen që ndodhi në zyrën e të Plotfuqishmit. – Sapo vuri re se Limani u step, shtoi: - Ose më thjesht, këto që m’i the mua, t’i pohosh edhe përballë Aziz Xhedikut. A më kuptove?

Iljazi po priste i tendosur përgjigjen, sepse e dinte që s’ishte aspak e lehtë për një njeri pa asnjë mbrojtje.

- Kur të duash... – u përgjegj Limani i vendosur, pa iu trembur pasojave që rridhnin nga ai ballafaqim.

- Të lumtë! – e përgëzoi Iljazi. – Kështu veprojnë ata që kanë besim te pushteti. Mos ki asnjë merak se mos ndodh diçka e papëlqyer. Kurrgjë nuk të gjen, më beso mua, - e siguroi ai. E ndërkohë me vete mendonte se malësia ende kishte burra të fortë e me karakter. Shembull i dinjitetit, virtutit dhe ndershmërisë ishte ai fshatar i thjeshtë, Liman Kozhani.

Pas pak Azizi arrogant nuk do të ishte as i plotfuqishëm, as i fuqishëm, por fshatar si gjithë të tjerët, që do të ulte kokën e do t’i binte shatit tok me fshatarët e tjerë. Faktet ishin në dorën e drejtorit të hetuesisë dhe me anë të ballafaqimit do ta dërrmonte përfundimisht. E kishte kapur mat pa i lënë mundësi të dredhonte. S’ishte nevoja as për shkresurina, as për instanca të tjera. Pohimet e Shaban Vrapit, të Markut dhe sidomos bullunga e Liman Kozhanit mjaftonin për ta shkarkuar në vend, sipas udhëzimit të vetë ministrit. Ishte kureshtar ta njihte për fytyrë policin. Ç’njeri kishte hetuar deri tani në lokalitetin e Kurorës, me ç’tip ishte marrë? Do të qe dinak si dhelpër apo avdall si ari, që rrethanat e kishin sjellë në krye të asaj detyre? E kishte shpërdoruar detyrën mos më keq, duke diskredituar armën e sigurimit dhe të policisë. Sjellja e tij duhet ndëshkuar, si vepër që s’kishte asgjë të përbashkët me parimet e diktaturës së proletariatit dhe mbase duhej hartuar një qarkore, për t’u njoftuar Degëve të Brendshme arsyet e shkarkimit të të Plotfuqishmit të Kurorës.

* * *

Aziz Xhediku po fërkonte pullat e xhaketës me sidol, teksa një i panjohur shkeli në zyrën e tij. “Ha” e pyeti ai pa lëvizur nga vendi. Drejtori i Hetuesisë u prezantua duke i rrëfyer vërtetimin. Sapo mësoi funksionin e të sapoardhurit, fytyra e të plotfuqishmit shndriti. Mysafirë me pozitë kaq të lartë, s’kishin shkelur në zonën e Kurorës. Veshi menjëherë xhaketën, kopsat e së cilës lëshonin reflektime xixëlluese dhe qëndroi gatitu. Iljazit ia tërhoqi vështrimin hunda e tij mishtore, tepër e madhe, e cila i jepte poseduesit pamje prej tuafi, kurse sytë për çudi i kishte të vegjël e dinakë. Duart e tij në të dy anët e xhaketës, me nyje si xhunga, ishin argasur me punë të rënda që në vegjëli. Zyra e tij, ose “locus delicti” sikurse e cilësoi Drejtori i Hetuesisë, qe aq e zhveshur sa s’hynte kurrkund fjala mobilim. E thatë dhe e zymtë të ngjallte trishtim pa anë e fund. Një tryezë, dy karrike të shtrembra e brenda kamares një telefon i zi kubik, me dorezë.

I plotfuqishmi i ofroi cigare të lira nga ato që pinte vetë. Iljazi nuk ia pranoi që të mos krijonte as lidhjen më të vogël shoqërore. Hapi çantën, nxori një letër të shkruar me dorë dhe ia lëshoi ngadalë mbi tryezë.

- Shoku Aziz, - i tha serioz, - ministrit të Brendshëm i ka ardhur një letër, ku dikush ju akuzon se keni rrahur një qytetar në zyrë.

- Fshatar! – e saktësoi Azizi.

- Qytetar! - ngulmoi Iljaz Kapllani. – Të gjithë nënshtetasit, sikurse e përcakton ligji, quhen qytetarë, - ia sqaroi termin drejtori.

- Po e ka meritue, boll mirë ia kam ba, - deklaroi Azizi në mënyrë të prerë.

“I ziu ky, sa i trashë! Në vend ta mohojë, a të gjejë një lloj justifikimi, po e konfirmon hapur,” tha me vete Iljazi. Ai shkoi te dritarja, i bëri dikujt shenjë me kokë, pastaj hapi derën. Në zyrë hyri Liman Kozhani me vetulla të rrëzuara, gati të ballafaqohej me mbrojtësin e ligjit dhe të rendit.

- Po ti ç’kërkon këtu? – iu hakërrua i Plotfuqishmi. – Të thirri kush?

Limani kërkoi me sy ndihmën e njeriut të ardhur nga kryeqyteti. Ai i dha shenjë të ulej në karriken e lirë pranë tij e përballë Azizit.

- Këtu, në këtë zyrë të goditi? – e pyeti hetuesi.

I plotfuqishmi shfryu nëpër hundë vrundulla inatçore ajri.

- Këtu... – belbëzoi fshatari pa guxuar të shihte njeri në sy.

- Mirëpo me sa duket s’i ka ba fajde... – deklaroi Azizi duke tundur kokën gjithë mllef, çka tregonte se akoma nuk i kishte dalë inati me të.

Drejtori i skandalizuar nga deklarata sa arrogante aq edhe pohuese e të Plotfuqishmit, vendosi ta përfundonte ballafaqimin shpejt.

- Si guxoni të flisni kështu? – e qortoi policin. – A e kuptoni gabimin tuaj? Askush s’u ka dhënë të drejtë të ndëshkoni fizikisht qytetarët. Zyrat tona janë vende pune, jo ndëshkimesh. Orientimet e partisë dhe rregulloret e brendshme përcaktojnë qartë kompetencat dhe detyrat e punonjësve të policisë.

Të plotfuqishmin s’po e mbante vendi. Mezi duroi që shoku i ardhur nga Tirana të mbaronte ato fraza të gjata e mjaft të ngatërruara.

- Pyete, pyete pse e zdrugata, - ngulmoi Azizi duke e ulur çështjen në terrenin praktik e ndërsa fliste afronte gishtin te qeleshja e Liman Kozhanit.

- Për çfarëdo fajesh të kryera nga qytetari, ligji parasheh dënime të përcaktuara me nene e dispozita, të cilat i japin vetëm gjykatat popullore.

- Ky ka thënë...

- Ju lutem, - e ndërpreu Drejtori. – Qytetari gëzon të drejtën e fjalës, të mendimit, të shtypit, të cilat janë sanksionuar në Kushtetutë. Kuptojeni kaq gjë.

Mbi kokën e Azizit, portreti i Enver Hoxhës dukej sikur po ndiqte me interes të veçantë ballafaqimin që po zhvillohej në zyrë.

- Edhe po e la “kushetuta” s’e la unë, - gjëmoi Aziz Xhediku. – Të çaprashisë asi gjanash, reaksionare...

- Çfarë ka thënë? – pyeti Iljazi kot. – Çfarëdo që të ketë thënë s’keni të drejtë ta ndëshkoni.

- S’paskam të drejtë? – protestoi Azizi i habitur dhe i fyer. – Të thotë ky surratthiu faqe pesë burrave se Enver Hoxha ia mori fshatarit, tokën, bagëtitë, kullotat dhe e la cullak... e asi gjanash... të tjera.

Drejtorit sa nuk i këcyen sytë jashtë zgavrave, tek dëgjoi ato blasfemi aq të rënda dhe armiqësore për udhëheqësin e partisë nga një fshatar i varfër.

- Si? Si? Ma thuaj edhe njëherë, - e luti nga që s’po u zinte besë veshëve.

I Plotfuqishmi pohoi edhe njëherë deliktin e rëndë “lesé majeste” (shau Mbretin) që nuk mund t’i falej askujt, duke shtuar se informata ishte e saktë, mbasi kishte ardhur nga dy burime të ndryshme.

Sikur karrikja të ishte pajisur me katapultë, drejtori nuk do të kishte brofur më shpejt. Një blasfemi të tillë kundër udhëheqësit s’ia kishin dëgjuar veshët kurrë, as nga pinjollët e çifligarëve të deklasuar, as nga kulakët dhe bijtë e tyre. Shpifje e përbindshme, e thënë me qëllim të mbillte pakënaqësi te fshatarët. Ai lapangjoz të sulmonte aq ashpër udhëheqësin e lavdishëm dhe sistemin kooperativist? Sytë e tij po nxirrnin shkëndija inati mbi fshatarin që vazhdonte të rrinte me një pozë apostolike, i paralizuar nga që aty dëgjoi për herë të parë arsyen e rrahjes.

- Ky, hë? – deshi të sigurohej Iljazi përfundimisht.

- Po, nji ky! – ia vërtetoi Azizi duke zgjatur gishtin e trashë si ushtë drejt kokës së Limanit.

- Ti more qelbanik, - brafulloi Drejtori i Hetuesisë- more zgjebarak, teveqel, lapurak, lapangjoz, të marrësh nëpër gojë atë që s’i vjen as te thembra e këmbës? Po kush të nxori në dritë, ty more idiot, kush ta solli lirinë, pushtetin popullor, kush po e ndërton socializmin? – Cërkat e pështymës i fluturonin si saçme nga goja dhe që t’ia ngulte më mirë kritikat në tru, nisi t’i binte me grusht nga ana që kishte më afër, si të donte t’i rregullonte simetrinë e bullungave.

Azizi po e sodiste skenën me kënaqësi të veçantë, duke admiruar shpejtësinë e grushteve të drejtorit, ndërsa fshatari po tkurrej gjithmonë e më shumë, aq sa u ul përtokë buzë e gjunjë dhe që t’i shpëtonte rrebeshit të grushteve, u sul nga dera, të cilën e kaloi mjaft shpejt me ndihmën e një shkelmi që mori në prapanicë. Azizi, si i zoti i zyrës, mori qeleshen e Limanit që ishte rrëzuar përtokë dhe ia flaku nga dritarja e hapur.

- Ta kishe vrarë mutin, - shkumbëzoi Iljazi, pa u kujtuar fare se si nëpunës i lartë s’i kishte hije ai fjalor. Duart vazhdonin t’i dridheshin nga nervozizmi që e kishte pushtuar. – Ky meriton prangat. Hekurat! – dhe duke u kthyer nga i Plotfuqishmi, i dha urdhër: - Sajo një relacion t’ia përcjellim prokurorisë për ndjekje penale.

Azizi nuk lojti nga vendi.

- A më dëgjuat? – i shfryri nëpunësi i lartë i Ministrisë.

- Lëre dreqin se ka një tufë fëmijë... – Pas pak shtoi: - E kam edhe pak ilaka nga ana e gruas dhe s’dua të ngatërrohem.

Drejtori ngulmoi se Liman Kozhani gjithsesi duhej gjykuar e dënuar që të mos përhapeshin mendime të tilla reaksionare në masën e fshatarëve.

- Se mos vetëm ai... – tha Iljazi pa të keq. – Edhe të tjerët po ashtu thonë, veç në rrethe më të ngushta.

- Për mendimin tim duhen proceduar, - ngulmoi Drejtori i Hetuesisë.

- Në gjyq? Jo, kurrsesi! – kundërshtoi Azizi. – Me të tilla akuza jo, se bajnë ma shumë dam se dobi.

Drejtorit atë çast iu kujtua udhëzimi sekret lëshuar nga KQ, ku porositeshin gjyqtarë e prokurorë që emri i Enver Hoxhës të mos përgojohej nëpër gjyqe në asnjë rast. I Plotfuqishmi kishte vepruar drejt që e kishte mbyllur atë çështje delikate me disa shpulla edukuese. Bravo i qoftë!

Azizi, pasi vari një revole të rëndë e mjaft të madhe, e shtrëngoi fort rripin e mesit, u ngrit. Duhej se po bëhej gati të dilte nga zyra.

- A shkojmë nga shtëpia tani, or mik? – e ftoi natyrshëm si ta kishte të njohur prej vitesh. - Këtu e mbaruam punën, besoj. E kemi një farë hoteli këtu, po atje natën të ngrehin çimkat në hava. Edhe dyshekët kutërbojnë naftë, hotel traktoristësh, - e shpërfilli krejtësisht Azizi.

- Mendoj të kthehem në qytet, - u mëdysh Iljazi.

- E pse me kaq ngut? Qytetin aty e ke, o mik, edhe sot edhe mot, - i kundërshtoi Azizi. Pastaj si kot shtoi: - E kam rojtur një ftujak të mirë për mysafirët. Sa të pijmë nga nji kafe e nga nji duhan, Resmija e ka therun dhe e ka pjekun.

Ftujaku e anoi peshoren nga ana e Kurorës. Drejtorit iu kujtuan fjalët e Kryetarit të Degës për të Plotfuqishmin e Kurorës.Tani që verifikimin e kishte mbaruar me sukses pse të mos e hante darkën në ato bjeshkë te freskëta?

- I dhashë një gjysmë premtimi kryetarit për sonte, - tha shkarazi Drejtori i Hetuesisë.

- Hiç mos ki dert, se po e ftojmë të vijë këtu, - e qetësoi Azizi. - E kam bash mik.

Kuptohej për cilin kryetar qe fjala. Azizi filloi të rrotullonte dorëzën e telefonit.

- Alo? Dega e Brendshme? Kryetarin desha... Kush e kërkon? I plotfuqishmi i Kurorës, Aziz Xhediku i thuaj!


17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page