top of page

VENDLINDJA IME KROPISHT ME 13 KISHA – VENDI SHENJTË PELEGRINAZHI NDËRKRAHINOR I KRISHTËRIMIT


Qatip Mara

17 km nga qyteti i Vlorës, Kropishti është një perlë e bukurive natyrore dhe një fshat me pasuri të paçmuara të kujtesës dhe gjurmëve hitsorike. Kufizohet me pronësi toke nga veriu me fshatrat Vezhdanisht e Treblovë, nga lindja me fshatrat Gërnec e Hysoverdhë, nga Jugu me Mavrovën, nga perëndimi me Drashovicën e Peshkëpinë. Midis luginës së poshtme të Shushicës dhe luginës së Vllahinas shtrihen kodrat e Kropishtit. Pa shkuar në qendrën e Vllahinës, në krahun e djathtë të rrugës nacionale, shfaqet lagjia “Kala” e Kropishtit-Vendlindja ime. Lagjia “Kala” është vetëm një e katërta e fshatit Kropisht, tre të katërtat janë përballë Drashovicës. Sapo lë prapa Urën e Drashovicës, në të majtë të rrugës automobilistike, një rrugicë e kalldrëmtë ngjitet lart, e cila të shpie në një labirinth kodrash të lidhura sup më sup, me vështrim nga lugina e Shushicës. Midis këtyre kodrave, në prehërin e tyre zgjatohen lagjet e gurta Komlysh, Dosaj e Janaj. Çdo lagje e rrethuar nga kodrat ngjan me një kështjellë natyrore. Përpara se të kalosh nëpër sokakët e rrugët që lidhin lagjet, të befasojnë qafa të ngushta e maja që zgjaten përpara, si për të të përshëndetur e për të të uruar mirëserardhjen. Maja e Gallaveshit, Kodrat Seitaj, Komlysh, Qafa e Gurit e Maja e Lutroit kanë shërbyer si kulla vrojtimi ushtarak. Në luftërat e kaluara, kurrizi kodrinor Mavovë- Kropisht ishte i lakmuar për të gjitha forcat ushtarake, sepse kishte një horizont mjaft të gjerë shikimi. Prej saj kontrollohej mjaft mirë Lugina e Shushicës dhe Lugina e Vllahinës, komunikohej në vijë ajrore me Kaninën, Sherishtën, Vezhdanishtin , Treblovën e në lindje me Gorrishtin..

Historia e Kropishtit është shumëshekullore. Pak shkrime kanë hedhur dritë mbi të kaluarën e tij, për shkak të zhdukjes së dokumentacionit. Kropishti është fshat me moshë ilire. Historiani i Antikitetit, Polibi e ka pasqyruar në veprën e tij me emrin “Kropia”. Megjithëse është vështirë për të bërë një identifikim midis emërtesës së lashtë “Kropia” dhe Kropishtit të sotëm, janë me interes gjurmët që kanë mbetur nga lashtësia në territorin e Kropishtit. Në qendër të fshatit Kropisht është nxjerrë një bllok i madh paralelopipeidal dhe më në lindje janë gjetur gjurmë mozaiku. Në kodrën, ku dikur ngrihej kisha e Arapit, u zbulua një bazament prej guri gëlqeror që i përket shek. IV- VI të erës sonë. Njëhohësisht në Kropisht është zbuluar statuja e perëndisë së pjellorisë, e cila ndodhet në muzeun e Vlorës. Në veriperëndim të Kropishtit gjenden blloqe gurësh paralelopipeidal me dimesione të ndryshme .

KALAJA E KROPISHTIT ( KROPIA ANTIKE)

Në kohën e mbretërisë së Zogut, me anë të një vendimi të qeverisë zogiste, Kropishti është quajtur Fierzë, për shkakun se bënte pjesë në vendet e shenjta të pelegrinazhit në Lumin e Vlorës, ku veçohen disa prej tyre si: Tempulli i Lutrojt në Kropisht, Kisha e Asomatit (kisha e Mëne) në Velcë, Manastiri i Shën Gjergjit në Brataj, Lëmi i Lejlerëve (mali i Bogonicës) etj. Përvec rrënojave të kalasë mesjetare, në këtë vend gjenden shumë rrënoja të kishave mesjetare (mendohet se kanë ekzistuar 13 kisha), ku do të veconim kishën në majën e Lutrojit, kishën në Xhivodere dhe kishën e Kramastojit.  Në majën e Lutrojit, e cila ndodhet mbi një kodër në perëndim të fshatit Kropisht, janë të dukshme rrënojat e një tempulli antik prostil, ku bazamenti i tij ruhet i plotë. Mendohet se mbi rrënojat e tempullit ka qenë e ndërtuar një kishë. Kisha në Xhivodere ndodhet në jug të fshatit , në majën e një kodre të quajtur Xhivodere. Muret e saj janë të ruajtura pjesërisht në nivelin e sipërfaqes. Kisha ka një nefshe me gjatësi 14,70 m x 8.90 dhe një absidë 6.40 m.Në Muzeun Historik të qytetit të Vlorës gjenden disa artefakte të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike në fshatin Kropisht.Kalaja antike e Kropishtit ndodhet në vendin e quajtur Llutroi, ndërtuar në periudhën romake. Ajo përbehet nga gurë 24 x 2 x 5 cm. Ky lloj fortifikimi ka formë katërkëndëshi me sipërfaqe 250 me 180 metra. Në pjesën më të madhe gjerësia e murit është 1,2 metra. Në majën e Lutrojit janë rrënojat e dukshme të një tempulli antik prostil, ku bazamenti i tij ruhet i plotë. Mbi rrënojat e tempullit ka qënë e ndërtuar një kishë.

Maja e Lutrojit ka qenë vend i shenjtë pelegrinazhi ndërkrahinor e krishtërimit. Ajo ka luajtur rol të rëndësishëm, jo vetëm për religjionin e fesë së krishterë, por edhe për të rritur ndjenjat patriotike e forcimin e lidhjeve të bashkësive krahinore dhe ndërkrahinore. Fjala lutro vjen nga greqishtja “loutro”- uji i pagëzimit. Për kuptimet e kësaj fjale shih: R.Miller, A Historical and Theological Look at the Doctrine of Christian Baptism, Në “Majën e Lutrojit” gjenden rrënojat e dukshme të një monumenti tepër të rëndësishëm. Fillimisht ai ka qenë një tempull i tipit me ante, ndërtuar me blloqe të gdhendur guri, të shek. IV-III p. Kr., kurse më vonë mbi rrënojat e tempullit janë ngritur muret e një kishe mesjetare, të paktën që nga fillimi i shek. XIII Historiani bizantin Androniku II Paleolog, në vitin 1307, në dokumentat “kristobulat e mëparshme Peshkopatës së Kaninës”, përshkruan Majën e Lutrojit si vend i shenjtë pelegrinazhi, me emrin e fshatit KOPRISHTA (Kropishta), e cila ka qenë pronë e Peshkopatës së Kaninës. Të dhënat që lidhen me krishterimin e hershëm apo atë të zyrtarizuar në Antikitetin e vonë dhe Mesjetë, si për shenjtët apo vendet e shenjtë të pelegrinazhit, janë të pakta dhe të pamjaftueshme, për të nxjerrë përfundime për rolin që ata kanë luajtur në kontekstin gjeografik dhe kohor. Historia e kultit të martirëve të hershëm dhe e shenjtëve, në territorin ku banojnë shqiptarët, është një pleksje midis atyre që kanë vepruar apo janë martirizuar në vendet e Lindjes (apostuj dhe martirë) dhe martirëve, të cilët kanë vepruar brenda këtij territori apo që kishin ndonjë lidhje me të. Pak prej tyre kanë vazhduar si vende pelegrinazhi, disa kanë marrë ngjyrime sipas religjioneve të praktikuara në periudhat përkatëse, kurse në të tjerat, praktika është ndërprerë dhe identifikimi i këtyre vendeve sot kërkon gërmime arkeologjike. Në gjurmimin e vendeve të shenjta një rëndësi të madhe ka toponimia, e cila në shumë raste të çon në zbulimin e tyre: Shën, Shin, Ajo, Sotir, Sebaste, Sevaster, Lutroj, Asomati, Frakull, Osnat, Bog (Bogonicë), etj. Vetëm në gjysmën e dytë të shekullit XX, nga ndalimi me forcë i ushtrimit të fesë, pelegrinazhi i organizuar në vendet e shenjta u ndërpre plotësisht dhe kjo solli pasojat e saj. Pas rifillimit të ushtrimit të fesë, shumë nga vendet e shenjta lokale, ku pelegrinazhi edhe më parë kryej nga një numër i kufizuar pjesëmarrësish, nuk u përdorën më si të tilla.

Në jug të fshatit, në qafën e Jane ka ekzistuar një varr monumental.

Materiale të tjera dëshmojnë se në Kropisht ka gjurmë jete që në shekujt e formimit të shteteve ilire, gjurmë të cilat vazhdojnë edhe në shekujt e parë të epokës sonë. Ushtria romake, me topuzë e katapultat me squfur e zift, i kishte goditur këto qafa e maja. Historinë e tregojnë mirë këto brigje. Nga maja e Gallaveshit deri në majën e Lutroit ka vetem hendek-lidhje dhe pozicione luftarake të të gjitha periudhave të luftës. Akoma edhe sot këto hendek-lidhje kanë mbeturinat e municioneve të përdorura, sidomos bomba e gjyle, që kanë gjymtuar kalimtarë të rastit. Nga kodrat e Kropishtit, shtabi i luftës drejtoi operacionin ushtarak në betejën e Drashovicës, të vitit 1920.

Nëpër kodrat e Kropishtit, në çdo gur e lis, fle një ngjarje, rrëfehet një bëmë trimërore, shkruhet një episod historie. Kur ecën këtyre brinjave e kodravem, të duket sikur jehojnë këngët e Luftës, këngë kushtrimi e betejash.Tek maja e Lutroit, në shtatorin e vitit 1943, artileria e Ushtrisë Antifashiste goditi ushtrinë naziste në Drashivocë, Kaninë e Sherishtë.Trimëria e Kropishnjotëve shkëlqeu me tërë madhështinë e vet, si kudo në atdheun tonë, në vitet e Luftës Antifashiste. Dhe trimat e Kropishtit rrokën armët për liri. U inkuadruan në brigadat partizane bijtë kropishtjot, duke luftuar për çlirimine atdheut. Me zemër trimërie e shpirt atdhedashurie u betuan për të luftuar kundër pushtuesit nazi-fashist. Mjaft prej tyre u shquan për trimëri dhe heroizëm. 11 prej tyre flijuan jetën për çlirimin e atdheut. Më 14 shtator 1943 dha jetën për liri në luftën e Drashovicës dëshmori i parë i Kropishtit Ferik Aliaj dhe në vazhdim në beteja për çlirimin e atdheut nga pushtuesi nazi-fashist dhanë jetën për liri djemtë kropishjotë Hakim Kananaj, Belo Sheme, Medin Hoxha, Meçan Alikaj, Medin Selfo, Bektash Isaraj, Lilo Isaraj, Xhemil Beqiraj.etj. Nder e lavdi këtyre bijve qëndrestarë, që u flijuan në altarin e lirisë! Kropishti do t’i ketë përjetë kurorë krenari dhe malli të pashuar…

Kropishtjotët kishin pritur me gëzim çlirimin e atdheut.Filloi epoka e pasluftës, e zbatimit të reformave të para dhe Kropishti zhvilloi veprimtarinë ekonomike bujqësore-blegtorale. Të gjitha livadhet, që mereshin me qira nga blegtorët e zonave malore, për të dimëruar bagtitë nga stina e ashpër e dimrit, u shndërruan në toka buke. Mënyra e jetesës filloi të kolektivizohet. Lindën forma të reja komunikimi zytar. Ndryshoi jeta e individit. Jeta kolektive imponoi ndryshimin edhe në familje. Kolektivizimi solli ndryshime në ndërtimin e rrugëve, shkollave, objekteve të tjera social-kulturore. U ndërtua mapo tregtare. U ndërtua shkolla e re tetëvjeçare. Shumë familje nga lagjet e vjetra erdhën me banim në lagjen e bukur Kala.

Me ndryshimet e sistemit politik, pas vitit 1990, u shkatërruan kanali vaditës, stallat moderne te stacioni i Kropishtit. Djemtë e kropishtit emigruan jashtë në Europë, duke grumbulluar të ardhura financiare dhe kanë bërë investime në pronat e tyre në vendlindje. Kodrat e Kropishtit janë stolisur me ullinj e hardhi, shtëpitë e reja, modern, i japin një bukuri të rrallë fshatit.

Kropishtjotët janë të zotët e punës, të këngës dhe bujarë e mikpritës.

Qatip Mara

Nju Jork 08 korrik 2020












415 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page