top of page

VASO PAPAJ: “MODERNËVE”

  • 8 hours ago
  • 2 min read

Ndalese mbi poezinë “Modernëve” të Vaso Papajt

 

Poezia “Modernëve” është një kritikë e ashpër ndaj asaj që poeti e sheh si deformim i letërsisë dhe i artit nga modernizmi i pandërgjegjshëm. Papaj nuk sulmon artin si vetëvlerë, por atë që ndryshon thelbin e tij duke ia imponuar stilin, gjuhën dhe kontekstin modern pa respekt për traditën dhe shpirtin e lexuesit. Në rreshtat e parë, autori e quan këtë transformim “injeksione fjalësh gjer në anglisht”, një metaforë e fuqishme për futjen e huazimeve dhe terma të panatyrshëm që largojnë lexuesin nga rrënjët e tij kulturore. Duke e fshirë Homerin, Danten, Petrarkën, Shekspirin, Tolstoin, Gëten, Fishtën, Eseninin, Pasternakun, Mjedën, Migjenin, Lasgushin, poeti shpreh se shumë modernë i marrin historisë, emocioneve dhe dimensionit estetik të poezisë për të krijuar një produkt të shpejtë e të lehtë për kohën e sotme, por duke humbur thelbin e saj.

Pjesa ku ai i krahasojnë këto ndërhyrje me trenin që “mezi ecën” dhe stacionet ku hipin e zbresin të njëjtët udhëtarë, është një metaforë e mençur për letërsinë tradicionale që ka ritme dhe mënyra të natyrshme për t’u përjetuar, ndërsa modernizmi shpesh e kthen atë në rutinë dhe artificialitet. Përmes imazhit të pallateve me shigjeta dhe personazheve modernë, Papaj denoncon përpjekjen për të bërë artin “bashkëkohor” duke e zbukuruar sipërfaqësisht, pa ruajtur shpirtin dhe të vërtetën që i përket lexuesit. Në fund, poeti kthen vëmendjen tek fuqia e poezisë së vërtetë: ajo është qëndresë, nuk njeh harresë, dhe nuk vdes. Është një forcë që flet si Perëndi, që nuk mund të zhduket nga asnjë trend, modë apo presion për modernizim. (F.T.)

 

VASO PAPAJ: “MODERNËVE”

 

 

Ju doni të transformoni artin,

I keni shpikur plakjen letërsisë,

Komunikimit fatkeqësisht,

Gjuhës së nënës, gjer poezisë…

I bëni injeksione fjalësh gjer në anglisht.

Ia fshini asaj Homerin,

Dantes - parajsën, purgatorin e ferrin

Petrarkës - sonetin,

Shekspirit-Hamletin,

Tolstoit, Gëtes, Fishtës - madhështin,

Eseninit, Pastёrnakut - dhimbjen,

Mjedës - Ëmbëlsinë.

Migjenit, ngjashmërinë me kometën,

Lasgushit, nositin dhe magjinë

Njeriut ia mbani larg të vërtetën

Shpirtit të tij ia ndotni bukurinë.

Ju artin e shihni si një tren të vjetër,

Që mezi ecën,

Ndaj duhet ndërruar me tjetër.

Se, edhe tek ndalet stacioneve,

Sikur hipin e zbresin të njejtët udhëtarë.

Doni t’i ndryshoni ndopak?

T’u vini fjongo për kollarë?

Të kthehen personazhe modernë, të paparë.

Të ndriçojnë ndyshe, poshtë e lart,

Që gjithmon sahati t’u bjerë shtatë.

Të kthehen si pallatet me shigjeta: fasadë?

Njerёz tё ngratё?...

Po, poezia e vërtetë ka qenë dhe është qëndresë,

S’njeh harresë, dhe kurrë s’ vdes.

Ngjan Perëndi dhe me zërin e asaj flet.

Askush nuk e ka fuqinë ta thajë këtë det.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page