top of page

Vasil Klironomi: Në vjeshtën e Vivaldit

May 23
3 min read

Tregim

Kushtuar shokun tim të fëmijërisë

            Aleksandër Baka

Të shtunën, aty nga ora nëntë paradite, hyra në metro dhe kur tramvaji nëntokësor kaloi fonderinë e lashtë të derdhjes së statujave, futa dorën në xhep, për tu siguruar në se kisha  me vete kartën bankare. Më pas, tramvaji kaloi ndan kompleksit të banjave romake dhe që andej përgjatë varrezave që ruanin kohën e njëjtë me atë të mikenasve. Pas  pesëmbëdhjetë minutash, dola prej stacionit, për tu ngjitur me ashensor në sheshin  Omonia. Në fillimet e tij, ky shesh u quajt Sheshi i Pallateve, më vonë mori emrin e mbretit Otto, monarkut nga Bavaria; në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi, humbi nocionet. Tregtarë ordiner, nga Azia dhe Afrika, shisnin sende të vogla të përdorimit të përditshëm; prostitutat nxirrnin në pah të fshehtat e trupit, ndërsa nën hundën e ekipeve të policisë, kokaina ndërronte duar. Në këtë shesh historik, por dhe famëkeq ku gjuha e vendasve flitej e cunguar nga të huajt, emigrantët shqiptarë kishin qoshkun e tyre.

Atë ditë veç shokut tim të fëmijërisë nuk doja të takoja asnjë të njohur. Sa e pash, ngrita dorën për t’ i dhënë pëllëmbës kuptimin e një treguesi vertikal dhe kur u afrua, qëndruam një copë herë më këmbë të heshtur. S’ ngopeshim duke parë njëri-tjetrin; si u përqafuam, i dhashë drejtim për në  godinën përballë ku veç një sërë dyqanesh me artikujt kozmetik, në katin e shtatë, strehonte dhe mjedis të ngrohtë;  bibliotekë e mure të zbukuruar me miniatura. Kafja shërbehej nga  vajza me përparëse të bardha, ndërsa në një cep pakë të ndriçuar, luante në violinë një bukuroshe flokëlëshuar. Ambienti që zgjodha shkonte shumë me dëshirat e shokut tim të fëmijërisë dhe mu kujtua mënyra se si vishej, si sajonte  brenda një romantizmi edhe pse të gjitha ato që tregonte, ishin pjella të përfytyrimeve. Këtë pasion e ruajti dhe e pasuroi në jetën e tij prej Skënderbegasi. Pasi mbaroi shkollën tetëvjeçare, i ati e futi brenda kapotës së ushtarakut dhe në rrëfimet e tij, romantizmi u bë një me aventurën. Sa herë kthehej nga Tirana për pushimet e verës, repertorit  i shtoheshin bëma me mbesa heronjsh dhe vajza ushtarakësh me grada të larta; bile një verë, më tregoi për profesorin e tij të famshëm; si me miken, e merrnin nga burgu dhe pas shpjegimit të mësimit, e çonin  përsëri në  ndërtesën e posaçme ku vuante heqjen e lirisë.

Ndërkohë, shoku im sikur të më kish lexuar kujtesën reagoi:  -Unë që nga fëmijëria, e përdora shumë fantazinë, ndaj dhe abuzova me të në rrëfimet e mia.

-Po, e ndërpreva, por rrëfimet e tua kishin kuptim të njësishëm e të figurshëm dhe për ta bërë bisedën  më intime, i përmenda një suksesin e tij të dikurshëm. Më pas, si porosita dy uiski Dewar's , nëpërmjet kamerieres, i dërgova violinistes një verë të ëmbël dhe kërkova prej saj, të luante një pjesë të stilit Barok. Violinistja gjatë interpretimit, e dhënë e tëra pas lojës, u bë një  perlë e çrregullt. Duart i harliseshin mbi violinë, ndërsa flokët fituan shtrirje në kohë. Supet e brishta, i dhanë trupit  trajtën e një varianti ri e  të parregullt.

-Ky realitet më tha Pirroja pas përshëndetjes që i dërgoi violinistes, e kalon fantazinë time të dikurshme. Një çast, u përqëndrua në një pikë të vetme.-Ç’ është? E pyeta

-Ç të jetë, m’u përgjigj etuziast. E shikon violinën? Ka firmën Stradivari. Ato violina sot kushtojnë miliona dollar.

- Ç’ thua? Reagova me habinë time dhe mendja më shkoi në trillet e tij adoleshente.

- Druri i saj është marr nga katedrale të vjetra, shtoi duke më futur më thellë në dyshimin tim. Një teori e re ia atribuon cilësinë, pyjeve të dendura të Kroacisë dhe aktivitetit jashtëzakonisht të vogël diellor; të ashtuquajtur dhe “Epoka e Vogël e Akullnajave.”

-Po ti je ushtarak, çne  aq njohuri për këtë vegël harkore? E pyeta përsëri, pa mundur të fsheh kureshtjen.

-Ke për të mësuar shumë nga unë ma ktheu dhe çukiti gotat. Kur u çuam nga tavolina, i shkuam artistes pranë dhe e pyetëm për firmën që barte violina.

-E kam shkruar me dorën time u përgjigj duke qeshur; megjithatë, mund të krenohem për jetëgjatësinë e saj, se e kam të trashëguar nga gjyshja që kish studiuar në Vjenë dhe luajti me të në Kalimarmaro për çeljen e olimpiadës më 25 Mars të vitit 1896. Shekullin që shkoi me këtë violinë, nëna ime luajti në Skala të Milanos ku nga ritmi, morën flakë duart e spektatorëve. Ka histori violina ime shtoi duke qeshur përsëri dhe na përcolli me një pjesë nga “Katër stinët” e Vivaldit. Pikërisht me “Vjeshtën” që ato ditë në Athinë, kish filluar të hidhte gjethet prej pemëve.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page