top of page

Vasil Klironomi: KANARINA

  • 4 minutes ago
  • 2 min read


Zogu pupulosh, i bukur e këngëtar me trup trumcaku ose “Verdhacukja” siç e kish pagëzuar nënë Zanafilla, mbushte shtëpinë dhe trazonte ajrin me rrahjen e krahëve. Derëza e kafazit, nuk mbyllej edhe kur dritaret e shtëpisë ishin të hapura; merrte pjesë në të gjitha bisedat, duke kërcyer në supin e çdonjërit që fliste. Askush në familje nuk mund të përfytyronte si mund të jetonte atje jashtë ajo engjëllushe.Njeriu më i dashur i saj ishte Rakela. Ajo i pastronte kafazin, ajo i ndërronte ushqimin dhe ujin;  pasi e lante, e fshinte me pecetën e ngrohtë, të mos ftohej. Akoma dhe folenë që kishin ndërtuar enkas për të në degën e një ulliri të varur poshtë tavanit, Rakela  e sistemonte. Ushqimi më i preferuar ishte veza e zier, patatja e ëmbël dhe karota e bluar; i pëlqenin shumë dhe farat e lulediellit; me zhveshjen e farave, lojcakja harrohej.  Çastet më të bukura ua dhuronte kur zgjoheshin. U rreth-rrotullohej mbi kokat dhe këndonte; këndonte dhe rreth-rrotullohej, sidomos kur Jakobi dhe Rakela me puthjet uronim mirë-mëngjeset. Pastaj shkonte në dhomën e filloristëve; lumturinë u këndonte; ajo u mësoi si lumturia këndohet.Një ditë lyen shtëpinë; që të thahej, hapën dyer e dritare. Bëri korrent dhe nga përplasja e derës së jashtme Verdhacukja e trembur, u gjend jashtë e pa mbrojtur. Ku e çoi era? Dolën dhe e kërkuan pemëve; nuk mund të besonin se Verdhacuken e humbën!Rakela qante:- do të gjej strehë për të fjetur? Pyeste!Të nesërmen, ekspozuan fotografinë e saj nëpër stacione, por zilen e telefonit nuk e dëgjuan dhe s’ kish se si se të gjitha kanarinat, i ngjajnë shumë njëra tjetrës.Pas dy muajsh, si u siguruan se nuk do të kthehej, menduan për një kanarinë  tjetër. Shkoi Rakela në fermën e shpendëve këngëtar dhe punonjësja interpretuese, skanoi në ekran shumë kanarina.-Kryesisht vijnë nga fshatrat fqinj, të rrahura nga të ftohtit dhe erërat; të plagosura nga grabitqarët sqaroi punonjësja. Shpesh, largohen dhe nga shtëpitë këtu afër; të përndjekura. Ja, e shikon kanarinën pa pupla? Është e frikësuar. Ka rreth dy muaj që ka ardhur dhe asnjëherë s’ ka kënduar.

                                                                       Vasil Klironomi

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page