Vangjel Zafirati: RINGJALLJE
- 12m
- 3 min read

RINGJALLJE
Vështrim i druajtur,
i ankthshëm i gruas së re,
kurm i ngrohtë,
i skllavëruar i vejushës.
Vështrim ngadhënjyes
i gruas
që shkeli mbi vdekjen,
ringjallje
e gruas veshur me të zeza.
LËNDINË E GJELBËRUAR
Nuk fliste...
E pashë
tek vështronte e heshtur
manushaqet e brishta,
lulëkuqet adoleshente,
valsin e luleverdhave
në lëndinën e gkelbëruar.
Dora e saj pezull
drejt luleshqerrave të zhveshura,
lulekëmborave të virgjëra,
drejt ciklaminëve të druajtur.
Nuk fliste...
Vështronte tutje, e menduar...
Të vetmet që flisnin,
ngjyrat
në fytyrën e saj!
SHEGË E VJESHTËS
Shkopsiti
bluzën e verdhë të trishtimit
dhe flladi
i vjeshtës ia mori me vete.
U drithërua e tëra,
u rrëqeth fillikate
në kopshtin e përflakur të vjeshtës.
Në tokën e butë
i binte fustani i hollë
gjethe pikëllimi.
Ashtu,
e lakuriqtë dhe e përndezur
mes flakëve të shegëve shpërthyese,
në vetmi,
tej gardhit digjej e tëra.
I dyzuar
në mes të rrugicës së vjetër,
i pavendosur,
vështroj i druajtur
si digjet një pemë vjeshte.
MËNGJES VERE
Harkoi trupin
mbi valët e Jonit.
Harknajë vdekjeprurëse
në duart e mëngjesit.
Përqafoi dritën,
shtriu duart, buzëqeshi.
U zhyt...
U ça cipa e dritës,
e kaltra e detit.
Pak shkumë,
edhe rënkimi i momentit.
NË ORIKUM
Aq e madhe dhe e pafundme ishte qetësia,
sa nga thellësitë e kohës
e nga deti i paanë
dëgjoheshin llokoçitjet e ujit nga rremat
e zërat e argonautëve të lodhur.
Ishte e madhe
qetësia, hipnotike dhe e pashpjegueshme,
aq sa hëna
zbriti pa drojë dhe eci këmbëzbathur
në bregun onirik,
rërës së virgjër.
Nga qiejt
një lumë drite
vërshoi papritur,
një ujëvarë
e papërmbajtur na mbuloi.
E vetmja gjë që pamë,
ishte një zbardhëllim i lulëzuar,
i qeshur që na foli,
herë këlthiste i ngazëllyer
si zog i vogël pulëbardhe,
herë ndrinte larg nesh
në direkët e anijes së mitit.
Po ne, thanë miqtë e mi,
me gjithë këtë dritë ç’të bëjmë?!
KUAJ DETI
Për ku u nisën që pa zbardhur,
ku venë
një mijë kalorës shkumëbardhë,
të çmendur mes dallgëve të Jonit.
Shfryjnë kuajt, shkumëzojnë
të stërlodhur
në këmbët e Keraunëve hijerënda.
Për ku u nisën mes stuhisë
një mijë kuaj jelebardhë?
Në brigjët shkëmbore
shkëlqejnë rrufetë,
Zeusi i frikshëm udhët u ka prerë.
SHKRETI
Nën hijën e rëndë të kështjellës së shkelur
pemë të përzishme në pikëllimin e pasditës,
plaka të heshtura, shamizeza që
dalin nga lutja mbrëmësore.
Nën muret e rrënuara
rrëqethshëm
vajton kalorësin e vet kali i legjendës.
Në avllitë
e mbuluara nga bari i harresës
thërras emrin tënd...
Heshtin
shtëpitë e vjetra e bujare,
oborret e trishta,
aromëzon borziloku i mallit
në shtegun e njohur të kujtesës.
KISHËZ E PAQTË
Kishëza e paqtë,
në prehër të shkëmbit.
Ngushëllimi i vetëm
flakëza e zbehtë,
e përzishme
e qiririt fillikat.
Edhe ai,
kalimtari i panjohur i perëndimdiellit,
që nga rrënojat e kishëzës
komunikon me Zotin.
Edhe ai,
kalimtari i panjohur, mbrëmësore
që me përmallim dëgjon
jehona të largëta,
rënkimin, dëshpërimin e thellë
të një shpirti.
MELANKOLI
Pemë e ngjyer
nga trishtimi i një gruaje në pritje
apo nga vështrimi
i kalimtares së panjohur.
Melankoli e ëmbël,
trishtim i dëshiruar
që më ndjek.
NË SHTRATIN E SAJ
Rrëshqiste e qeshur,
përdridhej,
ndrinte e tëra.
Herë shtirej e fjetur,
herë zgjohej
nga një vallëzim ngazëllues
të çmendur.
Iu afrova,
e preka.
Lëvizi, u drithërua...
Psherëtiu e përhumbur,
rënkoi,
dha shpirt
në shtratin e gjelbër.
Megjithëse asnjëherë
në të njëjtat ujëra
nuk zhytem dy herë,
Vjosa më mban peng.








Comments