top of page

BURSA ME KLEÇKE, GOGUA DHE REMZIU


Mentor Serjani

Ishte viti 1968, kur vëllai ynë i dytë; Ajeti, do te fillonte mësimet në shkollën e mesme mjekësore ne Vlorë. Babai i tha vëllait të madh,Idealit të interesohej për një vërtetim nga ana e seksionit te arsimit. Në atë kohë në vend te Dhroso Kiços, kishte shkuar Gëzim Dusha,një kuadër i përgatitur, por edhe ndihmëtar e njerëzor. Ishte nga Fterra. Po kështu edhe drejtori i mjekësores së Vlorës,ishte fterjot, Rakip Korkuti. Me mamanë time ishin nga një fshat. Nga këto rrethana shpresonim të merrnim ndonjë të drejtë studimi. Ideali shkoi,u interesua dhe Gëzimi i lëshoi një vërtetim,por vertetimi kishte një kleçkë, e cila nuk i interesonte drejtorit, por e dëmtonte. Në fund vërtetimi mbaronte me fjalët:- <<...të pranohet po ka vende>>. Drejtori i kish thënë babait, në Vlorë, më vonë, se ç'i duhej Gëzimit, se kam apo nuk kam unë vende, kështu ai me vështirëson mua. Megjithatë edhe Gëzimi i kish thënë Idealit, se unë e kam përmbushur planin, prandaj nuk e lëshoj dot ndryshe,por mbase ta bën Rakipi këtë të mirë, se jemi nga një anë. Këtë vërtetim <<me bisht>> e kuptoi edhe babai,por ç'të bënte, do përpiqej.

Vëndet në shkollë(klasë) gjëndeshin pasi futeshin treshe,por problem ishte konvikti,jo vetëm për të ngrenë,por edhe për të fjetur. Me rrethanat që u krijuan më vonë dhe me ndërhyrjet që u bënë,prapë ishte ngushtë; s'kishte vende. Ndërhyrjet qenë nga Ruhi Bashari,që në atë kohë punonte në Ministrinë e Arsimit, si dhe një oficer marine, i quajtur Mehmet, që e kish te afërt kryetarin e Komitetit Ekzekutiv te Vlorës, Sihat Tozaj.

Nga këto ndërhyrje u bë e mundur pranimi në shkollë, megjithëse me vonesë (u fut në planin e edukimit). Për konviktin u vendos për në Jenar 1969. Deri atehërë flinte në hotel "Vjosa" dhe hante në restorante të ndryshme. Përballimi i ketyre shpenzimeve u bë duke marrë borxh dhe duke tërhequr paradhënie nga kooperativa. Këto borxhe u çitën avash-avash më vonë,kurse paradhëniet u mbajtën në fund të vitit. Babai, si njeri hovardar (i pakursyer) që ishte e ftoi një ditë drejtorin të pinin kafe te hotel "Sazani". Atje, del papritur edhe Gogo Mëhilli, shofer në atë kohë, në Ndërmarrjen Ushqimore Sarandë. Edhe ky interesohej për djalin Foron (Kristoforin). Duke pirë kafe, Gogua nuk rrinte rehat dhe i thosh babait gjith një:<<-Thuaj dhe një fjalë për Foron, aman!>> Me këto ndërhyrje Gogua të bënte edhe për të qeshur. Babai ynë, i prirur gjithnjë nga mirëbërësia i thotë Drejtorit edhe për Foron.- Aman more,- thotë drejtori,-ti s'ke rregulluar tëndin ende,kërkon edhe për të tjerët? Babai, i qetë,iu përgjigj: <<- Mikun e kam nga Piqerasi, është shofer, mund t'ju nevojitet për ndonjë gjë. -Ashtu?!- tha drejtori dhe u çel në fytyrë. Drejtorit i nevojitej një karro me rrota druri, për të furnizuar me fruta e perime konviktin, vaj,gjalpë,kos,qumësht etj. -Ta bie unë!- i tha Gogua dhe u ngrit më këmbë. -Kur të mundeni,- i thotë Drejtori. -Nisem që tani dhe nesër para dite e keni këtu. Gogua u nis menjëherë dhe në Delvinë ngarkoi karron, hodhën edhe gjysëm ngarkese luledielli, i hodhi mushamanë e zi, e karfosi me perona rreth e rrotull, më të katër anët dhe u nis për në Vlorë, për gjithë natë. Të nesërmen në mëngjes, karrua u gjënd në oborrin e shkollës mjekësore. Drejtori u kënaq shumë. Kështu edhe Forua u fut në shkollë. Pasi mbaruan punë Gogua me babanë u nisën drejt fshatit. Duke ikur rrugës babai donte te pinte një kafe, një raki, një duhan. Në fillim Gogua i tha se do ta pinin në Llogara. Erdhën në Llogara, Gogua tha prapë së ështe më mire ta pimë në Dhërmi. Erdhën dhe në Dhërmi, por prapë Gogos nuk i pëlqeu dhe tha se do ta pinin në Himarë. Edhe këtu prapë nuk i pëlqeu dhe i tha babait për në Borsh. Edhe ketu tha Gogua, se do ishte më mirë ta pinin në Piqeras, në fshatin e tij. Babait i kish ardhur në majë të hundës në gjithe atë rrugë të gjatë e të lodhshme dhe i tha Gogos:-- Jo,jo,po tani vajta në fshat,u', ç'më duhet kafeja në Piqeras! Dhe kështu mori fund kjo histori. Gogua ishte shumë punëtor dhe nuk ndalonte gjëkundi, se vonohej e i dukej se nuk do realizonte planin e ndërmarrjes. Nga historia e mësipërme u bëmë miq. Në vitet diktaturës nuk kishte makina dhe njerëzit mbeteshin rrugëve me orë e ditë të tëra. Një ditë u ndodha në Qafë të Gjashtës dhe isha për në fshat. Erdhi Gogua nga Delvina,ngarkuar me arka. Ishim shumë veta. Zbriti dhe mori dy-piqerasiotë përpara dhe pastaj hipi sipër në karroceri, më hapi një vend mua dhe u tha të tjerëve se ata të dy piqerasjotët i kishte të bënte, kurse për mua u tha se e kam djalin e mikut.Ky ishte Gogua që dinte si t'i donte dhe si t'i respektonte miqtë e tij.

59 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page