top of page

Tërmet !!


Petrit Malushi

Nga Petrit Malushi

Tërmet !!

Në të thellin gjumë janë njerëzia,

E rëndë nata, pas ditës me stres.

Befas lëkunden ndërtesat, shtëpia,

Ëndërra dhe jetë këputen në mes.

Solidaritet !!

Ndërtesa të shkërmoqura,

Pirgje gërmadhash.

Nën rrënoja

Klithma,

Zëra të këputur,

Rënkime të mbytura !

Tmerr !

Llahtar!!

Mbi rrënoja,

Heronj,

Luftëtarë,

Duar guximtarësh

Që luftojnë

Të shpëtojnë

Jetë në rrezik !

Shpresë !!

Bashkë, krah më krah :

Shqipëri, Kosovë,

Serbë, italianë,

Turq, gjermanë,

Grekë, malazes,

Maqedonas, estonezë,

Kroatë, francezë,

Bullgarë, hungarezë,

Rumunë, zviceranë.

Dhimbja shpirtërore

Shkrin kufijtë shtetërorë.

Gjuhë e përbashkët

Solidariteti njerëzor.

Për të mposhtur

Tërmetin gjëmëmadh !

Vëllezër !

Ende pa u davaritur

Shtëllungat e tymrave

Mbi rrënojat e ndërtesave,

Të gremisura

Nga tërmeti kobsjellës

I mëngjesit të zymtë,

Më njëzet e gjashtë nëntor,

Ja, mbrritën, Ata,

Vëllezërit kosovarë,

Si fajkonj, fluturim

Prej Prishtine e Peje,

Gjakove e Mitrovice,

Gjilani e Suhareke.

Dardania mbarë

Në të lashtin Durrës

Për të shpëtuar jetë,

Për të ndarë dhimbjen,

Për të mbështetur kokën

Mbi supet e tyre, shkëmb.


11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page