top of page

Të vetmuar dhe të egër





Tregim nga Fatmir Terziu


Është 8 Dhjetor 2023. Më pëlqen të rri më shumë në mjedis të hapur. Të qëndrosh jashtë është një shans unik. Unik për të lehtësuar mendimin në mungesën e peshës së të shkuarës, të tashmes dhe të së ardhmes që përshkon tinëzisht ekzistencën e tij në trupin tim, të ngurtësuar nga dimri në pritje. Shëtitja është një tjetër gudulisje me diell. Më prek në mënyrë të shpërqendruar, pa kërkuar asgjë nga unë. Pastaj një nxehtësi e butë, me rrezet e dritës së lehtë derdhet përreth dhe bota fillon të çelet me një sqep që troket rrënjët në guaskën e gërvishtur të globit tokësor.

E kështu mes mendimit, ata që dua, vërshojnë nga katër drejtimet e botës, të mbrojtur nga maja energjike e penës sime personale. Ka vend për gjithçka dhe për të gjithë. Dhe për një liqen mistik, në bregun e të cilit miku im i vjetër kap peshkun e artë të ëndrrave të tij të pensionimit, dhe për një livadh të pafund me gjelbërim smerald, ku jetojnë miqtë e mi, të cilët ende i kapin mendimet në ajër nga realitetet e tyre.

Kështu, Shevro kalon pranë një muri me trëndafila në kaskadë, ndërsa Veri merr qenin e vogël për një shëtitje në mbrëmje. Armandi tund një gotë roze në verandën e tij dhe perëndimi i diellit zhytet në kapuçin e gjelbër të Ullishtes. Pranë saj, një korridor i degëzuar i Krastës është në hije, dhe Nurja, i veshur me një xhaketë të bardhë, tregohet inkurajues.

Unë qëndroj për pak kohë. Tashmë këtë e bëj në më shumë se dykada, pa llogaritur kusurin që shkon në dy atre vjet të tjerë. Kjo është gjëja e mirë e qëndrimit. Nuk ka afate. Çdo gjë e pamundur është e mundur në të. Ndodh dhe nuk ndodh. Unë vendos. Vendos në lirinë time. Ik dhe kthehem kur të dua, dhe mbi kokë buzëqeshin sytë e babait tim, sytë e bukur lara-lara të nënës sime të dashur, me pika të errëta susami të spërkatura në dritë mjalti në prehjen e tyre të qetë, që tashmë mund të shkosh tek ta me një tufë lulesh nga një rrugë e re qytetëse, falë një investimi të fundit nga Bashkia e Elbasanit.

Ata po më shikojnë dhe unë po ujit lulet e freskëta që kanë mbjellur vëllai im dhe motra ime, të vetmit që kanë ende mundësinë të japin e marrin përditë me shpirtrat e tyre në vendlindje. Dy kova me ujë të ftohtë për të shuar etjen dhe dy shishe të tjera, dhuratë nga unë, për të derdhur edhe pak më shumë mall mbi mermerin e bardhë. Përmes syve të tyre në porcelan tashmë, si në një portret përgjithmonë, babai dhe nëna ime po më shikojnë në heshtje. Aq e mirë dhe e pakërkueshme sa mund të jetë vetëm dashuria. Pastaj jam mbushur plotë me lotë.

E kthej në një gotë kristali para se të shpërthejë. Unë kthehem shpejt në realitet dhe vazhdoj ecjen time nëpër një livadh të gjerë, në një realitet anglez të kufizuar nga një park natyror tipk të këtij vendi ishullor. Park i virgjër, pa parë sëpatë me sy, i zbukuruar, i kryqëzuar nga një shteg i rregullt, i shtypur me gjurmët e rrepta të patkonjve anglezë. Hap sytë si atëherë në rininën time, por edhe në këtë ditë të Rinisë, nuk gjeta kurrë një patkua në këtë shteg, se nëna gjithnjë më këshillonte lehtë e qetë të bëja një gjë të tillë për „syrin e keq!“. Dhe dihas … dihas… Dihatja shkon në krahët e zogjve që pafundësisht e kuptojnë lirinë e tyre…. Është 8 Dhjetor 2023. Dhe mendoj prapë për kuajt…

Unë mendoj se ata i mbajnë kuajt këtu siç duhet dhe klubi lokal i kalërimit e favorizon zonën për shkak të hapësirës së lirë në të cilën individët që ecin lirisht në këtë park natyror janë jashtëzakonisht të rrallë. Në fakt, ndoshta jam vetëm unë, nëse nuk llogaritet labradori i gëzuar, që mban me zell një degë të gjatë në oborrin e shtëpisë së bukur në fund të jeshilllëkut. Është një kilometër e gjysmë për të arritur atje. Pastaj një kilometër e gjysmë mbrapa. Tre kilometra sillen si të varur rrotull në një vijë të drejtë midis një vargu kuajsh të stërvitur dhe kalorësish që më presin me mirësjellje që të kaloj.

Anglishtja nga jashtë dhe Ballkani nga brenda. Kush mund të më thërrasë në kopsitje të së premtes së tillë, të 8 Dhjetorit, dy mijë e njëzet e tre, një vit më i shëndetshëm, pas sëmundjes që pësuan globalisht dy a tre vitet e mëparshme, më shum ë se sa mendimet që rrjedhin brenda heshtjes sime. Dhe shoh që Covid-19 tashmë gjykohet në sitën e Drejtësisë së një Kryeministri Britanik, për atë që ka bërë mirë dhe që ka urdhëruar keq. Dhe hesht duke u zhytur në vetvete.

Por së pari prek kalendarin që mbaj gjithnjë me mua në memorjen e celularit. Përndryshe nuk do të funksionojë! - them me vete. Epo, do të vazhdoj tani, sepse dua të vizitoj një mike të botës së lirë, të cilën e gjeta në shkurret e zhveshura para shtëpisë së bukur në buzë të parkut tre javë më parë. “Gjetja” është fjala e duhur, sepse atëherë ajo ishte e varur si një kukudh e rënë, e braktisur nga vetja, mes degëve të shtrembër dhe me gjemba të një hedhnaje metalike të gërvishtur. Dukej si një shpirt i nxjerrë përgjysmë nga një trup transparent, skeletor, i shtrirë në tokë në mosbesim për ekzistencën e Parajsës. Flokët e saj po fryheshin, të holla dhe të vyshkura në rrezet e diellit të papritur mbi livadh dhe rrjedhat e gjakut i rridhnin në krahët e saj.

- Këto janë autografet natyrale ,që nënshkruhen nga shkurret me gjemba - foli ajo me një zë të trashë të papritur – janë nënshkrime të vogla, të dhimbshme nga jeta.

E kuptova menjëherë se do të bëheshim miq nga e folmja dhe buzëqeshja e saj e mistershme. U përpoqa të gëlltitja pyetjen e sjellshme, se nëse duhet të telefonoja dikë që ta çonte në shtëpi.

- Nuk ka nevojë - më kapi për dore e panjohura, - le të flasim për ty. Çfarë po bën këtu pa kalë e pa jelek mbrojtës?

- Po rri, - e ndava me hare të errët mendimin tim, po ri si njeri i egër. Kërkoj fillin e mëndafshtë nga velloja.

- Pse është kaq e rëndësishme kjo fije mëndafshi? - Pyeti ajo pa asnjë lloj habie.

- Histori e gjatë, - iu përgjigja, - në fakt është një përrallë. A nuk doni akoma, që të telefonoj një nga të afërmit tuaj për t'ju ndihmuar? Si e ke emrin? Ku jeton?

- Unë ekzistoj. Jetoj e vetme në shtëpinë këtu, ja këtu pas meje - më ndërpreu „Gjetja“ ime e çuditshme - është mirë, apo jo? Përndryshe, në varësi të disponimit tim, unë jam Meremja, Merja, Meri, sikurse më thërrasin këtu prej dy dekadash. Ka disa muaj që e quaj veten me të tre, por vetëm kur më mungojnë shumë..., ata që më lidhën me një emër.

Përpara se të ngrihem dhe t'ia lëshoj dorën, një vajzë e shëndoshë, e djersitur, me flokë të hollë e të yndyrshëm në bisht, qëndroi para nesh.

- Zonja Dashuria - bërtiti gati me një gjysëm frymë - ja ku qenke! U çmenda duke të thirrur, të kërkova gjithandej, të kërkova disa herë nëpër oborr, isha gati të thërrisja policinë.

„Dashuria?!“ – fola me vete, i shpërqëndruar, i tromaksur, sikur të kishte ndodhur ndonjë shpërthim atomik në ndonjë ekran të madh, ndërsa sytë nuk dija nga ti drejtoja.

Pastaj, ajo vajza e shëndoshë ndërhyri menjëherë, më pa me sytë e saj të përskuqur nga frika e humbjes së njeriut që kishte në përkujdesje dhe shtoi:

- Faleminderit që qëndrove me të. Alzheimer, çfarë të bësh! Ajo humbet gjatë gjithë kohës, pastaj vjen në vete dhe më bën shaka gjithë kohën e mbetur, gati dhe gjithë natën, gjë që është jashtëzakonisht e padrejtë për pagën e vogël që marr.

- Pse je akoma këtu atëherë?- E pyeta i intriguar nga situata. Pse nuk largohesh që të punësohesh diku tjetër?

- Sepse më vjen keq. - Tha infermierja, - ajo ka ... ka… Por zëri i brishtë i asaj që tashmë ndodhej mes nesh e ndërpreu.

Pastaj me këmbëngulje gati më shpoi me një vështrim. Unë nuk lëviz nga këtu derisa të ma tregosh atë përrallë! Mund ta kujtoj për vetëm disa minuta, ose mund ta harroj përgjithmonë. Askush nuk e di. Ju jeni …, oh, ju jeni në rrugën tuaj.

- Njëherë e një kohë ishte një i vetmuar, - i thashë. Por unë nuk mund t'ju shpjegoj se çfarë është një i vetmuar. Ndoshta do të më kuptoni nëse ju them se të vetmuarit janë të pavdekshëm, sepse kanë qenë gjithmonë jashtë kuptimit të lirë. Për ata askush nuk ka menduar më shumë.

Fundja ishin në rrethim. Ishin si të thuash si ata …, si ata Zanat e Pyllit që jetonin në pyje sepse bota njerëzore i trembte. Ata donin të këndonin dhe të kërcenin. Ata vareshin përreth dhe kush i shihte vdiste në vend, ose e kundërta binte në dashuri me ta.

- Oh, më ndërpreu zonja Dashuria, pra po vdiste dikush përsëri? Dije pra, se Dashuria është vdekje, pavarësisht se çfarë thonë...

- Diçka e tillë - pranova menjëherë, - por dikur ndodhi krejt e kundërta. Një djalosh i vetmuar, që bënte shërbimin e detyruar ushtarak në kufi mes dy shteteve të ndarë padrejtësisht, por që flisnin të njëjtën gjuhë, pa një vajzë të re, të pashme, shtojzovalle mali dhe ra në dashuri me të. Në të njëjtin moment, ajo ndjeu se çfarë ishte vdekja, sepse e kuptoi që nëse donte të ishte me të dashurin e saj, duhej t'i jepte atij lirinë. Dhe liria e saj u fsheh në mënyrë magjike në vellon e saj transparente. Ajo ia besoi djalit dhe ai, duke e ditur se do ta kalonte jetën si e vetmuar, e murosi në një vend të fshehtë në murin e shtëpisë së tij, duke lënë vetëm një fije mëndafshi të padukshme si shenjë e lirisë së saj të humbur. Diva ka qenë në kërkim për këtë fije që atëherë. Sa herë që ndihet shumë i trishtuar në botën njerëzore, largohet dhe beson se një ditë do ta gjejë… Ata mbetën sikurse thuhet dhe sot të vetmuar dhe të egër… Ishin të rrinj atë kohë… Eh, të rrinj ishin… Të vetmuar e të egër?!

Nuk e di pse mu kujtua ai humori i xha Braçes kur ishte i shtruar në spital në moshën 60 vjeçare dhe kur dilte para pasqyrës dhe i thoshte vetes: “A je anëtar i BRPSH-së, o Brahim, vallahi?” Dhe po vetë i përgjigjej vetes menjëherë: „Po vallahi, besa kekam anëtar i BRPSH-së“. Ndërsa e shoqja i thoshte me ngadalë: „Po, ti more tutkun, tani e gjete të bësh hajgare me këto mesele?!“

Dhe doktori i kthehej me të qeshur, - „Po tani, ore Braçe, është 8 Dhjetor 199… e ti….

„Po doktor. Po. Atëhere e di se nuk isha …, po të paktën t'ia bëj qejfin vetes tani në liri…, se jam ende në rini“ – ia kthente ai.

Por që atëherë kanë kaluar tre dekada, dhe sot është 8 Dhjetor 2023, e askush nuk e ka gjetur atë, pra atë…

Ajo i kishte mbyllur sytë dhe infermierja vetëm ma bëri me gisht duke nënkuptuar më shumë se fjalët, veprimin në karrocën, që kishte marë drejtimin pas shkurreve drejt vetmisë së saj....


68 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page