top of page

TË PLAÇIN SYTË!


Mihal GJERGJI


U bëra kurreshtar dhe mbajta këmbët. Ndanë trotuarit grindeshin dy nuse të reja. Herë shaheshin dhe herë mallkonin. Njëra ishte më e qetë, më e përmbajtur, ndërsa tjetra agresive. Të dyja të bukura. Kjo e fundit, me siguri kishte të drejtë. Po përse grindeshin? Ja, për këtë do ju rrëfej. Bukuroshja e parë kishte krijuar marrëdhënie dashurore me burrin e tjetrës. Më kot përpiqej të mbrohej. –Të kanë gënjyer, i thoshte asaj që e akuzonte. Duan të na prishin familjet. E dinë që jemi shoqe të ngushta dhe bëhen xheloze. –Po unë të pashë vetë tek putheshit me burrin tim.-Të kanë bërë sytë, mbrohej tjetra. Dhe sharjet vazhdonin. Fjalori që përdornin ishte i veçantë dhe kjo ma shtoi kurreshtjen për t’u bërë i vëmëndshëm. –E pangopura me burrë. Grua e përdalë. Bushtër. S’paske as turp as frikë. –Ty të ka plasur cipa, jo mua, mundohej tjetra të mbrohej me zë më të ulët. –Jo, po të plaçin sytë, u hakërrye shoqja. M’u bëfsh korban i qenit! Vërtet, fajtorja i kishte ulur sytë, ndërsa tjetrës i shkëndijonin nga inati. Kjo betejë vazhdoi disa minuta. E kopanisnin njëra-tjetrën me fjalë. Në fund të fundit, fjala është arma më e fuqishme e njeriut. E gjatë gjithë kohës qëllonin njëra-tjetrën me vështrime. Gjithçka e përqindruar te sytë, të cilët i përdorim aq shumë dhe s’u kushtojmë vëmëndje. Cfarë pasurie gjuhësore që kemi dhe s’dimë ta administrojmë. Ende s’është hartuar një fjalor me mallkimet e gjuhës shqipe. Atëherë mund të bënim krahasimin me gjuhën e sotme, të shikojmë ndryshimin, të njohim veten tonë. Madje, për të shikuar brendinë e një gruaje apo nëne, i vetmi çelës është gjykimi i mallkimeve të saj, të cilat dalin nga thellësia e shpirtit. “U pjekshi pazarëve!”- është zëri i largët i gjyshes, të cilin e ndjej akoma. Sikur ta parandjente të nesërmen tonë! Një grua duhet të ketë arsye të fortë gjersa mallkon aq hidhur: thefsh qafën, të shpëlaftë mortja! Shqiptarët janë ekspertë në artin e mallkimit, zotërues gjer në perfeksion. Kjo fantazi ndjellakeqe konkuron imagjinatën e fuqishme poetike. Le ta pranojmë, ky është një art femëror, më shumë sesa njerëzor. Ju e keni dëgjuar mallkimin e asaj nënës për bjeshkët e nëmuna. Nuk dimë cila ishte, Ajkuna apo dikush tjetër, por ishte nënë shqiptare. Bashkë me dy fëmijët e saj, të tmerruar nga gjaku i pafajshëm i njerëzve të tyre, nga jataganët e hordhive osmane, nxitonin të arrinin Bjeshkët, strehën e sigurt sipër Rrafshit të Dukagjinit. Burrin ja vranë para syve. U mbyt në pellgjet e gjakut e ajo s’mundi të bëntë asgjë. Rrëmbeu fëmijët dhe iku. S’mundi të merrte pak bukë apo një pagure ujë. Kthente kokën mbrapa dhe shikonte shtëpinë e saj mbuluar nga flakët. Trupi i masakruar i burrit s’i shqitej nga sytë. Rrëfimet e moçme thonë se ishte fundi i korrikut. Në këtë muaj dielli djeg si zjarri. Edhe ushtritë zgjedhin stinën përvëluese për të mbjellë vdekjen. Vijat e ujit në dy krahët e burimit të Drinit kishin shteruar. Po fëmijët, s’mund ta kuptonin shqetësimin e nënës, dhimbjen e saj? “Nanë, du ujë!” kërkonte me ngulm djali i vogël, pas tij edhe tjetri. Urinë e kishin harruar. Po ujë s’kishte askund. “Nanë, t’lutem, ni pikë uj!” - përgjëroheshin vogëlushët. S’gjendej askund pikë uji sa t’ua njomte buzët e thara. S’kishte një copë reje në qiell që ta fshihte diellin të mos përvëlonte. Nëna u jepte shpresë. “Tash e gjajmë ujin, drita e syve të mi, edhe pak! Gurrat e Bardha nuk janë larg”. I kaluan Gurrat e Bardha, por ujë nuk kishte. Kopetë e deleve dhe barinjtë sikur i kishte përpirë dheu. Fëmijët u lodhën, u dogjën nga etja dhe flisnin përçart. Nënën e mbërtheu dëshpërimi. Edhe lotët i kishin shterur. Me se t’ua njomte buzët ëngjëjve të saj? Para se të jepte gjëmën, ajo mallkoi me fuqinë e shpirtit: “Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! Ju shitoftë reja!”. Zemra e nënës plasi si guri. Thonë se në Bjeshkët e Nëmuna, është një muranë, një shkëmb i skalitur. Është nëna me dy vogëlushët, me bohçe e me pagur uji. Barinjtë kur kalojnë pranë shkëmbit, e derdhin një curril uji, që t’ua njomin buzët e zhuritura nga etja. Ai mallkim i rëndë i djeg bjeshkët çdo vit, e ato mbeten të shkreta, si atëherë. Ju mund të pyesni; çfarë është ky mallkim? Mund ta quani të tejkaluar, ndoshta arkaik. Por mos harroni, moderrnizmi s’mund të qendrojmë pa këto themele të sigurta. Kjo pasuri gjuhësore meriton vlerësim dhe vëmëndje, sepse në një farë mënyre rrëfen atë brendi të jetës tonë, të lënë në harresë, të pashkruar. I keni dëgjuar vajtimet e nënave shqiptare, me aq drithërimë? Kush e ngriti Kostandinin nga varri, mallkimi apo vajtimi i zonjës mëmë? Ajo i ndizte dy qirinj te varri, sa herë shkonte atje, dhe i kujtonte besën e dhënë, për të sjellje të vetmen vajzë, Doruntinën e martuar larg, shtatë male kaptuar. Dhe ai e përmbushi amanetin. Fuqia e kësaj legjende shekullore qendron pikërisht te fjala e nënës, te lutjet e saj me lot në sy. Edhe të vdekurit tronditen, rrasa e varrit bëhet kalë dhe vdekatari e shalon për të përmbushur premtimin e bërë. Më besoni mua, nënat janë perënditë tokësore. Po mirë, mallkimet ndikojnë te vendi, apo e kundërta, mjedisi i mallkuar ndikon te njerëzit, si mendoni ju? Cila është shtysa kryesore për marrosjen kolektive të një populli? Shumë gjëra mbeten pa përgjigje. Mallkimi ka bërë vend mes nesh dhe të krijohet ideja sikur është fronësuar në lartësitë tona, na qendron mbi krye. Le të merremi me sytë, të cilët thonë aq shumë dhe mencuria popullore i ka vendosur në shkallën sipërore. “Të plaçin sytë!” është ndër mallkimet më të hidhura. Si mund te jetojë njeriu pa sy, i zhytur në terr? Sytë mund të errësohen, nga një dramë, nga një dhimbje tronditëse, nga një gjëmë. Po verbimi është tjetër gjë. Në këto kushte s’ka më sy kritikë, sy kurreshtarë, sy të gëzuar, sy lutës, s’ka më dritë. Kalin e shëndosh syri i të zotit! Kështu themi. Po sytë e shtetit, cilët janë? Sipër nesh qendrojnë shumë njerëz që e meritojnë këtë mallkim. Nuk di pse ua vonojmë. Po sytë e popullit, cilët janë? Ju e dini se c’ndodh, kur ky i fundit drobitet dhe i liget syri. Shih me sy e plas me zemër! Kështu ndodh kur e pëlqejmë diçka, një vajzë bukuroshe me syrin si ulli, a diçka tjetër. E dëshirojmë, por s’mundemi ta kemi. Dikush tjetër e gëzon atë, dhe atëherë s’u besojmë syve. Perandorët e Bizantit i dënonin kundërshtarët me verbim, u nxirrnin sytë. Shporta e mbushur me sytë e nxjerrë ekspozohej para perandorit dhe turmave, të cilat i bënin sytë katër. Kështu kujdeseshin më shumë për njerëzit e tyre të afërt, i mbanin nën kujdes, i kishin në sy. Sepse e keqja vjen pa të ftuar dhe ajo që ke parë të mbinë në sy, lë gjurmë të thella dhe ti s’mund ta harrosh. Syri luan rolin e vëzhguesit, e gjyqtarit, bën vlerësimin: e mati me sy, e peshoi me sy. Por syri edhe gabon, kështu i tha një grua burrit të saj. Ai dyshonte tek ajo dhe ja shprehu shqetësimin. Të pashë me filanin që bisedonit, i tha i shqetësuar bashkëshorti. Jo, i tha gruaja, s’kam qënë unë, të kanë bërë sytë. Burri i saj ishte murator. Një ditë e mori gruan ta ndihmonte. Vendoste tullat në mur dhe i peshonte me plumçe. –Përse e përdor atë? -e pyeti gruaja kurreshtare. Sepse syri të gënjen, i tha burri. –E shikon që kisha të drejtë, e vijoi bisedën zonja. Edhe ty të kanë bërë sytë, më akuzove kot. Ndërsa nusja e murosur në themelet e kalasë së Rozafës la tre amanete: Ma lini një sy jashtë, të shikoj djalin, ma lini njërin gji jashtë ta ushqej me qumësht, ma lini njërën dorë jashtë, të ledhatoj tim bir. Me sy mund të puthësh nga larg, kur s’ke mundësi t’ia pishë syrin, mund t’i japësh një isharet në vend të fjalës. Syri flet me gjuhën e shpirtit dhe tronditet si ai, sepse kot nuk themi; syri është qoti! Gjësë që të pëlqen ja qep sytë, aq sa të mundesh, sigurisht jo ta therësh me sy. Njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme. Dikush “ka parë botë me sy”, e dikush jo. Po përse themi sytë e ballit, sikur njeriu të ketë edhe sy të tjerë. Është shumë e rëndësishme kjo dhe del nga brendia jonë, sikurse del ai mallkimi tjetër: “të zëntë buka sytë!”. Ndoshta duhet ta ruajmë fjalën si qorri syrin, ndryshe mund të gabojmë. Në vendlindjen time, sakatin me një sy e kishin vendosur roje në pronat e koperativës. Ende çuditem kur e kujtoj. Pse vallë kishim mbetur në duart e sakatëve? Unë mund t’iu flas për ngjyrat e syve, domethënien dhe misteret që fshehin, për sytë që nuk dinë të qajnë e s’kanë me çfarë të pastrohen, për jetën që na kalon para syve, si një film me metrazh të shkurtër. Atje ku sytë shkojnë me dëshirë, edhe zemra rend pas tyre, edhe këmbët gjithashtu. C’vlerë do kishin pikturat nëse s’do kënaqnin sytë e vizitorëve. Edhe për vajzat vlenë e njëjta gjë, sa herë shfaqen rrugës, djemtë i rrëmbejnë me sy. Buka e përditshme e syve duhet të ishte hapësira e kaltër qiellore. Në fakt ndodh ndryshe, ne vazhdojmë të hamë njëri-tjetrin me sy. Prandaj duhet të ruheni nga syri i keq. Dhe mallkojeni zemërziun lakmitar: “Të plaçin sytë!”

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page