top of page

Tre anglezë nga Oksfordi


Kostaq Duka


Kostaq Duka

Tregim

Orët e para të mbrëmjes. Taksia ndaloi përpara godinës së doganës. Perpara ishin 3-4 taksi e vetura private. Punohej në dy sportele. Qetësi. Hodha një shikim të shpejtë rreth e rrotull.Ndjeva kenaqësinë  e rregullit dhe sigurisë.Punonjësi i shërbimit, na përshëndeti me mirësjellje. Veshja dhe krehja bukur e flokëve harmonizoheshin me lëvizjet e shpejta të dhjetë gishtrinjve në tastierën e kompjuterit.Për dy minuta mbaruam punë. -Po më duket si ëndërr- I thashë taksixhiut tek makina fërshëllente nga shpejtësia në autostradën për në Selanik.Prisja tjetër gjë në doganë. -Sot ishte qetë…. -Sidoqoftë duket që ka rregull… -E po s’do mend….Do futemi në Europë! Por ti, ti që kur s’ke qënë këtej?! -Në qershor mbush 10 vjet…. Taksixhiu, më peshoi me shikim fund e krye. Veshur me bluxhinse dhe atlete  nga më të lirat  sikur s’i ngjasova me ata të perëndimit. Nuk doja të jepja hollësira…….Po futeshim në një nga tynelet  moderne gjithë dritë të autostradës. Ndjenja  e ndryshimit m’u ringjall e fortë. Donim s’donim perëndimi do krijonte portretin e vet dhe në këtë rip me natyrë të egër në dy anët e kufirit.                                                                            xxx Dhjetë  vjet  më parë dogana i ngjante një pazari kaotik pa formë, ku mund të shihje gjithë fytyrat e deformuara të veseve të liga, kontrabandistëve të mëdhenj me mauna, te vegjël me  kamionçina, që fryheshin si tullumbace, kryesisht me plaçkurina e zarzavate qe qelbnin që tutje, me këmbësorë me çanta të mëdha, me zyrtarë kravatashtrëmbër, e fytyra të lyrosura, me prostituta të llangosura tmerresisht në faqe , me shoferë fugonësh që prisnin të ngarkonin rrefugjatët e sjellë nga autobuzi blu me rrjeta te serta teli nga ana tjeter e doganës…..E  në një nga ditët me këtë pamje te zakonshme m’u desh të shkoja me një detyrë te posaçme në doganë. Rreth ores 1 pas dite, tre anglezë nga Oksfordi mbrinin me një makinë tip vene, të mbushur plot me vegla muzikore,violi,violincela,kitara e madje dhe një piano të vogël mësimore.Gjithcka dhuratë modeste për shkollën artistike të qytetit. Me cilësinë e drejtorit, emëruar jo shumë kohë më parë, më duhej t’i prisja tre anglezët duke u uruar mirëseardhjen.Ishte prilli i vitit 1998, vetëm një vit pas katrahurës së 1997. Mes rremujës së doganës, së bashku me doktor Janin,( mik i tre anglezëve  që ato ditë kur dy vjet më parë ata bënë një vizitë në spitalin ku ai punonte) , nuk po dija si të orientohesha.Një turmë e madhe njerëzish me fytyra të dëshpëruara, ngjeshur njeri pas tjetrit, me sytë mbërthyer tek dritarja, zgavër e sportelit.Të dukej se asgje s’lëviste përtej zgavrrës.Më tej taksi e vetura të të gjitha llojeve,ku dominonte e blerta e benz-mercedes të vitit 1992. Më në brëndësi dy maune që prisnin çdoganimin e mallit. Nisa të kërkoj ndonjë fytyrë të njohur doganieri që të më orientonte. Dhe vërtet diku mes nje grupi njerëzish ,mes tyre dy  që s’ngjanin vendase, shëmbëlleva dikë që dikur banonte në lagjen time. I’u afrova.Më dha të njohur. -Më fal- i thashë. -Jam vërtet bizi.Jam me  të Europës, specialistë për doganën. Si e ke hallin ? -Tre anglezë nga Oksfordi kanë sjellë ndihma për shkollën artistike. -I ke dokumentet? -Po. -Tregoja personit, tek trari, që të lejojë mjetin me ngarkesë. Ai do të ndihmojë dhe për veprimet e nevojshme. Mez i gjetëm shtegun për të shkuar tek trari ku mjete të ngarkuara pas veprimeve në doganën greke prisnin të hynin në tokën shqiptare.Jani nxitoi përpara, duke u drejtuar tek grumbulli i njerëzve  përtej trarit.U dhashë këmbëve për të mos mbetur pas. Jani ua bëri me dorë tre burrave, fytyrë qeshur dy të gjatë e të mbushur dhe një me shtat mesatar, por truplidhur. -Ata janë.Ç’njerez të mirë.Kane bërë tërë këtë rrugë të gjatë e prapë se bëjnë veten.-Tha Jani.Do ti njohësh. I treguam dokumentet punonjësit të doganës, një shkurtalaq i trashë që nga dhjamosja  mezi merrte frymë. -Nga Vijne ?-pyeti. -Nga Oksfordi. -Po pyes nga ç’vend. -Janë anglezë. -Këtë thuaj. Domethënë nga Anglia. Çfarë kanë në venë? -Vegla muzikore,violi,kitara, flauta… -Vegla muzikore? Ç’njerez ka bota?! Se për saze ka nevojë Shqipëria! Po pije, veshje kanë ? -Jo. Të gjitha janë të shkruara këtu. -Mirë, mirë këto çoji në zyra e doganës.Por këta byrazerët duhet te paguajnë . Janë të huaj, çdo turist i huaj duhet të lerë në doganë nga 40 dollarë. -Ej mik- ndërhyri Jani-Këta janë miqtë tanë që kanë ardhur nga larg, duke përdorur e ngarë mjetin e tyre që të ndihmojnë shkollën. Është turp për ne tu kërkojmë  të paguajnë.. -Ore unë po të tregoj rregullin. Janë të huaj e pikë. Në këtë moment shkurtalaqin dikush e zuri për krahu. -Ta fut ? –tha e tregoi diku në qoshe një kamionçinë, të mbuluar, anuar pak nga njëra anë, rrjedhojë e tej peshës. -Çfarë ka? -Si zakonisht, perime…. -Mirë, mirë…Po te pengoi kush, thuaji që ke biseduar me mua…..Sa për ju, shtoi shkurtalaqi dhe u kthye nga ne, s’kam çbëj. Ata nga Oksfordi duhet të paguajnë.Ka rregulla tani, s’hyhet veresie… -Lere këtë- tha në heshtje Jani- mbase ai miku tënd i europianëve  tani është i lirë. U bëra vrer. Tre anglezët pak hapa larg s’po kuptonin ç’po ndodhte. Në vend të niseshim drejt tyrë u kthyem prapa. Për fat te njohurin tim e gjetëm të lirë. Na mirëkuptoi dhe erdhi me ne. Me porosi të tij u dha lejekalimi. U përqafuam me tre anglezët. -Mos u mërzit-më tha anglezi i shkurtër. Vonesë dogane. Keqkuptime. E di ti sa barsoleta ka per doganierët..?!. Mora frymë thellë kur vetura personale e doktor Janit dhe fugoni  që na ndiqte pas u shkëputën nga ajo masë amorfë e zezë, që çdo emër mund të mbante veç doganë jo….Me sy  të trishtuar, shikoja godinat pa shije arkitekturore, të  fshatit-qytet Devollit, ku aty këtu shiheshin dhe gjurmët e djegjeve dhe rrënimeve te 97-tës…. Po i afroheshim Korçës. Ishte momenti  kur nga sallat e leksioneve te universitetit po dilnin grupe, grupe studentet, djem e vajza bashkë. E qeshura e tyre dhe hijeshia e parkut, gjithë blerim në këtë muaj prilli harmonizoheshin bukur si  për të thënë ka edhe jetë…Përsërita me mend emrat e tre anglezëvë John, Steve  dhe Jim.Kjo radhë vendosjeje përkonte me gjatësinë e tyre.John, veç shtatit të gjatë(për ta parë në sy unë duhej të ngrija kokën) kishte si shënjë dalluese dhe mjekrën.Steve ishte i dyti për nga gjatësia  ndërsa Jimi kishte bojën time, i shkurtër por pak më i mbushur, me një fytyrë rrumbullake gjithë tul. Pasi  sistemuam në shkollë ndihmat e sjella dhe vendosëm  në parkim fugonin në mjediset e Qendrës  Mësimore, tok me tre anglezët, ulur në sediljen e prapme te veturës së Janit shkuam drejt hotel “Korça”, hapur dy tre vjet më parë, në ish mjediset dikur pronë vetjake, pastaj shtetërore përdorur për zyra të gjithllojshme. Pronarët legjitimë, me biznese në Amerikë, njerëz patriotë e me vizione moderne për jetën, e restauruan dhe i dhanë një fytyrë te re godinës.Hotel  “ Korça” ka komoditet te admirueshëm të krahasuar me hotele të mira të Europës. Administratori i hotelit, lajmëruar më parë prej meje për ardhjen e anglezëve, na priti me mirësjellje. Anglishtja e tij dhe e sportelistit , e paster, paçka se me pak aksent lanë shije të mirë. Nice, very nice-tha gjatoshi,John- tek fërkoi nga kënaqësia mjekrën e kuqe, me fije të bardha aty këtu. -Po shumë mirë- miratoi Steve duke hedhur sytë nga ekspresi i kafes që porsa lëshoi fishkëllimën e zakonshme. Shikimi i tij, s’i shpëtoi  vëmendjes së administratorit. - Pas rrugës së gjatë një kafe ekspres do t’u bëjë mirë. -Po me kenaqësi, miratoi John, që me sa dukej luante rolin e liderit të grupit. Pas kafes, u ndamë me anglezët me të cilët do të takoheshim ditën e nesërme. Duke shkuar për në shtëpi, me makinë, shkëmbyem mendime me Janin. -Mos u mërzit, per ç’ka ndodhi në doganë- më tha- unë shkoj shpesh. -Janë të huaj….. -Ata e dinë ç’është ky vend….kaq s’është asgjë.Të ecë mirë çdo gjë  nesër….Dua të mbeten të kënaqur, së paku nga ne, të tre janë shumë të mirë .Në telefon para se të niseshin nga Oksfordi më flisnin me shumë eufori  dhe padurim për të ardhur. U kujtova se akoma vendi nuk ka qetësinë e duhur. Por, këtë s’e përfillën fare. Nga ora dhjetë e mëngjesit të tre anglezët  erdhën në shkollë.Ishin  veshur në mënyrë sportive, me atlete addidas,bluxhinse e këmishë të trasha me kuadrate.Në  se do të ishin të një boje do t’i merrje për trinjakë. Unë, posacërisht për ta kisha vënë kostumin e çelur, bojë qielli, që ma kishte dërguar kunati nga Greqia dhe kravatën pikaloshe që më shtrëngonte tmerrësisht. Ne sallën e mësuesve që përdorej dhe për koncerte u dha një shfaqje. Veç ti shihje si duartrokisnin të tre anglezët, me një entuziazëm aq të jashtëzakonshëm sa dyshoje: e kanë seriozisht?! Kulmi i entuziazmit të tyre arriti kur spikerja tha : dhe tani tre ekzekutime ,në violi, kitarë dhe flaut . Instrumentet janë dhuratë nga miqtë tanë nga Oksfordi.Gjatë lojës gjatoshi John çohej e bënte fotografi. Shumë herë dhe nga spektatorët nxënës e mësues. Me vlagën e entuziazmit te koncertit, përsëri me makinën e doktor Janit shkuam e bëmë një vizitë në fabrika e birrës. -A e njihni një vajzë këtej nga Korça me emrin Entela?-tha Johni- është në Universitetin e Oksfordit. -Vajzë e mirë-shtoi-Steve.Studion për mikrobiologji.E shkëlqyer. Do bëhet shkencëtare, shkencëtare bote. -Sikur kam dëgjuar – thashë-për të qënë pro idesë së tyre ekzaltuese.  Edhe këtë përshtypje e llogarita në “ fondin “ e përshtypjeve të mira që ata kishin e ne po përpiqëshim të stimulonim për ta në këtë vizitë.Administratori i fabrikës së birrës, njëkohësisht dhe bashkëpronar na priti në zyrën e vet e paisur me kolltukë meshini, ngjyrë vishnjë.Foli me pasion për historinë e fabrikës. Edhe pse me përvojë të gjatë si inxhinier kimist në sektorë të tjerë, të dukej sikur në fabrikë kishte  një jetë të tërë. Një punonjëse nga zyrat na serviri birrë në gota të rënda qelqi, ku shija e birrës së ftohtë ndihej më mirë. Me tre anglezët shkuam dhe në mjediset e fabrikës, aty ku fermentohej në kushte natyrore elbi për malto,në  tanket gjysme sferike prej bakri të zjerrjes,në repartin e mbushjes së shisheve… -Sekreti  i kësaj birre të famëshme në vend –shpjegoi në ecje e sipër administratori, thonë se veç të tjerash është uji. Uji me tubacione vjen këtu posaçërisht nga burime malore. Shihja në sy anglezët. Vërtet ata vlerësonin këtë fabrikë apo ajo u dukej e dalë kohe, ja si ato skodat me turi që fotografuan gjatë rrugës? A thua kishin vlerë këto paisje, që në vitet 30-të të kësaj fabrike, kur ajo ishte në pronësi  të një shoqerie italiane?! Anglezët nuk dhanë ndonjë mendim për fabrikën. Shkëmbyen karta biznesi me administratorin , bënë aty këtu ndonjë fotografi. Përsëri në shkollë.Shkëmbim mendimesh me trupën mësimore. E  pastaj….Nuk dita ç’tu thoja kur ata më kërkuan të shikonin të famëshmet kabina studio në katet e sipërme.Ngurimi im ra që tutje në sy.Por  s’u shmanga dot.Kabinat s’ishin gjë tjetër vecse ndarje me kompesato, me dyer te deformuara .Në to mungonte ngrohja.Dhe të mendosh, dimrin e egër të anëve tona.Gishtrinjtë e njomë të nxënësve thua ngjiteshin mbi telat e ftohtë të violive. Kaluam shpejt e shpejt nëpër kabinat, në heshtje, pa zë sikur të kalonim në një varrezë….Pamje më mjerane për një shkollë artistike zor se kishn parë në jetën e tyre tre anglezët. Mbasditja kishte pjesën më të bukur të këtij shoqërimi. E bëmë më këmbë rrugën nga hoteli për në restoranti me guzhine franceze, hapur në mjediset e ish shtëpisë së patriotit “Themistokli Gërmenji” që shërbente edhe si muze, në dy mjedise. Bulevardi kishte plot kalimtarë.Tek më panë anglezët që përshendetja me kokë, me të ngritur pak të dorës, ose me të përshëndetur si zakonisht”Ç’kemi” nisën edhe ata të falin  buzeqeshje. Duke ecur po afroheshim tek lulishtja, në hyrje të së cilës lartësohet monumenti i Themistokli Gërmenjit. -Ja   në shtëpinë e këtij burri të ndritur jemi sot miq- u thashë anglezëve duke nderë dorën nga shtatorja e Themistokliut. Të tre ndalën hapat e me një seriozitet  të jashtëzakonshëm  kqyrën statujën, një nga kryeveprat e sklupturës shqiptare. Nxorrën aparatet e bënë fotografi njëri me tjetrin. Në fund m’u lutën t’i nxirrja të tre. Dhë për t’u bashkuar me ta, kërkuam ndihmën e nje vajze, kalimtare të rastit. -Ky patriot- u thashë shpalli e drejtoi Republikën e Korçës më 1916, për të mos e lënë të binte pre e copëtimit.Atëhere këtu ishin francezët. A e dini që Korça ka pasur një lice francez? Po….dhe për arkitekturën e qytetarinë  të vjetrit i thërrisnin qytetit tonë Paris i vogël. -Ke qënë ti në Paris- më tha John. -Jo….deri tani jo. -Kur të shkosh ki kujdes,mund të humbasësh….Është i jashtëzaknshëm . S’më erdhi mirë, që përmenda këtë fakt. A nuk duket grotesk ky krahasim dhe sytë ua mbërtheva një grumbulli plehrash e letrash diku në qoshe të bazamentit të monumentit. Erdhi ora që duhej të ishim në restorant. Anglezët thuajse  të tre në një kohë shikuan orën. Në restorant u bëmë një grup i vogël. Veç meje dhe anglezëve ishin dhe doktor Jani me të shoqen , dy mesueset e pianos, dirigjentja e shkollës me burrin e vet dhe radiologu i spitalit gjithashtu si Jani njohur më parë me anglezët.Më kërkesë të tyre, radiologu kishte me vete dhe kitarën personale.Menyja ishte e bollshme.Vetë shefi i kuzhinës, veshur hijshëm erdhi në tavolinë për të marrë kërkesën e anglezëve dhe të tjerëve. Porositën, ushqim të bollshëm..Ne po përtypeshim, për të zgjedhur  diçka më të lirë. Harxhet e kësaj darke e kishim vendosur do t’i paguanim së toku.O zot! Anglezët menjëherë reaguan duke iu drejtuar kamarierit. Në fund llogarinë tek ne.Aq lirshëm u tha kjo sa çdo përpjekje nga ana ime në emër të sedrës së mikpritësit shqiptar që për mikun s’di të kursejë do të dukej arkaike dhe qesharake. Nuk fola. Të tjerët kaq deshën. Rrëmbyen menytë dhe filluan të “perkëdhelen” në përzgjedhje. Aq shumë u porosit sa s’mbeti cep tavoline pa u zënë. Shampanja dhe vera franceze shpejt i solli njerëzit çakërqef. Flitej me zë të lartë anglisht edhe shqip.Anglezët në fillim prisnin pas folësit  fjalën e përkthyesit pastaj….reagonin menjëherë thua kishin kuptuar shqipen çakërqefe të tjetrit.Dhe ky “dialog” mbyllej me të trokiturit e gotave me verë franceze dhe fjalën : Gëzuar që anglezët e mësuan shpejt.Por ajo që i bashkoi më shumë të gjithë dhe thyevi  barrierat e gjuhës ishte kënga.Kitaristi ishte virtuoz dhe kishte një repertor të pasur këngësh angleze.Të tre anglezët, nën ritmet e kitarës këndonin me një pasion të madh, krejt të lirshëm dhe të befasuar që shumë nga ne i shoqëronim jo vetëm me melodi por edhe me fjalë në anglisht.Ky restorant, në këtë shtëpi të vjetër të Themistokli Gërmenjit, mendova, zor të kishte pasur ndonjëherë anglezë kaq të qefit, dhe për më tepër nga Oksfordi, qëndër e njohur botërore e dijes. Ora ishte 3 e mengjesit kur dolëm të zhurmshëm në bulevardin “Republika”.Monumenti i Luftëtarit Kombëtar ca hapa më tej sikur na tërhiqte vëmendjen për këtë prishje të rregullit dhe qetësisë publike.U përqafuam me anglezët.Ngazëllimin në fytyrat e tyre s’kam për ta harruar kurrë. Duke ecur më këmbë për në shtëpi mendova me një ndjenjë kënaqësie se së paku pas kësaj mbremjeje tre anglezet nga Oksfordi, do largohen me pershtypje të mira dhe me mendimin se udhëtimi i tyre pak aventurioz   ishte i suksesshëm. Të nesërmen nga ora 9-të e mëngjesit , në Hotel “ Korça ”. U ula në një tavolinë. Sportelisti më tha se tre anglezët ishin duke ardhur. Dhe ja pas pak ata dolën nga dera e ashensorit me çantat mbi shpinë. Ndiheshin pak të lodhur nga mbrëmja gazmore e tejzgjatur por me një shprehje kënaqësie e mirësjelljeje falenderuese në sytë e tyre.U përqafuam përsëri (si fjalën gëzuar edhe këtë zakon të të përqafuarit ata e mësuan shpejt).Porositëm kafe.Me ne u ul dhe administratori i Hotelit.Kur ishim thuajse në momentet e ikjes, sikur të vinin nga mjë botë e largët në dera u dhanë dy të rinj me automatikë kallashnikovë në duar, që i mbanin pa të keq sikur ti kishin lodra.Na përshëndetën. E ndjeva menjëherë panikun që i përfshiu anglezët.Vetë u bëra meit.Dhe kjo na duhej, tani në përcjellje! -Këta janë miqtë tanë- tha shpejt e shpejt në anglisht administratori- na mbrojtën hotelin nga shkatërrimet e vjedhjet vitin që shkoi. Por kanë merak dhe vijnë e duken përsëri….. Ky shpjegim edhe pse u dha me një anglishte të pastër u duk absurd për anglezët. Dolëm pa zë në bulevard. Zërat e gjimnazistëve të gjimnazit përkarshi hotelit që vraponin duke bërë humor në orën e fiskulturës sikur e fashiti imazhin e dy  të rinjve me kallashë. Më këmbë na duhej të shkonim drejt Qëndrës Mësimore ku parkuam venën e anglezëve. Në ecje e sipër, Johni,  risolli historinë e kallashëve duke i dhënë trajtë humori. “Si, të shkonim pa parë kallashë?!” .Ky lloj humori më bezdisi. S’më durohej sa të  mbrinim në Qëndra Mësimore .Këtu do të vinte me makinën e vet doktor Jani.Pas kësaj drejt e në doganë. Po ecnim në trotuarin përpara godinës së teatrit “A.Z.Çajupi”.Një afishe e madhe lajmëronte për premierën e estradës së qytetit “Ëndërime  në netët e krismave”.(Humor nga ngjarjet e 1997-tës). Buzëqesha hidhur. Perpara m’u  rishfaqën fytyrat e vrara të  të rinjve, që si fantazma u dukën në hyrje të hotelit. Era e byrekëve, të porsadalë nga furra, pranë teatrit më ngacmoi. Po mendoja të hynim e të hanim bashkë me trë anglezët kur…breshërimat e  automatikëve më goditën fort në vesh. Syri vetëtimthi kapi momentin e shkëmbimit të zjarrit nga dritaret e dy veturave, në mes të sheshit para teatrit.Njerëzit e rastit në trotuar, bashkë me ta edhe unë me anglezët  instiktivisht, pa thënë kush rendëm të futeshim diku.Dhe byrektorja ishte streha më e afërt. U ngjeshëm ku pas derës, ku pas banakut. Tmerri  vizatohej gati i njëtrajtë si të ishte damkosur, në fytyrat e të gjithëve.Asnjë fjalë, asnjë zë.Vetëm kur dikush tha “ Është qetë, s’ka problem” masa kompakte në byrektore u shpërbë. Ishte e kotë të shpjegoja se situata në Shqipëri vazhdonte të mos ishte ende e qetë.Anglezët para se të vinin ishin të mirë informuar…Por dy ditët që kaluam, pritja e ngrohtë në shkollë, koncerti i nxenësve , vizita në fabrika e birrës, shëtitjet e shpenguara nën aromën e blirëve, fjetja ne hotelin komod,  e sidomos hareja e krijuar në darkën e famëshme në restoranti frances në mjediset e  shtëpisë së dikurshme të Themistokli Gërmenjit, kishin krijuar tek ata mendimin se pamjet makabre, të   97-tës ishin shndrruar thjesht  në  një ëndërr të ligë e kaq, që s’do përsëritej kurrë. Si mund të ndodhë kjo?!-Thosha. Pse pikërisht tani në ikje të tyre?! Nënqesha me vete hidhur për kalkulimet që bëja për pluset e minuset e përshtypjeve që mund të kishin krijuar anglezët. Minusi i parë në doganë as që mund të llogaritej para këtij dueli të egër me kallashë në mes të sheshit. Në Qëndra Mësimore na priste doktor Jani. Fytyra pas të rrojturit në mëngjes i ndriste.Era e kolonjës ndihej e fortë. Ishte në humor. Nuk kishte idenë çkishte ndodhur. I tregova shpejt duke iu lutur të mos pyeste si ndiheshin anglezët.Heshtja e tyre – i thashë Janit – flet më shumë.Nuk duan të na lëndojnë. E ndjejnë që s’na vjen mirë dhe ndihemi fajtorë pa faj, për çka ndodhi.                                                                 xxx Dogana po ajo.Por me një ndryshim. Në ikje dukej e shqepur krejt. Fytyrat indiferente të shërbyesve të saj sikur të thoshin:”Akoma jeni këtu, o burra në kini për të kapërcyer  kufirin, ikni…..” Në dogana   greke u përqafuam me tre anglezët. Ejani  ju tani ne Oksforfd -na thanë. Do të këndojmë me kitarë e do të pijmë tërë natën në restorant “Shekspiri”.


17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page