top of page

Transkulturalizmi dhe forca e dashurisë për të ridimensionuar vlerat jetike të protagonistit




Fatmir Terziu


Hyrje: Transkulturalizmi narrativ


Romani „Kutia e Agatha Christie-s“ është një narrativ i veçantë. Ky narrativ i veçantë i shkruar me një gjuhë dhe stil të zhdërvjellët, të pastër e të ndjeshme, nga ana e shkrimtares së mirënjohur shqiptare e më gjerë, Mira Meksi, bashkon qasjet bashkëkohore ndaj sinkronisë historike të kujtesës me thelbin në kthesën ndërkulturore në efektet kulturore, duke i dhënë arsyes dhe mesazhit të lexuesit një formë të re, në mënyrë që të eksplorojë kujtimet e pasura, ndonjëherë të diskutueshme dhe tejet aktuale të angazhuesve intelektualë të kohës së periudhës së Perandorisë Osmane mes një labirinthi romantik të dashurisë njerëzore. Perandoria Osmane mbulonte një territor të gjerë gjeografikisht të shtrirë (nga Buda në Bagdad) dhe ishte një nga më të gjerat historikisht (1300-1922).

Megjithatë, ajo ende nuk është paraqitur si një projekt i fokusuar në studimet e kujtesës. Në të vërtetë, ajo mbetet e nënpërfaqësuar jashtë fushës së specializuar, osmane, duke përfshirë studimet postkoloniale, kulturore dhe, së fundmi, studimet transkulturore. Fokusi i shkrimtares në këtë narrativ nuk është një rrëfim i thjeshtë, as dhe një rrëmim në kujtime kalimtare dashurie, të njohura e të panjohura, por në qasje transparente të dinjitetit intelektual si pasojë diktuese, transkulturore të dhënë në në kohën e duhur jo vetëm për arsye letrare, por dhe më gjerë, akademike, padyshim edhe politikisht, edhe për sferën kulturore dhe për atë etike.

Kjo për vetë arsyen se narrativi, ashtu sikurse vetë ngjarjet në kohën e cituar janë me një gjeografi, sikurse e theksuam të madhe dhe me një kohëzgjatje të ndjeshme historike, duke mbartur dhe mbarsur ende probleme që mbesin produkt i ditëve që jetojmë, natyrisht mes konfliktesh të shumta, ku romani „Kutia e Agatha Christie-s“ meton me theksin e vetë.

Ndërsa konfliktet e sotme në këto gjeografi e territore, varen nga argumente të ndryshme, jo vetëm rreth historisë dhe kufijve të kontestuar midis grupeve kulturore (fetare, etnike dhe kombëtare), ky dedikim i veçantë i hulumtuar, që trajton ashtu siç bëjnë veprat e mirëfillta ndërkulturore që janë shkruar, e rifiguruar në mënyra të ndryshme, në një sërë zonash të ndryshme gjeografike politike, është veçanërisht imponues tani në zbardhjen e disa prej çështjeve që qëndrojnë pas dhe përtej titujve të mesazheve të lexohen me kërshëri dhe interes në këtë prurje mjaft interesante ku vet-emetohet edhe toponimia kulturore dhe transkulturore.


Toponimia konfiguron dhe transfiguron lidhjet memoriale


Kërshëria dhe interesi vijnë nga gjuha, dashuria, toponimet, nga këndvështrimi, nga lidhja me frazat, nga emërtesat, nga historia e ndërlidhur, forma transkulturore e mjaft të tjera. Jo më kot në narrativ kemi „Korti Suprem i Beogradit“; formën e njohur e të trashëguar narrative të Stambollit, si qasje mes së shkuarës dhe realitetit të sotëm, ku toponimia konfiguron dhe transfiguron lidhjet memoriale, sikurse ndodh me „kokën e bukur të Ninetës në lartësinë e Kullës së Gallatës“, formën më ndërlidhëse të Urës së Gallatës, si një simbolikë e mbetur me qëllimin e saj transkulturor e ndërlidhës të kulturave, më tej me „ujërat e Bosforit në një anë, ato të Marmarasë në anën tjetër që digjeshin përvëlim, së bashku me flokët plot bukla ngjyrë zjarri të gruas së re“. Në lidhjet transkulturore, sikurse e cituam, janë dhe ligjësitë, ndaj „Korti Suprem“, sikurse sqarohet është vetë një fjalë e prejardhur nga frëngjishtja (Cour Suprême: Gjykata e Lartë).

Mes këtyre formave transkulturore, gjuha mbart narrativin në pikën e duhur ku vetvetiu protagonisti edhe pse një figurë didakte, e njohur për njohuri të thella të jepet arsyeshëm, se „Kurrë në jetë nuk kishte parë diçka të tillë. Një shpërthim dëshire dhe sensualiteti mbushte ajrin.“ Në këtë zhbirrim të domosdoshëm vjen e ndjeshmja „sikur bota do të shkrumbohej në pak çaste“ dhe ajo që kuptohet mes narrativit se „brenda asaj grime kohe njeriu do të jetonte

një mrekulli, një kënaqësi parajse.“ Dhe kjo mrekulli ishte destinë, ishte një kufi pra i kuptueshëm „Përpara se ta mbulonte gjëma.“ E gjitha vjen në rrëfimin e Tjetrit. Tjetri është një udhëtim mes kësaj force narrative dhe një qasje e ndjeshme në një lëvizje transkulturore, ku nuk anashkalohet dhe qëllimi kryesor.


Dinamika e së kaluarës së shkëmbimit memorial


Qëllimi kryesor i një narrativi të tillë është të prezantojë brenda lëvizjes, efekteve kulturore dhe grimimeve të ndjeshme transkulturore, konceptin e tërësisë dhe ngasjes së gjërave në kohë, hapësirë dhe vend. Këtë e identifikojmë si dinamikën e kujtuar të së kaluarës së shkëmbimit kulturor midis dukurive dhe ekzistencave të ndryshme që përbënin atë pjesë të lëvizjes, etnive, kombeve, feve dhe kulturave të ndryshme të asaj force dhe forme gjeografike të kohës në të cilën ekzistoi me turqit, shqiptarët, armenët, kurdët, grekët, hebrenjtë dhe të krishterët. Pyetja kryesore mes këtij narrativi për çështjen speciale është: a mund të mbahet mend kjo formë e tillë e qasjes narrative si transkulturore? Domethënë, në çfarë mase, si dhe në çfarë efekti kanë ndodhur takimet dhe shkëmbimet mes grupeve në të kaluarën e përcaktuar? Si u shndërruan këto takime dhe shkëmbime në akte të dhunshme gjatë viteve të fundit të qasjes narrative? Por gjithashtu, në cilat vende, media dhe momente vazhdojnë të shkëmbehen kujtimet kulturore të së kaluarës së tillë?

Gjetja jonë në romanin e Mira Meksit rrjedh nga studimet e kujtesës duke qenë se aty përqafohet një ndërgjegjësim, se si momenti i të kujtuarit ndërton dhe ndërmjetëson të kaluarën, dhe duke qenë se është shumë i ndërtuar, pra, në punën e vendosur në studimet e kujtesës, përfshirë në këtë roman. Në vlerësimin e dëshmive të kujtimeve ndërkulturore, shkrimtarja shqyrton pretendimet nganjëherë mjaft nostalgjike që mund të bëhen në të tashmen për të kaluarën harmonike transkulturore, dhe i kushtojmë vëmendje gjithashtu ndryshimeve ndërkulturore dhe transnacionaliste që mundësuan dhunën.

Më tej, konsiderohet se si pretendime të tilla po shpërndahen, ndonjëherë me implikime shumë shqetësuese politike, dukshëm ndryshe nga mënyra se si ato shihen brenda konteksteve akademike dhe artistike, në sferën publike ndërkombëtare të memorializimit kulturor. Por nuk duhet harruar se romani i shkrimtares Mira Meksi, „Kutia e Agatha Christie-s“ në thelb është për dashurinë e Mid’hat bej Frashërit, gjë që e bën akoma më të ndjeshëm thlebin e kontekstit transkulturor.


Përkujdesja narrative: territori shumëkulturor, transkulturalizmi me gjuhë


Shkrimtarja është e kujdeshme në këtë pikë, e jep protagonistin e saj të ndjeshëm me të gjithë shqisat, me thelbin e duhur që ato „t’i lartoheshin nga vrulli i zemrës së dashuruar“, ku padyshim „ dhe, në kërthizën e ndezullisë së universit, e kish pushtuar të vluarën e shpirtit dhe e kish puthur me afsh.“ Kjo është pikante, nuk është thjesht romantike, është tërheqëse dhe shkon në thelbin e përshtatjes me tërë atë që shohin sytë dhe me atë që bluan mendja në rastin e tillë ku „ndërsa çastet fluturonin dhe qielli i flakëruar kish zënë të ftohej pak nga pak“ ajo që shkon më shumë në vëmendje është lëvizja e ujshme, pasi „ujërat e Bosforit dhe të Marmarasë mbanin në barkun e tyre tanimë diskun e plotë të diellit të shuar,“, se ujërat jo vetëm lagin por transmetojnë me mesazhe të padukshme në bashkimin e territorit tokë, ku në një ndjesi të tillë prekëse, të lëngshme, protagonisti „i dashuruar si një adoleshent, ai kish thirrur në frëngjisht me sa i hante fyti vargun e pavdekshëm të Lamartinit: Ô temps suspends ton vol! (O kohë ndale vrapin! Varg i poezisë Liqeni të Lamartinit).

Pra territori shumëkulturor, transkulturalizmi me gjuhë, ku hyjnë gjuhë të tjera, kultura të tjera dhe ajo që mbetet më shumë fine është qasja didakte „qytet me tre emra“. Ky është një element tjetër që plotëson më së miri arsyen transkulturore „Në krahët e tij dhe me pamjen e mrekullueshme të Stambollit përpara syve, Nineta leshrakuqe, komediania parisiane që kish luajtur në sallën Richelieu në Palais Royal, kish nisur të recitonte me patos: “Kostandinopoja e përflakur! Çfarë vizioni magjik ngjall ky emër! Legjendat e moçme të Greqisë së lashtë, shkëlqimin e krishterimit në triumfin e tij, vezullimin e pompës së oborreve të perandorëve grekë, ceremonialet e mistershme të sarajeve të sulltanëve... Oh, çfarë përzierjeje e harmonishme e monumenteve të tri qytetërimeve në një dekor me gjurmët e artit të Perëndimit dhe Lindjes, të Romës dhe Greqisë!“ Ky qytet me tre emra është një akt magjik në këtë pikë, po aq sa dhe frymëzimi poetik: „O qytet i shenjtë, që në kujtesën e njerëzimit je ngritur në lartësinë e Romës, Athinës, Jerusalemit! O qytet magjie që kaq shumë dashuri na fale bujarisht!” “Më thuaj, poeti im, - i ishte drejtuar gruaja e re më pastaj Mid’hat beut, - ç’vargje do t’i thurje ti Stambollit? Ç’fjalë zemre do të thoshe tani për të?”

Bindja transkulturore udhëton në vragëza të njohura e të panjohura mes narrativit dhe natyrishëm plotëson domethënësen, atë që lexuesi e pret dhe e gllabëron me etje për të shuar e shtuar dijen. Kështu ndodh kur shfaqet Tevfiku. Ftesa e protagonistit të romanit në sarajet e tij që ishin fort të fisme, e jep atë si „Djali i dikurshëm i Çanakalasë“, që ishte martuar me një grua nga derë të kamurish, ku natyrshëm kuptohet mes narrativit që zhbirron në odën e miqve, ku shfaqet një hapësirë e madhe, e rrethuar nga dritësore sa një bojë njeriu dhe divane me shtroja të pasura, spikasnin antika, objekte dhe ornamente të vjetra e të çmuara të artit otoman, si në një muze të vogël.

Transkulturalizmi otoman është prezent me mpleksen e kulturave në shkrime e botime, e cila jepet në konfigurimin me sy të Mid’hat beut mbi një botim me ilustrime në miniaturë të poezive të Fuzylit, poetit otoman të shekullit XVI, po aq dhe mes gravurave dhe pergamenave të shekullit XIII, apo dhe me librin e famshëm të Ashik Çelebisë, libërthin e poetes Mihri Hatun të Kohës së Mesme dhe sigurisht me një libër me kapak lëkure në ngjyrën e drurit të qershisë, që ishte romani në osmanishte „Dashuria e Talatit me Fitneten“ e që i përkiste ungjit të Mid’hat beut, Shemsedin Sami beut.


Koha me nocionin transkulturor


Shkrimtarja Mira Meksi në romanin e saj në fjalë citon se „Koha matet me ngjarje dhe koha e Stambollit kishte fluturuar ato tri vitet e fundit me krahët e ngjarjeve të shumta.“ Koha ka faktorin e saj transkulturor dhe kjo kur kryeqyteti i perandorisë më të madhe islamike të botës ishte i pushtuar nga Aleatët; kur bota e vjetër po shkërmoqej si pa kuptuar përpara syve të stambollitëve; kur jeta e tyre gjendej në një tjetër dimension, ndërkohë që luhej fati i Anadollit

dhe i territoreve arabe të Perandorisë; kur kozmopolitizmi otoman mbijetoi, sidoqoftë, duke u përzier me forcat e hallakatura pushtuese; kur qyteti përjetoi shkëmbimin e popullsisë greko-turke; kur Stambolli humbi Sulltanin, humbi trupat koloniale, humbi titullin “kryeqytet”, humbi

emigrantët e shumtë politikë që e kishin pasur strehë dhe rusët e bardhë që i kishin dehur netët e Bosforit...“, pra ajo kishte shkuar.

Dhe rrugët ndjehen si të bllokuara, jo thjesht në kuptimin figurativ, por të asaj që po sheh syri. Faktori i tilë shkon të prek ndjesinë e prekshme tek „Stacioni kryesor i trenit, Sirkeci, që ndodhej në shpatin e kodrës poshtë Sayaraburbusë, pikës së sarajit ku perandorët bizantinë dhe sulltanët otomanë kishin zgjedhur të ndërtonin shtëpitë e tyre mbretërore.“ Dhe jo më kot qasja transkulturore shkon deri në devizën e saj më të duhur „Për ta njohur qytetin lipsej të njiheshin edhe detet e tij, brigjet, skelat, portet...“ Të gjitha janë zhurmëra të ndjeshme, janë gjuhë transkulturore në narrativ. Janë domosdoshmëri urash. Vetë Leonardo da Vinçi projektoi Urën e Gallatës në Bririn e Artë. Në shekullin XIX Pera ishte qendra financiare e Perandorisë Otomane, me ngrehina që ndodhen në Bankalar Caddesi, rrugën e bankave, ku ishte edhe selia e Bankës Qendrore të Perandorisë. Godinat e bukura të ambasadave të dikurshme zbukurojnë Rrugën e Madhe, e cila lidh sheshin Taksim me lagjen gjenoveze të Kullës së Gallatës. Kisha e Shën Palit, e ndërtuar në vitin 1233, gjatë mbretërimit të perandorisë latine të Kostandinopojës, është një tjetër ngrehinë e shquar. Më pas e kthyen në xhami me emrin Arap Camii.


E prekshmja transkulturore


Otomanja nuk mbetet vetëm e prekshme, por është më shumë se një memorje, një produkt i ndjeshëm dhe i dukshëm në narrativ. Aty transkulturalizmi formohet dhe forcohet me detaje. Është i tillë dhe momenti kur Mid’hat beut i zuri syri një send tepër të rrallë e me vlera: ishte një kamë e vjetër otomane kumija e zbukuruar me gurë kutia e agatha christie-s të lëmuar oniksi, mermeri, kuarci rozë nga të dyja faqet e dorezës, tehu prej metali dhe milli paksa i harkuar prej bakri të larzuar me gurë gjysmë të çmuar – një kryevepër argjendarie. Po aq është i ndjeshëm dhe “Ekspresi i Oksidentit”.

Te ky tren i ri europianët, sipas Meksit, shikonin “aneksimin e Kostandinopojës nga bota perëndimore”, ndërsa për otomanët ishte “Ekspresi i Oksidentit”. Ishte një numër i madh trenash që kishin mbajtur ndër vite emrin Ekspresi i Orientit, me itinerare të ndryshme, diktuar nga gjeopolitika dhe diplomacia, por edhe nga luftërat.

Në tërë këtë udhëtim të ndjeshëm diskursiv në kohë, hapësirë dhe vend, natyrshëm produkti fin investigativ, ka një sharm të aventurës policeske, por ky nuk është qëllimi në vetvetet i narrativit. Nineta është një memorje mes tërë kësaj hapësire që uhdëton dhe nuk ndalet së udhëtuari edhe kur vendoset pika, apo shenja tjetër e ndalesës së fjalisë. Ajo shkon më tej se emri në dukje, se qasja në lexim, se knfigurimi në diskurs. Nineta është një platformë më vete, ku shkruhet dhe nuk shuhet dashuria. Kjo vetëkuptohet, por mirëkuptohet kur lexojmë se „Ndërsa çastet fluturonin dhe qielli i flakëruar kish zënë të ftohej pak nga pak, ndërsa ujërat e Bosforit dhe të Marmarasë e mbanin tani në barkun e tyre diskun e plotë të diellit të shuar, Mid’hat beu besoi me shpirt se, në këtë univers ku gjithçka mpaket, shuhet dhe vdes, vetëm dashuria është e pavdirshme!“

Në këtë narrativ edhe kur e gjitha flatron mbi avujt e alkoolit dhe të haresë, është ajo që mbetet në hapësirën e memorjes, është Nineta. Ajo herë ecën në majë të gishtërinjve të këmbëve të vogla, e herë sikur sikur vallëzon tërë kohën. Ajo është vetë dashuria dhe jo thjesht ajo dashuri e asaj nate. Netë të tëra më pas dashuria e tyre asaj nate do të mbetet sikurse ishte „si prej ëndrre, e lehtë pupël dhe e ngarkuar me zbukurime si dashuria e zogut të parajsës: ajo prehej mbi shtratin e madh të të dyve krejt lakuriq, vetëm me arturinat e rënda otomane që i zbukuronin llërët, kyçin e duarve, gishtërinjtë e duarve dhe të këmbëve, ballin, kyçin e këmbëve. Dukej sikur trupin e saj hollak dhe të brishtë e kishin mbërthyer pas shtratit në vargonj dashurie. Syprinën e barkut, deri në rrëzë të malit të Venusit, e kish shtruar me çokollatëza të vogla të rrumbullta me një majuc të bardhë sipër, që i quanin “cica murgeshe” dhe që shkrinin në gojë me një aromë trallisëse, të blera në Lebon Pastanesi. Gjinjtë e veckël dhe gushën e bardhë i kish pikëluar me një përzierje magjike mjaltë-pudër bajamesh, që i dashuri të shijonte le dessert (frëngjisht: ëmbëlsira pas ushqimit) mbi trupin e saj.


Dashuria e veshur transkulturore


Po ajo Ninetë qaset e veshur transkulturalisht me një pardesy të hollë kadifeje mëndafshi ngjyrë vishnje, që i shkonte gjer afër nyellit të këmbës dhe linte të shiheshin një palë pantallona të gjera ngjyrë kremi, njëlloj si këmisha me një fjongo të madhe përpara të zezë. Flokët i kish mbledhur në një kapelë elegante të zezë, me një pupël ngjyrë vishnje që fiksohej pas kapelës me anë të një guri ngjyrë gjaku. Këpuckat e sheshta ishin prej kadifeje ngjyrë vishnje, me qëndisma të zeza që dukeshin si shkronja otomane dhe perla të bardha sipër. Edhe veshja e spiunit është një qasje e tillë me veshjen e e tij. Veshjet në jo pak raste në narraiv kanë diksursin e vetë transkulturor.

Tej veshjes është ajo që dhemb në narrativ dhe dhimbjet janë gjithnjë edhe zhbirruese. Si të tilla, sidomos me ikjen e Ninetës, ato janë një helm i errët në sytë e protagonistit, „Mjegullina e errët ishte rënduar shumë mbi kokën e Mid’hat beut dhe përpara syve i shfaqej

e njëjta skenë: Nineta e mbuluar me gjak dhe kama e moçme otomane në dorën e tij. Nineta jepte shpirt me dhjetëra, me qindra herë përpara syve të tij, në skenën që truri ia prodhonte me një saktësi halucinante.“ Edhe në këtë moment kuptohet qartë „Në duar, në tesha, në lëkurë, në amzën e gojës, ai mbante gjakun e saj të mpiksur. I kishte marrë jetën gruas që dashuronte. Këtë i kumtoi oficeri i policisë që u ul pas shkrimëtores përballë tij dhe i kërkoi gjeneralitetet, të cilat i shkroi në një regjistër fletëtrashë dhe të zverdhur nga koha. Nuk e pyeti për motivin e

vrasjes dhe për asgjë tjetër. Por as Mid’hat beu nuk e kundërshtoi për gjë.“

Udhëtimi është i gjithëndjeshëm. Gjendja është e kuptueshme. Mid’hat beu nuk është vetëm në atë pikë, edhe kur një zë pas shpine i komunikoi se ndodhej në burgun e Sremska Mitrovicës, edhe kur ndjen lagështinë e qelisë, edhe kur asgjë e gjallë nuk pipëtinte. Ai ishte dhe mbetej me Ninetën. Edhe atëherë kur dita e re e përzuri fantazmën e Ninetës, atë ditë kur kish rënë ora e arsyes.“Ora e përballjes me logjikën e sertë. Në vetminë e thellë të qelisë së Sremska Mitrovicës, burgut hijerëndë të ndërtuar në Vojvodinë që në kohën e perandorit Franc Jozef, Mid’hat beu pati kohën dhe qetësinë për t’u përsiatur. Ditët ndiqnin njëra-tjetrën brenda një bataku monotonie të zbërdhulët.“


Koha dhe verdikti tej thelbit transkulturor dhe konkluzionit


Dhe koha zbret në narrativ të mbërthehet mes pyetjeve: „Çfarë kish ngjarë minutave kur humbi mendjen? Si u gjend i llangosur me gjak dhe me kamën otomane në dorë? Përse e humbi mendjen? Përse mund ta vriste gruan e dashurisë së tij? Po a kish qenë ai xheloz për Ninetën? E gjitha shkon tek „Dora e zezë“, dhe zbradhja që vinte nga zbulimi tjetër i rëndësishëm i kriminalistikës britanike se arma e bardhë, ishte e tipit kamë, që kishte shkaktuar plagën vdekjeprurëse, dhe ajo e kishte tehun pothuaj një centimetër më të gjerë se kama otomane e gjetur në dorën e vrasësit të supozuar.

U desh kohë dhe puna e shumë specialistëve toksikologë që të diktoheshin gjurmë opiumi në piklat e thara të likerit të mbetur në copëzën e qelqit të gotës, një drogë halucinogjene që sillte një paralizë veprimesh disaorëshe dhe humbjen e përkohshme të kujtesës.

Ja një pjesë nga më të bukurat në roman, të cilën e vendos këndshëm shkrimtarja Mira Meksi „Në Sunningdale, në shtëpinë e saj viktoriane, Agatha Christie jetonte për krimin e bujshëm. Së bashku me David Lambert-in kishin kaluar ditë e net, duke filluar që nga e nesërmja e mbërritjes së tij në Londër me trenin e krimit, duke vënë lupën mbi çdo të dhënë, fakt, detaj, vëzhgim, kujtim, parandjenjë... Shkrimtarja e krimit kishte bindjen se në këtë vrasje të tmerrshme, të mistershme dhe të bujshme, që i kish ndezur pasionin e investigimit qysh në rrëfimin e parë dhe me një frymë të Lambert-it, ishte bërthama e kryeveprës së saj letrare.“

Të tjerat, nga koha dhe verdikti tej thelbit transkulturor dhe konkluzionit, janë dimensione dhe ridimensione të fuqishme narrative, që radhë herë lexohen në krijimtarinë e sotme letrare shqiptare. Janë një pasuri e rallë transkulturore që rrëfen, dikton, dhe përqas diskurse të fuqishme që shërbejnë jo thjesht si gjuhë dhe si produkt i saj, por si vlerë e padiskutueshme narrative, ku dashuria është jo thjesht një kacavirrje narrative, por një filozofi e bukur dhe domethënëse e jetës për të kuptuar thlebin e saj me narrativin ndërtekstor dhe kumtin e saj të sakrificës për vlerën e saj jetike të mirëkuptimit. Sakaq në roman transkulturalizmi dhe forca e dashurisë janë apriori për të ridimensionuar vlerat jetike të Njeriut intelektual dhe protagonist.



44 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page