TRADITA LETRARE NË VLORË


Shkrimtarët vlonjatë dhe roli i tyre në letërsinë shqiptare

MSc. Albert HABAZAJ

Hyrje për një studim letrar

Parë me lentet artistike të shekullit të ri, në qoftë se letërsinë shqiptare të shekullit XX e cilësojmë një rrokaqiell (ndërtesë shumëkatëshe) të qytetit të mrekullueshëm të letërsisë universale, Vlorës i takon nderi të ketë katër kate, si dhe shumë dhoma të tjera të bukura, me hapësirë, me dritë e me ajër. Katër janë shkrimtarët vlonjatë të nivelit kombëtar, pa të cilët letërsia shqipe do të ishte e paplotë, e cunguar, pa këtë formatim harmonik që njohim sot. Këta shkrimtarë sipërorë janë: Ali Asllani, Petro Marko e Shevqet Musaraj, që spikatën me brezin e artë të krijimit të viteve ’30-të, tok me Migjenin, Mjedën, Lasgushin, Kutelin, Konicën, Nolin, Fishtën, Koliqin etj. I katërti është Fatos Arapi, poeti i Zvërnecit, që i përket letërsisë së pasluftës, të cilit “Neraida”, një nga shtëpitë botuese cilësisht më prestigjioze në Shqipëri, me botues njeriun qytetar të kulturës Jani Malo, i botoi veprën e plotë poetike në katër vëllime. Robert Elsie, historian i njohur i letërsisë shqiptare e cilëson F. Arapin “më të mirënjohurin ndër poetët e sotëm shqiptarë”.

Paraqitje

Në linjën kronologjike, shquhet publicisti aristokrat Eqrem bej Vlora (1885-1964), politikan, erudit e studiues historie, kulture dhe etnografie. Është ndër shqiptarët e parë me bibliotekë të pasur, që njihet, për kohën, ndër më të dëgjuarat dhe në Ballkan. “Kujtimet” e tij janë një vlerë e rrallë albanologjike.

Një personalitet i njohur është dhe atdhetari demokrat Halim Xhelo (1893-1937), ndër themeltarët e zjarrtë e titanikë të publicistikës letrare, ideator dhe frymë e luftës së Vlorës. Halim Xhelo Tërbaçi është cilësuar si Abdyl Frashëri i Njëzetës, frymëzimtar i kësaj epopeje, që gremisi perandorinë e pushtimit…

Nga Vlora është dhe i njohuri lirik Nexhat Hakiu (1917-1978), autor i një vëllimi me poezi të gjallë e spontane, zotërues i vargut me ndjenja të holla romantike e sentimentale, botuar më 1939, në tiranë me titullin “Këngët e zambares”. Për lirikat e dashurisë radhitet i dyti pas Ali Asllanit, për atë lloj vjershërimi.

Të tjerë shkrimtarë të angazhuar, por më minorë janë Isuf Luzaj, Andrea Varfi, Aleks Çaçi dhe Spiro Çomora. Një emër i paharruar për letërsinë është dhe juristi vlonjat Kudret Kokoshi (1906 -1991), poet i hollë, erudit e përkthyes i zot, burgosur edhe nga fashistët, edhe me pas nga komunistët. Dramaturgu i talentuar Minush Jero (1933-2006) nga Vlora për dramën “Njolla të murrme” fitoi çmim të parë më 1968, në Festivalin Kombëtar të Teatrit, por u burgos për “mungesë të pastërtisë ideologjike”.

Autori i këtij shkrimi po përgatit për botim studimin libror “Tradita letrare në Vlorë: Shkrimtarët vlonjatë dhe roli i tyre në letërsinë shqipe” Pj.1, ku përfshihen 20 vështrime e profile letrare, si dhe ligjërata të autorit, renditur sipas kriterit kronologjik për shkrimtarët e poetët e shquar Ali Asllani (28.11.1884-20.12.1966), Petro Marko (25.11.1913-27.12.1991), Shevqet Musaraj (27.04.1914-1983) dhe Fatos Arapi (19.07.1930 -11.10.2018); për dy autorë të mirënjohur të publicistikës letrare: Halim Xhelo Tërbaçi (1884-7.02.1937 dhe Eqerem Bej Vlora (1.12.1985-25.05.1964); për shkrimtarë e poetë të tjerë të Vlorës, që njihen për ndihmesën e tyre letrare si: Kudret Kokoshi (18.09.1906-26.04.1991), Isuf Luzaj (21.02.1913-25.11.2000), Andrea Varfi (21.02.1914-18.09.1992), Aleks Çaçi (15.08.1916-23.-02.1989), Nexhat Hakiu (20.06.1917-18.06.1978), Spiro Çomora (31.01.1918-16.04.1973), Nermin Vlora Falaschi (18.04.1921-28.11.2004), Ferhat Çakërri (04.05.1929-22.04.2001), Odise Grillo (21.03.1932-24.09.2003), Minush Jero (27.06.1932-22.03.2006), Duro Mustafaj=Avdurahman Bashaj (21.02.1933-22.12.2019) dhe Skënder Hasko (2.03.1936-4.02.2014)

Në vitet 1970-’80 dalin në skenën letrare shqiptare emra si Hiqmet Meçaj, Fadil Zeqiri, Neshat Tozaj, Shefqet Tigani, Mihallaq Qilleri, që, lartësisht, krijuan profilin e tyre letrar. Prurje të fuqishme talentesh spikasin në këto vite, ku dallohen Flora Gjondeda, Llambro Ruci, Ruzhdi Gole, Pali Shtëmbari, Dalan Luzaj, Lefter Çipa, Kastriot Mahilaj, Luan Malaj, Maro Pasho, Irfan Bregu, Miliano Stefa, Bashkim Kozeli, Harallamb Fandi, Luan Toto, Andrea Petromilo, Odise Goro, Jani Malo, Merita Caci etj., që dhe u inkurajuan si talente të reja të kohës.

Hiqmet Meçaj cilësohet i krahasueshëm në poezi me nivelin artistik të Xhevahir Spahiut. Pa dalë nga formati i synimit shkrimor të kësaj paraqitjeje, do të qëndroj pakëz tek shkrimtari Hiqmet Meçaj, poet dhe prozator i shquar, që përbën modelin unikal të autorit të dashuruar 100 % me vendlindjen, sepse, edhe pse e kishte kulturën, talentin e mundësitë për të jetuar e punuar në kryeqytet, si të shquarit e tjerë, ai Vlorën nuk e ndërroi dhe nuk e këmben me asnjëv end tjetër. Dëshiroj ta shijojmë artistikisht së bashku me ju lexues të dashur të “Telegrafit” poezinë e tij “Gjumëholluar”, shkëptur nga cikli “Poezi të hershme” (1985): “Nëpër pemët shuhet zjarr i gjelbër,/ kokat tundin bisqet e rinj,/ në pjatë të qiellit ngul buzët i etur,/ lëngun e hënës pi…/ … dhe ngrihem, eci nëpër vreshta/ gjumholluar nga kjo natë shtatori,/ dëgjoj monologun e një dardhe vjeshte/ të zbehtë si Moisiu në rol./ Kurse tej, midis kuajve kashte,/ i kallajtë, rojtar i përgjumur,/ dëbon shpirtrat e kaltër të pyllit/ me çekan të shurdhër prej druri”.

Një koment të vockël kam: Poezi të tilla janë të rralla. Ato nuk lexohen, shijohen me frymëmarrje të thellë poetike. Lirikë antologjike, lakonike, çdo varg e mbushur me filigran figurash stilistike. Poezi me “zjarr të gjelbër” që ka drithëruar poetët zëmëdhenj të Tiranës. Poeti ynë i lartë si mali, i thellë si deti, mendjehapur, zemërgjerë e ndjenjabukur, me një thjeshtësi krenare, sikur u thotë: Unë jam Hiqmet Meçaj, Poeti i Madh Autokton i Vlorës. Mos u tutni nga unë. Nuk u bëj gjë. Vëreni dhe mësoni të thurni Poezi! Lumthi Vlora që të ka, o Penëflori! Ndërsa për poezinë “Dielli si lulëkuqe” (Motiv i vjetër), shkëputur nga cikli: “Balada”, ku autori ka hedhur disa poezi me frymë të theksuar labe, ndonëse janë shkruar në rininë e tij të hershme, mendoj se Edhe pse balada ka rreth një gjysmë shekulli më parë, na duket po aq e bukur, e freskët, me ngjyra të gjalla mrekullisht të trishta, sikur të jetë thurur sot. Poezi të tilla, që s’ ua lexon dot moshën janë të përgjithmonshme, sepse kanë autor poet të kalibrit më të lartë kombëtar, siç është Poeti ynë Hiqmet Meçaj.

Nga autorët vlonjatë janë përfaqësuar në antologjinë e letërsisë bashkëkohore shqiptare: Petro Marko, Shevqet Musaraj, Spiro Çomora, Fatos Arapi e Neshat Tozaj.

Nga Vlora evidentohen dhe pesë shkrimtarë të shquar për fëmijë: Odhise Grillo – lëvrues i madh i letërsisë moderne shqipe për fëmijë, autor i mbi 120 librave dhe fitues i 30 çmimeve të para; poeti Tasim Gjokutaj, origjinal në humorin dhe satirën e tij; Ferhat Çakërri, ose “xhaxhi Ferati”, siç i thërrisnin në Vlorë mikut të Dritëroit të madh e fëmijëve të vegjël; Skënder Hasko që i ka sjellë frymëzime të thella botës letrare fëminore; Bardhosh Gaçe me magjinë e ëmbël të fjalës për vogëlushët, ndërkohë dhe studiues me vullnet balzakian për kulturën vlonjate e më gjerë.

Një rrymë e re letrare

Gjatë viteve 1985-1995 një rrymë e re letrare lind në Vlorë, e përfaqësuar nga Seit Seitaj, Xhemil Lato, Albert Habazaj (Abazi) e Qerim Skënderi. Në qoftë se, deri atëherë njihej në nivel kombëtar Shkolla Vlonjate e Pikturës, po konturohej tashmë denjësisht Shkolla Poetike e Vlorës, (kuptohet, krahas shkollave të tjera letrare). Ndihej, tok me shqetësimin qytetar e intelektual, aroma e së nesërmes dhe vizioni universal i poetëve të rinj, që tashmë s’ishin më të rinj e të pakët, sepse shoqëria letrare e qytetit po rritej dhe njëkohësisht ngrihej cilësisht me individualitete të dalluara për nivel artistik në veprat e tyre. Anastas Bita, Theodhori Proko, Enrieta Sina, Eqerem H. Canaj, Hiqmet Mehmetaj, Astrit Xhaferi, Vangjel Pici, Petrit Qejvani, Idajet Jahaj, Thodhori. V. Baba, Elma Rama, Leka Skëndaj, Novruz Abilekaj, Kleo Lati, Avni Varfi, Liljana Zoga, Evis (a) Çelo, Suzana Zisi, Astrit Hajdini, Laureta Petoshati, Aleksandër Çipa, Eva Gavani, Andi Meçaj, Robert Goro, Dionis Qirzidhi, Delo Isufi, Kristo Çipa, Nertesi Asllani, Rudina Papajani, Timo Mërkuri, Zamira Agalliu, Kujtim Lapa, Çlirim Hoxha, Zenepe Luka, Gëzim Zilja, Muhamet Derri, Novruz Dervishi, Remzi Gjika, Kristaq Xhaho, Felek Bleta, Gëzim Llojdia, Vilhelme Vranari (Haxhiraj), Myrteza Mara, Tomor Balla, Albana Hodo, Sinan Elmazi, Kozma Billa, Lela Qejvani, Vangjel Stefa, Luto Memokondaj, Pëllumb Velo, Eduart Frakulla, Vjollca Staro, Pelivan Bajrami, Kujtim Skënderaj, Mynyr Zyka, Kudret Mara, Enver Qamo, Valbona Gaçe, Sokrat Habilaj, Idlir Azizi, Ylli Bora, Kujtim Murati, Neki Dredha, Ruzhdi Bajrami, Kristaq Xhaho, Adrian Saliaj, Azem Troqe, Pajtim Xhelo, Anila Toto, Alma Feruni, Natasha Limaj, Alban Tartari, Aljosha Korkaj, Petraq Pali, Arjola Vangjel Sako, Dritan Xhelo, Blerina Kotorri, Besiana Koshena, etj. Nga Vlora është e talentuara dhe e vlerësuara në rang europian si poete e përkthyer, Dr. Alisa Velaj, e shquar për poezinë e imazhit me frymë misticizmi. Listimi poetik vijon e do të vijojë gjatë shekullit XXI me të tjerë emra që përbëjnë gjethet e degët e gjelbra të pemës së shëndetshme të krijimit letrar në Vlorë, mbi rrënjët e thella të traditës letrare të qytetit që na shfaqet si kartolinë epiko-lirike e Mesdheut.

60 views0 comments

Shkrimet e fundit