top of page

TINGUJ TË KOHËVE TË VONA






Janë disa tinguj, që po më lënë zgjuar,

ca gërhitje dhimbjesh, të kohëve të vona,

dua t’i risjell, për kujtesën e interesuar,

të çliroj shpirtin, me disa vargje jehona.

Dua t’i shpreh të sotmes, fjalë dëftore,

duke i buzëqeshur ëndrrës sime, delikate,

me një buzagaz rrezesh mëngjesore,

në kuadratin e fundit, të kësaj nate...

Do flas me gjatësi vale, që antenat e trurit,

t’i kapin fjalët, në tërë dialektet e truallit,

sepse mbresat, më janë ngulitur në mendje,

si thumbi i hostenit, në brinjët e buallit.

Teksa yjet dergjen, në trajektoret e tyre,

si shportë e mbushur, me vezë planetësh,

tetë lumenj lëkunden, në shtrat turbullire,

me ujëra dertesh, nga shekujt e kësaj jete.

Arkitektura larushane e fantazisë sime,

më çon te qeskat bosh, të xhepave punëtor,

të shpërthej britmën, me oktava buçitëse,

mbi të gjitha çatitë e humanizmit njerëzor...

E hidhur ishte buka, që kemi shijuar dje,

me këlyshët e ujkut e vëllezërit e gjarprit,

që u hodhën hallkat në fyt, të pafajshmëve,

por kemi sërish rradake, ngjitur së prapthi.

Shimpanzetë dhe gorillat e llahtarshme,

që kryen në këtë tokë, beteja klasore,

lanë këtu frymën, për vitet e ardhshme,

ndaj na duhen patjetër, pastrime ajrore.

Se kur përrenjtë, ziejnë shkumën në ujë,

dhe dielli pas maleve, shuan zjarrminë,

robi i këtij trualli, duron njësoj si statujë,

në vendin e gurrave, plot me buçimë...

Të shumtit mbajnë barkun, me pak grosh,

ndërsa pjellat, u qajnë si bredhat në hala.

Kokërdhokët premtues, me plëndësin plot,

tallen dhe qeshin, sa tundet mëhalla.

Në sytë e vocërrakëve, prej lotësh ndritur,

dhe në gojët e paushqyera, që po vuajnë,

fjalët e mjerimit, vazhdojnë të vdesin,

në veshët e atyre, që i kanë dëgjuar...

Të moshuarit, me barkun e zbrazur,

hanë aq pak, sa për të gënjyer urinë,

të tjerat i bëjnë ilaçe, për shpirtin e plasur,

duke frekuentuar rregullisht, farmacinë.

Si ekskavatorët, që nuk ngopen me dhe’

bizneset mbledhin fitime nga varfëria e gjorë,

teksa njerëzve, në cipën e hollë të syve,

lëngu i ndritshëm, u rrëshqet si meteor.

Ndërkohë faturat, si çafka kthetra mprehta,

bashkë me pendëzinjtë e rrotave të rrugëve,

me sqepin e mprehtë, kërkojnë të gjejnë,

edhe ku i fsheh ketri, lajthitë nëpër trungje.

Etërit kuvendarë, të ardhur nga monedha,

me egërsinë e ujkut dhe zërin nga shpella,

ushtojnë si shkrepa, murmurisin si grenza,

pa u zhytur në detin e halleve të thella...

Ata i heqin tapën trupit, nga gryka,

shpifin të palara, nxjerrin rrena sheshit,

pa iu dridhur aspak, qerpiku nga frika,

me fjalitë e tyre të çajnë, daullen e veshit.

Kur u vjen koha, të rizgjidhen përsëri,

ashtu si shtërzimi, që zë gratë shtatzëna,

sillen përqark kudo, shtëpi më shtëpi,

të lëshojnë kopilin e tyre, aty brenda...

Koha ecën ngadalë, si cilindri i asfaltimit,

brushat e fabrikave, nuk lyejnë më qiellin,

por blihet nafta e Ballshit me qimet e kokës,

dhe me flori të pastër, plehu kimik i Fierit.

Edhe një kokërr gruri, këtu ka histori,

nga fara e vjetër, mbjellë nëpër ugare,

deri te duajt e parcelës, mbushur me kalli,

ku djersitet bujku, për sofrën familjare.

Por kokrra e burrit, nuk ka atë burrëri,

që kishin etërit e lashtë, shekullarë,

për të ushqyer me mendim e mençuri,

njerëz të besës, me përkushtim atdhetar.

Dhe bijë, me frymën e etur për punë,

nga putrat e këmbëve, nxjerrin zjarr,

në rrugët e papara të globit, gjithkund,

me mendjen peng, në vatrën e parë.

Të ikur nga të dashurat e tyre të zemrës,

ruajnë dashurinë për strehën prindërore,

si nënat foshnjën, në barkun jetëdhënës,

për të lindur të nesërmen trashëgimore.

Thonë, se fati, këtë vend, e ka mallkuar,

shekujt lanë këtu, galloshet me dëborë

dhe mezi po ecim, në rrugëtimin e penguar,

të dalim, ku bota i ka vënë lumturisë kurorë.

S’kemi pse të jemi, kaq larg nga Evropa,

me disa dekada vitesh, prapambetës,

se na takon të jetojmë, si gjithë bota,

njësoj si në zgjojtë gumëzhitës të bletës.

Ku duhet të shpërthejnë gëzimet e harruara,

të mugullojë pranvera njerëzore e kësaj toke,

me blerim sythash, në degë të lulëzuara,

derisa të thahen kudo, qerpikët e lotëve...

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page