Timo Mërkuri: ZVOGËLIMI I PYLLIT BRENDA NJERIUT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 6 min read

ZVOGËLIMI I PYLLIT BRENDA NJERIUT
(Mbi “Elegjinë e pyjeve” të Visar Zhitit)
Nga Timo Mërkuri
“Elegjia e pyjeve” e Visar Zhitit është një vajtim i shumëfishtë. Nuk qan vetëm për drurët e prerë, por për njeriun e cunguar shpirtërisht. Pylli bëhet masë matëse e gjithçkaje: e frikës, e dashurisë, e turpit, e poezisë. Sa më shumë zvogëlohet pylli, aq më shumë zmadhohet boshllëku moral. Poezia shfaqet si një inventar dhimbjeje, por edhe si një akt ndërgjegjësimi. Kjo elegji nuk vjen si klithmë, por si një matje e heshtur e humbjeve. Zhiti nuk e shfaq shkatërrimin si ngjarje, por si proces: një tkurrje të ngadaltë të asaj që e bënte njeriun të ndjehej njeri. Pylli, në këtë poezi, nuk bie me zhurmë, por tretet - ashtu si ndjeshmëria.
I-Është një poezi moderne, me theks të fortë ekzistencial dhe kritik social. Ajo përdor varg të lirë, metaforë të zgjeruar, ironi dhe simbolikë, pa narrativë lineare. Në të ndihet edhe fryma postmoderne, sidomos në denoncimin e burokracisë, medias dhe qytetërimit të spektaklit, por boshti mbetet modernist: ankthi për humbjen e njeriut dhe të kuptimit.
1. Pylli shfaqet si metaforë e qenies njerëzore; ai nuk është vetëm natyrë, por hapësirë e brendshme shpirtërore. Më së pari si është hapësira e brendshme e njeriut. Zvogëlimi i pyjeve shënon varfërimin shpirtëror:
“është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe është shtuar sipërfaqja e frikës”
Frika rritet aty ku mungon rrënja. Pylli përfaqëson guximin, bukurinë, vetëtimën e brendshme. Kur ai zhduket, njeriu humb orientimin dhe bëhet më i bindur, më i trembur, më i zhveshur nga drita e vet.
2. Një nga figurat më tronditëse është ajo e hënës:
“dhe hëna është e pambuluar
si një zhvirgjërim i dhunshëm dhe
pastaj i braktisur”
Këtu natyra trajtohet si trup i dhunuar. Nuk kemi më marrëdhënie me të, por shfrytëzim dhe braktisje. Zhvirgjërimi i hënës nuk është vetëm metaforë e dhunës ndaj natyrës, por e humbjes së çdo misteri. Njeriu modern nuk duron më asgjë të mbuluar, asgjë që nuk i përket. Ai zbret edhe hënën në tokë, vetëm për ta braktisur më pas. Zhiti e kthen shkatërrimin ekologjik në një akt etikisht të dënueshëm. Dhuna ndaj pyllit është dhunë ndaj pafajësisë.
3. Poezia dhe fjala janë në raport si një pyll i rrezikuar. Poezia vetë hyn në rrezik. Ajo humbet hapësirën e saj natyrore:
“sipërfaqja e poezisë, e psherëtimave,
fjalë gjethesh ka më pak
e thashetheme më shumë”
“Fjalët-gjethe” janë fjalë të gjalla, të brishta, me frymë. Ato zëvendësohen nga thashethemet, nga zhurma boshe. Kjo është një kritikë e thellë ndaj degradimit të ligjërimit publik dhe kulturor. Kur humbet poezia, humbet edhe aftësia për të ndjerë, pra dhe për të folur me etikë.
4. Zhvillimi urban në poezi nuk paraqitet si përparim, por si zgjerim i turpit:
“është zmadhuar sipërfaqja e qyteteve
dhe sipërfaqja e turpit është zmadhuar”
Qyteti rritet, por ndërgjegjja zvogëlohet. Turpi bëhet aq i madh sa nuk e nxënë gazetat, pse te çdo hapësirë të jetës. Ironia është e hidhur dhe e saktë. Shoqëria e spektaklit e normalizon mëkatin dhe e shtyn pendimin për më vonë, ndoshta për kurrë..
5. Një nga vargjet më therëse dhe më ironike është:“janë shtuar drejtoritë e pyjeve”. Pylli zhduket, por zyrat shtohen. Kjo është absurditeti modern. Administrata zëvendëson jetën. Dashuria nuk gjen më vend, as për zogjtë: “se ata s’dinë të bëjnë dashuri zyrave” Dashuria nuk njeh formularë. Ajo kërkon hapësirë të lirë, jo protokoll.
6.Në fund, poezia përqendrohet te individi, te një fëmijë:“Një çunak vizaton pemë mureve” Ky akt i vogël prej fëmije është një akt njerëzor rezistence. Fëmija vizaton pemë atje ku ato nuk ekzistojnë më. Madje i gdhend në trup:
“bën tatuazhin e pemës
në lëkurën e krahut të tij të hollë”
Fëmija nuk e shpëton pyllin, por e mban mend. Dhe ndonjëherë, kujtesa është forma e fundit e shpëtimit. Tatuazhi i pemës nuk është zbukurim, por plagë e vetëdijshme: një shenjë që nuk lejon harresën të shërohet lehtë, një dhimbje tatuazhi fëmije që shndrohet në dhimbje kolektive: “ “sa pylli gumëzhin në gjak si dhimbje/e maisur plage”
Këtu poezia mbyllet me një shpresë të dhembshme. Pylli jeton ende, por si plagë, si kujtesë, si nevojë për shërim. Por dhe si shpresë, si ëndërr njerëzore. “Elegjia e pyjeve” vërtet është një poezi për humbjen, por edhe për kujtesën edhe për shpresën.
II-Risia e poezisë në poetikën shqipe
Risia e poezisë “Elegjisë e pyjeve” qëndron në faktin se Visar Zhiti nuk e shkruan poezinë si vajtim romantik për natyrën, as si thirrje ekologjike në kuptimin e zakonshëm. Ai e shndërron pyllin në një njësi matëse morale. Poezia nuk pyet sa hektarë janë prerë, por sa njeri ka humbur brenda njeriut.
1.Në poetikën shqipe, natyra shpesh ka qenë strehë, bukuri ose simbol atdheu. Te Zhiti, ajo bëhet pasqyra e ndërgjegjes. Kjo është risi e fortë: poezia ekologjike kthehet në poezi etike dhe ekzistenciale. Zvogëlimi i pyjeve mat zvogëlimin e poezisë, të turpit, të dashurisë dhe të fytyrës njerëzore.
“është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
sipërfaqja e poezisë, e psherëtimave”
Këtu poezia flet për veten e saj. Ajo ndjen se hapësira e saj po ngushtohet, njësoj si pylli. Pyjet janë metafora qendrore, por ajo çfarë humbet realisht është hapësira shpirtërore e njeriut. Pylli përfaqëson gjithçka që nuk administrohet dot: ndjenjën, turpin , dashurinë, pendimin. Kur poeti thotë:
“është zvogëluar sipërfaqja e turpit,
sa pak turp kemi tani”
ai nuk flet më për natyrën, por për njeriun, për shoqërinë njerëzore. Pylli shndërrohet në një shkallë etike. Sa më pak pyje, aq më pak ndjeshmëri. Aq më pak pendesë: “fare pak kohë kemi për t’u penduar” profetizon poeti.
2.Metafora e qytetit dhe burokracisë
Një tjetër risi është mënyra si Zhiti e kundërvë natyrën me qytetërimin modern. Qyteti nuk vjen si progres, por si zgjerim i marrëzisë dhe turpit:
“është zmadhuar sipërfaqja e qyteteve
dhe sipërfaqja e turpit është zmadhuar”
Ironia e “drejtorive të pyjeve” është goditje e drejtpërdrejtë ndaj mendësisë administrative që zëvendëson jetën me letra:“janë shtuar drejtoritë e pyjeve”
Pylli zhduket, por institucionet shumohen. Kjo është një poezi që flet hapur për absurditetin modern.
3.Figura e njeriut dhe shpresa e dhembshme
Risia më e ndjeshme është mbyllja e poezisë me një akt intim dhe njerëzor. Një fëmijë që vizaton pemë, madje i gdhend në trup:
“Një çunak vizaton pemë mureve
bën tatuazhin e pemës
në lëkurën e krahut të tij të hollë”
Këtu poezia nuk predikon. Ajo tregon. Pylli nuk është më jashtë, por brenda gjakut:
“sa pylli gumëzhin në gjak si dhimbje
e maisur plage”
Kjo është shpresa e vetme: kujtesa që dhemb.
Elegjia e pyjeve” nuk është poezi për pemët, por për zhdukjen e ndjeshmërisë njerëzore; pylli është metafora e asaj që nuk duhet humbur, sepse me të humbet edhe streha shpirtërore e njeriut. Kjo analizë, ashtu si vetë poezia, nuk është shkruar për t’u vlerësuar, por për të dëshmuar një dhimbje estetike dhe etike. Në këtë dhimbje që gumëzhin si plagë, jeton ende poezia - dhe ende ndërgjegjja.
Sarandë, janar 2026

Visar ZHITI
ELEGJIA E PYJEVE
Është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe është shtuar sipërfaqja e frikës,
është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve,
ka më pak kafshë tani
më pak guxim e vetëtima më pak,
më pak bukuri
dhe hëna është e pambuluar
si një zhvirgjërim i dhunshëm dhe
pastaj i braktisur,
është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
sipërfaqja e poezisë, e psherëtimave,
fjalë gjethesh ka më pak
e thashetheme më shumë.
Është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
lumenjtë s’magjepse , lumenjtë hutohen,
si zebra parqesh zoolog jik e na shohin
lumenjtë
është zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe sipërfaqja e turpit,
sa pak turp kemi tani
s’pendohemi për asgjë,
fare pak kohë kemi për t’u penduar.
Janë shtruar rrugët,
reklamat dhe dilemat
magazinat, kinematë e lavditë
është zmadhuar sipërfaqja e qyteteve
dhe sipërfaqja e turpit është zmadhuar
gjithe ato turpe sa s’i nxene gazetat
dhe vijojne ne numrin e ardhshëm
dhe ne abonimin e vitit tjetër të marrëzisë
Eshte zvogëluar sipërfaqja e pyjeve
dhe janë shtuar drejtoritë e pyjeve
sipërfaqja e dashurisë është zvogëluar
dhe zogjtë kanë më pak vend
për dashuritë e tyre
se ata s’dinë të bëjnë dashuri zyrave
Është zvogëluar sipërfaqja e fytyrave
Një çunak vizaton pemë mureve
në sytë e mi vizaton pemët
bën tatuazhin e pemës
në lëkurën e krahut të tij të hollë
si fundi i shekullit XX
kaq shumë e ngul gjilpërën e nxehtë më bojë
sa pylli gumëzhin në gjak si dhimbje
e maisur plage.









Comments