Timo Mërkuri : Risitë poetike të një Sarande përjetuar te Fatmir Terziu
- Apr 20
- 6 min read

Risitë poetike të një Sarande përjetuar te Fatmir Terziu
Nga Timo Mërkuri
Poeti Fatmir Terziu ka shkruar shumë për Sarandën, sa që po t’i mbledhësh gjithë krijimet e tij poetike për këtë qytet bëhet një vëllim poetik, i madh si nga vlera dhe nga numri i faqeve. Por në këtë poezi, ai nuk rikthehet thjesht si këngëtar i peizazhit të qytetit. Këtë herë ai vjen me një frymë të re, më të lirë, më të brendshme, më të depërtuar në thelbin e përjetimit. Në këtë poezi Saranda nuk është më një vend ku shkohet, por një hapësirë ku njeriu kthehet te vetja, sikur deti dhe kujtesa të flisnin me të njëjtën gjuhë.
1.Risia e parë që bie në sy është mënyra si Saranda nuk paraqitet më si një vend konkret, por si një hapësirë që lëviz bashkë me shpirtin. Që në vargjet hyrëse, qyteti shndërrohet në një gjendje poetike:
“N’breg t’Sarandës, ku drita flesht si shall,
aty ku Joni lebiret si një vals i paparë…”
Këtu drita nuk ndriçon, por “flesht”, bëhet e prekshme, thuajse trupore. Ndërsa deti Jon nuk është më thjesht det, por një “vals i paparë”. Kjo është një shmangie e qartë nga përshkrimi realist drejt një perceptimi të brendshëm, ku natyra merr ritëm dhe frymë njerëzore.
2.Një tjetër risi është figura e “Rrotës së Botës”, e cila nuk ka bosht e as rreze. Kjo është një metaforë moderne, gati filozofike, që shpreh një botë pa qendra të qëndrueshme, një realitet të rrjedhshëm ku gjithçka mbahet nga ndjesia:
“S’ka bosht kjo rrotë, as rreze që shihen,
veç kripa n’ajër e zemra që rreh…”
Këtu poeti e zhvendos gravitetin nga materia te përjetimi. Bota nuk qëndron mbi struktura, por mbi rrahjen e zemrës. Ky është një vizion tipik i poezisë moderne, ku realiteti është më shumë ndjesor sesa fizik. Bota duket sikur mbahet pezull mbi një ndjesi të brishtë, ku ekzistenca nuk matet më me peshë, por me dridhjen e shpirtit.
3.Risia e tretë lidhet me lëvizjen e dyfishtë të figurave poetike. Poeti dhe tjetri (një “ti” i hapur, që mund të jetë dashuri, mik, apo vetë lexuesi) nuk janë të bashkuar në mënyrë statike, por të ndarë e njëkohësisht të bashkuar nga vala:
“unë n’nj’anë t’valës, ti n’anën tjetër valë…”
Kjo krijon një tension të bukur poetik: një afërsi në largësi. Është një marrëdhënie që nuk kërkon bashkim fizik, por një harmoni në lëvizje. Kjo është një risi në raport me poezinë më tradicionale të dashurisë.
4.Një element tjetër i ri është përdorimi i gjuhës si pjesë e peizazhit. Folja “laj” nuk është vetëm veprim, por bëhet vend ku endet tjetri:
“endesh ti n’breg ku lakohet folja ‘laj’…”
Kjo është një lojë e hollë poetike, ku gjuha dhe natyra ndërthuren. Fjala nuk përshkruan botën, por bëhet vetë botë. Kjo i jep poezisë një dimension metapoetik. Në këtë mënyrë fjala nuk mbetet mjet shprehjeje, por bëhet vendbanimi i përjetimit, aty ku njeriu dhe natyra ndalen për një çast në të njëjtën frymë.
5.Po ashtu, koha në këtë poezi nuk rrjedh në mënyrë lineare. Ajo është si rëra që vjen e shkon, njëkohësisht e kapshme dhe e pakapshme:
“Rëra vjen e shkon si koha n’dorë,
mirazh i lagun që s’ka mbarim…”
Këtu kemi një konceptim ciklik dhe të paqëndrueshëm të kohës, që i përshtatet më shumë ndjesisë sesa kronologjisë.
6.Kulmi i risisë poetike qëndron te rikthimi i Nereidave. Këto figura mitologjike nuk vijnë si dekor, por si një kujtesë e thellë kulturore dhe shpirtërore. Ato janë “të harruara”, pra poeti nuk i shpik, por i rizbulon:
“kërcejmë vallen e Jonit pa emër tjetër,
me Nereidat e harruara n’Jonin nur.”
Këtu Saranda lidhet me një mitologji të lashtë, duke e nxjerrë qytetin nga koha e sotme dhe duke e futur në një rrjedhë të përjetshme. Kjo është një nga risitë më të bukura: bashkimi i modernes me arkaiken.
7.Në fund, Saranda shfaqet si një figurë femërore, si një nuse në dritë:
“E Saranda perlë rri si nuse n’dritë…”
Ky personifikim nuk është i ri në vetvete, por mënyra si ndërtohet këtu është më e butë, më intime, më pak deklarative dhe më shumë e ndjerë.
Në çdo varg ndihet një lëvizje e qetë, si ecja përgjatë bregut kur njeriu nuk kërkon të arrijë diku, por vetëm të dëgjojë ritmin e vetes. Në tërësi, kjo poezi sjell një Sarandë që nuk shihet, por përjetohet. Një Sarandë që nuk qëndron, por lëviz me shpirtin. Dhe kjo është vula më e qartë e risisë së saj: poeti nuk përshkruan qytetin, por e shndërron atë në një përvojë të brendshme, ku njeriu, deti, koha dhe miti bashkëjetojnë në një valle të qetë, si vetë “vals i paparë” i Jonit.
8. Në vijim të kësaj analize, një shtresë tjetër kuptimore hapet qetësisht te poezzia, thuajse pa zhurmë, por me një dritë të brendshme që e bën vargun më të gjerë se vetja. Kjo lidhet me vetë dedikimin: “Poetëve dhe miqve të mi krijues, Sarandë”. Këtu nuk kemi më vetëm një përjetim të dyfishtë, por një hapje drejt një bashkësie, drejt një fryme që i përfshin të gjithë. Në këtë mënyrë poezia largohet nga vetmia e autorit dhe bëhet një vend takimi, ku krijimi nuk është më akt individual, por një ndriçim i përbashkët.
Fatmir Terziu, siç dihet, ka shkruar dhe ka analizuar me kujdes krijimtarinë e secilit prej nesh. Ai na njeh zërat, na i dallon timbret, i ka lexuar në thellësi vargjet dhe prozën. Por në këtë poezi nuk i sjell si objekte analize, nuk i ndan e nuk i rendit. Përkundrazi, i mbledh të gjithë në një tufë të vetme vargjesh, si lule pranvere që nuk kërkojnë të dallohen, por të japin aromë së bashku. Kjo bashkësi nuk kërkon hierarki apo dallim, por vetëm praninë e ndërsjellë të zërave që e mbajnë gjallë frymën e qytetit dhe të poezisë.
a.Kjo e bën poezinë më të butë dhe njëkohësisht më të pasur. Sepse “unë” dhe “ti” zgjerohen në një “ne” që nuk shpallet, por ndihet. Një “ne” që rrjedh natyrshëm nëpër vargje:
“po ne e bëjmë varg me çdo qëllim,
n’valët që s’njohin as kohë, as shpresë.”
Këtu fjala “ne” nuk është thjesht një shumës gramatikor. Është një bashkësi krijuese, një frymëzim i përbashkët që e bën poezinë të marrë frymë më thellë. Vargu nuk është më pronë e një zëri, por një hapësirë ku shumë zëra treten në një ritëm të vetëm. Kështu poezia shndërrohet në një hapësirë bashkëjetese, ku krijuesi nuk qëndron më përballë botës, por brenda saj, si pjesë e një frymëmarrjeje të përbashkët.
b.Në këtë kuptim, edhe muzikaliteti i poezisë merr një vlerë tjetër. Zanoret nuk janë vetëm tinguj, por si stërkala të Jonit që ndriçojnë në ajër. Ato hapen, rrjedhin dhe rikthehen, duke krijuar një lëvizje të lehtë, të padukshme, por të ndjeshme:
“dritës së kaltër t’Jonit, na deh me blunë”
“Valët na bien si këngë mbi supet…”
Këtu tingulli dhe pamja bëhen një. Vargu nuk lexohet vetëm, por dëgjohet dhe shihet njëkohësisht. Kjo është një nga ato finesa që nuk bie menjëherë në sy, por që e mban poezinë të gjallë në kujtesë. Është sikur gjithë kjo poezi të ecë drejt një çasti pajtimi, ku kujtesa, miqësia dhe arti gjejnë të njëjtin ritëm.
c.Në fund, edhe vallja me Nereidat merr një kuptim më të hapur. Nuk është më një përjetim i izoluar, por një rit ku marrin pjesë të gjithë, të dukshëm e të padukshëm, të tashëm e të kujtuar:
“kërcejmë vallen e Jonit pa emër tjetër,
me Nereidat e harruara n’Jonin nur.”
Kjo valle është, në thelb, vetë poezia. Një vend ku poetët nuk qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, por krah për krah, të zenë përdore në një varg, në një valle të përbashkët që nuk ka nevojë për emra të veçantë. Dhe pikërisht këtu qëndron një nga veçantitë më të bukura të kësaj poezie: ajo nuk kërkon të dallojë zërin e vet mbi të tjerët, por të krijojë një harmoni ku secili zë ndihet, edhe kur nuk përmendet.
Sarandë, prill 2026
Kërcejmë me Nereidat e harruara
(Poetëve dhe miqve të mi krijues, Sarandë)
N’breg t’Sarandës, ku drita flesht si shall,
aty ku Joni lebiret si një vals i paparë,
unë n’nj’anë t’valës, ti n’anën tjetër valë,
e Rrota e Botës na merr bashkë matanë.
S’ka bosht kjo rrotë, as rreze që shihen,
veç kripa n’ajër e zemra që rreh,
si ora e vjetër që fshehtas ndihet,
kur sekonda n’heshtje rrëshqet e tret.
Endem unë n’rrugicat me gur t’lagun,
endesh ti n’breg ku lakohet folja „laj“,
dy shpirtra t’çlirë, në dritë e shkumë,
që ndjekin erën ku t’dojë ajo t'na mbaj.
E na merr bota si shkumë mbi dallgë,
dritës së kaltër t’Jonit, na deh me blunë
na hedh pa frikë n’kufi rëre e uji bashkë,
ku puthen brigjet n’heshtje t’pafund.
Valët na bien si këngë mbi supet,
e rëra rrëshqet si kostum i ri,
nën kambët tona toka lëkundet,
si zemra që s’di veç me u ndi.
Rëra vjen e shkon si koha n’dorë,
mirazh i lagun që s’ka mbarim,
po përqafimi ynë i bardhë borë,
na mban n’kët’ çast me poezinë.
E Saranda perlë rri si nuse n’dritë,
me sy nga deti e shpirt nga retë,
e Joni rrotullohet enkas n’kët’ rit,
si kangë që s’lodhet kurrë n’jetë.
Peshkatarët hedhin rrjetat n’agim,
me shpresë t’thyer n’ujëra t’pabesë,
po ne e bëjmë varg me çdo qëllim,
n’valët që s’njohin as kohë, as shpresë.
E dorë për dore, si n’andërr t’vjetër,
me hapa t’lehtë mbi shkumë e gur,
kërcejmë vallen e Jonit pa emër tjetër,
me Nereidat e harruara n’Jonin nur.








Comments