top of page

Timo Mërkuri: Një lexim i ngrohtë për tregimin “Kadife” të Fatmir Terziut

ree

 

Tregimi “Kadife” vjen si një rrëfim i butë, por si  ato tekste që të ndjekin gjatë. Nuk të imponohen me ide, pse të lënë t’i gjesh vetë. Rrëfimi ecën ngadalë, si një grua që ujit lulet në mëngjes, dhe pikërisht aty qëndron forca e tij.

 

Të rejat që sjell tregimi

 

E reja më e madhe e këtij tregimi është zgjedhja e butësisë si formë rezistence. Në letërsinë që trajton diktaturën, zakonisht përballja vjen e ashpër, e drejtpërdrejtë. Te “Kadife”, Terziu zgjedh një tjetër rrugë. Ai flet për diktaturën pa e thirrur me emër, për dhunën pa e treguar me skena të errëta, për frikën pa e dramatizuar. Gjithçka kalon përmes jetës së zakonshme: kopshti, shtëpia, fjala e thënë me zë të ulët, heshtja.

Një tjetër risi është vendosja e gruas dhe e nënës në qendër të qëndresës morale. Nuk janë heronj me parulla, por gra që mbajnë shtëpinë, dinjitetin dhe kujtesën. Kadifja nuk sfidon me fjalë, por me sjellje. Ajo nuk kërkon hakmarrje, por një vend ku e vërteta të mos jetë turp. Ky është një mesazh i rrallë dhe i çmuar.

Mesazhi i  tregimit “Kadife” është i qartë dhe i thellë: njeriu nuk matet nga hija e apo "errësira"  e biografisë, por nga drita e zemrës. Diktatura përpiqet ta ulë njeriun në dosje, në thashetheme. Tregimi e ngre njeriun përmes veprimit të vogël, përmes durimit, përmes së mirës së heshtur.

Një tjetër mesazh i fortë është ai i kujtesës, e cila këtu nuk është plagë e hapur, por dritë që kalon brez pas brezi. Kadifja ua tregon fëmijëve historinë jo për t’i mbushur me urrejtje, por për t’i mësuar të jetojnë me zemër. Kjo e bën tregimin të mos mbetet thjeshtë dëshmi, por mësim njerëzor.

Artistikisht, tregimi ndërtohet mbi një simbol qendror: lulen Kadife. Lulja nuk është dekor. Ajo është personazh. Ajo rritet, duron, çel sërish. Është metaforë e gruas, e së vërtetës, e jetës që nuk shkatërrohet nga balta e kohës. Gjuha është e thjeshtë, e rrjedhshme, pa fjali të stërngarkuara. Çdo fjali duket se ka marrë frymë para se të shkruhet. Dialogët janë të kursyer, por domethënës. Shpesh një fjali e vetme mban peshën e një filozofie të tërë jete. Heshtjet flasin po aq sa fjalët. Kjo i jep tregimit një ton poetik, pa e shndërruar në poezi të drejtpërdrejtë.

Filozofia e “Kadifes” është filozofia e qëndrueshmërisë morale. Jo ajo që fiton shpejt, por ajo që mbijeton. Tregimi na thotë se e keqja është e zhurmshme, ndërsa e mira është këmbëngulëse. Se thashethemi jeton në errësirë, por vdes në dritë. Se drejtësia vonon, por nuk humbet rrugën.

Në thelb, është një tekst për dinjitetin njerëzor. Për zgjedhjen për të mos u bërë si dhuna, edhe kur dhuna të ka prekur drejtpërdrejt. Për guximin e të qenit i butë në kohë të egra.

Në vend të përfundimit, po shfaqim disa fragmente që flasin vetë:

 

“Lulja nuk pyet se nga vjen shiu, ajo thjesht rritet.”

“Nuk kërkoj mëshirë, nënë. Dua vetëm një vend ku e vërteta ime të mos jetë turp.”

“Butësia nuk është dobësi, se është guxim.”

“Në diktaturë edhe fjalët kishin frikë.”

“Këtu njerëzit mësuan të mos flasin me frikë… por me zemër.”

 

“Kadife” është një tregim që nuk lexohet vetëm me mendje, por me ndërgjegje. Një tekst që të mëson se ndonjëherë, forma më e lartë e qëndresës është të mos humbasësh njerëzoren. Dhe se një lule e vogël mund të mbajë peshën e një historie të tërë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page