top of page

Timo Mërkuri: NGA LOTI TE KËNGA

49 minutes ago
13 min read

NGA LOTI TE KËNGA: RRUGA E VAJTIMIT NË KUJTESËN E BREZAVE 

Nga Timo Mërkuri

Emërtimi i zërave të të qarit me bote dhe i vajtimit me ligje I njejtë me emërtimin e zërave të këngës,  nuk do të thotë se të qarët me bote apo ligjërimi vajtimor ishte, qysh në filesën e saj këngë. Janë dy gjëra që duhen dalluar. Madje, mendoj se edhe emërtimi i këtyre zërave me termat e këngës është bërë më vonë, kur zërat e këngës tashmë ishin përcaktuar kryesisht nga roli i këngëtarit. Për ta kuptuar si vajtimi u shndërrua në këngë, nuk duhet të nisemi nga emrat. Duhet të shohim vetë rrugën që ka bërë dukuria.

Të qarët me bote dhe vajtimi me ligje janë dy forma të shprehjes së dhimbjes. Kënga, kur u bë dukuri më vete, zgjeroi hapësirën e saj dhe mori me vete gëzimin, kujtimin, krenarinë, dashurinë, jetën e njeriut. Prandaj kalimi nga vajtimi te kënga nuk mund të ketë ndodhur menjëherë. Duhej kohë. Duhej shumë kohë.

4. Shndrimi i vajtimit në këngë.

Mua më duket sikur ligjërimi vajtimor “udhëtoi” në kohë si mbi një urë të gjatë ndërtuar mbi dy brigje. Në njërin skaj të saj është vaji. Në tjetrin, kënga. Vajtimi ka kaluar mbi këtë urë në vazhdimësi, brez pas brezi. Pikërisht gjatë këtij kalimi kohor ka ndryshuar diçka. Jo vetëm zëri, por edhe mënyra si kujtohet i vdekuri. Edhe mënyra si fjala merr melodinë.

Nuk po them se këtë urë kohore e kanë kaluar vajtoret në grupe. Shpesh një njeri i vetëm mund t’i mbartë brenda vetes të gjithë zërat e vajtimit. Mund t’i logatë, t’i ndërrojë, t’i ngrejë e t’i ulë, sikur në të të ishin mbledhur të gjithë zërat e ligjërimit. Këtë dukuri e kam përjetuar që fëmijë në Pilur, fshatin tim të origjinës.

Logatja nuk ishte e lidhur me çastin e mortit. Ajo ishte vaj-kënga e pasvdekjes dhe hynte në jetën e zakonshme të banorëve. Gra që shkonin te burimi për të mbushur ujë, që ngjiteshin në mal për të mbledhur dru, apo që ishin në punët e ditës, mund të nisnin të logasnin. Të kuptojhemi: i vdekuri nuk ishte aty. As ceremonia mortore. Ishte vetëm kujtimi i tij, që ecte bashkë me gruan në rrugën e përditshme. Kjo më duket një hollësi e rëndësishme. Sepse në këtë pikë vajtimi fillon të largohet nga çasti i vdekjes dhe të hyjë në kujtesë.

Në një orë të ditës, kur e gjithë brigada e koop. bujqësore ishte në punë, ndodhte që një grua të shkëputej prej shoqeve. Ulej në anë të fushës, pranë një peme a diku më tutje, dhe niste të qante me zë për një të afërm që kishte vdekur. Interesante ishte se ky vajtim nuk i kishte të dallueshme qartë fjalët e tekstit, ato dukeshin si të mbuluara me rënkime.

Kur vdekja kishte ndodhur afër, zëri i saj ishte thellësisht vajtimor dhe i dallueshëm. Kur kishin kaluar disa vite, dhimbja kishte marrë një tjetër ngjyrim. Ishte më e përmbajtur. Por ende aty. Askush nuk i afrohejkësaj gruaje për t’i thënë të ngrihej e të kthehej në punë. Ishte çasti i saj. Një çast vetëm për të vdekurin. Nuk kam nevojë që këtë dukuri të ma dëshmojë dikush tjetër. E kam parë dhe e kam dëgjuar vetë në Pilur.


Por ajo që më ka mbetur në mendje është mënyra si kjo grua e përjetonte vajtimin. Ajo ligjëronte tekstin me zërin e marrëses, si të mbështjellë me rënkime, madje më shumë se tekst  ajo ishte tingull dhimbjeje, një lloj rrënkimi I rrokëzuar. Pastaj befas e ngrinte zërin gjer pranë klithmës mortore. Dhe, pasi arrinte atë pikë, e ulte përsëri, me rrokëzime, si një shkëmb që rrokullisej teposhtë malit, deri te rënkimi. Me rënkim e kishte nisur. Me rënkim vazhdonte. Me rënkim e mbyllte. Pastaj heshtte. Pushonte pas rënkimeve dhe kthehej në punë, sikur ai çast të kishte qenë vetëm i saj dhe i të vdekurit. Në Pilur këtë e quajmë logatje.

Ajo që kam dëgjuar në Pilur nuk është vetëm një kujtim i largët i fëmijërisë. Një dëshmi shumë më e hershme na sjell Tole nga Evliya Çelebiu, i cili e vizitoi Gjirokastrën në vitin 1670. Ai shkruan se gjirokastritët i vajtonin të vdekurit e tyre për dyzet a pesëdhjetë vjet, madje edhe deri në tetëdhjetë vjet. Dhe nuk ndalet këtu. Çelebiu thotë se vajtoret mund të vajtonin edhe për njerëz që kishin vdekur njëqind vjet më parë dhe me të cilët nuk kishin as lidhje farefisnore (f. 74). Pra për njëqind vjet plakat e Gjirokastrës janë në ditët e vajtimit mortor, njësoj si në ditët e ksodhit. Llogarit kur do nisë shndrimi i vajtimit në këngëzim.

Kjo dëshmi më bën të mendoj se largësia në kohë nuk e ka shuar vajtimin. Përkundrazi, vdekja largohej, por kujtimi vazhdonte të kërkonte zërin e vet. Ndoshta pikërisht në këtë largësi, kur dhimbja e parë ishte zbutur dhe kishte mbetur më shumë kujtimi se sa klithma e humbjes, vajtimi fillonte të merrte një tjetër trajtë. Dhe këtu logatja bëhet më e kuptueshme por dhe me konotacion këngëzimi.

Është interesante që edhe Vaso Tole e veçon logatjen si një dukuri të posaçme. Në Pse qajnë kuajt e Akilit? ai shkruan: “Logatj/e.a: Gjini muzikore popullore vajtuese. Logatja zë fill kur interpretuesi popullor merr shkak prej kujtimit të të ndjerit, të cilit i kushtohet logatja-logorisja. Për këtë shërben ndonjë send ose veshje e mbajtur prej tij, e në këtë rast largësia reale prej të vdekurit është e tipit ‘as afër por as larg’” (f. 86).

Ky përkufizim më duket i rëndësishëm për atë që po kërkojmë të kuptojmë këtu. Logatja nuk është më vaji i çastit të parë. I vdekuri është larguar në kohë, por jo në kujtesë. Dhimbja nuk është zhdukur. Ajo ka ndërruar formë. Dhe këtu, pikërisht këtu, nis të duket rruga drejt këngës. Sa më e afërt të jetë vdekja, aq më i fortë është ngjyrimi vajtimor i zërit. Me kalimin e viteve ai zbutet. Fjala mbetet. Kujtimi mbetet. Zëri fillon të marrë një tjetër trajtë.

Po ta ndjekim këtë kalim përmes figurës së urës, në fillim të saj zëri e ka ende peshën e vajtimit. Sa më shumë ecën mbi të, aq më shumë zbutet dhimbja e parë dhe mbetet kujtimi. Nis e ndryshon tonaliteti vajtimor i zërit, vjen duke u zbutur. Të ndjerin e kujtojnë ende plakat e moçme, ato që e kanë njohur nga nënat e tyrte dhe e kanë qarë, por vajtimin mund ta bëjnë edhe mesogratë. Kujtesa ka nisur të kalojë nga një brez te tjetri.Mesi i urës është një largësi jo e vogël në kohë, por edhe “distanca” ku logatja ka  afërsisht të njejtë sasinë e tonalitet vajtimor me atë të këngëzimit. Pas kësaj nis e shtohet tonaliteti I këngëzimit ndaj atij vajtimor, gjer sa në fund të urës, në bregun tjetër, logatja ka marrë plotësisht formën e një këngëzimi.

Edhe të rinjtë e përjetojnë ndryshe këtë vdekje. Për ta, nuk është më vetëm çasti i shuarjes, i ikjes së njeriut. Është edhe ajo që mbetet prej tij: fjala, bëmat, emri, kujtimi. I vdekuri nuk është më vetëm njeriu që mungon. Fillon të bëhet njeri që kujtohet. Dhe pikërisht këtu, mendoj, vajtimi nis të largohet nga dhimbja e parë dhe të afrohet me këngën.

Mund të ketë ndodhur kështu: një tekst vajtimi për një djalë, një vajzë, një trim të vrarë në luftë, ishte aq i bukur dhe aq i ngjeshur me kujtim, sa njerëzit vazhdonin ta logatonin edhe pasi kishin kaluar shumë vite. Fjala mbetej. Melodia e vajtimit mbetej. Kujtimi mbetej. Pastaj, një ditë, dikush nuk e vajtoi më. E këndoi. Ndoshta në fillim vetëm një pjesë. Pastaj një tjetër. Derisa erdhi një kohë kur i gjithë teksti mund të dëgjohej si këngë, nga fillimi në fund. Kështu, pa e humbur krejt atë që kishte qenë, vajtimi mund të ketë kaluar ngadalë në këngë.

Sa kohë mund të ketë dashur kjo?

Për mua, vetë lindja dhe rritja e kësaj mënyre të shndrimit të vajtimit në këngë duhet të ketë qenë një rrugë shumë e gjatë. Shumë shekuj. U deshën breza që dhimbja të kalonte atë urën metaforike, nga një formë në tjetrën, derisa kënga të fillonte jetën e saj si një dukuri më vete. Pastaj u bë e zakonëshme, shndrimi ndodhte edhe brenda dhjetë vjetësh e në vijim duke u zvogëluar periudha kohore.Në Pilur kam dëgjuar për një rast të tillë. Kur vdiq Kapedan Zerbin Çakalli, përfaqësues i Himarës në Degën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Gjirokastrën, bija e tij e vetme e vajtoi: “U çkul oxhaku në grikë / O Zerbin, sofër jeshiltë / Po kush do t’i presë miqtë / Abdylin dhe Frashërllinjtë  ..?”

Pasi e vajtoi, e logati për shumë vite. Pastaj vdiq edhe ajo. Kaluan shumë vite të tjera dhe  ligjërimi logatej. Një ditë, një grup burrash e kënduan atë si tekst kënge. Nuk e logatën si vajtim. E kënduan me një tonalitet krenarie. Dhe askush nuk u çudit. Përkundrazi, kënga u pranua sikur ta kishte pasur prej kohësh vendin e saj në kujtesën e fshatit.

I njëjti fat i ka ndodhur edhe vajtimit: “Mo të nisa, të ormisa / Katerinë, bijë, o bijë.” Ishte vajtimi për një vajzë të re, të cilën e kishte kafshuar gjarpëri në mal dhe nuk kishte mundur të arrinte gjallë në shtëpi. Siç tregojnë, vajtimi ka qenë lemeritës. Por edhe si këngë, teksti të prek dhe melodiciteti kullon lot. Këto janë dy raste që i njoh nga fshati im i origjinës. Por dukuria është shumë më e gjerë. E gjejmë në këngët e vjetra të popullit: te Ajkuna që qan Omerin, te këngët e nizamëve, te këngët e luftëtarëve tanë dhe, në kohë shumë më të afërta, edhe në disa prej këngëve që lindën nga dhimbja e të vrarëve të vitit 1997.

Duhet të këmi parasysh dhe diçka tjetër: Vajtimi nuk është trashëguar vetëm si tekst ligjërimi, si mënyrë e të qarit. Ai është trashëguar edhe si përvojë e një brezi për brezin tjetër. Plakat kanë vajtuar, mesogratë kanë dëgjuar dhe kanë mësuar, të rejat kanë marrë prej tyre fjalët, mënyrën e ligjërimit, ngritjen dhe uljen e zërit. Kështu, bashkë me vajtimin është përcjellë edhe mënyra se si ai mund të ndryshonte me kalimin e kohës. Pra, nuk trashëgohej vetëm vajtimi. Trashëgohej edhe rruga e tij.

Një brez merrte prej atij paraardhës tekstin e vajtimit dhe mënyrën si thuhej. Brezi tjetër mund ta sillte atë pak më ndryshe, duke e larguar nga klithma e parë dhe duke e afruar me kujtimin. Më vonë, një tjetër brez mund ta merrte të njëjtin tekst dhe ta këndonte. Në këtë mënyrë, shndërrimi i vajtimit në këngë nuk ka qenë vetëm një çast krijimi. Ka qenë edhe një proces trashëgimie. Ajo që kishte nisur si vajtim i një njeriu mund të vazhdonte si kujtim i një familjeje, pastaj si kujtim i një fshati dhe, më tej, si këngë e një populli.

Erdhi një kohë kur kënga u bë dukuri më vete. Ajo nuk mbeti më vetëm vajtim, por as nuk u shkëput krejtësisht prej tij. Diçka mbeti në zërin e këngës, në mënyrën si ngrihet e bie melodia, në atë ngritje të zërit të hedhësit si një ulërimë vajtimore, plot dridhje të padukshme, që të prek përpara se të kuptosh fjalën. Ndoshta këtu qëndron një nga kujtimet më të vjetra të këngës sonë.

Ligjërimi mortor u shndërrua në këngë, por në melodinë e saj mbetën disa kokrriza kripe nga lotët e vajit.

5. Kënga si trashëgimi e gjallë e brezave

Në librin “Pse qanë kuajt e Akilit?”, Vaso Tole, duke folur për trashëgiminë e këngës sonë popullore, sjell një vlerësim të Ramazan Sokolit: “Me të drejtë prof. R. Sokoli thotë se: vetë emërtimi i polifonisë sonë popullore, ashtu si dhe tiparet e saj origjinale na dëshmojnë se ajo asht trashëgim i një kulture të lashtë, që ka lindë këtu në vend nga puna e sa e sa breznive” (f. 107). Tole e referon këtë mendim nga Ramazan Sokoli, Disa veçanti të muzikës sonë popullore, në Konferenca e parë e studimeve albanologjike, Tiranë, 1965, f. 335.

Kjo fjali e Sokolit më duket se hap një çështje më të gjerë se vetë fjala “trashëgim”. Sidomos ajo pjesë ku thuhet se bëhet fjalë për një kulturë “që ka lindë këtu në vend”. Këtu fjala është për një kulturë të lindur në vendin e vet, të krijuar e të formuar nga puna e brezave. Pra, jo thjesht për një këngë që është marrë dhe është përcjellë më tej, por për një krijim kulturor që është rritur brenda jetës së njerëzve dhe prej saj ka marrë edhe formën, edhe shpirtin.

Kur e lexova këtë frazë, m’u duk sikur takova një të njohur të vjetër. E kisha lexuar dikur, në rininë time, kur sapo kisha nisur të merresha me këngën himariote. Nuk e di pse disa fjalë mbeten në mendje edhe kur vitet kalojnë. Ndoshta sepse, pa e kuptuar atëherë, kanë prekur diçka që më vonë do ta kërkoja gjatë në jetën dhe në punën time. Sot, duke e parë këtë fjali në dritën e evolucionit dhe të trashëgimisë së këngës himariote e pilurjote, e kuptoj më mirë peshën e saj.

Këtë e them edhe nga një njohje e drejtpërdrejtë me këtë traditë. Jam me origjinë nga Piluri dhe këngën pilurjote e himariote e njoh nga afër. E kam dëgjuar në kohë të ndryshme, kam ndjekur ndryshimet e saj dhe kam parë se si kanë lëvizur zërat, isoja, melodika dhe vetë mënyra e ndërtimit të këngës. Për këtë traditë jam konsultuar edhe me njerëz që e njohin këngën e Himarës dhe të Pilurit nga brenda. Prandaj, kur flas për ndryshimin e kësaj kënge, nuk flas vetëm për një dukuri që e kam lexuar. Flas edhe për një këngë që e kam dëgjuar, ndjekur dhe studiuar nga afër.

Nëse kënga ka lindur “këtu në vend”, atëherë trashëgimia e saj nuk mund të kuptohet si një përsëritje mekanike e asaj që ka qenë. Përkundrazi, një këngë e gjallë ndryshon pikërisht sepse kalon nga një brez te tjetri duke u zhvilluar, duke u rritur. Dhe sa më gjatë të jetojë, aq më shumë shenja të brezave që e kanë kënduar mbeten në të. Kjo shihet qartë te kënga himariote.

Në këngën himariote ky ndryshim mund të ndiqet I dokumentuar në një hark kohor të gjatë. Në vitet 1927–1930, Neço Muko e largoi këngën nga disa forma të saj të mëparshme dhe i dha një vend më të përcaktuar zërit të hedhësit. Zëri arkaik i hedhësit nuk mbeti thjesht një zë që ngrihej mbi të tjerët. Ai mori një funksion më të qartë në ndërtimin dhe ekuilibrin melodik të këngës.

Në vitet ’60, Dhimitër Varfi e lëmoi më tej këtë strukturë. I dha marrësit një zë bariton, duke e larguar nga zëri metalik që kishte Koço Çakalli në grupin e Neço Mukos, riforcoi ison dhe i dha asaj një gjatësi tjetër valore. Në interpretimet e Varfit isoja dëgjohet më shumë. Ajo nuk është vetëm baza ku mbështeten zërat, por bëhet edhe material me të cilin luhet melodikisht. Sikur kënga të donte të tregonte se edhe zëri që qëndron në themel mund të dalë për një çast në dritë.

Më pas, në vitet ’90, Katina Beleri i dha këngës himariote një tjetër frymë, sidomos në zërin e marrësit. Hyri një ndjeshmëri e re në interpretim dhe ajo u përhap në të gjithë këngën. Zëri nuk ishte më vetëm bartës i melodisë. Mori një përmasë më të theksuar shpirtërore.

Po ta ndjekësh këngën himariote nga vitet ’20 e deri më sot, ndryshimi është i madh. Kanë ndryshuar zërat, marrëdhënia mes tyre, isoja, gjatësia e saj, roli i hedhësit, mënyra e artikulimit dhe vetë karakteri melodik. Në disa raste, kënga e sotme është aq larg nga varianti i hershëm, sa po të dëgjoje vetëm dy skajet, mund të mendoje se bëhet fjalë për dy këngë të ndryshme. Por nuk janë dy këngë. Është e njëjta këngë që ka kaluar nëpër zërat e disa brezave.

E njëjta gjë shihet edhe në Pilur. Deri në vitet ’60, kënga pilurjote ruante më fort fizionominë tradicionale. Ishte një këngë e shtruar, e tipit “O shokë more”, me tekste të lidhura ngushtë me jetën fshatare e baritore. Me ardhjen e Lefter Çipës ndodh një ndryshim i madh. Grupi zgjerohet nga pesë-gjashtë këngëtarë drejt një ansambli shumë më të madh, deri në rreth 25 këngëtarë. Përsoset vija melodike, hyn fyelli në melodinë e këngës, ndryshojnë tekstet dhe marrin më shumë ngjyrime poetike. Hyn edhe elementi femëror në grup, forcohet dialogu djalë-vajzë, i jepet më shumë forcë e gjatësi isos dhe, njësoj si te Muko, forcohet roli i hedhësit. Edhe këtu kënga nuk ecën duke përsëritur veten. Ecën duke u rindërtuar.

Pas viteve ’90, me ndryshimin e jetës dhe largimin e shumë këngëtarëve, edhe kënga pilurjote u përball me kushte të tjera. Në formacionet e reja, si te “Bejkë e Bardhë” e Kristo Çipës, numri më i vogël i këngëtarëve solli ndryshime të tjera. Isoja e gjatë u bë më e kufizuar dhe më rrokëzuese, tekstet në disa raste u shkurtuan, ndërsa kënga fitoi një frymë më lirike. Ritmi marshues u zbut dhe melodika mori më shumë hapësirë. Nuk ishte vetëm kërkesë artistike. Ishte edhe kërkesë e kohës.

Kjo më duket shumë domethënëse. Sepse kënga tradicionale nuk jeton në muze. Ajo jeton te njerëzit. Kur ndryshojnë njerëzit, ndryshojnë kushtet e këndimit; dhe kur ndryshojnë kushtet e këndimit, ndryshon edhe vetë kënga.

Por këtu duhet të ndalemi te diçka që është më e thellë se ndryshimi i formës. Kënga himariote dhe ajo pilurjote kanë ndryshuar ison, tingujt, zgjatjen e isos, rolin e hedhësit, marrëdhënien mes zërave dhe shumë nga mënyrat e ndërtimit të saj. Megjithatë, në gjithë këtë lëvizje ka mbetur diçka që nuk duket gjithmonë në strukturë. Ka mbetur shpirti i saj i ngrohtë dhe ai melodicitet që e lidh fjalën me tingullin.

Kjo është ajo që më intereson më shumë.

Edhe kur teksti është ngritur artistikisht, kur është bërë më poetik, më i pasur dhe më i përpunuar, kënga himariote dhe pilurjote nuk mbështeten vetëm te fjala. Ato e kërkojnë forcën e tyre te melodia, te mënyra se si fjala hyn në të dhe si melodika ia nxjerr shpirtin fjalës.

Prandaj këto dy lloje këngësh, pavarësisht rritjes artistike të tekstit, “konkurrojnë” më shumë me melodinë e tyre. Është melodia ajo që ua ruan shpirtin. Teksti mund të ndryshojë, mund të vijë një poet tjetër, një histori tjetër, një kohë tjetër. Por, nëse melodisë i mbetet ajo ngrohtësi e brendshme dhe ajo mënyrë e veçantë për ta veshur fjalën me tingull, kënga vazhdon të njihet si e jona.

Këtu, mendoj, qëndron edhe një nga shenjat më të bukura të trashëgimisë së saj. Kënga ndryshon, por nuk e humb veten. Dhe kjo nuk ndodh rastësisht. Një këngë nuk trashëgohet vetëm sepse përsëritet. Ajo trashëgohet sepse një brez ia merr frymën brezit tjetër dhe pastaj e vazhdon në kohën e vet.

Kjo trashëgimi nuk është, pra, një përcjellje e ngrirë e së njëjtës formë. Çdo brez e mer këngën siç e gjen, por nuk e lë aty ku e ka marrë. I shton diçka nga koha e vet, nga zëri i vet, nga mënyra e vet e të ndierit. Mund të ndryshojë teksti, zëri i marrësit, forca e isos, mënyra e daljes së hedhësit, madje edhe vetë përmasa e grupit. Por ajo që mbetet më thellë është ajo lidhje e brendshme që bën që, edhe pas shumë ndryshimesh, ne ta njohim përsëri si të njëjtën këngë. Ndryshimi nuk e këput fillin. Përkundrazi, është mënyra përmes së cilës kënga vazhdon të jetojë.

Dhe pikërisht këtu fjala “trashëgim” e Sokolit merr një kuptim edhe më të plotë. Një fragment stilistik apo melodik mund të vijë nga jashtë dhe të hyjë në një këngë. Por prania e tij, në vetvete, nuk shpjegon jetën e këngës. Që ai të bëhet pjesë e trashëgimisë, duhet të përthithet nga vetë kënga, të lidhet me mënyrën e saj të të kënduarit dhe të vazhdojë të jetojë natyrshëm në breza. Përndryshe mbetet një prani e veçuar, një element i futur në të, por që nuk shpjegon vazhdimësinë e saj.

Kur diçka bëhet pjesë e jetës së këngës, nuk qëndron më si diçka e huaj. Brezi që e merr e gjen në zërat e të parëve, e merr me vete dhe e ndryshon pa e shkëputur nga trupi i saj. Sepse kënga tradicionale nuk jeton në muze. Ajo jeton te njerëzit. Kur ndryshojnë njerëzit, ndryshojnë kushtet e këndimit; dhe kur ndryshojnë kushtet e këndimit, ndryshon edhe vetë kënga.

Këtu, për mua, kënga himariote dhe ajo pilurjote bëhen një dëshmi e gjallë e asaj që Sokoli e ka quajtur “trashëgim i një kulture të lashtë, që ka lindë këtu në vend”. Një trashëgimi që nuk ka mbetur e ngrirë në vendin ku lindi. Ajo ka ecur bashkë me njerëzit, ka ndryshuar me ta, ka marrë frymën e brezave dhe, megjithatë, nuk e ka humbur atë që e bën të njohshme si këngë të tyre.

Jo një këngë e ngrirë në të shkuarën. Një këngë që ka ditur të rritet, të ndryshojë dhe të mbetet prapë e jona.


Sarandë, gusht-shtator 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page