
(Të linda prej fryme.
Të rrita me bulëza vese.
Të përkëdhela me mollëzat e gishtrinjve,
ku biorryma përçohet në palcë të shpirtit
për të mjekuar dhimbjet...)
…
Të krijova nga mendja ime
Dashuri,
ashtu si stilisti modelin e tij,
për t'u prekur vetëm nga ëndrra,
për t’u zgjuar vetëm nga zgjimi yt
ende pa m’u hapur sytë…
Ti je krijesa ime,
Dashuri,
më e bukura e të gjitha kohërave
që nga Adami dhe Eva
deri mbrëmë, tani
a para shtatë brezave,
për t’u bërë Nusja me bedena
rreth kështjellës së botës,
pa tragjedi si te Romeo e Xhulieta,
pa gjakmarrje fisesh,
pa ngjyra racizmi,
pa xhelozi
që ta trembin puthjen
prej trupi…
…
Të pikturova me konture të padukshme
me penelin e stinëve.
Shqisat t’i shihja e t’i ndjeja veç unë,
me ndihmën e Perëndive,
duke këputur litarët e shiut
që më pengonin vizionin e afërsive…
Të këndova në heshtje
derisa kordat e zërit
kallo më zunë
e tingujt
u arratisën galaksive…
…
Të botova si libër të hapur
në shtypshkronjën e zemrës,
ku molekulat e gjakut
rradhisin fjalët,
ku mushkëritë
filtrojnë ca pikëpyetje si kërrabëza,
ku në çdo faqe
nënshkruaj për ty
pa m’u tharë ende boja…
Të gdhenda me mendjen time si skulpturë
e të urdhërova,
si Mikelanxhoja “Davidin”-
FOLMË,
t’u bekoftë Fjala,
FOLMË!