top of page

THURJE E PAKRYER


Fatmir Terziu

THURJE E PAKRYER


Tregim

Fatmir Terziu


Ai ia la çelësat në tryezë. Pastaj iku drejt derës pa e kthyer kokën.  Zhurma e përplasjes së saj krijoi një kërcitje. Një jehonë pushtoi tërë kubenë e asaj dhome. Jehona u ndie anekënd  katër mureve. Pastaj ashtu si një tufë grimcash shpotitëse nxitoi të dilte nga dritarja e mbetur paksa e hapur. Amanda kishte mbetur me shikimin andej, nga ku drita kryqëzohej në qelq. Një dritëz veguese lëkundej mbi xham, dhe pastaj i përplasej Amandës, si një diell i vogël mbi atë rruzull loti që rrokullisej tëposhtë, drejt mollëzës së ngritur e të përskuqur të faqes së djathtë të saj. Sakaq bula e lotit ngeci disi një çast. Vetëm një çast. Paspak ai brumbull i vockël përndritës  rrëshqiti menjëherë, duke marë vrull të pashoq. Ajo lëvizi dorën e majtë të saj. E mbështeti mbi tryezë dhe mesa fuqi që kishte shtyu çelësat që përfunduan në tapet.  me këtë vrull inatçor bulëza u shumëzua në dhjetra cifla të shndritshme. Pastaj u ngrit. Iu drejtua lavamanit në banjo. Hapi çesmen dhe u hodhi  ujë syve me shuplakë. Pastaj edhe njëherë tjetër. Fshiu sytë me duar. Dhe iu qep pasqyrës. Sytë i ngelën një çast aty. Herë shihte vetëm sytë e herë shihte përskuqjen e saj në faqe. Pastaj uli sytë në lavaman. Ç’të shihte. Iu duk sikur e tërë zemra i ishte shkulur e po pulsonte në lavaman. Fshiu prapë instiktivisht sytë. Pastaj asgjë. Eci për nga dhoma. Iu morën mendtë. Gati u rëzua në tapet. Bëri nga telefoni. Formoi numrin e emergjencës. Dëgjoi zërin e menjëhershëm të një personi në telefon. U përgjigj.

- Tregoi emrin dhe adresën. Jam e këputur...

Ambulanca arriti pas disa minutash. I matën tensionin. I bënë analizat e gjakut. Dhe kaq. E këshilluan të rrinte shtrirë. Pasi i bënë një qetësues e lajmëruan të mbante telefonin afër. U përshëndetën me të dhe u larguan.

Ndërsa ambulanca la pas një fjollë tymi, Amanda u ngrit sërrish dhe iu drejtua banjos. Në pasqyrë. Pa sytë e saj të lodhur. I fërkoi me duar. Pastaj u hodhi prapë disa shuplaka me ujë. Dhe prapë ndihej e tejlodhur. U shtri. Tentoi të mbyllte sytë, por më kot. I vinin e i iknin imazhe gjaku ndër sy. Pastaj u tremb më shumë. Mori celularin. Formoi numrin e celularit të nënës. As dhjetë sekonda s’kishin kaluar kur e ëma iu përgjigj.

-Nënë jam e trembur.

-Si?

-Jam e tromaksur, mama.

-Pse bijë, ç’ka ndodhur?

-Asgjë. Po të lutem eja.

E ëma mblodhi lëmshin që thurrte trikon, nguli shtizat në të dhe rrëmbeu çantën e saj në duar dhe u nis menjëherë. As vetë nuk e kuptoi sa shpejt arriti atje. Amanda ishte shtrirë. Sa e pa të ëmën në derë brofi menjëherë në këmbë. Lotët e tradhtuan. Nëna e mori në krahët e saj. Pastaj nënë e bijë u gjendën në divan. Folën një kohë të gjatë. Amanda vetëm qante. Pastaj u bë heshtje. Amanda ishte përfjetur në krahët e nënës. Në gjithë atë qetësi vetëm shtizat që lëviznin duke formuar gjysëmrrathë të padukshëm nën ato duar të shkathta ndiheshin me një shushurimë të vogël që vinte nga bluzja prej najloni e nënës.

Në këtë qetësi e ëma kish udhëtuar pas në vite. E shihte Amandën e saj të vogël teksa shiliviste aty në lodrat e parkut “Rinia”. Pastaj ia ndjente hapat e saj të vegjël kur kthehej nga shkolla. E më vonë ishte bashkë me të kur prisnin të drejtën e studimit të saj. Kishte mbetur mes imazheve kur të dyja shtrënguan aq fort duart atë ditë që e drejta e studimit për mjekësi i kishte dalë Amandës dhe u ishte plotësuar dëshira.

Por, qetësia dhe kujtimet e së ëmës u prishën nga kërcimi i menjëhershëm i Amandës. Pa folur iu drejtua prapë banjos. E ëma e ndoqi me sy. Amanda nuk e mbylli derën e saj. E ëma e dëgjonte zhurmën e çesmës në lavaman. Pastaj dëgjoi përplasjen e shpeshtë të ujit në fytyrën e Amandës. Pastaj një heshtje. Amanda kishte shtangur me sytë poshtë.

Lavamani ishte tërë gjak. Pa hundët. Asnjë pikë. Hapi gojën. Absolutisht asgjë. Pa duart asgjë. Ndërkohë vuri re se në gjoks, anuar paksa nga e djathta, disa njolla gjaku ende gulonin si me presion. U tremb. Fytyra gati iu zbardh e tëra. Iu afrua më shumë pasqyrës. Pa sërish gjakun që rridhte pa pushim. Gjak që dilte me një forcë të çuditshme nga thellësia e gjoksit të saj. Mori peshqirin dhe e ngjeshi në gjoks. Pastaj klithi. E ëma u gjend menjëherë pranë saj.

-Ç’ka ndodhur?

-Gjak, mama, gjak...

-Ku ke gjak, ku...?

-Nga gjoksi, mama, nga..

Po jo moj bijë të bëjnë sytë.

E ëma uli sytë në lavaman dhe pa të bardhën e tij cep më cep. E tërhoqi të bijën pas vetes. Ia shkopsiti edhe bluzën e saj të bardhë e të ngjeshur në atë goks të ngritur e të bukur. E pa me kujdes asnjë pikë gjaku. Pastaj bëri bashkë me të nga dhoma. Amanda filloi të dridhej. E ëma ia mbante duart shtrënguar dhe ia fërkonte me kujdes.

-Jo bijë, jo. Jo kështu bija ime. Jeta ka shumë të papritura. E papritur është edhe kjo...

***

Atë ditë ishte festë. Një festë që bënte të gëzuar gati të gjithë. Edhe ata që s’kishin për të gëzuar e festuar e kishin ditën e tyre. Njerëzit e atij qyteti e kishin traditë të mblidhnin me kohë ndihma për ta. Ata që mbaronin universitetin caktoheshin si kujdestarë të asaj kategorie njerëzish atë ditë. Edhe Amanda ishte një prej tyre. Ishte veshur për festë. Fustani i saj me lule kamomili në tërë sipërfaqen e tij i jepte asaj një ëmbëlsi të paparë. Ai rrinte në cep të oborrit ku gatuhej për atë festë. E shihte dhe buzëqeshte me vete. Pastaj iu afrua më afër.

-Më ngjajte si një vegim që shfaqet e zhduket menjëherë, por ja që ...

-Amanda..., dhe ia zgjati dorën e djathtë.

-Rando. Dymbëdhjetë herë i matur, vetëm njëherë i guxuar. Lindur përqark dhe jetuar larg. Tani më pret bluza e bardhë dhe ...

-Uau sa poetik! Mos je gjë ndonjë krijues, apo thjesht...

-Krijues?!

-Pse jo? Me gjithë këtë oratori dhe ecje pa letër të fjalëve si në shtigje të pashkelura më parë.

- Bukur! Bukur! Ja kësaj i thonë të mbetesh me presh në dorë. Epo kot s’i thonë, tjetri që të lexon mendjen të lë pa gjë në mend..., apo jo?

-E pastaj, si ta lexoj këtë?

- Ja fare lehtë. Dy bluza të bardha në punë vullnetare. Humanizëm i diktuar. Frenim i kontrolluar.

-I dashur poet! Tani më duhet të kryej detyrën...

- Ishte kënaqësi, gjithësesi..

- Patjetër që ishte.

Ajo në të sajën dhe ai diku u përhumb mes atyre njerëzve në nevojë. Azili i pleqve kishte një histori të gjatë, por ai ishte rihapur vetëm pak vite më parë me përkujdesjen e Motrave Domenikane që u rivendosën si fillim në Gjinar të Elbasanit, dhe pastaj zbritën këtu. Aty kishte edhe një lidhje me Amandën. Gjyshi i saj kishte vdekur aty. E ëma e saj ishte rritur jetime. Gjyshja e saj e kishte lënë nënën e Amandës, thuajse tetë vjeçe. I ati ishte burgosur për politikë dhe kështu asaj i ishte afruar e vetmja mundësi, Shtëpia e Fëmijës. Kur e ëma e Amandës nisi të kuptonte, askush nuk e linte të shihte babanë.

“Ai është armik, tradhtar, e mjaft fjalë të tjera i thoshin ata të Shtëpisë, duke i shtuar se ajo kishte vetëm një nënë dhe ajo ishte Partia...”

Kështu rrodhën vitet dhe ai vdiq. E ëma u rrit pa ledhatimin e babait, pa këshillat e nënës. Sidoqoftë, për të ky azil kishte një domethënie të madhe... Këtë ia kishte treguar edhe Amandës. Dhe Amanda ndihej disi më e përkushtuar atë ditë feste.

Dhe ndoshta ky përkushtim e bënte atë të binte më shumë në sy tek ai. Rando kishte marë një laps dhe një letër dhe diç zhgaraviste. Shihte nga ajo dhe lëvizte lapsin tërë përkushtim. Pastaj edhe ajo ia nguli sytë. Iu afrua.

- Pse s’thua, paskemi të bëjmë me një krijues kompleks? Tani kemi edhe një piktor më shumë. Po të lutem mos harxho laps për mua, vëre atë në shërbim të festës. Bëj ndonjë skicim të këtyre të moshuarve...

- Ok, e ku mund të kundërshtosh një gjelbërim me kamomila kaq qetësues, që rriten në një livadh kaq freskues.

- Më duket se...

- E teprova?

- Jo, jo, por ...

- Ah, se desh harrova, nesër kemi një takim tek “Arbëria”, të gjithë studentët e Elbasanit, të gjithë që kemi mbaruar këtë vit. A dëshiron të vish edhe ti?

- Natyrisht që po. Edhe unë elbasanllije jam. Edhe pse ...

- Çfarë pse?

- Një herë tjetër.

Pastaj ajo vazhdoi përsëri punën e ngarkuar. Ai skicoi gjatë. Disa letra të skicuara plot me portrete të moshuarish zunë vend aty pranë tij. Në ballë ishte edhe portreti i saj.

***

Mbrëmja e studentëve tek “Arbëria” ishte shkaku i njohjes më të madhe të Amandës me Randon. Aty ata i thanë “Po” njëri-tjetrit. Festuan gjatë dhe aty nisën dashurinë e tyre. Ishin të hutuar. I kishte mbërthyer ndjenja e moshës. Në shtëpi Amanda i tregoi nënës. Ajo vetëm dëgjonte. Në fund i tha se duhej të kishte vetëm kujdes, dhe se kujdesin ajo e dinte vetë tani, pasi ishte e rritur.

Pas asaj që ata biseduan atë natë thuajse nuk fjetën gjumë të dyja. Ajo me zbrazëtinë që i ishte krijuar në zemër dhe Amanda me sikletin e ri që i pulsonte pa pushim. Sidoqoftë ditët kaluan dhe të dyja dukeshin të lumtura. Amanda u caktua mjeke në një zonë afër, dhe Rando diku më larg, por fundjavat i kishin të tyret. Pas një viti, ata u emëruan në një zonë. Dhe kështu thuajse bashkëjetonin. Të gjithë e dinin këtë. Ishin njerëz që binin lirshëm në sy. Dhe kjo jo vetëm nga profesioni, por edhe nga tipi i tyre tërheqës.

Asnjëherë nuk rrinin vonë jashtë. Vetëm atë natë, diçka i kishte shtyrë të thyenin atë rregull. Aty pas mesnate u kthyen në banesën e tyre. Dhe dritat nuk i fikën deri në mëngjez. Diçka nuk shkonte mes tyre. Kjo ishte ndoshta një arsye e pa zbuluar.

- Ndoshta një shkak pse ato çelësa ndodheshin në tapet ende, - mendoi e ëma me vete, teksa shihte Amandën si të dremitur në çast. Pastaj ktheu sytë andej nga dritarja. Jashtë kishte rënë nata. Mbylli sytë dhe mori frymë thellë. Sa e zuri gjumi brofi menjëherë. Diçka e mundonte. Pa rrotull. Dhe sytë i ngecën tek lëmshi me të cilin thurrte trikon. Pa shtizat. Pastaj rrotullën dhe më tej sytë i ngecën tek fija. “Eh, tha me vete, sa punë duhet që të thurret një triko. Është lesh. Pastaj bëhet fije. Fija mblidhet lëmsh. Lëmshi kalohet nëpër shtiza e duar. E pastaj vjen trikoja. Po kjo e imja duket një thurje e pakryer... Po, po e pakryer. Po, s’u krye ...”

Pastaj ia hodhi vështrimin vajzës. Ajo flinte. Flinte dhe diç kërciste nëpër dhëmbë. “Do të ketë ethe të brendshme”, - mendoi e ëma dhe e shkundi që të zgjohej. Pastaj ata, ashtu me dritë të ndezur folën e folën gjatë atë natë.


88 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page