top of page

THIKA ME GJAK…


Zija Çela

(E vetmja me gjak në 54 tregimet e librit “Thika pa gjak”) Kur shoku përballë, me të cilin po pinte raki manaferrash, nisi të vinte buzën në gaz pa ndonjë shkak të dukshëm, Leli Makulla e pyeti: - Kujt po ia çon atë buzëqeshje? - Atij që këndon në ekran, - iu gjegj tjetri, duke shenjuar me dorë pas kurrizit. - E çfarë po thotë ai që këndon? - Ai po thotë se, njëherë, iu bë sikur pa gruan e tij me një tjetër. Shenjat të sajat ishin. Por pastaj, si burrë pa këllqe për tradhtinë, i kthehet vetes: Jo, jo, nuk është ajo! Se ime shoqe lë kokën pas meje... e rrena të tjera, e dokrra pa kokrra. - Po emrin ia thotë? - Françeska ia thotë. Leli Makulla u tkurr dhe kokërdhokët iu zhytën më brenda në gropat e syve. Si kaloi heshtja e gjatë dhe u duk sikur e kishte harruar ekranin, krejt papritur ngriti zërin: - Por, ama, Françeska ishte? - Ishte që ç’ke me të! - ia vuri damkën bashkëbiseduesi. Dikur edhe Leli Makulla kishte kaluar një provë të hidhur. Vetëm një javë pasi qe kthyer nga Korfuzi, ku kishte punuar gjatë stinës bujqësore, një kushëri i afërt e doganisi keq. Kishte qenë e diel, mbasdite në të errur, kur kishte parkuar para Motel Nevadës. Pas pak, nga xhami i makinës, kushëriri kishte parë gruan e tij me një zotëri burrë, teksa zbrisnin shkallëve të fjetores. Je i sigurt se ishte Magda ime? pyeti Leli. Ishte a s’i ishte i sigurt, kushëriri bëri njëfarë tërheqjeje. Duke ia ndier prafullimat e alarmit, e la disi pezull: - Ku di unë, ndoshta më kanë bërë sytë!

Dy shokët e tavolinës nuk do ta pinin gotën e tretë, po të mos shpërthente jashtë shtrëngata e dimrit. Kështu që, me atë rast, pinë edhe rakinë e katërt. Ndërsa dilnin nga pijetorja, si për ta mbyllur mbrëmjen me humor, tjetri u kujtua: - E si e zgjidhi me vete ai babëloku, ishte apo s’ishte Françeska? - Ishte, ishte që ç’ke me të! - ia priti i bindur Leli. Pa zbardhur drita, si piu kafen e parë dhe dy cigare me atë filxhan, e zgjoi nga gjumi kushëririn me një zile ngulmuese. Sapo matanë u hap telefoni, foli shkurt: - E vrava, pra! I thuaj policisë se nuk jam larguar nga shtëpia. Kishin kaluar tetëmbëdhjetë vjet nga lajmi i kushëririt për Magdën dhe Nevadën. Qysh atëherë e kishte mbajtur dyshimin në zemër si thikë pa gjak. Sa shumë thika të tilla, prej trazimesh të gjithfarshme, mban fshehur njerëzimi në zemrën e vet! Excalibur, Excalibur! Ngulur në shkëmb shpata e mbretit Artur. E kush ka forcë që ta shkulë?!... Por prova kësaj here ishte thika me gjak.l


34 views1 comment

1 Comment


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Sep 07, 2021

Tregim melodioz e me gjetje fort të goditur. Ta përkëdhel e zbavit zemrën dhe befas të le një drithmë dhimbjeje. E falënderoj autorin, Mjeshtrin e Madh Zija Çela për emocionin e kënaqësinë që më dha. Me shumë respekt, K.Gjergji.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page