Teuta Sadiku: Motivi i lashtë i urës ripërsëritet tek Preng Maca
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 17 hours ago
- 7 min read

Motivi i lashtë i urës, ripërsëritet tek Preng Maca por me një transformim: Ai e kalon këtë motiv nga sakrifica rituale te sakrifica e përditshme (nëna, lufta) dhe te dashuria si themel.Ura dhe për rrjedhojë dhe lumi që rrjedh poshtë saj janë pjesë e sistemit të traditës simbolike.Nuk ka qytet të madh në botë pa një lumë .Sena në Paris, Temza në Londër,Drini I Zi në Strugë, Ibri në Mitrovicën e Kosovës,Ereniku në Gjakovë, Vjosa në Tepelenë.Preng Maca në poemën e tij Ura mbi Lumë me njëmbëdhjetë nëntituj kalon nga folklori te moderniteti: ai rrëmben arketipat (sacrificial bridge, bridge as boundary) dhe i rikthen në gjuhë intime-psikologjike. Në të njëjtën poemë ura është polisemike : objekt , trup, hapësirë ekzistenciale, vend vendimtar, dhe projekt social -politik.Nëse tek Kadare (Ura me tri harqe) dhe tek Andrić (Ura mbi Drin) —ura është histori/komunitet; te Maca ura është intimitet,personalizim i një gjendje psikologjike dhe etike. Të njëmbëdhjetë titujt nuk kalojnë në një vijë lineare,sepse dhe ekzistenca njerëzore nuk është lineare :ajo kalon nga krijimi e dashuria, tek përplasja, humbja, kriza, dhe më në fund lutja.
``Ura `` është figura themelore, është simbol i lidhjes mes brigjeve, mes qenieve, mes të gjallëve dhe përtej. Ura është fillimi i jetës si “kalim”,është shenjë kyçe,është një metaforë unike që i bashkon të gjitha, është hyrja në një tempull,ku lexuesi paralajmërohet se vargjet e mëpasme do të kalojnë mbi këtë urë. Jam ajo / Linda nga dashuria … Artitekja ime, kur …nuk isha.)Ura është vetëdeklaruese: “Jam ajo” — shenjuesi bëhet shenjë e vetvetes; ura nuk është vetëm objekt, por subjekt që flet. Zëri i urës e bën atë subjekt — kalimi është vetëdija.Metafora qendrore është dashuria si material ndërtues. Fjalët “Linda nga dashuria… mbahem… do të jem” përforcojnë ide-metaforën se lidhja (urë) ka origjinë dhe qëndrueshmëri emotive. Nga përqasja Filozofike: kemi ekzistencializëm- ura si vend ku kalon jeta; përfytyrimi i qenies si “urë” (përmbajtje e tranzicionit). Mund ta lidhim me idenë se marrëdhënia (dashuria) është kushti ontologjik i lidhjes.Nga këndvështrimi social: ura është si marrëveshje e brendshme , marrëveshje emocionale që legitimizon bashkimin. Teksti ofron urën si model i tranzicionit të qëndrueshëm.
``Nëna`` - këtu ura merr mish, kthehet në trupin dhe dashurinë e nënës. Fillimi i jetës lidhet me amësinë,ura shndërrohet në figure universale,Ura e vërtetë mbi të cilën kalon jeta ,ura e parë e jetës është nëna, është ajo që bart, lind dhe lidh me botën. (Mbi shpinën time djepi, unë mbi urë…)Ura dhe nëna bashkohen ,ura shndërrohet në trup (metonimi/antropomorfizëm). “Mbi shpinën time djepi” autori i jep urës identitet maternal.Këtu kemi Antropomorfizëm të fuqishëm: ura si nënë që mban brezin; figura e sakrificës kalon nga baladat tradicionale te përkushtimi i përditshëm.Nga përqasja Filozofike: kemi Etikën e kujdesit: ura-nënë si vend i përkushtimit moral, si ndërgjegjësim e përgjegjësi ndaj të ardhmes. Në nivel mitik, rikthehet motivi I urës-varg (e ndërtuar me koston e jetës).Nga këndvështrimi social: kemi feminilitetin si themel i lidhjeve komunitare; politikat e përkujdesjes (sistemet sociale) mund të lexohen si «urë» që mbahet nga punë e papaguar e grave.
``Lumi`` – këtu shfaqet përballja e parë: lumi si kohë,si rrjedhë që duhet kaluar.Koha rrjedh,por lumi është një sfidë e paparashikueshme.Tashmë Ura është përballja me rrjedhën e ekzistencës.Lumi është dhe kërcënim dhe gjallëri.Lumi vërshon ,ecën përpara. (Nën harkun e kësaj ure… kam rrjedhur…)Lumi del si tjetërkufizues (shenjë e lëvizjes, rrezikut) kurse ura si mbrojtje/hark mbajtësit. Kontrasti lum-urë krijon diakroni semantike: rrjedhja dhe qëndrueshmëria.Ura del si siguri përballë vrullit; vija horizontale (urë) ndaj vertikalitetit/lëvizjes së lumit.Ura del si strehë nga fatalizmi; çështje e kontrollit njerëzor mbi natyrën dhe vdekjen (teksti: “Atë që e kërcënoj ajo e vë mbi shpinë dhe vdekja… merr arratinë”).Nga këndvështrimi : Ambiental/politik — ura si ndërhyrje civile që shndërron rrezikun në qasje, por edhe si vend ku ndeshen përbindësha të historisë (pushtime, uragane sociale).
``E dashura`` këtu dashuria erotike jepet si urë ndërlidhëse mes dy shpirtrave .Erotizmi dhe ndjenja e parë e madhe; ura e jetës vazhdon përmes dashurisë.
(A të kujtohet dashuria jonë… si…një urë.)
Ura është si metaforë e marrëdhënies dypalëshe: dy urë “ura e dashurisë sime / ura e dashurisë sate”.Kemi paralelizëm poetik: urat si dy subjekte që duhet të mos shemben , imazhi i brishtë i marrëveshjes.Nga përqasja Filozofike: kemi përqasje me Teorinë e marrëdhënies , besueshmëria si infrastrukturë morale; etikë reciproke.
Nga këndvështrimi Individual/romantike, por edhe politik del aleanca ndërmjet dy subjekteve të varura nga mirëbesimi.
``Va`` pika e kalimit të rrezikshëm, kthesa, momenti i parë i provës. (Bash aty ku harron lumi jam unë…)
Ura jepet si transformim: dikur nuk isha, pastaj u ngrit ura me hapësirë, dritë — subjekti rilind nga ura.Ura si hapësirë shërimi dhe transformimi personal.Ura si vend i rikthimit dhe memories—nuk është vetëm kalim, por vendndodhje e identitetit.Ura është hapësirë për ndërgjegjësim dhe rindërtim pas traumës.
``Kështjella `` është simbol i mbrojtjes, i luftës, i qëndresës. Poeti shënon kapitullin e përballjes me sfidat kolektive.Ura dhe kështjella lidhen si domosdoshmëri,njëra për kalim e tjetra për mbrojtje. (U lodha mes luftrash! … do gurë prej meje për një urë).Ura përftohet si produkt i luftës dhe sakrificës: gurët e marra nga vetë subjekti, si projekt emancipues për të kaluar “lumë që rridhte me tërbim”.Në Politikën e ndërtimit pas konfliktit — ura del si akt i riparimit historik; jepet etika e sakrificës kolektive,rindërtimi i infrastrukturës si simbol i pajtimit dhe rindërtimit pas konflikteve.
``Britma `` akti i krizës së parë personale: zëri i njeriut i ngecur “në mes të urës”.,I bllokuar mes dy brigjesh.Britma është shenja e krizës ekzistenciale.
(Kam mbetur në mes urës … Nuk mundem të kaloj).Ura si vend ndërmjetës; personi i bllokuar simbolizon individin në epokën moderne.Nga ana figurative kemi ekspresion i ankthit ekzistencial — mes dy brigjeve, pa zgjidhje.
Nga përqasja Filozofike është Liminoidia (Turner) dhe ankthi i tranzicionit; mund të lidhet e shkuara me modernen.Nga Rezonanca me psiko-sosiale kemi alienimi, izolimi në epokën tranzicionale.
``Miku `` Këtu ura e miqësisë shembet ,autori jep kapitullin e marrëdhënieve shoqërore, por edhe i humbjes së tyre (shkatërrimi i urës mes dy njerëzve).Shembja e urës është humbja e lidhjes ,jeta pa ura është vetmi. (Ti e shembe urën mes nesh.)
Ura del si marrëveshje ndërpersonale që mund të shembet nga tradhtia. Shembja e urës tregon humbjen e besimit, riparimi i urës si kërkesë për drejtësi restaurative.
``I mbyturi ``– kapitulli i fatalitetit, i kufirit me vdekjen, i asaj që nuk arriti të kalojë dot urën.Lumi I rrëmbyer e përpin . “I mbyturi” (Në ëndrrën e fundit shoh një…urë!)Ura në ëndërr del si shenjë shprese/paradoksi: para vdekjes, mendja e kërkon lidhjen.Ura jepet si vizion i shpëtimit ose i ndërlidhjes me të tjerët përpara humbjes por dhe simbol i shpresës transcendimtale.Autori bën thirrje për ndërhyrje sociale për njerëzit në rrezik.
``Në krizë`` është pika kulminante e ekzistencës: njeriu përballet me kuptimin e jetës , Njeriu mendon vetëflijimin.Ura është kufiri mes jetës dhe vdekjes. (Do të hidhem nga kjo urë … Më mirë në valët e këtij lumi )Ura transformohet në vend vendimtar (akt i fundit). Kontradikta: ura si shpresë ose si tribunë vdekjeje.Paradoksi i urës si vend vendimtar për jetë.
``Lutje`` ky është dhe nëntitulli i fundit, jo i rënies, por i ngritjes. Poeti e mbyll me një kërkesë për shpëtim, për pajtim, për ndërtimin e urave të reja.Lutja është shenja e transcendences,Ura kthehet në akt hyjnor,simbol I pajtimit universal. “Lutje” (Të dua o Njeri! … ngrije atë urë mbi…Ibër!)
Autori bën thirrje kolektive për ndërtim,ura si projekt komunitar, ndërhyrje institucionale.Figuracioni që përdor autori e nxjerr Urën si projekt emancipuese—lartimi moral dhe shoëror.Këtu del dhe Etika e solidaritetit: nga disa vargje del thirrja morale “ngrije urën”.
Autori Preng Maca krijon në këtë rast letërsi si thirrje për veprim social.Vetë titujt krijojnë një arkitekturë narrative nga ura e cila është fillimi dhe mbarimi , një prani e përhershme deri tek Lutja që është shpëtimi.Titujt janë shenja semantike që mbajnë gjithë peshën. Kjo poemë është një roman poetik në vargje,shkruar me tituj metaforash, ku ura është aks I jetës.Titujt janë përdorur si shkallë filozofike duke e shndërruar përvojën individuale në një filozofi universale të jetës.Jeta është gjithmonë ndërtim,kalim ,rrezik dhe në fund lutja, që është shpëtimi.Lexuesi udhëhiqet në një liturgji jetësore që nga fillimi deri në fund ,por fundi nuk është mbyllja e jetës por përkundrazi një thirrje për fillimin e jetës së re.Poema e Preng Macës përpunon motivin e urës në mënyrë polifonike: është mit, etos, ankth dhe thirrje. Në trajtimin semiotik, ura në sonata e tij është shenjë e shumëkuptimësisë: lidhje mes të kundërtave. Në figuracion, poeti përdor antropomorfizmin, metoniminë dhe paradoksin për të krijuar një hapësirë ku politika, historia dhe intimiteti ndërthuren.
Njëmbëdhjetë titujt nga poema e Preng Mac;s sjellin tre qasje filozofike të ndryshme të figurës së urës:
Ura si vetëdije ekzistenciale: Në vargun “Jam ajo epja, kur mbi mua kalon jeta”, ura reflekton rolin e saj si medium i jetës, duke sugjeruar idenë e Heidegger-it për ekzistencën si “urdhër kalimi”.
Ura si dashuri universale: “Linda nga dashuria… do të jem gjithnjë nga dashuria” shpalos idenë e urës si strukturë të mbajtur nga forca etike dhe shpirtërore, që e bën të përjetshme. Në këtë kuptim, ura nuk është thjesht kalim, por edhe garanci e vazhdimësisë njerëzore.
Ura si trup i nënës: “Mbi shpinën time djepi” e vendos urën në dimensionin antropologjik dhe mitik. Nëna-urë është figura e sakrificës dhe e përkushtimit, që mban peshën e brezave të rinj. Ky vizion filozofik është i ngjashëm me konceptin e “mbartëses së jetës” në mitologjitë arkaike.
Jashtë kufijve poetikë, koncepti i urës ka funksione të qarta edhe në realitetin njerëzor:
Si kategori sociale, ura simbolizon komunikimin mes njerëzve, bashkëpunimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve.
Si kategori ekzistenciale, ajo shënon kalimin nga një gjendje në tjetrën: nga fëmijëria në pjekuri, nga jeta në vdekje si ringjallje.
Si kategori etike, ura është dashuri, sakrificë, shërbesë për tjetrin. Nëna-urë është figura që mishëron këtë dimension në mënyrë poetike dhe universale.
Përfundim``Ura mbi lumë``, poema e Preng Maca, është një metaforë polisemike që përmbledh jetën, dashurinë dhe nënën. Ajo është njëkohësisht objekt ndërtimor dhe figurë shpirtërore, një shenjë semiotike që bart kuptime filozofike të thella. Në të, arti poetik e tejkalon realen dhe e kthen në simbol universal të lidhjes njerëzore.
Comments