top of page

“Terapi” me efekt…



“Terapi” me efekt…


-Ai!!!...

-Kush?

-Ai pra, Ai!

-Cili Ai?! S’pashë njeri!

-Bo,bo! Si janë njerëzit!! Nuk të njihja për të tillë. Mosmirënjohës!

-More, po çfarë? Ç’ndodhi ?!

-Ai erdhi! Ndaloi, na pa, na takoi. Pak të duket?!

-Ç’thua?! Ke parë ëndërr? Do ta kisha vënë re! Po kë takoi?

-Ja, mua, ty, atë…atë…, këdo.

-Jo! S’ta pranoj. Mua jo, as më preku, as m’i hodhi sytë, as m’u afrua!

-Si? E mohon? Nejse, mohimin tënd e fshin pohimi im. Edhe na përshëndeti…Mua më përqafoi, atij i shtrëngoi dorën, madje ty të puthi…

-Nuk ka mundësi! Eja në vete! Pa tjetër ka qenë ndonjë vegim!

-Ç’vegim thua?! Bëri video, fotografi…Na foli bukur,qetë,ngrohtë ëmbël…

-Kujt i foli? As dëgjova ndokënd të fliste!

-Neve, këtyre, atyre, të gjithëve. Fëmijëve u buzëqeshi, burrave u rrahu shpatullat, grave u shkeli syrin, pleqve u tymosi cigare, u ofroi kafe…

-S’je ti tamam, apo s’jam unë?!

-I dhuruan edhe tufa me lule. Të kuqe, blu, rozë, lejla, çiklaminë, laramane…

-Mos! Mos ia thuaj tjetër njeriu! Po nxjerr nga goja marrëzira! Do të marrin për mendjeikur!

-Nuk i pe të gjitha këto?

-Jo, jo, jo!

-Ndoshta ke probleme me shikimin. Ah, në të tilla raste mbahen syze!

-Ç’prrallis! Sytë i kam pak vengër, por shikoj si shqiponjë. E kur ndodhën sipas teje këto?

-Qëparë, para një ore, para një minute, para paranjëore, para paranjëminute…

-Ua, ua! Ku kështu?

-Këtu, aty, atje, matanë, më kët’ anë, gjithandej…

-Luaj vendit! Po, pse vallë?

-Këtë pyetje nuk duhej ta kishe bërë!…Po për zgjedhjet e reja, more…

-Ohoo, hoooo…

-Dhuroi premtime, autografe, tullumbace…

-Bah, sa human! Paskemi qëlluar me fat. Sa pako?

-Yyy…Një barrë deveje. Nuk e dëgjove?

-Po ta kisha dëgjuar nuk të lutesha ty!

-Edhe unë s’i mbaj mend të tëra…

-S’i mban mend! Mirë unë, po edhe ti! Kjo nuk të falet!

-S’është faji im. Frynte erë dhe i mori të gjitha pakot, premtimet, tullumbacet…

-Nga paraqitja sit u duk? Si ishte veshur?

-Me kostum, xhaketë me dy të çara, në xhepin e vogël kishte vendosur një shami në formë trekëndëshi,këmishë me komça,kollare,këpucë llustrafinë,flokë të llakuar,orë dore të shtrenjtë…Makinën e kishte prodhim jashtë serie.

-I vetëm qe?

-Joooo! Me pak shokë si vetja.

-Si e thirrnin?

-Nuk e thirrnin. Ai thirrte veten.

-Paska qenë sedërqepur. Me ç’emër?

-Një emër që nuk m’u duk as krishter, as mysliman, as katolik, as nga pakicat kombëtare, as…

-S’të kujtohet?

-Prit! Eh, po, afërsisht…”Kandidat”!

-Po mbiemri të bie ndërmend?

-Nuk jam i sigurt; “Deputet”, a “Kryetar”, a “Pushtetar”!...

-Ke lajthitur? Ku ka emër dhe mbiemër të tillë? Emër dhe mbiemër “Askush”, ”Kot”, “Hiç”, “Mashtrues”, “Gënjeshtar” më kanë rastisur, por ç’zure ti në gojë nuk kam dëgjuar ndonjëherë.

-Mbase s’ka thuaj ti…Ja mund të them edhe unë! E shumta mund të thotë edhe ndonjë tjetër. Po mbase ka!…Thotë ai, thonë shokët dhe miqtë e tij! Dhe ngule në mendje si gozhdë betoni. Ai e ata flasin vetëm me gojën e së vërtetës!

-Ouuu…Të kuptova, të kuptova…Ja fillova të kthjellohem…Oh sa qartë po shikoj tani…ata atje ishin të kuq dhe u bënë blu, këta ishin blu dhe u bënë lejla, lejlatë u maviosën…disa njerëz atje nisej për këtej e kthehen prapa…ca burra u bënë gra…ca gra po bëhen burra…ai trungu po lëviz, më duket po flet si njeri…ajo shtylla nga ana e majtë e trotuarit kaloi në të djathtë…Ore, mos më trullose me ato që më the dhe po ia mbys kot! Sikur nuk ndihem mirë…

-Joooo! Je për bukuri! Më në fund po flet si duhet! Të kam zili për mendjen e larë. Hajde terapi, hajde!...E dha efektin të plotë…

-Aman, më hiq një merak! Ai… Ai kur do të vijë prapë? Tha gjë kur u largua?

-Këtej?! Zor se i bie rruga! Ku i dihet!! Mbase pas katër vitesh…

25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page