top of page

TANI ËSHTË VONË



tregim

Hamejtë shkarkonin mobiljet, Waid Hermes, bosi i Varrezës të Makinave, kontrollonte sirtarët. Më së fundi gjeti çelësin dhe lajmëroi portorikanen Hoselita, pastruesen. Ajo erdhi së bashku me të bijën, një bukuri njëzet vjeçare, veshur bluzë të bardhë pambuku dhe pantallona bluxhins, që i rinin ngjtur pas trupit. Ish lëkurëbardhë, sykaltër e flokëverdhë, por me tipare e kurm latin, si e ëma. Të dyja iu përveshën me zell larjes së dyshemesë, fshirjes së mureve dhe tavanit për të mbledhur pezhishkat. Gerg ndihmonte në pastrimin e xhamave të dritareve. Këmbeu vështrim me Hoselitën, por ajo tregoi me sy të bijën, në çastin që ishte nderur për të pastruar abazhurin. Befas, e ëma, sikur të kishte në dorë thikë, i shkoi tehun e pëllëmbës pas gushës dhe i pëshpëriti në vesh, me zë misterioz: -Waid Hermes mucho pesos.1) Pastaj tregoi shtratin në dhomën e gjumit dhe sërish, me shenja duarsh, sy e buzë, i la të kuptojë Gergut se edhe ajo pati fjetur dikur në atë dhomë, por kjo kishte ndodhur një vit përpara se të shfaqej mëma e tij. Ajo tregoi me dorë çatmën, për nga zyra e bosit, bashkoi gishtin e madh me atë tregues, formoi figurën e turpshme vezake dhe, me anglishten e çalë, shtoi duke qeshur: -Dollarët ia përlajnë putanat, - por, Waid Hermes, kishte përgjuar bisedën e tyre sepse thirri që nga zyra me zë hokatori: -Portorikanet janë të nxehta dhe barbare. I therrin meshkujt njëlloj si yt gjysh, Klark Xhekson, kur gushiste salmonin. Gerg e gjeti të planduar në kolltuk, vetullvarur dhe duke frymuar përshpejtazi, nga që nuk mbushej plotësisht me frymë për shkak të purove me duhan të fortë kubanez. Ajo ditë qëlloi të ishte vërtet e nxehtë, por dhe me afsh kutërbues, nga përzierja e avujve të karburantit me vajrat e makinave. Megjithatë, bosi i Varrezës së Makinave nuk donte t’ia dijë nga e nxehta dhe as nga kutërbimi i plehrishtes së tij. Pa i hapur sytë, nderi dorën me saktësi dhe piu disa gllenjka uiski direkt nga shishja. Pas çdo gllënjke lëshonte ndonjë psherëtimë e fjalë ku shprehte dhimbjen për vdekjen e Frosinës. Gerg e dinte se avujt e alkolit i kishin rënë në tru qysh atë mëngjes kur filluan të shpërndanin hirin e trupit të djegur. Kishin shkuar pikërisht në ato rrugë e vende ku Frosina Xhekson e kishte lënë amanet me të shkruar. Mirëpo, pas gjobës së policit, në Cirklen e Kullave Binjake, nuk shpërndanë më dhe mbeti gati gjysma e hirit në vazon prej kartoni. Pjesën e mbetur të hirit e shpërndau duke ecur midis rreshtave të makinave ngritur në tako. Gerg e pati ndjekur nga pas ndërsa Waid Hermes i kishte mëshuar zërit sikur të ishte ceremoni varrimi: -Aq dollarë i kam ngjeshur nën breçka nënës tënde, sa ajo do të kishte blere apartamentin më të mirë në Bruklin. Zoti e bekoftë, amin! Jot ëmë kishte gjak pirati, nga Klark Xhekson. Zoti i faltë të dy, amin! Njëherë më shkrepi të martohesha me Frosinën, por zoti më ndroi mëndjen. I madhërishëm qofsh, o zot, amin! Unë e kam dashur nënën tënde si askush tjetër. Amin, amin, amin - dhe Waid Hermes flaku grimcat e fundit të hirit brenda kabinës të një makinë kortezhi, nga ato që transportonin arkivole. Makina ishte e zezë, me xhama të thyera dhe e shtypur nga të dyja anët. Dyert e pasme hapur kanat-kanat. Nga tavani i vareshin rrypa të verdhëlleme beze dhe ato lëkundeshin nga rymat e ajrit. Ajo makinë Gergut i ngjasoi me një tunel të gjatë nga ku përcilleshin misteret e atyre që shkonin në botën e përtejme. -Gjithnjë kam kujtuar se ju jeni ati im, - i kishte thënë kur Waid Hermes sapuniste duart, por bosi i xhankiartit i qe përvjedhur asaj pyetjeje, njëlloj edhe vështrimit të Gergut. Pastaj kishin shkuar në zyrë dhe Waid Hermes qe planduar në kolltuk, i ftohtë dhe i heshtur. Bosi qëndroi disa minuta symbyllur dhe Gerg pandehu se e kishte zënë gjumi, kur befas dëgjoi: -Sot ndjehem si murgu në ditën e varrimit të vet. Pas shpërndarjes së hirit e nxehta ishte kthyer papritur në shi kokërmadh dhe mbi çatinë e llamarintë dukej sikur qielli derdhte zhavorr. -Gjithnjë kam kujtuar se ju jeni ati im, - përsëriti Gerg Xhekson, por edhe asaj here Waid Hermes në vend të përgjigjes kishte bërë kryqin nxitimthi mbi gjoks dhe shikonte sypicëruar përflakjen e qiellit nga shkrepëtimat, tej dritareve nga dukeshin majat e grataçielave të Nju Jorkut. Sedra xheksoniane i pati trokitur Gergut në tru, “ nuk bëhen kësi lloj pyetjesh në mot të tillë” dhe përgjigjen e asaj pyetjeje Gerg Xhekson nuk e mori kurrë nga goja e Waid Hermesit. Djaloshi Xhekson qe mjaftuar me ngjashmërinë e flokëve të verdhë, ballin e lartë, sytë e kaltër dhe krifën leshatore në gjoks. Këto shënja tregonin haptas ngjashmërinë e padiskutueshme se ata ishin at e bir. Tiparet simpatike të fytyrës, tipike anglo saksone dhe trupi i derdhur i Gergut ishin trashëgim nga nëna, karakteristike për fisin e Xheksonëve. Heshtja e shurdhët e Waid Hermesit i shojti kërshërinë për të marë përgjigjen e asaj pyetje enigmë. Edhe më vonë ai nuk e çau fort kokën për këtë gjë, mbasi marëdhëniet e tyre shumë shpejt u kthyen në miqësi burrash për mbarëvajtjen e Varrezës së Makinave. Nga goja e Waid Hermesit, ai e dëgjonte shprehjen e përditshme: -Të gjithë jemi bij kurvash. Gerg qe ngushëlluar më së fundi se dashnori i nënës së tij po vepronte tamam si at i mirë. Ai ishte dorëlëshuar, sikundër i kishte thënë ajo dhe bënte një sy qorr kur ndonjëri nga puntorët shkulte pjesë makinash dhe i shiste nën dorë. Në raste të tilla Waid Hermes mërmëriste nëpër dhëmbë: -Mbijetesa ngjyen edhe në plehërishte, - por, ndaj Gerg Xheksonit, i mbyllte të dyja sytë. Çdo fundmuaji Hoselita dhe e bija vinin për të pastruar zyrat e Varrezës së Makinave. Mirëpo, Hoselita, herën e fundit, gjeti rastin të ndodhej përvetëm me Gergun, qoftë e një gjysëm minute. Vuri tehun e pëllëmbës mbi gushën e tij dhe i tha me kërcënim: -Po pe një të ngjashme me time bijë, dije se e ke motër.

-Tani është vonë, - u përgjigj Gerg me gjysëm zëri. Sytë iu mjegulluan nga lotët, doli nga zyra duke përplasur derën fort. për të mos u kthyer më kurrë në Varezën e Makinave.


35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page