top of page

Takime me vlera të çmuara poetike, humane dhe intelektuale


Takime me vlera të çmuara poetike, humane dhe intelektuale

Takime me vlera të çmuara poetike, humane dhe intelektuale


KRIJUESIT MIGENA ARLLATI DHE LUAN RAMA SJELLIN FJALËN E TYRE POETIKE MES SHQIPTARËVE TË ITALISË


PETRIT R. ALIAJ


Ghedi, Milano, Itali - Prej shumë se dy muaj, mikesha jonë Valbona Jakova, poete, përkthyese dhe anëtare e stafit të Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Itali (LSHASHI), ndihej e preokupuar për realizimin e tre takimeve shumë të rëndësishme në fushën e artit e të kulturës shqiptare. Këto takime përkonin në kohë edhe me festat e nëntorit, e në vazhdim atyre iu bashkangjit edhe hidhërimi që po ndajmë të gjithë me katastrofën natyrale të tërmetit në Durrës e më gjerë.

Një nga këto takime kulturore - poetike u realizua në bibliotekën San Polo në qytetin e Breshas, tjetri në selinë e Asociacionit të komunitetit shqiptar po në Bresha dhe i treti në sallën e shtëpisë “Misericordia” në Ghedi.

Që të tre takimet u mbushën me copëza nga jeta dhe veprimtaria e personaliteteve të ftuar enkas me këtë rast: Migena Arllati dhe Luan Rama, kontribuues në fushën e letrave, albanologjisë, historisë e diplomacisë shqiptare.

Ceremonia në Ghedi erdhi në bashkëpunim me Lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Itali dhe shoqatat “Altrove” e “Nexus”. Protagonistët tanë këtë rrallë, ishin miq nga larg. Migena Arllati, prof. e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjakovë, poete, redaktore dhe recensuese e rreth 60 vëllimeve me poezi dhe prozë, pjesëmarrëse në mjaft konferenca shkencore të organizuara nga universitetet e Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Elbasanit, Shkodrës, Shkupit, Durrësit e Vlorës, në të cilat ajo ka paraqitur punimet e saj në gjuhësi, albanologji, publicistikë, kritikë letrare, gazetari etj. Ndërsa nga Parisi ishte kineasti, përkthyesi e studiuesi i artit, gazetari e diplomati kulturor, prof. në Universitetin e Parisit, Luan Rama.


Me Luanin isha takuar për herë të parë në moshë të rinisë në kinostudion “Shqipëria e Re”, i ndodhur rastësisht atje nën shoqërinë e Dhimitër Rëmbecit, redaktor i emisionit muzikor që trasmetohej çdo të hënë në Rtsh. Dhe mbas shumë vitesh, edhe pse fejsbuku na ka dhënë mundësinë e komunikimit me shokë, miq e të njohur të vjetër, kur më tha Valbona që në takim do të jetë edhe Luani nga Franca, iu përgjigja menjëherë me pohimin se atëhere do të jem edhe unë. Ishte një shans që nuk duhet ta humbja edhe për krijimtarinë e tij të gjithanëshme. Së bashku me miqtë e mi, Ndue Shabaku dhe Skënder Lazaj, u takuam me të ftuarit e takimit dhe pas bisedave tona të njohjes, biseduam për artin e letërsinë, si edhe aktivitetin më të rëndësishëm të vitit “Arti në Lëvizje” që realizon LSHASHI, një aktivitet në të cilin promovohen 10 deri 15 krijues nga të gjitha fushat.

Që në hapje të takimit, Lori Duka i bëri një paraqitje të përgjithësuar veprimtarive të miqve tanë të nderuar, duke prezantuar materiale të bollshme nën shoqërimin në videoprojektor të mjaft fotografive nga puna e z. Rama dhe znj. Arllati. Duke ditur se krijimi si proces përmbledh në vetvete edhe një mendësi, traditë, histori dhe interpretim sa personal aq edhe objektiv, që vjen i shtrirë si në aspektin kolektiv ashtu dhe në atë subjektiv, në bisedë e sipër, krijuesit M. Arllati dhe L. Rama trajtuan edhe tema të ndryshme që erdhën si interesim i publikut / lexuesve. Pyetje – përgjigjet dhe shkëmbimi i mendimeve i shërbejnë njohjes së kulturave mes popujve, aq më tepër kur është fjala për kulturën shqipe dhe atë italiane të cilat komuniojnë mes tyre prej shekujsh.       

Pasoi intervista e prof. Gabriela Cadei për dy personalitetet e letrave shqipe me pyetje që kishin të bënin jo vetëm me krijimtarinë e tyre por edhe për kulturën shqipe në përgjithësi. Po ashtu, të apasionuarit mbas poezisë, recituan për miqtë pjesë nga krijimtaritë e tyre. Lumturi Plaku, Skënder Lazaj, Fabiola Sali, Valbona Jakova, Lori Duka si dhe prof.ssa.Gabriella Cadei e Anita Bertolini sollën recitime poezish me tema mbi idealizmin, lutjet, dashurinë, nostalgjinë për ato që lamë pas, dedikimin për më të afërmit që na mungojnë, denoncimin e dhunës ndaj gruas, për natyrën kapricioze e cila me tërmetin e dt. 26 nëntor goditi Shqipërinë etj.

Respekti për jetët e humbura e të dëmtuarit nga tërmeti u manifestua nga të gjithë të pranishmit, përfshirë grupin e valleve “Shqipona” nga Lecco. Drita Gega, drejtuesja e këtij grupi dhe bashkëpuntorja e ngushtë e aktiviteteve kulturore, së bashku me valltarët e saj të veshur me kostume tradicionale kombëtare erdhën të respektonin miqtë, por në shenjë homazhi për viktimat e në solidaritet të plotë me ata që përjetuan fatkeqësi, nuk vallëzuan. Ata u shkrinë në grupet tona, duke na dhuruar koloritin e veshjeve me fotografitë që realizuam. Në përfundim, lule, libra, dhurata, dhe shkrepje fotografishë për caste që do të mbahen mend gjatë nga të gjithë ne që ishim të pranishëm në dialogjet poetike dhe kulturore me miqtë tanë krijues.

Faleminderit mikesha jonë Valbona Jakova që sollët mes nesh jo vetëm dy figura me potenciale të larta krijuese por edhe me vlera të çmuara humane dhe intelektuale. Respekte pendës së Migena Arllatit dhe Luan Ramës për çastet e mrekullueshme që na dhuruan. “Arti në Lëvizje” krenohet me miq si Ju!


85 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page