top of page

Taip Sulko: QOKAT DHE ÇMIMET LETRARE


Ky shkrim është një përsiatje pas leximit të shkrimit të shkëlqyer të Artan Natit “Qoka si zhanër letrar: Një histori "suksesi" pa lexues”, botuar në Gazetën Dielli.


Me të drejtë A. Nati merr në shqyrtim një dukuri shqetësuese- papërgjegjësinë tonë në gjykimin e veprave letrare. Autori jep shembuj të shumtë dhe të drejtpërdrejtë për atë që flet. Madje shkon edhe mëtej- ve në dukje se ka edhe shkëmbime nderesh për përfitime vetjake edhe në këtë fushë. Ai i quan këto sjellje si “qoka” një lloj tregtie, “më jep të jap”, një lloj shitblerje, dhënie dhe marrje pëlqimesh dhe mbështetje, pa u nisur nga vlerat e vërteta letrare, por nga njohjet dhe përfitimet. Kjo dukuri, ve në dukje autori, është e përhapur në përurime librash, në panaire, në Face Book, apo edhe në shkrimet për librat, ku gëlojnë lëvdatat e pamerituara, e keqpërdoren deri edhe figurat mitologjike dhe thëniet e mendimtarëve të mëdhenj. Aty ku mungon leximi i mirëfilltë i tekstit letrar, aty shndrin shitblerja për përfitime të ndërsjellta.

Më tej Artan Nati e thotë fort se këto të ashtuquajtura qoka marrin trajtën e tyre më të shëmtuar kur shtrihen, zbatohen edhe në ndarjen e çmimeve letrare.

Po them dy fjalë edhe unë për këto dukuri:


QOKAT


Jam plotësisht i një mendjeje me Artan Natin se një dukuri e tillë na sillet vërdallë dhe se ajo është e dëmshme. Tej e tej veprimtarive letrare ndjehet një brohorimë e stërmadhe që s’të lë as të dëgjosh e, pa le më të kuptosh. Kur arrin në këtë pikë e ndjen thellë nevojën për një autoritet të besueshëm të kritikës letrare që e ndan shapin nga sheqeri. Pyetjet që të grafullojnë së brendshmi janë të pafundme, - ne kemi me qindra analistë politikë, pse nuk kemi më shumë analistë dhe kritikë letërsie dhe arti? Ne kemi numër të plotë institucionesh, ministri, institute, universitete, radio, TV, gazeta, që duhet të kenë njerëz të cilët shqyrtojnë dhe i japin vendin secilës vepër që krijohet, ku janë ata? Barrën e mbajnë vetëm pak vetë, që s’janë më shumë se gishtat e dorës. Ne duhet të gëzohemi kur dashamirësit tregojnë vëmendje përsa botohet, madje japin edhe pëlqimet e tyre. Pse nuk bëhet diçka që gjithë kjo rrjedhë ngazëllyese miratimi dhe pëlqimi të drejtohet në shtegun e duhur?

Ndërkaq dua të them se kam mendim tjetër nga Artan Nati për disa anë të kësaj dukurie:

Së pari, nuk është e lehtë ta ndash atë që është qokë nga ajo që nuk është. Jam i bindur, dhe e kam thënë edhe herë të tjera, se duhet t’i gëzohemi kësaj ardhje të madhe krijuesish që kemi tani. Aty është ai/ajo që do të na ngazëllojë me krijimet e veta. Ne kemi nevojë për sa më shumë krijues, po aq sa kemi nevojë edhe për cilësi të lartë. Këtë duhet ta mendojnë më me urtësi institucionet tona.

E dyta, shpesh, në shoqëritë e lira, krijuesit mblidhen në grupime, shoqata, lidhje, në të cilat pjesëmarrësit mbështesin njëri-tjerin, për të vënë më në pah vlerat që ata sjellin. Kjo ka kuptim dhe ka dhënë fryte në shumë raste. Përsëri del nevoja që dikush ta bëjë ndarjen se ku prodhohet cilësia. Në këto lloj grupimesh është e natyrshme që edhe do të japësh dhe do të marrësh vlerësime dhe pëlqime, do të shprehësh mendimet e tua dhe të tjerët do flasin për ty, etj, njëlloj si në kafe ose restorant ku, një here paguan njëri dhe një herë tjetri.

E treta, të mos harrojmë se, ajo që ndodh tek gjykimet e papërgjegjshme, nuk është vetëm dukuri shqiptare. Ajo është kudo dhe vihet re sidomos në FB. Revoluconi teknologjik e rriti në shumëfish lirinë e qytetarit, ne u kthyem të gjithë në botues. Kjo është një shkallë e re zhvillimi, që kërkon përgjigje të reja. Ende jemi në fillim.

E katërta, duhet shtuar këtu se, në ditët e sotme, edhe botimi i librave nuk është i vështirë. Në Shqipëri, por edhe kudo gjetkë, mjafton që të hedhësh para dhe botimi vjen.

E pesta, tek ne, në Shqipëri, të duhet leje nga shteti për çdo lloj shërbimi dhe prodhimi, ndërkohë që për prodhimet shpirtërore, që, për një kohë disi më të gjatë sjellin dëmtime që therin më shumë, lejet mendoj se merren më lehtë.

E gjashta, nuk duhet të harrojmë edhe futjen e zhurmshme, me trumpeta, në botën e letrave të njerëzve me pushtet, qoftë ai politk, mediatik, shkencor ose pasuror. Ata shpesh, për arsye joletrare, kanë shumë ndjekës dhe janë magnetë pëlqimesh.


ÇMIMET:


Sikurse u përmend më lart, të ashtuquajturat qoka marrin trajtën e tyre më të shëmtuar kur shtrihen, zbatohen edhe në ndarjen e çmimeve letrare.

 Artan Nati thekson se në shumë raste, romani vlerësohet jo nga fuqia e fjalës, por nga forca e telefonatës dhe se çmimet nuk jepen për vlerat letrare, por për korrektësinë shoqërore. Këto kanë një emër “lojra për përfitim vetjak”.

Çmimet e çfarëdolloji, por edhe ato letrare kanë rëndësi sepse ato, bëhet nga institucione, institute, universitete, gazeta, TV, shkolla, deri edhe nga institucionet më të larta shtetërore si ministritë. Ato kanë me vete autoritetin e institucioneve që i organizojnë. Qytetarët priren t’i besojnë më shumë. Ndaj prej tyre duhet përgjegjësi më e madhe.

Çmimet, me njerëzit që përfshijnë, me përzgjedhjen që bëjnë dhe vendimet që marrin, e thërresin lexuesin, dëgjuesin apo shikuesin në një drejtim të caktuar. Nëse përzgjidhen vepra me vlera të dyshimta, dëmtohet shija, dëmtohet, prishet prodhimi letrar (apo artistik) që, sikurse e theksuam, është ushqimi ynë shpirtëror, e që, në afat të gjatë, ka rëndësi thelbësore, njëlloj si ushqimi lëndor.

Dhe, meqë jemi tek dëmi lëndor dhe ai shpirtëror, po e shtrijmë pak më tej krahasimin: nëse ti merr vendim të gabuar në një tender ekonomik, ti thjesht e varfëron qytetarin, e, nëse, me vetëdije, ti merr një vendim të gabuar në përzgjedhjen e një vepre letrare (apo artistike), ti sjell një dëmtim shpirtëror, që, sikurse u theksua më lart, ka të njëjtat pasoja të dëmshme.

Duhet pranuar se dhënia e çmimeve për letërsinë ka vështirësinë e vet, një libër është i gjatë dhe do kohë të lexohet, nuk është si kënga që dëgjohet për disa minuta apo si piktura që do, po ashtu, fare pak kohë që ta shohësh dhe të arrish në një mendim.

Kjo pengesë nuk është e pakalueshme. Shembujt janë. Përfundimet e drejta arrihen duke përfshirë në këto rrjedha shumë më tepër njerëz, me anketa paraprake, me ndjekje gjithëvjetore të botimeve dhe të jehonës që ka çdo libër.

Dhe ajo që është po ashtu nga më të rëndësishmet, kjo arrihet me përfshirjen e njerëzve të aftë dhe të ndershëm, që kanë dëshmuar aftësi në vendimarrjet e tyre letrare apo artistike. Kjo është jo vetëm e mundur, por edhe e arritshme. Kam besim të patundur për këtë!

Taip Sulko

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page