Tahir Bezhani: TROPOJA E MBULUAR ME PLISBARDHË
- 12 hours ago
- 5 min read

R e p o r t a z h:
Kulla e Brahim Hoxhë Dollapit në retrospektivë kohe.
TROPOJA E MBULUAR ME PLISBARDHË.
Qielli i mëngjesi i datës 20 qershor 2026 ishte i kthjellët si loti. Dukshëm vërehej se temperaturat në këtë ditë do ishin të larta. Megjithatë, nuk e kishin fuqinë e ndalimit të udhëtimit deri në Koçanaj të Malësisë së Gjakovës, Tropojë në Festen e Plisit. E dija ditën më parë se do mbahej manifestimi i 13 -të me radhë, organizuar nga ideatori, aktori, poeti, krijuesi e punëtori i palodhshëm në jetën kulturore e jo vetëm, Ismet Krasniqi -Lala.
Isha tejet i gëzuar për ftesën si pjesëmarrës i këtij manifestimi tani tradicional. Tropoja ime them shpesh në biseda me miq e shokë. Ka vite, afër tri dekada që shkoj shpesh në këtë zemër të shqiptarisë. Tani aty flen gjysma e zemrës sime, e kam “hisen” e ndarë si nip. Rrugëtimin për në Tropojë e bëj symbyllas. Më tërheqin miqtë krijues, më kanë “marrë” zemrën dhe jetojmë se bashku, me Lulin, Gjonin, Delinë, Asllanin, Rexhepin, por edhe me ata që kanë ndërruar jetë tani, i kujtojmë pandarë, Haki Zllamin, Ibrahim Malajn, ShabanNokshiqin, Avdyli Sulën, Sejdi Berishën etj. Një lidhje e fortë vëllazërore si mishi e ashti . Kështu do jetë përgjithmonë, mjaft më ndarje të dhunshme, ikën ato kohë.... Tani jemi së bashku kudo!
U zgjova herët të shtunën e 20 qershorit. U përgatitem për rrugëtim në Tropojë. Kisha njoftuar edhe mikun Bardhyl Ferizi që së bashku të jemi në atë event me rëndësi të veçantë. Pasi u dëgjuam përmes telefonit, caktuam vendtakimin dhe u nisem për Bajram Curri në ora 09-të me një gëzim të pashpjeguar.
Kufirin në Qafë Morinë e kaluam mrekullueshëm. Sa ëmbël dukej “kufiri” me përshëndetjen e zyrtarëve kufitarë! A mund erdhët vëllezër, a u lodhët rrugës?! Kalofshi ditë të bukur!- ishin fjalët e këndshme të policivë kufitare. Vazhduam rrugë deri mbi liqenin artificial në Kasaj. Përballë Shkëlzenit bëmë fotokujtime me mikun Bardhyl Ferizi. Ferizi është profesionalist, i njohur për foto të bukura.
Në qytetin alpin, Bajram Curri mbërritëm fiks në ora 09,50. Në tavolinat e hotel “Turizmit” ndihej arome pishe, blini, vinte ajri bjeshke dhe krijohej mrekullia në hapë të parë. Aty na priste miku Deli Metalija, koreografi e valltari njohur në trojet shqiptare, i dekoruari nga Presidenti i Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i madh” dhe më pas ‘’Nderi i kombit’’
Pas kafeve të mëngjesit në atë mrekulli, me makinë të Delisë, u nisëm për në fshatin Koçanaj. Nuk ishte larg qytetit, tamam në grykë të Valbonës.
Shpejt u gjendem para asaj madhështie historike. Oborri, bahçja dhe kulla ishin të vogla për gjithë ata burra e gra me plisa të bardhë nga e gjithë shqiptaria: Shqipëria, Kosovë, Maqedoni, Presheva , diaspora etj.
Kulla e Brahim Hoxhë Dollapit, shkallët hyrës në oden e burrave, kati II
Kulla ishte arkitekturë trashëguese, më shkallë dhe frengji. Në hyrje për në oden e burrave, në mure ,ishte një pllakë me mbishkrimin:
” Këtu ka pushuar Isa Boletini me shokë tjerë”.
Sa rrëqethëse! Imagjinata të rikthente në kohë dhe ndjeshmëria të diktonte lavdinë ”, këtu edhe unë, ku ishin ata, trimat e kombit, prijsat e Lëvizjes Shqiptare për lirinë dhe bashkimin kombëtarë. Ata që luftuan deri në vdekje armiqtë turq e serbosllavë.”
Padashur sytë mbushën me lot e nuk derdhen, e ruajnë krenarinë....
Pas disa çasteve në odën e burrave të kullës së Brahim Hoxhë Dollapit, sipas skenarit të programit, dolëm në oborr me shoqërim të rapsodëve me këngë majekrahu për Brahim Hoxhë Dollapin dhe bëmat e tij.
Në oborrin e kullës së Brahim Hoxhë Dollapit, tani të trashëgimtarit, nipit, Sahit Dollapi, ideatori i Festës së Plisit, Ismet Kraniqi-Lala, hapi manifestimin e 13-të me radhë, me fjalët më të zgjedhura për atë tubim të mrekullueshëm.
Pamje nga manifestimi, oborri i shtëpisë, kullës së Brahim Hoxhë Dollapi, Koçanaj-Tropojë.
Duke shpaluar kujtesën ndër vite për këtë manifestim, Ismet Krasniqi Lala, theksoi meritat edhe të bashkëpunëtoreve të tij të pandashëm, si Prend Buzhala, Agron I. Gjedija etj. Ismeti potencoi se iniciator për këtë manifestim në kullën e Brahim Hoxhë Dollapit në Koçanaj të Tropojës, ishte nipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini nga Boletini i Mitrovicës. Për rëndësinë historike të kullës së Brahim Hoxhë Dollapit, folën disa folës, emra të njohur të historisë e kulturës sonë, të cilët u dëgjuan me shumë kureshtje nga të pranishmit megjithëse temperaturat e larta e kishin përfshi ambientin.
Në fjalën e tij, Ismet Krsniqi-Lala, theksoi me pak fjalë rëndësinë historike të kësaj kulle:” sot gjendemi në Kullën e Brahim Hoxhë Dollapit në fshatin Koçanaj të Tropojës, kullë me një histori të veçantë në rezistencën ndaj pushtetit Otoman. Këtu qëndruan, morën vendime të mëdha për kombin, për pavarësinë e Shqipërisë, për bashkimin kombëtarë, Kullë kjo, ku qëndruan trimat e kohës si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri,,Azem e Shote Galica, e shumë të tjerë”. Ideatori i Festës së Plisit përfundoi fjalën duke falënderuar Agron I. Gjedinë për bashkëpunim me theks të veçantë se “të bashkuar mund të bëjmë çdo punë të mirë, të ndarë nuk arrijmë asgjë të mirë...” Lala u përcoll me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.
Bukuri pa koment!...

Këtë manifestim, nga më të mirët që nga fillimi e madhështuan pjesëmarrës të moshave të ndryshme, ku takimi mori sharmin e këndshëm nga folësit e shumtë. I veçantë ishte plaku 89 vjeç, nga Doberdoli i Klinës në Kosovë, Mark Pjeter Berisha, i cili foli për plisin nëpër kohë, vuajtjet për mbajtjen e tij nga sundimtarë, qëndresën dhe krenarinë e bardhësisë së plisit ndër shekuj. Ai tregoi se plisin e mban në kokë që nga mosha 12 vjeç, pa e hequr kurrë. Plaku i deklaroi dy gjëra si porosi: kudo që ka shqiptarë, anekënd rruzullit tokësor, le ta mbajnë me krenari plisin e bardhë, identitet i yni kombëtarë. Porosia tjetër ishte: “lindni sa më shumë fëmijë sepse sa më shumë fëmijë, aq më shumë Shqipëri!.”
Me duartrokitje dhe të qeshura u pritën porositë e plakur 89 vjeç, si porosi të qëndrueshme në çdo kohë. Me kumtesa interesante u paraqiten Agron Isa Gjedija, Prend Buzhala, Gazmend Boletini etj. Ishte tejet tërheqëse dhurimi i një pikture, portret i Isa Boletinit nga piktorja e mirënjohur tetovare, Besa Dauti ,e cila ia dhuroi nipit të Isa Boletinit, Gazmend Boletinit.
Portet Isa Boletinit, punuar nga Besa Dauti nga Tetova.
Moment i këndshëm ishte rasti kur drejtori i DKRS të Mitrovicës, z. Gazmend Asllani, në emër të komunës, i ndau dekoratë për kullën e Brahim Hoxhë Dollapit ,me motivacion e rëndësi historike të rezistencës ndaj armiqëve të vendit. Këtë dekoratë e pranoi Sahit Dollapi, trashëgimtarë i Brahim Hoxhë Dollapit.
Këtë manifestim me shumë peshë historike e përshëndeti edhe kryetari Bashkisë së Tropojës ,z. Rexhë Biberaj ,i cili u respektua me duartrokitje të gjata. Kryebashkiaku Biberaj, ndau dekorate postmortum për Kullën e Brahim Hoxhë Dollapit.
Nga oda e burrave kanë lindur anekdotat dhe në oda burrash janë përdorë duke trajtuar ngjarje e tema interesante, të mprehta me shume filozofi kohore sipas zaptuesve dhe ecurive kohore. Edhe këtë event e hijeshoj mbledhësi i urtësisë popullore, z. Muzafer Osmani nga Ferizaj, duke interpretuar disa sosh nga ky thesar. Pika kulminante të bukurisë festive ishin edhe pikat muzikore ku veçohej vallja e Tropojës nga grup vajzash e djem të rin,j pastaj me këngë folklorike nga rapsodët e mirënjohur, Nazmi Hajdari, Ramë Dollapi etj.
E gjithë kjo ditë e bukur, e nxehtë, e mbushur me gëzim e hare, me pune të vlefshme, me shumë angazhime, përfundoi në hotel “Sylbica”, në një drekë të përbashkët ku vazhdoi gjatë kënga, hareja, miqësia e papërshkruar e pjesëmarrësve të shumtë. Ishte kënaqësi e dukshme kur brenda sallës së hotelit” Sylbica” shkëlqenin plisat e bardhë si vetë bardhësia shqiptare....
Tropojë, 20 Qershor 2026














Comments