ADRIANA MYRTAJ
nga "SHENIME PER JETEN"
(...të gjitha të shkruarat jane për Veten)
E Premte, 20 Korrik 2018
Lajmet që vijnë nga Shqipëria sot, janë tronditëse e demoralizuese. Në krye të vendit është një kryeministër që duket sikur s’ka shumë të përbashkëta me idealet, interesat e popullit të vet.
Vendi drejtohet prej një parlamenti mishmash e pa ide, përzgjedhur për interesa të vogla, që s’e lidh gjë me aspiratat për demokraci.
Populli është lënë përsëri vetëm.
Si gjithmonë, pëshpërit zemra e trembur.
Në kohë si këto piqen idetë, rritet rezistenca, krijohen udhëheqësit. Durimin paskemi patur me tepri…Për atë bën thirrje koha përsëri!
E shoh të gjatë rrugën e kthesave, reformave që do duhen të ndiqen për të ardhmen.
Atdheu është në cdo njeri. Atdheu është cdo njeri. Rrënjët e tij janë tek secili. Aty mbahet, rron dhe do të mbetet.
E “vjetra”, kultura e traditës në harmoni e pranim të njëri tjetrit si vëllazëri e në interes të pandarë, do të na shërbejnë të gjejmë nyjën për ta ç’koklavitur aty ku ramë e ngrihemi përsëri…
Është ëndrra që mbush vizionet për të ardhmen. Duhet besuar në të, se është e vetmja ku mbahen të tjerat! Lutem për shqiptarin kudo ku është sot, të ketë dashurinë të parën në frymëzim. Këtë na e lanë të parët si trashëgim…
Besoj në aftësitë dhe cilësitë që do të zgjedhim dhe ndjekim kursin e ndryshimeve që duhen.
E Shtunë, 21 Korrik, 2018
Sot mu kujtua një emër, Vangjush Mio!
Në fillimet e adoleshencës më tërhoqën vëmendjen pikturat e tij. I shihja të stampuara në kartolinat e vitit të ri. Ishte ngjyra e artë e vjeshtës më së shumti që I jepte dritën tablosë, ngrohtësia e saj që nuk të largonte, ishte pastër gjithçka në të, larë nga drita e ajrit. E gjitha kishte një emër, mjeshtëri.
Çdo mendim kthehet e bëhet i gjallë në mendjen time. Germat bëhen vizione, karakteret shndërrohen në njerëz, problemet apo gëzimet bëhen të mijat…Leximi dikur i rriste karakteret, botën ku lëviznin, rrethonin qenien time e luanin përqark. Karakteret flisnin në gjuhën e tyre në mendjen time të atëhershme, tregonin sekretet e tyre tek unë që as vetë autori i librit nuk i dinte. Gjithçka që rrëfehej, ekzaminohej plotësisht.
Po flisja për Vangjush Mion.
Teksa mendoj tani për këtë artist mbetur i veçantë në kujtimet e mia, mendoj se një art i mirë na ndihmon të mësojmë së pari si të shohim dashurinë. Ka gjithmonë një sy të thellë e të padukshëm brenda njeriut. Nuk e takojmë shpesh në jetë se na mbyt ajo që kapet në rrjetën e shqisave, e papërpunuar në laboratorët e shpirtit. I shkojmë jetës siç i shkohet një sipërfaqeje të lëmuar duke rrëshqitur përmbi të… Artisti e ka syrin të thellë. Sheh për veten, nxit edhe të tjerët të shohin atë që prek ai.
Të jesh e të bësh artistin s’është profesion. Është njeriu në të që ka arritur të prekë në butësinë e shpirtit, butësi që s’është vetëm e artistit, është e kudoshme, në çdo gjë krijuar. Butësi e delikatesë.
Pa prekjen e vetvetes së asaj thellësie, zor se e dimë se ç’duam, se e tëra ndodh aty. Gjithë drita e hapësirës së pafund “shëtit” me ne, nëpërmjet nesh, brenda nesh. Sekreti e hapja e saj varet nga qëllimi e dëshira që vendosim për të kërkuar, gjetur e vënë në punë…
Tek Vangjush Mio, është e gjitha sa flas më lart.
Comments