top of page

SYBUKURËS


Valbona Kolaveri


SYBUKURËS


Shkēlqen dhembja e ninzës

Së syrit të dehur nga lotët

Tek puthet pafajsisë


Humbet

Qeshjes së magjishme


Fshehur mistikës,

Sybukurës


Mallëngjim që prek

Madhështish



TRËNDAFILI IM


Sot është ditë trëndafilësh

E puthjesh të munguara

Kujtimesh ngjyrë qielli

Fytyr ëngjëlli që sjell mesazhe dashurie

Unë po të pres bashkë me ëndrrën

Që bashkë e lamë përgjysmë


Të plotë ma more zemrën

Të kam në qerpik ta dish

Me lotin pres të derdhesh

I shtrenjti im,dashuri

Ditën mē të bukur ke zgjedhë

Për me u dashtë,ashtu përmallshëm




ADHURIM


Parcelave të zemrës

Ndjenjat, ndanë kohës,

Vyshken

Ngricave të ditëve fatkeqe


Ku simotrën e zemrës tënde

E sheh larg,


E kridhesh mes pengjesh,

Mes mallesh,

Mes vajesh


Për t’I ngrohur,

Në ditë ledhatimesh

Pa drojë,


Larg trishtimit,

Mes buzëqeshjesh

Në sy që shkëlqejnë


Drejt atij që të fal

Adhurimin.





NGRICË


Mëngjesin


E kafshoi nata


Ftohtë


Me dhëmbë të akullt


Smirëzie


Frymë e brinjëve


Mpaket


Ortekë të rëndë zemre


Shemben


E përplasen n’shpirt




NJËSOJ


Në përmesore të shpirtit


Mijëra pjesë të vetes


Frymojnë


Mbi pingule rrahjesh


Që ritmojnë njëjtë


Me të ngjashmet larg


Kongruente zemrat


Që gulçojnë mall.




HYR


Trokasin heshtjet sa mundin


Kotësia sa mundet zgrap


Në grusht mbledhur idhnimi


Shtrëngoj fjalēn


Mos t’më humbë


Kërcasin gishtat e mërzisë


Në portën e dhembjes


Hyr


Me heshtjen flas


E bind t’më urdhërojë brenda




ARKA


Në arkën e drunjtë

Të mendimeve

Të parin që kujtova sot

Kish aromë molle

Seç më solli aromën tënde

Të mallit

Aromë shpirti

Që se harroj dot




BLU


Bluja e dashnisë sime

Është e thellë


Në thellinë të qiellit

Zemrën

Edhe gjakun e ka blu


Brinjët mbush

Me frymë reje


Dhe

Kur shndrit prej diellit

Rrezja e saj

Tejçohet detit


Mbytur brënda saj

Po prapë mbetet blu



HIJET


Hijet u zgjatën rrugëve

Me kokë të vegjël

E sy të mëdhenj babëzie

Përndjekin ëndrrat

Në trajektoret e qiejve

Në hënën e mjelmtë

Kacavirren shpirtrave

Në muzgjet

Pijnë vesēn

Mbi qerpik

Kithët shpojnē

Shikimet e qelqëta

Belbëzuese

T’u rëndojnë qepallash

Zgjimit,mëngjeseve

Hijet

Zvarranike të së nesërmes

Kacafytur

Kuajve të ndërgjegjes

Derdhen helm

Të mbysin ç’të gjejnë

Pa drojë

Funksionesh marrin e japin

Me dreqër pa mburojë

Shigjeta gjuhësh të panjohura

Gjuajnë shtigjeve

Ku shtojzovallet këndojnë

Këngë Ajkunash

Zënë pritë pabesisht

Si Judët

Të çakordojnë orët e maleve

T’u presin ujin krojeve

E të thyejnë madhështinë

E maleve

Të zgjaten në pafundësitë

E të pamundurës

Por harrojnë

Se nuk maten kurrë me diejtë





HAJDE


Hajde

Mos I’u fshih vetes

Nga unë


Rrokullime të beftë ndjenjash

Të çuan larg


Palcë e gërryer

Shëndërrohesh me vetet

Në dyjëzime gjigande

Ku më nuk njihesh


Hapa të humbur

Degdis pa adresë


Dhe zhdukesh…


Hi ma bën ditën

Prush mi bën sytë


Dhe zemrën ma fut

Në një zgavër pa mushkri


Në metaztaz mendimesh

Shkalafis të të shoh

Të jesh me mua


Hajde..


Mu gdhend mëngjesi

E nata në shpirt

Shkretëtirë…







ZHIGLA


Në zhigla të ditës

E solla shpirtin

Në mbrapshti


Kocka thyej

Në hak të inatit

Me përbindësha

Trekëndëshave të mëndjes


Varur lak për fyt

Dreqër

Më kacavirren sysh

Buburrecë

Që vjellin jargë pleqsh


Tërhiqen zvarrë

Tek lëpihen buzësh

Zhgarravitur muresh


Karkalecë mendimet

Shkapërcejnë shpirtin

Mbesin për zgafyell


Të shpërhapen

Shi mjeranësh


Kërpurdhë helm

Ma bënë gojën


Rrjepjet po zënë plagë

Kore e shpirtit

Është e fortë sërish


Endem udhësh

Vetëm

E mbushem me frymë.






SHPIRT


Të pjerrëtat e shpirtit

U përthyen edhe më


Në mijëra kënde

Të fshehura

Të panjohura


Paraleleve të zemrës

Zgjaten


Ku gulçima mpakjesh

Jargaviten


Në zhurmat e ndërgjegjes

Trullosëse plaken

Pa bērë zë


E lēshojnë hijet

Vetmitare

Të shpirtit


Me sy të mbyllur

Egoizmi


Me dasht

Aq sa mē duan?


Apo edhe më?



PA TY


Psherëtin brenga

Pa Ty


E më flet vokët

Shpirtit të cungum


Ndër rreshta

Të ngjyem me ofshamë


Se zanin s'ta kam ndi


Më vret dita

Me njëmij plumba qorr


Tej e mbanë

Më kanë bri


Të vokrruem janë sytë

Se janë mpi me të pa


Nata më plogështon

E më grryen për palc

E për brinjë


Pa ty

Gardh

më lidhet shpirti


E më prangoset syni

Burgut të lotit


Se jam pa Ty....







29 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page