top of page

SULUA


Pamflet

Sulua kërkonte rreth stolave dhe shtatores së teologut me çehre të zbehur; nga ç’ shikonte netëve. Të dehurit përmirrnin në rrënjët e luleve aty afër, ndërsa prostitutat hidhnin poshtë pishave, shamitë e njomura nga sperma. Duan të thonë se për të gjithë ata dhe ato, kleriku kish hedhur mallkimin; ndoshta jo rastësisht shumë prej prostitutave mbetën pa martuar, ndërsa pijanecëve nuk u ngrihej penisi. Më mirë! u shpreh Sulua i nervozuar; më mirë se do të na mbushej qyteti me të dehur dhe prostituta! Sikur të mos mjaftonin bëmat e netëve, gjatë orëve të ditës pensionistët luanin shah; si pasojë, sipërfaqja përreth shtatores mbushej me bishta cigaresh. Mbi kokat e lojtarëve amatorë, kureshtarë të mërzitshëm shpesh ndërhynin me guxim të tepruar; midis tyre dhe Sulua. Të dhënë pas lojës, kish nga ata që bënin lëvizje instinkte: Dikush me dhëmbët priste thonjtë, një tjetër kërciste gishtat, më interesanti godiste pas zverkut mizat imagjinare; Sulua, fuste e nxirrte duart nga xhepat. Ky ishte dhe shkaku i humbjes së pesëqind lekëve. Një çast, iu bë sikur pa monedhën rrëzë piedestalit ku kishin vendosur klerikun; si picërroi dy tri herë sytë, vuri re se nuk ishte monedha, por një paketë cigaresh e boshatisur. Tanimë nuk i mbeti gjë tjetër veçse të pyeste veten për çdo njërin që mund ta kish gjetur. «Të ishte mjeku okulist (pensionist?) Jo se jo! Ai këtu e dy vjet, nuk shikonte mirë! Ish ushtaraku i dekoruar? Dhe ai jo! Që pas asaj ngjarje të shënuar, ecte gjithmonë me kokën lartë! Alkoolisti atëherë? Po t’ i kish gjetur ai, do të ishte mëngjes-mëngjes i dehur! Shakaxhiu do t’ i kish gjetur, pa tjetër shakaxhiu! Për të thoshin se kish lindur me këmishë. Ai dhe në nevojtore të vente, lek do të gjente!» Edhe pse i sigurt se dikush i kish gjetur, vazhdonte të kërkonte kokulur. I vinte plasja; me lekët e tij, tjetër kush do të dëfrente! «Ç’ far kërkon?» E pyeti një kalimtar, «sigurisht diçka të ka humbur, po mos kërko kot se aty mëngjes-mëngjes kaloi fshesa elektrike» sqaroi dhe u largua pa e kuptuar, pse Sulos i çeli fytyra.

20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page