Stili dhe elementarizmi
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 13, 2020
- 3 min read

Në jo pak raste ne justifikohemi. Justifikohemi se ndjejmë të kemi arsye për ta bërë justifikimin, gjithnjë nga arsye të tjera. Harresa?! Kjo në më të shumtën e rasteve e përligj justifikimin. Më saktë e bën atë një pasqyrë të rrugës ku justifikimi ka hedhur rrënjët e tij me kohë. Në këtë mënyrë vetë “justifikimi” është një lloj stili më vete, ku dispozita e aparatit në të cilin ne e bëjmë të kryer justifikimin ka një konkretësi dhe ngurtësi në vetvete. Po cila është kjo ngurtësi? Kjo është në fakt një linjë e cila kalon në shumë labirinthe, dhe në më të vëmendshim ajo kapërcen tërësinë shumë-lineare të saj. Tërësia shumë-linerare e saj është e ndërvarur dhe e strukturuar nga pozitat e njeriut që kërkon të bëjë justifikimin si të tillë, pra të justifikueshëm. I justifikueshëm në fakt ai bëhet nga linja të natyrave të ndryshme, ku në qasjen e parë duken se nuk rrethojnë ose krijojnë sisteme që janë vartësore në vetvete, si në konkretin e harresës që shpërligj objektin, lëndën, gjuhën, etj., por që në fakt ndjek një stil dhe një elementarizëm të modeluar si shkas për një gjë të tillë. Kjo nuk është vetëm në përditësi. Kjo është në art, krijimtari, prozë dhe poezi. Sa herë një libër mbushet më së shumti me “justifikimin e harresës”, kur shkon në dorën e rileximit? Jo pak herë një vepër arti karakterizohet nga shenja të tilla, kur dëshmohet dhe dirigjohet nga simbolika të harresës së ndrequr rrëndomthi.
Në procesin krijues këto elementë ndjekin udhëzimet, proceset gjurmë-lënëse që janë gjithmonë jashtë ekuilibrit, që ndonjëherë lëvizin më afër së bashku dhe ndonjëherë më larg se vëtë largësia e kohës që përdoret për vetë justifikimin. Çdo rresht është thyer, duke iu nënshtruar ndryshimeve në drejtim, kur vetë justifikimi nuk përtypet më si i tillë, nuk lexohet si një stil apo elementarizëm i tillë në një vepër, apo në ndonjë skulpturë, dhe i nënshtrohet derivimeve, ku baza e ka të vështirë të luajë më rolin e pranuesit. Objektet e dukshme, thëniet e artikulueshme, forcat në përdorim, subjektet në pozicion janë si vektorët ose linjat që shtrohen për të zbuluar rrënjët latine të stilus, apo dhe më tej të elementit bazë, parësorë në një art. Kështu, instancat që shkojnë më përshtat në këtë pikë janë variacionet e vetë faktit të faktit për justifikimin e artit. Ndoshta më arsyeshëm është një lloj De Stijl, (Stili) që lindi nga një grup artistësh holandezë në Amsterdam në vitin 1917, kur kjo lëvizje me bazë justifikimin e më vonshëm kishte përfshirë piktorët Piet Mondrian, Theo van Doesburg dhe Vilmos Huszár, arkitektin Jacobus Johannes Pieter Oud dhe poetin A. Kok. Bashkëpunëtorët e tjerë të hershëm të “De Stijl” ishin Bart van der Leck, Georges Vantongerloo, Jan Ëils dhe Robert van’t Hoff. Anëtarët e kësaj lëvizjeje, duke punuar në një stil abstrakt, po kërkonin ligje ekuilibri dhe harmonie të zbatueshme si për artin ashtu edhe për jetën. Van Doesburg u kthye në pikturë rreth vitit 1924, në të cilën kohë ai vendosi të fusë diagonën në kompozimet e tij për të rritur efektin e tyre dinamik. Ai e quajti qasjen e tij të re “elementarizëm”, dhe më 1926 ai botoi një manifest të shpjeguar në “De Stijl”. Mondrian e kundërshtoi aq shumë idenë, saqë hodhi poshtë lëvizjen “De Stijl”. Më 1931 van Doesburg u përfshi në formimin e shoqatës Abstraction-Création, një grup artistësh që mbronin abstraksionin e pastër. Theo van Doesburg, pseudonim i Christian Emil Marie Küpper, (lindi më 30 gusht 1883, Utrecht, Hollandë — vdiq 7 Mars 1931, Davos, Zvicër), piktor holandez, dekorues, poet dhe teoricien i artit që ishte udhëheqësi i lëvizjes “De Stijl”. Tek stili hollandez i tij De Stijl nuk emetohet harresa.
Comments